Re: Rezistenca!
Nje sqarim per marksizmin dhe ate qe vijoi. Kujdes copyright-in ju lutem se eshte marre nga libri i Andrew Heywood, Politics, Botim i 2002.
MARKSIZMI
Si sistem teorik marksizmi ka qenë alternativa kryesore kundrejt racionalizmit liberal, ndërkohë që komunizmi ndërkombëtar ka qenë forca politike armike e kapitalizmit perëndimor, të paktën gjatë periudhës 1917-91. Ky dualitet ka sjellë vështirësi në trajtimin e filozofisë marksiste të përshkruar në veprën e Marksit dhe Engelsit, dhe fenomenit të komunizmit të shekullit të 20të, që u nis nga përpunimi i ideve klasike. Rënia e komunizmit në Evropën Lindore nuk duhet parë si fundi i ideologjisë politike komuniste, por si një lirim të teorisë marksiste nga leninizmi dhe stalinizmi.
Konfuzioni midis teorisë e praktikës ka ardhur si rezultat i stilit të komplikuar të Marksit në shkrimet e tij, stil që ka çuar në interpretime të ndryshme nga determinizmi ekonomik e deri tek socializmi humanist. Dallime mund të vihen re dhe midis shkrimeve të tij të para e të mëvonshme. Marksi mendonte se kishte zhvilluar një lloj socializmi shkencor që dallonte nga ideologjitë e mëparshme për vetë karakterin shkencor e objektiv duke qenë se ai bentë një analizë historike e shoqërore të zhvillimit dhe jo një kritikë etike ndaj kapitalizmit.
Duhet thënë se Marksi nuk mendonte se të gjitha këndvështrimet politike kishin karakter ideologjik. Ai pretendonte se vepra e vet, në të cilën u përpoq të shpaloste procesin e shfrytëzimit dhe shtypjes së klasave, ishte vepër shkencore. Sipas tij kishte një dallim të qartë midis shkencës dhe ideologjisë, midis të vërtetës dhe gënjeshtrës. Dallim ky, që sa erdhi e u zbeh në veprën e marksistëve të mëvonshëm si Lenini dhe Gramshi, të cilët folën për ideologjinë borgjeze, por edhe për ideologjinë socialiste apo të proletariatit, terma që vetë Marksi do t’i konsideronte absurde.
Elementet e Marksizmit
· Materializmi historik: filozofia e Marksit bazohej në atë që Engels quajti “konceptimi materialist i historisë”, që nënvizonte rëndësinë e jetës ekonomike dhe kushtet nën të cilat njerëzit prodhojnë dhe riprodhojnë mjetet e jetesës. Marksi mendonte se sistemi ekonomik kushtëzon superstrukturën ideologjike e politike, duke sugjeruar se zhvillimet shoqërore e historike mund të shpjegohen nga faktorët ekonomikë dhe klasorë. Më vonë kjo u interpretua si marrëdhënie ekonomike, sepse “ligjet” e pandryshueshme ekonomike e çojnë historinë përpara pavarësisht nga agjenti njerëzor.
· Alienimi: Në shkrimet e hershme të tij Marks thoshte se nën kapitalizëm, puna kthehet në komoditet e si e tillë është e depersonalizuar. Kështu punëtorët largohen nga produkti i punës së tyre, nga procesi i punës, nga shokët e punës dhe nga vetja ose më mirë nga krijimtaria e tyre si qënie njerëzore, duke u kthyer në robotë. Për t’u realizuar njerëzit duhet të riafrohen me punën.
· Lufta e klasave: Kontradita bazë në kapitalizëm është ekzistenca e pronës private që çon në krijimin e obrgjezisë së pasur, dhe të klasës puntore që nuk ka asgjë dhe është e detyruar të shesë krahun e punës. Pasuria materiale e aftëson borgjezinë të mbajë dhe pushtet politik, duke e bërë borgjezinë klasën drejtuese.
· Vlerat e shtuara: Marrëdhëniet borgjezi-klasë punëtore janë të karakterizuara nga konflikti i pashmangshëm, duke qenë se proletariati shfrytëzohet gjithnjë. Marksi besonte se vlerat rrjedhin nga puna dhe shtrirja e saj në prodhimin e të mirave materiale. Kjo do të thotë se kapitalistët për të shtuar vlerën e këtyre të mirave me qëllim shtimin e të ardhurave i paguajnë punëtorët më pak se sa vlera e vërtetë e punës së tyre. Kjo tregon se kapitalizmi nuk është i qëndrueshëm sepse masa nuk mund ta lejojë shfrytëzimin në pafundësi.
· Revolucioni i proletariatit: Marksi besonte se kapitalizmi ishte i dënuar dhe se fundin e tij do ta sillte proletariati. Sipas analizës së tij kapitalizmi do të vihej në krizë nga një sërë periudhash super-prodhimi, që do ta ndërgjegjsonin proletariatin. Marksi thoshte se revolucioni i proletariatit ishte i paevitueshëm, dhe parashikoi një revoltë spontane që do të synonte marrjen e mjeteve të prodhimit. Më vonë Marksi spekulloi mbi idenë e një tranzicioni paqësor nga kapitalizmi në socializëm.
