Re: RAMIZ ALIA:FJALA NE BYRONE POLITIKE NE 1989!
AT ZEF PLLUMI
Zef Pllumi ka lind në Mal të Rrencit me 7 prill 1924, qysh në moshë të vogël ka hi në kolegjin françeskan në Shkodër, tue mbarue liceun «Illyricum» në vitin 1942 dhe studimet teologjike në vitin 1946. Në dhetor të 1946 arrestohet bashkë me sivëllëznit e tij dhe dënohet me burgim, tue shetit në burgjet e Shkodrës, Bedenit dhe Maliqit. Lirohet në vitin 1949 dhe vendoset në kuvendin e Arrës së Madhe në Shkodër (1949-1958) dhe mâ vonë në Shosh të Dukagjinit (1958-1967). Me mbylljen e kishave, në vitin 1967, dënohet me 25 vjet burg, të cilat i kalon në burgjet e Shkodrës, Spaçit, Repsit, Nartës, Ballshit, Spaçit, Ballshit, Zejmenit, Shën Vasisë (Sarandë). Lirohet me 11 prill 1989. Në dhetor të vitit 1990 hap kishën e Shna Ndout në Tiranë. Në vitet mbas ramjes së komunizmit ka botue këto libra: Rrno vetëm për me tregue (3 vëll., 1995-2001), Siç thonim dje (2002), Antipoezi për shekullin e njëzetë (2001), Françeskanët e mëdhaj (2001), Para njimijë vjetve (2003), Frati i Pashallarëve Bushatli tëShkodrës (2004).
___________________________________________
DEMOKRACIA SHQIPTARE ME DY DIKTATORË
1.Themelimi i Pluralizmit Politik
Dalë e ngadalë demokracia në Shqipni po bahet pesëmdhetëvjeçare. Na pleqët se ç’u gëzuem atë ditë që lindi. Jo vetëm na pleqët por mund thom se u gëzue i gjithë populli shqiptar përveç ndonji nostalgjikut që kishte harrue me hecë në kambë të veta por gjithmonë kaloboç në qafë të tjervet sepse për atë punë thirrej “demokraci popullore”.
Dikur tinzash kishim ndigjue se në Europë kishte demokraci prendimore. Flitej se ishin disa varza të bukura, që i bajshin me sy gjithkuj dhe ecnin në rrugën e gjanë të përparimit, të pasunisë e jetës së lumtun. Edhe kur ato grindeshin mes vedit në dybekun Parlamentar thonin se pa u rrahë gjatë e gjatë nuk del tëlyeni ose gjalpi aty në krye të vendit.
Kur presidenti Ramiz Alia filloi me u plakë e pau me sy të vet se çka e gjet Çausheskun e Rumanisë, u nis për Boston, shkoi në Kishën e Shëngjergjit me rrëfye para At Liolinit, o dikuj tjetër, mëkatet e shumta gjatë jetës së tij e të shokve.
Si prift i mirë, At Liolini ia fali mëkatet dhe i caktoi për pendesë që ai kur të kthehej në Shqipni të çpallte “pluralizmin”.
—“Çka asht ky?”—pëveti Ramizi.
—“Pluralizmi, i tha At Liolini o dikush tjetër, don me thanë që në vend me sundue nji njeri i vetëm, siç keni ba yt at e ti, duhet me sundue dy ose ma shumë... .”
—E kuptova shumë mirë. Krejt mirë! Dhe tue kqyrë ikonën e madhe të Shën Gjergjit, i tha:
Qe, këtu jemi dy: un dhe Kali; bile bile , o At i dashtun për mos me u dukë Shën Gjergj si në kët ikonë; kalin po e ndrroj në gomar sepse i përgjegjet edhe ma mirë historisë e tipareve kombëtare të popullit shqiptar: Un këtu sipri me shkop në dorë e ky i gjori këtu poshtë që nuk ban za as nuk hedh shtjelma sado të sjellish mbi te... . Si të duket?
—Jo mor, jo, i a këthei At Liolini o dikush tjetër. Jo, jo! Kështu nuk ban... boll e keni kullotë. Tashma je plakë zgjidh dy djem të rij... në vend tand. Ky asht pluralizmi që thashë.
