Re: NJE BRAZILIAN NE KOMBETAREN SHQIPTARE ?!!
Briegel: Brazilianin Eduardo e dua në kombëtare
Lajmi i bujshëm është konfirmuar nga vetë lojtari brazilian, i cili ka mbërritur në Shqipëri vetëm disa javë më parë. Brigel ka asistuar në derbin Partizani-Tirana, ku Karlos Eduardo debutoi me fanellën e kuqe. Ndonëse Partizani humbi thellë, braziliani bëri një paraqitje të mirë, duke treguar një teknikë të lartë në fushën e lojës dhe siguri në veprimet e tij. Ka mjaftuar vetëm kjo ndeshje, që numri një i pankinës së kuqezinjve të dashurohet me brazilianin, duke kërkuar që të krijohet menjëherë mënyra që Eduardo të jetë kontigjent i kombëtares. Gjithësesi, mësohet se mbrojtësi i të kuqve nuk ka kthyer një përgjigje gjermanit, pasi ka kërkuar kohë të mendohet.
Vetë Eduardo, pasi ka pranuar se ka pasur një ftesë nga Brigeli për në kombëtare, nuk ka preferuar të thotë se cili ka qenë mendimi i tij i parë rreth kësaj oferte. Pasi të ketë diskutuar edhe me drejtuesit e klubit të Partizanit, me të cilët do të marrë edhe vendimin përfundimtar, ai do të takohet me drejtuesit e kombëtares për t'i komunikuar atyre zgjedhjen. E gjitha mendohet të zgjidhet brenda dy ose tre javëve, nëse Karlos Eduardo vendos t'i thotë "Po" trajnerit të kombëtares, atëherë drejtuesit e FSHF-së do të vihen në punë për të pajisur sa më shpejt me pasaportë shqiptare lojtarin amerikano-jugor. Ky do të ishte rasti i parë që kombëtarja shqiptare të kishte në kontigjentin e saj një futbollist të huaj, madje jo evropian, por nga Brazili i largët. Një vit më parë, u përfol për një afrim të portierit të PSG-së, Zherom Alonso, në kombëtaren shqiptare, por që nuk u realizua. Ende nuk ka pasur një prononcim zyrtar në lidhje me këtë çështje, si nga trajneri i kombëtares, ashtu edhe nga drejtuesit e Federatës. Sidoqoftë, pritet që ngjarjet të marrin një zhvillim të mëtejshëm pas dy ndeshjeve të radhës së kuqezinjve. panorama