Re: PD prezantoi per shqiptaret KOP. Forcat rregresiste ne Shqiperi tmerrohen nga kjo.
38 emrat e rinj të Berishës
“Elementë të këtij komiteti do të jenë anëtarë të qeverisë së ardhshme të Partisë Demokratike”
Nevila Perndoj
TIRANE- Një vit më parë, në një nga mbledhjet rutinë të kryesisë së Partisë Demokratike, kryetari i saj Sali Berisha, bëri publike iniciativën e tij për ngritjen e Forumit të Orientimit të Politikave. Gjatë gjithë kësaj periudhe, shumëkush mendonte se deklarata e tij ishte thjesht një projekt politik në letër. Por dje, në “Hotel Tirana International”, pak muaj para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë publike plot 38 emra intelektualësh, që së shpejti do të kenë përgjegjësinë e hartimit të programit të PD, por edhe të qeverisjes, në rast se partia më e madhe e opozitës do të fitojë zgjedhjet e 2005-ës. Secilin prej tyre, një e nga një, me ndonjë mungesë të vogël, Berisha e ka prezantuar para kamerave me qëllimin e vetëm “që ata të njiheshin nga kombi”.
Roli
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shpjegoi dje detyrat kryesore të forumit që në shumë raste do të drejtohet nga vetë ai. “Anëtarët e forumit dhe vetë forumi japin mendimet e tyre të lira e të pavaruara për të gjitha çështjet madhore, orientojnë Partinë Demokratike për qëndrimet, që ajo duhet të mbajë. Kjo në vetvete përfaqëson një ridimensionim të madh të komunikimit të botës së mendimit. Sot e tutje komunikimi i Partisë Demokratike me botën akademike dhe intelektuale, me shoqërinë civile, do të zgjerohet pa ndërprerë. Ky forum përbëhet nga personalitete të shquara, intelektualë dhe intelektuale, ekspertë të fushave nga më të ndryshmet, që kanë dy tipare të përbashkëta. Së pari ata janë ekspertë të shquar, janë njerëz të suksesit të faktuar. Unë gjatë jetës nuk kam takuar ndonjëherë një grup kaq të shumëanshëm. Së dyti anëtarët e këtij forumi janë njerëz me projekte të ndryshme, por të gjitha këto kanë një të përbashkët, ndryshimin e Shqipërisë”, tha Berisha. Sipas tij, ky grup përfaqëson globalizmin. “Ky forum përfaqëson ekspertë të suksesit në shkollimin dhe kualifikimin e tyre në universitetet e vendit dhe në ato më prestigjioze të botës si Harwardi, Tokio, Kolumbia, Oksfordi, Kembrixh, Brandeis, Staffordshir, Carlo Bo etj”,- shtoi ai.
Qeveria “hije”
Lideri i opozitës, Sali Berisha, nuk e ka mohuar faktin se disa prej anëtarëve të këtij forumi do të jenë edhe në përbërjen e qeverisë së PD, në rast se kjo e fundit fiton zgjedhjet. I pyetur nga gazeta “Shekulli” për këtë çështje, Berisha u përgjigj: “Po, padyshim. Elementë të këtij komiteti do të jenë anëtarë të qeverisë së ardhshme. Ky komitet ka një spektër të gjerë. Ka prej tyre me ambicje të qarta politike, të cilat unë do t’i respektoj dhe do t’i mbështes fuqishëm. Ka prej tyre, të cilët janë thjesht në kuadrin teknik dhe unë do t’i respektoj edhe ta. Mendoj se rëndësia madhore e këtij ekipi është se ky forum do të zgjerojë më tej rrethin e tij, do të ofrojë më tej specialistë të shquar, njerëz të suksesit dhe të reformave, në mënyrë që qeverisja e ardhshme të përballojë me shpejtësi sfidat me të cilat përballet”,- tha ai. Por Berisha dha të njëjtën përgjigje si një muaj më parë rreth pyetjes nëse do të ishte ai kryeministri i ardhshëm i qeverisjes së PD. “Këtë e vendos populli”,- u shpreh ai.
Alban Vokshi
Ka shërbyer në disa institucione ndërkombëtare. Sot punon në Afganistan në USAID.
Ka kryer një seri kualikimesh, përfshi një master në Kolumbia.
Elida Reçi
Drejtoreshë e Institututit të Studimeve të Financave Publike dhe Private. Diplomohet në ekonomi dhe përfundon studime dy vjeçare në Boston, ku ka mbrojtur edhe gradën shkencore. Instituti i saj është bërë një pikë reference për institucionet e huaja dhe të vendit.