Rruga me avion për Amerikë asht shumë ma e gjatë me kthye se sa me shkue. Gjatë kësaj rruge së gjatë Ramizi ishte tym në mendime: pluralizmi, djemtë e rij... a janë të tjerët si na... a do të dijnë me vazhdue rrugën tonë përparimtare tue ecë së mbrapthi kurrkush ma mirë se na... do të këshillohem sa të shkoj me Nexhmijen: ajo asht grueja ma e meçme e botës... Vetëm atë ndigjonte Enveri i shkretë... .
Kur u kthye në Tiranë Ramizi e pveti Nexhin: a din çka don me thanë “pluralizëm”?
—E si nuk e dij! Ma ka mësue shoku Enver qyshë se kjeçë vajzë. Na e kemi Pluralizmin politik ma të mirin në botë: Kemi Partinë e Pushtetin e përveç ktyne kemi Frontin Demokratik, kemi Gruen Demokrate, kemi Rininë e Lidhjen e Shkrimtarëve. E çka na duhen ma shumë!? Jemi popull i vogël, por i bashkuem: dy miljon por sa dyqind miljon. Kurrkush nuk flet as s’ban za... . ç’e don ma mirë?
—Po moj, po, atë e dij edhe vetë por a e pae se ç’e gjet Çausheskun?...
—E pashë mirë edhe e mora me mend se ashtu do të perfundojë sepse e pat fillue me i lanë me lehë disa qej rrugash: na i kemi ndry të gjithë... s’guxon kurrkush me lehë. Mandej a e ke pa atë statujën e madhe në mes të sheshit? Sfinks i vërtetë. Kush guxon me lehë?
—Ndigjo Nexhi, kur kjeçë atje e ata miqët tanë më këshilluen mos me ndjekë Çausheskun por me ba edhe na si gjermanët e Honeckerit.
—Jo, ma mirë po bajmë si Kim Il Seni i Koresë: po largohemi na e po ua lëshojmë djelmve tanë,... Si të duket? Po vemë djalin tem të madhin e djalin tand, sepse atë të voglin e kam të pandigjueshëm. Ka marrë për grue nji kaurreshë që nuk, ma don kurrsesi hero Haxhi Qamilin... Si thue?...
—Jo, moj jo. A din si asht puna: me vue dy djemt tanë, na çohen kundra shoku Haxhi, Babë Myslymi e të gjithë shokët tjerë, që i kanë djemët ma besnikë.
—Mirë e ke, shoku Ramiz. Kam nji djalë aty në Institutin e Studimeve marksiste-leniniste që nuk e ka shokun; quhet Fatos e asht taman fatos i Enverit, e njof mirë se ai emnin e kishte Foto, por shoku Enver e njofti mirë e ia suell Fatos. Ai i redakton shkrimet e Enverit e i ban aq të bukura sikur i përket njaj klasiku të vertetë. Mendoj se edhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Punës po t’emnohet e kryen me nderë atë detyrë.
—E njof, e njof mirë; taman e ke gjetë. Ma mirë ta ngarkojmë atë si kryesor. Sa për atë të dytin po ta gjejë vetë: asht nji djalë guximtar nga Tropoja. E kemi Doktor të specializuem në Francë: Sali Berisha quhet.
—E njof, e njof edhe unë Salën se ishte në atë ekipin e mjekve të Enverit. Por a të ndigjon se më kanë thanë se baba i nuses së tij ishte argat i UDB-esë jugosllave.
Aq ma mirë sepse kështu gjurmët tona nuk i dikton Europa as Amerika.
—Hajt pra; futja sa ma parë e ta marrin vesht Europa, Amerika e tanë bota!... .
Në zyrën e presidentit të Republikës u paraqit shoku Hekuran Isai, ministër i Punëve të Mbrendëshme për me dhanë informacion ditor.
—Shoku Hekuran, kam në projekt me ba disa reforma të randësishme, por derisa populli nuk i kërkon e kam pak si të veshtirë me i dekretue. Ban si të bajsh e nxiti disa studenta të Universitetit me kërkue përmirsime të gjendjes ekonomike.
