Re: PD prezantoi per shqiptaret KOP. Forcat rregresiste ne Shqiperi tmerrohen nga kjo.
Marrëzia “referendare” e kop-istëve
Angazhimi politik i përfaqësuesve të njohur si “teknicienë” në forumin e pagëzuar KOP (Komiteti i Orientimit të Politikave), me të drejtë zgjoi kërshërinë dhe simpatinë e segmenteve të së djathtës shqiptare. Dhe kjo thjesht për arsyen se politikat qeverisëse të opozitës në pushtetin e ardhshëm, tashmë do të kenë një bazament solid nga pikëpamja programore dhe e përzgjedhjes së stafeve të afta për drejtim dhe menaxhim. Por shpërdorimi i këtij besimi dhe përdorimi i këtij forumi intelektual për t’i bërë jehonë skemave politike dhe tezave të artikuluara nga lidershipi i PD, vënë në dyshim integritetin moral, politik dhe profesional të këtyre individëve të shenjuar si ekspertë të atashuar pranë opozitës.
Hedhja së fundi nga KOP e tezës së një “referendumi mbarëpopullor për ligjin 7501”
, është një orvatje për përdorimin e këtij forumi si prekursor i publikimit, testimit dhe imponimit të skemave politike të ruajtjes dhe vazhdimit të kursit të tjetërsimit të pronave legjitime të shqiptarëve me mekanizma “kushtetues e ligjorë”.
Guximi aventuresk i kop-istëve, qoftë edhe për të menduar marrëzi të tilla, vë në dyshim qëllimin e angazhimit politik dhe formimit të tyre “perëndimor”, teksa ata lançojnë një tezë që ngjall reagime të natyrshme në segmentet e opozitës dhe shtresën e pronarëve legjitimë, për shkak të konotacionit të thellë komunisto-ramizist.
Të kërkosh referendum për një ligj kriminal si 7501 do të thotë, as më pak e as më shumë, veçse të tentosh dhe realizosh përdorimin e “verdiktit” të shumicës për të grabitur me ligj pronat e një pakice.
Kjo marrëzi “demokratike”, pra e dhunimit të së drejtës së pronarëve legjitimë me anë të votave “referendare”, dëshmon se kop-istët tanë nuk paskan kuptuar asgjë nga thelbi i demokracive perëndimore, ku pretendojnë se janë shkolluar dhe specializuar. Ata duhet ta dijnë mirë se treguesi më sintetik i nivelit të demokracisë, i mbartjes dhe zbatimit të koncepteve dhe standardeve demokratike, është pikërisht mbështetja dhe shenjtërimi i të drejtave të “pakicës”, dhe jo shprehja e jetësimi i vullnetit të shumicës me anë votash e kartonash.
Ata gjithashtu duhet ta dijnë mirë se e Drejta e Shenjtë e Pronës është një e drejtë universale, vendosur si parësore në themelet e kartave për të Drejtat Themelore të Njeriut, dhe si e tillë nuk mund t’i nështrohet votimit apo “verdikteve popullore”, pra nuk mund të votohet. Nëse kop-istët tanë të nderuar nuk e kanë kuptuar këtë, atëherë ata nuk paskan kuptuar asgjë nga demokracia dhe Perëndimi, të cilin, mesa duket, veçse e kanë pare me sy.
Ky koncept pseudodemokratik alla-referendar i kop-istëve, nuk ndryshon shumë nga ai që kishte Enver Hoxha për pronat dhe pronarët legjitimë, të cilët, për hir të së vërtetës as që guxoi t’i grabisë pa hartuar dhe aprovuar kushtetutën famëkeqe të vitit 1946 dhe kuadrin ligjor në mbështeje të saj, me shumicë votash partizano-fitimtare të atyre që i rebeloi dhe i ngriti në luftë kundër “gjakpirësve bejlerë dhe agallarë”, që nuk ishte veçse lufta e përgjakshme civile, që mori trajta genocidale.
Pra, procesi i tjetërsimit arbitrar të pronave, të dashur kop-istë, në trajtën e tij alla-shqiptare ka në themele gjak njerëzish të pafajshëm, që u masakruan vetëm për faktin se ishin pronarë dhe “shfrytëzues-gjakpirës”.
Po kështu, edhe zbatimi i ligjit 7501, pas miratimit është shoqëruar me gjakderdhje të panevojshme, ideuar dhe ligjëruar nga ata që s’kanë gjë për të ndarë, por që i japin vetes të drejtën të ndajnë pronën e të tjerëve.
Askush nuk i pengon politikanët dhe deputetët tanë të nderuar të ndajnë pronat e trashëguara, apo pasuritë e fituara pas vitit 1990, nëpërmjet veprave të bamirësisë, por ata nuk kanë të drejtë të dhurojnë atë që nuk e posedojnë.
Me logjikën e kop-istëve i bie që, nëse ligjvënësit amerikanë do të çmendeshin e do të nxirrnin ligje për tjetërsimin e pronave të pasanikëve (në pakicë), duke përdorur “verdiktin” e shumicës, Amerika të shembej brenda pak orësh nga turravrapi i “shumicës” më të varfër për të përlarë pasuritë e pakicës së pasur, por kjo nuk mund të ndodhë, sepse kushteuta amerikane ka në themel Deklaratën e të Drejtave dhe Lirive të Qytetarit. Dhe kjo do të thotë se kop-istët tanë kanë harruar edhe kushtetutën aktuale në fuqi, e cila referendumin nuk e parashikon për të ligjëruar grabitje të pronës dhe kalime të së drejtës në duar të tjera, në kundërshtim me ligjin, moralin, të Drejtën dhe kartat ndërkombëtare të firmosura edhe nga shteti shqiptar, si palë.
Kësisoj, kopistët na këshillojnë të ecim në rrugën e Hoxhës, i cili megjithëse shkelte hapur parimet e të drejtat universale që qëndronin në themelet e kartës së OKB, guxoi të nënshkruajë e më pas të anëtarësohet në këtë organizatë të përbotshme, kurse nga ana tjetër eleminonte fizikisht dhe grabiste pronarët e ligjshëm e kundërshtarët politikë, ndonëse në Kartën e OKB e Drejta e Jetës dhe e Pronës ishin të shenjta.
Destabilizimi me të cilin i frikëson shqiptarët kop-isti që qëndronte pas dyerve të Edi Ramës për kocka në favor të CO-PLAN-it, (për gjoja projekte mbi pronat e pronarëve dhe ato publike), nuk ka asnjë bazë dhe gjasë të ngjajë.
Kop-isti nuk ka asnjë plan në kokë dhe nuk na servir asnjë zgjidhje, sa kohë që deklaron se “… Asetet nuk mjaftojnë për të kompensuar të gjithë të shpronësuarit, prandaj duhen gjetur rrugët dhe mënyrat për ta bërë një gjë të tillë. … pronarët duhet të sqarohen për rrugët dhe mënyrat sesi do të konkludohet…”.
Zotëria në fjalë nuk është i vetmi që teorizon hava, pa sugjeruar rrugëzgjidhje, dhe gabohet si paraardhësit nëse mendon se bëhet interesant teksa këput kopaçe për mediat. Ndaj, dështimi i tezës së tij, është paracaktuar…
Së fundmi, do t’i kujtoja kop-istit tonë
të nderuar, parimin universal, se e drejta e tij dhe e ligjvënësve apo qeveritarëve, mbaron aty ku fillon e drejta e pronarëve legjitimë!