Re: Parlamenti Rinor, cfare eshte?
MJAFT protestona në mbrojtje të emigrantëve
Revoltë në dyert e ambasadës greke. Dhjetëra të rinj, gjimnazistë dhe studentë shqiptarë, kanë protestuar dje kundër dhunës ndaj emigrantëve shqiptarë në kufijtë grekë dhe heshtjes së autoriteteve tona. Javën e ardhshme të rinjtë do ngrenë zërin para kryeministrisë.
Dimë të reagojmë" kishte ndër parullat e tyre, një tentativë për të përgënjeshtruar qetësinë zyrtare të Tiranës përballë egërsisë greke në kufi. "Racizmi baraz prapambetje", "Mbroni të drejtat e njeriut" ishin të tjera, në gojët e protagonistëve të tubimit ato zotëronin zërat dhe zhurmën e turmës në dyert e ambasadës. Dje autoritetet greke morën një përgjigje të agresivitetit të tyre, javën tjetër përballë të rinjve do jenë qeveritarët tanë. Siç shprehen, do të protestojnë para institucioneve tona. Qindëshes së organizuar iu bashkuan dhe ata që numërojnë orët e gjata në pritje OK-it në pasaporta. Për tridhjetë minuta, ambasada ndërkohë kishte mbyllur sportelet. Fillimisht, u desh t'u përgjigjeshin policëve që tentuanin t'i shpërndanin, megjithatë blutë nuk rezistuan shumë kur morën vesh qëllimin e atyre që kishin përballë. "Kishim ditë që merreshim me organizimin.
Ishte nisma jonë qytetare, një trajtë për të shprehur revoltën ndaj barbarizmit të grekërve dhe një mënyrë për të thyer heshtjen e zyrtarëve dhe politikanëve tanë. Por nuk do ta lëmë me kaq. Javën e ardhshme do të protestojmë para kryeministrisë". Besian Pasha dhe Armando Huka, ndër nsimetarët e lëvizjes, dje ishin në krye të turmës, më së shumti bashkëmoshatarë. Iniciatorë gjithashtu të fushatës MJAFT ata shprehen se nuk duan ta identifikojnë protestën me projektet e MJAFT, "ishte zemërimi ynë që gjeti mbështetje te shokët tanë dhe te ata që na dëgjuan e u bashkuan me ne", thotë Besian Pasha. Student i vitit të dytë në Fakultetin e Shkencave Sociale atij i ka takuar të merret personazhet e auditoreve, pedagogë dhe studentë thuajse të të gjitha fakulteteve përsërisnin dje bashkë me të përgjigjen e ashpër për fqinjët tanë. "Unë kam folur me gjimnazistët", tha Armando Huka, nxënës te "Petro Nini Luarasi", "ishim katër veta që u morëm me këtë punë, bashkë me mua, Klevisi, Mireida dhe Enida. Pritëm të na mbështesnin më shumë nxënësit e "Qemal Stafës". Por megjithatë them se çdo gjë eci sipas parashikimeve, pavarësisht se shumica e gjimnazistëve ishin nga shkolla ime", tha Armando. Kur zërat u shpërndanë dhe në këmbë njerëzve mbetën parullat e protestës, ambasada çeli sportelet, gjithçka vijoi si për ditë veçse
radhët shtyheshin gjer pranë rrugës.
Përgatitja e një prokure për ambasadorin shqiptar në Athinë, në mënyrë që ky i fundit të ketë mundësi të ndjekë ligjërisht çështjen e emigrantit të vrarë Bytyçi. Ka qenë ky sugjerimi i avokatit të Popullit, Ermir Dobjani, për familjarët e Vullnet Bytyçit. Pas takimit me ta ai u prononcua për televizionin News 24. Pasi u shprehu ngushëllimet të afërmve, Dobjani i informoi në lidhje me hapat që janë ndërmarrë nga ana e institucionit që ai drejton për të ndëshkuar fajtorët dhe për t'i dëmshpërblyer familjarët. "Unë e kuptoj se gjaku i djalit tuaj nuk mund të blihet me para, por e rëndësishme është që fajtori të dënohet jo vetëm penalisht, por edhe moralisht dhe materialisht"- tha Dobjani. Vullnet Bytyçi, 18 vjeç nga Kukësi, vdiq pasi u qëllua me një plumb në kokë nga policët grekë më 23 shtator. Dobjani pohoi se çështja e keqtrajtimit të shqiptarëve nga policia greke është bërë e pranishme dhe në tryezën e homologut të tij grek.
8 Tetor 2003