—Me i nxitë asht fort e kollajtë por mandej nuk dij ku ndalen sa drue se mos na kërkojnë ma vonë qiqrra në hell e s’kemi ku i marrim.
—Mos u ban marak: na zogun e lshojmë me fluturue sa të dojmë na që mbajmë penin në dorë. Ti e din se kjemë na byroja e kurrkush tjetër që vendosëm me marrë pjesë në Këshillin e Europës me 25 Nandor dhe i kemi ba thirrje Nanë Terezës që të vijë në Shqipni me 6 Dhetor. Disa lëshime të kontrollueme na duhet me i ba doemos se kemi mbetë vetëm si dhi e zgjebtë.
Nanë Tereza erdh në Tiranë e u prit mirë prej Presidentit Ramiz Alia ashtu edhe familjes së Enver Hoxhës, mbi vorr të cilit vuni nji tufë me lule e dy tjera mbi vorret e nanës e motërs së vet në Sharrë, për ma tepër i falen edhe Kishën e shtëpinë e françeskanëve në Tiranë. Por opinioni botnor kërkonte ma tepër: kërkonte “pluralizimin politik”.
Me 8 dhetor 1990 studentat kërkuen kondita ma të mira jeteset: lypen drita, ujë, pastërti e ushqim.
Atë ditë Ministri i Arsimit Skënder Gjinushi shkoi me takue universitarët në revoltë, u bani shumë premtime me fjalë qetësuese por ata paraqiten kërkesa tjera për liri të fjalës, shtypit e pluralizmit politik. Kërkuen takim me presidentin Ramiz. As delegacioni i dytë qeveritarësh e intelektualësh nuk i qetësoi studentat. As takimi me Presidentin nuk solli gja. Atë natë Ramizi pat nji krizë zemre. Çoi e thirri doktorin për ta vizitue. Sali Berisha u paraqit.
—Ndigjo, jam shumë i shqetsuem. Duhen ba reforma politike se i kërkon bota jashtë. Prandej të thirra që të formosh nji parti politike e të shpallim pluralizmin politik...
—Shoku Ramiz, kët gja nuk mund e baj. Jam ushtar besnik i Partisë!...
—Ndigjo mirë, Doktor, e dij mirë se je ushtar besnik i Partisë por sot, unë në funksionin e udhëheqësit kryesor të Partisë, po t’urdhnoj që ti të shkojsh te studentat në grevë dhe shpalle nji parti të re në mënyrë që të formohet pluralizmi politik. Ky asht urdhen i Partisë!
—E si t’ia ngjes emnin Partisë së re?
—Pse?... edhe emnin do t’ia gjej unë?!! Shko!
Me datën 12 Dhetor 1990 Prof. Dr. Sali Berisha shkoi te studentat e Universitetit në grevë që drejtoheshin nga Azem Hajdari dhe aty shpalli pluralizim politik tue formue Partinë Demokratike me nji statut e program minimal.
Mbas ndonji dite u dekretue ligji mbi partitë politike në Shqipni të cilat duhej t’aprovoheshin nga Gjykata e Naltë mbas nji kërkese të firmueme prej treqind autorëve.
Pa u mbushë mirë java në Zyrën e Presidentit u paraqitën dy persona tjerë: z. Sabri Godo dhe z. Namik Hoti. Në takimet veç e veç Presidenti u spjegoi atyne se “pluralizmi politik” kërkonte që t’ishin ma shumë se dy parti, të cilat mandej do të funksjonin në bazë të grupimeve. Kështu ishte Europa Perëndimore që duhej ndjekë.
Presidenti Ramiz i tregoi z. Godo se n’Amerikë ishin dy parti kundërshtare Partia Republikane dhe Partia Demokratike: “i ka nda rrota përgjysë, tha, por politika e don kështu.”
—Shumë mirë. Jam i gatshëm ta provoj.
