
Presidenti i Rusisë,Putin, rikthen
"Heronjtë e Punës Socialiste"

MOSKË - Presidenti Vladimir Putin i bëri të premten homazh epokës sovjetike në një mënyrë konkrete, duke e ringjallur titullin e lartë të kohës “Hero i Punës Socialiste”, një herë e një kohë, një titull shumë i nderuar, duke kthyer kësisoj sërish në modë simbolet ish-sovjetike për të prekur më shumë në ndjenjat e rusëve që e shohin atë kohë me nostalgji.
Putini, një ish oficer 60-vjeçar i KGB-së, është rikthyer tek praktikat sovjetike për të adresuar problemet e Rusisë së sotme. Në dekretin e tij, Presidenti i Federatës Ruse, thotë se kishte vendosur ta dekretonte titullin “Hero i Puëns i Federatës Ruse”, me synimin e ngritjes së domethënies sociale dhe prestigjit ndaj punës e punëtorëve vetmohues e të ndershëm.
“HERO I PUNËS”, DEKORATA MË E LARTË
Medalja e re e “Heroit të Punës” tashmë renditet si dekorata më e lartë dhe si e tillë, e ka vendin në të majtë të gjoksit të mbajtësit, duke dalluar nga të gjitha medaljet e dekoratat e kohës sovjetike e postsovjetike ( ruse) në hierarki, që poseduesi mund të ketë merituar.
Medalja ka në përmbajtje ar dhe peshon 15.25 gramë. Dekorata i jepet qytetarëve rusë të cilët "japin një kontribut të dukshëm në zhvillimet ekonomike e sociale të vendit, duke përfshirë zhvillimin e prodhimit industrial e agrikulturor, transportin, ndërtimin, shkencën, kulturën, arsimin dhe kujdesin shëndetësor, dhe gjithashtu edhe sfera të tjera aktivitetesh", citohet në rreshtat e dekretit presidencial.
AKTUALITETI RUS, KORRUPSIONI NJË SËMUNDJE
Korrupsioni sistematik në Rusi — që nga rryshfetet e paguara bizneseve besnike ndaj Kremlinit deri tek paratë në dorë për mjekët dhe mësuesit — e ka minuar besimin publik në qeverinë aktuale dhe penguar rritjen ekonomike. Ndërsa opozita e vendos fajin mbi Putinin, ai ka bërë një përpjekje të përqëndruar në muajt e fundit për të treguar se ai po i adreson drejt problemet.
PUTIN: DEKORATA E DOBISHME NË TË SHKUARËN
Duke deklaruar idenë e tij për të risjellë dekoratën e “Heroit të Punës”, Putini thotë se është provuar "të ketë qenë e dobishme" në të shkuarën. Më parë gjatë këtij muaji, Putin bëri thirrje për rizgjimin e sistemeve të vlerësimit fizik të epokës sovjetike ( në fakt me origjinë që nga epoka e Stalinit), të cilat u kërkonin të gjithë fëmijëve të shkollave të kalonin testin e kulturës fizike.
Ai, me keqardhje përmendi se fëmijët e sotëm janë në një formë më të keqe se sa dekada më parë dhe tha se rivendosja e GTO, akronimi në rusisht i parullës “Gati për Punë dhe Mbrojtje”, do t’u mësonte atyre "të bëheshin të zotët për veten e tyre, familjet dhe në instancë të fundit, edhe për Atdheun".
TË RIKTHEHEN EDHE UNIFORMAT PËR FËMIJËT
Të premten, Presidenti Putin bëri thirrje edhe një herë që fëmijët të mbajnë veshur uniforma në shkollë, siç bënin në epokën sovjetike. Pak kohë pasi ai u bë President i Federatës Ruse, në vitin 2000, Putin rivendosi hymnin e vjetër sovjetik dhe po ashtu edhe yllin dhe shiritin e kuq të epokës sovjetike.
Rikthimi i simboleve familjare ishte pjesë e përpjekjeve të Putinit për të risjellë imazhin e Rusisë si një superfuqi dhe rivendosë në vend, krenarinë kombëtare, fakt që u mirëprit nga shumë rusë.
A.P.
DEKORATA, QË NGA VITI 1928
Dekorata në fjalë e ka origjinën qysh nga koha e Stalinit, në vitin 1928. Pas vitit 1938, ajo quhej "Hero i Punës Socialiste". Titulli ishte i njohur më pas edhe në Shqipëri dhe në të gjitha vendet e ish-Bllokut të Demokracive Popullore, satelite sovjetike, të cilat e mbajtën atë në fuqi deri në rënien e sistemit. Në Rusi, kjo dekoratë ishte hequr nga lista qysh në vitin 1991, me shkrirjen e ish-Bashkimit Sovjetik.
MBËSHTETËSIT E PUTINIT: KOHË TË VËSHTIRA, STRATEGJI E RE
Putin po përpiqet që ndër të tjera, përballë rritjes së shpejtë të kuotës së mospëlqimit ndaj partisë së tij “Rusia e Bashkuar”, të krijojë një bazë të re mbështetësish. Gjatë një takimi të tij me "Frontin Popullor", të themeluar me mbështetjen e tij në Rostov, ai bëri disa premtime populiste, të cilat ceknin problematikat që shkonin që nga përkujdesja ndaj fëmijëve jetimë, tek përmirësimi e rishikimi i teksteve të historisë, e duke e mbyllur me reduktimet në pagesat e menaxherëve publikë.
Një zëdhënës i "Frontit Popullor" deklaroi se megjithatë, askush nuk kishte ndërmend ta shndërronte këtë iniciativë në një parti politike. Lëvizja në fjalë, megjithatë mund të përbënte një bazë të mirë për krijimin e një baze pushteti për Putinin.
Pasi gjysma e 450 deputetëve të Duma-s ruse, në të ardhmen do të përcaktohen në listat zgjedhore rajonale. Një vend në Parlament, mbështetësit e Putinit do t’a kishin në këtë mënyrë, vetëm nëse ata do të përfshiheshin në një platformë rajonale.