Cees Noteboom: PARAJSA E HUMBUR
-fragment-
...Sa gjatë mund të shkojë mendimi kur njeriu nuk del kurrë nga dhoma? I hyra një udhëtimi brenda
kokës sime dhe përfundova po aty ku u nisa – në qetësi. Personi, që në galerinë e arteve takoi burrin e shtrirë tani pranë meje, nuk ishte i njëjti person me atë që kishte ardhur në Sidnej gjashtë muaj më parë. Duhet të them: “Unë nuk isha më e njëjta” dhe do të doja shumë të mund ta thosha, por mes meje dhe vetes sime është krijuar një hendek, të cilin ende nuk kam mësuar ta kapërcej. Almuti thotë: “Ti thjesht ke rënë në dashuri”, por kjo nuk është e vërtetë. Është shumë më tepër se aq. Do të thotë të fitosh e njëkohësiht të heqësh dorë nga diçka. Unë nuk kam për të ndenjur me këtë burrë, sepse ai nuk ka për të ndenjur me mua. Këtë gjë ma bëri të qartë që në fillim dhe edhe kjo ka të bëjë me hendekun. Ai është po aq i padepërtueshëm, sa dhe pikturat e tij. Ato mund t’i varësh në mur, por nuk janë të tuat dhe nuk kanë për të qenë kurrë, sepse vijnë nga një vend ku ti nuk mund të futesh dot. Problemi nuk është se në botën e tij nuk ka vend për mua, apo se ai nuk do të më çonte
kurrë në vendlindjen e tij, apo se unë e turpëroj, apo se për një arsye apo tjetrën nuk më prezanton dot tek njerëzit e tij të afërt, dhe nuk është problem as fakti që ai më mori e më çoi, si të isha turistja e radhës, atje ku jeta aborigjene paraqitet në mënyrë teatrale, me bush tucker dhe didgeridoo, zjarre në natyrë dhe valle shkel e shko që nuk ngjanin fare me ato që kisha pare në muzeun në Darvin, pra ai ose më nënvlerësonte ose po më fyente, megjithëse nuk kishte asnjë vlerë t’i hyja këtij diskutimi meqë ai nuk flet...