Z. Godo me shpejtësi të marramendëshme përpiloi Statutin e Programin e “Partisë Republikane” por kur erdh puna me e nënshkrue treqind antarë, ai nuk gjet sepse populli ishte tepër i friguem e thohet se mezi ia firmuen njiqind. Z. Sabri nuk u ligshtue aspak, por dhelpnak, siç ishte, u tha: shkoni ndër vorreza aty gjeni emna sa të doni por mos i shkrueni ditën e vdekjes. Kjo listë u paraqit në Gjykatën e Naltë e cila menjëherë e aprovoi. Statuti dhe programi i gjatë i Partisë Republikane u botuen po në shtypshkrojën, po me atë letër e po me ato shkronja që publikohej revista “Rruga e Partisë”.
Takimi i Presidentit me z. Namik Hotin kje ma i vështirë. Ky e pranoi me andje rolin e Krijuesit të “Partisë së Gjelbër” në Shqipni mbasi ajo në të gjithë Europën ishte nji patericë e partive komuniste. Por kur ra puna e politikës së grupimeve parlamentare ai i tha haptë Presidentit se nuk do të bashkëpunonte kurr me Doktorin se “sikur të hypë maloku në kalë, nuk ka gja që e zbret për veç plumbit.”...
Ndërkaq sheshet e Tiranës i sundojshin Sfinksat e Partisë së Punës së Shqipërisë: Lenini, Stalini e Enver Hoxha.Në ket atmosferë demokratike pluralizmi shqiptar u paraqit në zgjedhjet e fundmarsit 1991, në të cilat fitoi Partia e Punës drejtue prej Fatos Nanos.
2.Ujku ndrron qimen por jo vesin
Bejlegu i parë në mejdanin shqiptar u zhvillue në fund të Marsit 1991, simbas rregullave demokratike të caktueme prej Presidentit Ramiz Alisë. Gjatë fushatës elektorale tremujore u realizue akti mâ pozitiv i demokracisë shqiptare, zhdukja e heshtun apo edhe demonstrative prej shesheve të Tiranës e tre idhujve sfinksa që i kishin shtie tmerrin deri në palc popullit të mjerë shqiptar. Kjo u bâ që t’u mbushej mendja që populli shqiptar ka liri zgjedhjesh. Pra, në fundin e atij marsi shumkush me frigë e dikush pa frigë muer pjesë në “zgjedhjet e padetyruara”. Natyrisht sipas lojës së paracaktueme fitoi famëmadhja “Parti e Punës” kso here nën udhëheqjen e shokut Fatos Nano. Megjithëse ingjenjer Krroqi fitoi kundra Ramiz Alisë, prap se prap populli mbet i zhgënjyem aq sa edhe burizani i madh i partisë, Dritëro Agolli, tha me padurim: “Partia e Punës aq fort ish fosilizue sa nuk mund të vetëkorrigjohej pa i ndrrue edhe emnin.” Ndër ato ditët e para demokratike kje quejtë “herezí”. Megjithket “Kuvendi Popullor” u shndrrue në “Parlament”. Me të drejtë disa puritanë tash vonë filluen me e quejtë “Foltore” por mbasi shtypi intelektual si edhe populli injorant e ngatrruen me fjalën “faltore” më duket se nuk po përdoret mâ. Mendoj se puritanët kishin të drejtë se ajo duel faltore për të gjithë pjestarët e saj. Pra, i pari përparim u bâ. A do ta hante populli?...
Populli i zhgënjyem, i udhëhequn nga Sindikatat e Pamvaruna, e kuptoi se nuk ecej mâ gjatë me rrena por duhej shkatrrue baza ekonomike e Partisë-shtet. Kështu ndodhi ajo që kurrë nuk duhej të ndodhte. Për dy muej rresht u shkatrruen puna dhe toka. Vetëm atëherë Fatosi i madh thirri Pleniumin e veçantë të Partisë së Punës e i a ndrroi emnin në “Partia Socialiste e Shqipërisë”, tue mbetë po ata udhëheqës e po ata antarë përveç ndonjanit që kish ikë e bashkue me “jashtëqitjen e kombit”, siç i kish quejtë shkrimtari i madh, emigrantët e mjerë shqiptarë. Ndoshta kje tepër vonë.