Lindita Milo
Pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë. Ka mbrojtur doktoratën në shkencat ekonomike. Ka kryer një seri specializimesh në shumë vende të botës, nga Nebraska në Gjermani, dhe ka një numër të madh publikimesh prestigjizoë, brenda dhe jashtë vendit.
Majlinda Bregu
Është pedagoge në Shkencat Sociologjike. Ka mbaruar studimet pasuniversitare në Itali, për titullin “Doktor në sociologji të fenomeve kulturore dhe proçeseve normative” Ajo është një studiuese e problemeve sociale.
Tatiana Kongoli
Ekonomiste, e cila ka dhënë një kontribut të madh në reformat e vendit. Fillimisht në Institutin e Statistikave. Me pas ka punuar si asistente e Përfaqësuesit të FMN dhe më pas drejtoreshë e Doganave. Tani punon si konsulente në Bankën e Shtetit. Ajo ka kryer një seri kualifikimesh pasunivesitare, në fusha dhe vende të ndryshme
Teuta Baleta
Një nga specialistet më të mira në fushën e bankave. Ka drejtuar me sukses departamentin e kërkimeve pranë Bankës së Shqipërisë. Ajo ka kryer një seri specializimesh në Ushington dhe në vende të ndryshme. Drejtore e një reviste shumë prestigjoze. Ka vite dhe përvoje pune të gjatë në fushën e bankave dhe të financave.
Agron Tufa
Është një nga shkrimtarët, poetët, kritikët e vendit. Ai ka botime të shumta, romane, vepra. Është fitues i çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Albert Gajo
Ekonomist, ka qenë këshilltar i Qeverisë së Stabilitetit pranë zv/kryeministrit, dhe më vonë pranë kryeministrit në vitin 1997. Ka ndjekur një program masteri në ekonomi dhe zhvillim në Hagë. Gjatë këtij programi, ai është angazhuar si pedagog në Universitetin e Mastrihtit. Drejton një qendër e cila është bërë një pikë reference për institucionet kombëtare dhe ndërkombëtarë të vendit.
Aldo Bumçi
Ka kryer studimet universitare dhe pasuniversitare në degën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Turqi. Që nga dhjetori i vitit 1999, punon në Institutin për Studime Ndërkombëtare. Ai jep mësim si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Shkencave Shoqërore. Ka kryer një seri studimesh mbi zhvillimet rajonale.
Aleksandër Sallabanda
Mjek i njohur. Është njeriu që është marrë më shumë me reformën dhe organizimin e shëndetit publik. Ai ka botime dhe medalje të shumta, lidhur më kontributin e tij në luftën kundër epidemive etj..
Apollon Baçe
Doktor i Shkencave Filozofike. Eshtë anëtar i Institutit Gjerman, autor monografish dhe artikujsh historikë në shtypin ndërkombëtar dhe të vendit. Profesor i jashtëm në Universitetin e Tiranës. Analist i shtypit shqiptar.
Ardian Nuni
Është doktor i Shkencave Juridike. Ai është zv/dekan i Fakultetit të Drejtësisë. Eshtë autor i shumë teksteve dhe botimeve në fushën e të Drejtës Civile. Ka kryer një seri specializimesh në Britani të Madhe, Irlandë dhe vende të tjera.
Armando Bora
Regjisor i njohur. Ka realizuar një numër të madh premierash, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj si në Shkup dhe Bullgari. Ka shkruar pesë drama, katër prej të cilave janë në skenë.
Besnik Bisha
Një nga kineastët e Shqipërisë. Fitues i çmimeve ndërkombëtare.
Bardhi Kadilli
Paraqiti para disa ditësh, programin e PD për luftën kundër korrupsionit. Është një nga ekspertët e njohur në luftën kundër korrupsionit.
Besnik Aliaj
Shef i Departamentit të Urbanistikës. Drejtues i Institutit të COOPLAN, që ka projekte për urbanistikën dhe administrimin e territorit të Shqipërisë. Ai është një studiues. Ka mbrojtur tezën në Hollandë, ka bërë një seri kualifikimesh dhe specializimesh në SHBA, Danimarkë, Norvegji dhe Itali. Është Sekretar i Shoqatës së Arkitektëve dhe anëtar i Fondacionit të shoqërisë civile shqiptare. Ka përgatitur programin e PD për administrimin e territorit.