· Komunizmi: Marksi parashikoi që revolucioni i proletariatit do të çonte në një periudhe tranzitore “socialiste”, ku diktatura e proletariatit do të ruante sistemin nga rreziku i një kundër-revolucioni që do të tentonte të risillte borgjezinë në pushtet. Me zbehjen e antagonizmit klasor dhe vendosjen e komunizmit shteti proletar do të zhdukej natyrshëm, duke ja lënë vendin një shoqërie komuniste pa klasa, ku prona do të ishte e të gjithëve dhe prodhimi do të bëhej në bazë nevoje dhe jo komoditeti. Ky system do të sillte fundin e pre-historisë njerëzore, duke nisur periudhën e arritjeve njerëzore me potencial të plotë.
Komunizmi ortodoks
Në praktikë Marksizmi është i lidhur ngushtë me eksperiencën e Bashkimit Sovjetik, veçanërisht me kontributin e udhëheqësve të parë sovjetikë Lenin dhe Stalin. Në fakt komunizmi i shekullit të 20, kuptohet më mirë si një formë e marksizëm-leninizmit: dmth Marksizëm ortodoks i mbrujtur me një sërë teorish dhe doktrinash leniniste. Kontributi i parë i Leninit ka të bëjë me prezantimin e partisë pararojë apo revolucionare. Lenini kishte frikë se proletarët nuk do të arrinin të zhvillonin potencialin e tyre revolucionar nga mungesa e ndërgjegjsimit sindikalist dhe do të kërkonin përmirësimin e kushteve të punës dhe pagesën pa kërkuar rrëzimin e kapitalizmit. Kështu u bë e nevojshme prania e një partie revolucionare të armatosur me ide marksiste. Kjo nuk do të ishte parti masash, por e përbërë nga një grup i përzgjedhur revolucionarësh të përgatitur e të devotë që do të ktheheshin në udhëheqës ideologjik. Lenini e mori pushtetin në 1917 duke deklaruar se partia e tij vepronte në interes të klasës punëtore. Në këtë mënyrë diktatura e proletariatit u kthye në diktaturë të Partisë Komuniste, që veproi si forca udhëheqëse në shtetin një-partiak sovjetik.
Influencën më të madhe në BS e pati revolucioni i dytë i Stalinit në vitet 30të. Stalini krijoi një lloj komunizmi ortodoks që u aplikua dhe në Kinë, Korenë e Veriut, Kubë dhe në gjithë Evropën Lindore pas 1945. Risija ideologjike kryesore e tij ishte doktrina e “Socializëm në një Vend”, që deklaronte se BS mund të ndërtonte socializmin pa nevojën e një revolucioni botëror. Stalinizmi ekonomik nisi së bashku me planet 5-vjeçare, që sollën zhdukjen e ndërmarrjeve private. Kolektivizimi pasoi në 1929 duke sjellë gjithë burimet nën kontrollin e shtetit. Ndryshimet politike ishin po aq dramatike. Stalini e ktheu BS në një diktaturë personale duke eliminuar të gjitha llojet e opozitave brenda Partisë Komuniste, në administratën shtetërore dhe ushtri. Stalini në fakt krijoi një diktaturë totalitare që ekzistoi përsa kohë ai ishte gjallë (deri në 1953). E megjithatë parimet bazë të leninizmit (organizmi dhe disiplina hierarkike) dhe stalinizmi ekonomik (kolektivizimi dhe ekonomia e centralizuar) i rezistuan reformave për disa dekada deri në prezantimin e perestrojkës, ose reformave ekonomike, shoqërore e politike të Gorbaçovit, që nuk bënë gjë tjetër veç përshpejtuan falimentimin e ekonomisë së centralizuar dhe lirimin e forcave të shtypura politike.
Marksizmi Modern
Një formë tjetër më e lehtë Marksizmi u zhvillua në Evropën Perëndimore, por në kontrast me atë sovjetik, marksizmi perëndimor bazohej në idenë hegeliane “të njeriut krijues”, që mund të gjendet edhe në shkrimet e para të Marksit. Besohej se njerëzit nuk ishin thjesht kukulla të kontrolluara nga forca jopersonale materiale, por krijuesit e historisë dhe si të tillë ata ishin të aftë të rikrijonin fatin e tyre. Shpesh ky grup është quajtur neo-marksist. Ata refuzonin ta trajtonin luftën e klasave si fillimin dhe fundin e analizës shoqërore.
Sipas Gramshit, kapitalizmi dominonte jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe politike e kulturore, duke e quajtur këtë fenomen “hegjemoni” ideologjike. Shkolla e Frankfurtit me udhëheqës Theodor Adorno (1903-69) dhe Max Horkheimer (1895-1973) dhe Herbert Marcuse zhvilluan një “teori kritike” ku përzien ekonominë politike marksiste, filozofinë e Hegelit dhe psikologjinë e Frojdit që influencuan të Majtën e Re në vitet 1960.