Presidenti Ramiz Alia në këtë gjendje të jashtzakonshme e detyroi Fatos Nanon me pranue nji qeveri tjetër për të pregatitë zgjedhjet përsëri në Mars 1992.
Ajo u quejt “Prandvera e demokracisë shqiptare”. Ndoshta dikush ashtu thotë edhe sot. Puna duel ndryshej. Historia e Partisë Demokratike me atë të “mëmës parti” ngjajnë si dy pika uji. Në çdo mbledhje plenare ose Plenium, siç thirrej dikur, do të dënohej nga nji “heretik” ose trathtar, me të vetmin ndryshim se dikur Enver Hoxha i pushkatonte ndërsa tash, diktatori demokrat e human i lejonte me formue nji “parti tjetër”. Kështu barku i Partisë Demokratike polli aq parti sa sot e kemi të vështirë t’i numërojmë. Parashifet që të pjellin jo vetëm bijat por edhe nipçet. Ligji i bukur shqiptar, Gjykatat e Ndershme e të drejta si edhe Drejtorat e buxhetit punojnë me dikat e me ngulm për liri e demokraci të popullit dhe kështu çdo parti e formueme me të gjallë e me të dekun (në rregjistra figurojnë: “të humbun”) ka të drejtën me pasë nji seli (shtëpi) për zyrë, ka të drejtën me pasë nji a mâ shumë makina, shpenzime për zyrë e propagandë e tjera nevoja që i duhen nji njeriut të papunë e të tjera privilegje nga buxheti i shtetit, mjaft që mos të çfaqin idé shkatrruese siç janë “shpërblimi i të përndjekurve politikë” dhe “kthimi i pronave”, përse atyne dikur “me ligjë” u janë hjekë kto të drejta njerzore. Nuk ka revansh shteti ynë.
Koha e artë për demokracinë shqiptare kje kur ju hapën dyert tanë botës me hî e me dalë pa emen pa vulë, e vetëm na shqiptarët mbetëm klandestinë. Liria fetare kje ma e madhja fitore. Atëherë t’u mbush vendi me gjithfarë soj sorollopit. Kushdo që la pak lesh në mjekër e e quejti vedin prift, hoxhë o dervish kje nderue në këtë tokën tonë si i tillë. Kush i kqyri se ç’ishin ata: njerëz të Zotit apo të dreqit?... as sot nuk merret vesht!... Edhe Papa vetë erdhi me pa seri me sy se si nuk bâhej luftë fetare. Këtu linden mâ shumë fé se shqiptarë... . Anija e demokracisë hîni në dét të hapun. Lundroi në drejtim të Europës, demek me shkue atje ku e kërkonte populli. Por timonieri nuk e kqyri busullen dhe ernat e detit na hodhën n’Arabistan o Çinemaçin. Nuk u kuptue se ç’ndodhi ndër né. N’atë kohën e artë të demokracisë njerzit e diktaturës gjakatare, disa, u dënuen se kishin pij kafe pa pague, shum tjerë u bânë pronarë me vendime të Gjykatave tona shembullore e kështu kur u çpall në Parlament ligji socialist për pronat, na duel se çdo shtëpi e çdo tokë pat tre-katër pronarë të ligjëshem. Kundra këtij ligji qiten shtjelma vetem Republikanët të përkrahun nga thanat e thata: Partia e Legalitetit dhe ajo e Ballit Kombëtar. Kjo gjendje ra në sy e atje n’Europë e njeti filluen me vû në dyshim Demokracinë Shqiptare prandej Sala i urtë çoi e thirri nji aktor teatrit:
—Gjatë jetës sate a ke luejt në skenë ndonji rol politikanit?... .
—Jo.
—Mirë, pra të ka ardhë koha më e luejtë sot, sepse shumë zane n’Europë e n’Amerikë po më akuzojnë si qendër e fondamentalizmit islamik. Kështu themelo sa ma parë “Partinë Demokristiane”. Besoj se atëherë kanë me na quejtë demokraci të vërtetë në Ballkan. Ashtu kjoftë!...”
Ashtu u bâ. Mbasi nuk e vuni firmen kurrkush, i u kërkue Gjykatës që fantazma e Partisë të Bashkimit Fetar të ndrrohej në Parti Demokristane, satelit i Partisë Demokratike.