Elinor Bajraktari
Ka përfunduar studimet dy vjeçare në Harvard me rezultate të shkëlqyera, për makroekonomi. Për këto rezultate, atij i është kërkuar dhe ka dhënë mësim në këtë universitet. Ka punuar në Kosovë. Drejton një institut të shoqërisë civile.
Enkelejd Alibej
Jurist dhe ka përfunduar gjithashtu Shkollën e Magjistraturës me rezultate të larta.
Eris Hoxha
Ka përfunduar studimet universitare dhe pasuniversitare në Hollandë. Ai ka shërbyer në kompanitë e mëdha hollandeze si konsulent. Është kthyer para tre vitesh në Shqipëri. Ai është i specializuar në fushën e të Drejtës Ndërkombëtare dhe të Drejtës Europiane.
Ermal Hasimja
Ka mbaruar shkencat politike në Universitetin e Parisit. Është i përqendruar kryesisht në teoritë elektorale. Është marrë me një sërë projektesh të PNUD-it në Kosovë. Ai ka qenë pedagog i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës.
Hervin Çuli
Regjisor dhe artist. Ideator i fushatave elektorale.
Florian Mima
Promotor i reformave të thella të viteve ‘92 dhe ‘96. Ekspert në fushën e politikave fiskale. Është i punësuar në një kompani konsulente amerikane, që zbaton projekte të financuara nga qeveria amerikane si projekti i rindërtimit ekonomik në Irak. Ka përgatitur alternativën fiskale të PD dhe në fillim të muajit tjetër, ajo do të bëhet publike. Ka kryer specializime në Uashington dhe Vjenë.
Genc Juka
Është diplomuar në fushën e mbrojtjes së bimëve. Ai drejtoi për disa vite Fondin Zhvillimit Rural, fond i ngritur nga Banka Botërore dhe disa institucione ndërkombëtare. Ai ka punuar në projekte të Komisionit Europian. Drejtues i Fondacionit “Drejt së Ardhmes”.
Hydajet Kopani
Ekspert në fushën e entit të rregullimit të telekomunikacionit. Sot ndodhet në Afganistan i huazuar nga OKB. Me mbarimin e kontratës, ai do të jetë njeriu kryesor në këtë fushë. Ka kryer një seri specializimesh në vende të ndryshme.
Hysen Çabej
Diplomat në Athinë. Ka dhënë një kontribut në bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e diplomacisë.
Kujtim Hashorva
Inxhinier, ekspert i njohur i fushës së telekomunikacioneve. Autor studimesh të ndryshme në këtë fushë.
Lulëzim Basha
Anëtar i Ekipit të Gjykatës së Hagës që përgatiti aktakuzën kundër Sllobodan Millosheviçit. Aktualisht ka ndërprerë kontratën me UNMIK-un, për të dhënë kontributin e tij në programin e PD.
Maksim Cikuli
Ish-Ministër i Shëndetësisë, autor i shumë veprave, njeriu që vendosi bazat e reformës së shëndetësisë.
Mentor Petrela
Një nga mjekët më të njohur të neuorologjisë. Ai është anëtar i Shoqatave Ndërkombëtare të neurologjisë.
Myqerem Tafaj
Profesor në Shtutgart. Ka mbrojtur doktoraturën në Gjermani.
Ndoc Vasllia
Ekspert, i diplomuar në agronomi.
Selami Xhepa
Menaxher, specialist në fushën e investimeve. Ai është njohës i rregullave të tregtisë së lirë, pedagog i Universitetit të Tiranës. Punon pranë qëndrës shqiptare për tregtinë
Përparim Dervishi
Eshtë ekspert në çështjet e qeverisjes vendore dhe decentralizimit.
Taulant Bino
Njihet si një nga njerëzit më kompetentë të mbrojtjes dhe zhvillimit të mjedisit. Ka mbaruar master në Francë.
Ylli Asllani
Ish-kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës. Ai është i angazhuar në drejtimin e disa fondacioneve ne Shqipëri.
Ylli Pango
Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale. Doktor i Shkencave Psikologjike, por fillimisht ai është diplomuar për matematikë. Ai është autor i 11 librave. Ka përfunduar një studim pasuniversitar në Boston.
Ylli Panariti
Inxhinier që ka kontribuar në zhvillimin e reformave gjatë viteve ‘92-‘96. Ka kryer disa kualifikime. Ka përfunduar një mastër në Kolumbia dhe ka kryer një stazh në universitetin e Tokios. Njohës tepër i mirë i makro-ekonomisë.
Ymer Balla
Ekspert në fushën e energjitikës. Punon në një fondacion të Zvicrës.