Nuk dij a e hângri Europa kët ullî.
Në fillim të Marsit 1997 në heshtjen e plotë të Parlamenti Shqiptar, me ovacione të pergjithëshme u shpall për të dytën herë Presidenti karizmatik Prof. Dr. Sali Berisha. Për shyqyr lëshoi dekretin bujar të amnistisë së përgjithshme.
N’e nesre nji termek i madh përfshini të gjithë vendin. U rrëzuen jo vetëm Piramidat por edhe burgu nazist i Tepelenës, ku vuente tue pí kafe (torturë çnjerzore e demokratve shqiptarë) themeluesi gjenial i Partisë Socialiste, Fatos Nano. Dyqind Petritat u mblodhen rreth tij grusht të bashkuem, hine në Parlament ku ditë për ditë dekretuen nga pesë ligje fantazma demokratike, për me i mbushë mendjen Europës se sa shpejt përparojmë në terr. Gjykatat e Ndershme të Shqipnisë mueren vendim urgjent që nga buxheti shtetnor të shpërblehej menjiherë kontributi i madh që Fatosi legjendar, gjatë dënimit, kish dhanë për ndërtimin e Piramidave e jo tue thá këneta e tue çilë miniera si “anmiqtë e popullit” të dënuem nga Gjykatat Popullore dikur.
Me të vërtetë Shqipnia u lëshue vrap, me të katra, në drejtim t’Europës. Mjerisht vendi gjindej pa rrugë.
Ç’e don?... Nuk lanë shtrigat me bâ dasem!... .
Për sherr u çuen disa çunakë të Partisë Socialiste e kritikuen se Shqipnia âsht tue ecë mbrapa, ose kish ngecë në vend. Mbrrijtën me marrë në dorë edhe Pushtetin pa e pasë testamend. Themeluesi legjendar nuk u step. Kapi librin shenjt, biblen: “Historia e Partisë së Punës Shqipnisë”. Me kushtrim thirri të gjithë petritat e vet në Kongres. Sa me turr u bashkuen Gramoz e Servet, Bardhyl e Agas, Makbulja, Luiza Hoxha me Namikun (jo Namik Hotin, por disa tjerë të asaj moshe, të gjithë kongresmenë të nderuem) e me datën 12 Dhetor, ditën e Demokracisë shqiptare, luejten të njajtin skenar të Konferencës së Tiranës të vjetit 1956, ku shoku Enver dërrmoi armiqtë e brëndëshëm, por kso here, me orë të tëra, të gjithë njëzëri thirrën Nano!...Nano!.. . Ndërsa themeluesi legjendar u prezantue: “Jam Fatos Nano... mbas meje vjen historia!”...
Ec e luej po deshte! Ky âsht uniteti i çeliktë i Partisë!... Ilir Meta mbet aty galuc i vetëm... Fol tesh ne ta mbajtë... fole mendimin ndryshe!... nuk duel kurrkush në mejdan, as Rexhepi... .
Kjo fitore e Fatosit legjendar i dha drejtim të ri Shqipërisë.
“—Sa orë drita pat populli në kohë të Ilirit?
—Me gjasë rreth 12 orë drita.
—Harasan sa duhen?..
—Dikuj gjashtë e dikuj dy, simbas zonave.
—Sa kilometra rrugë të reja u ndërtuen në kohë të Ilirit?
—Rreth katërqind.
—Marri e madhe!... Ne sot na duhen mjete të përparueme. Trena elektrikë për havá, helikoptera. Xhoana e jeme ka mendue për kta mjete mâ moderne, për ket meritë do të shpallet “First Lady” e Shqipnisë mbasi presidenti âsht vejan.”
Gazeta “Zëri i popullit”, gazeta mâ popullore e Shqipnisë, ajo që për pesdhetë vjet përsëriste idetë demokratike të diktaturës së Proletariatit, e themelueme nga Enver Hoxha, çdo ditë i bjen gajdes dhe këndon atë këngën e vjetër:
“Harro, mushkë Valarenë
se Ali Pashanë e prenë!...”