VERSION I KURANIT MBI KRIJIMIN E NJERIUT TE PARE.
(Përkujto Muhammed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës!” Ata thanë: “A do të vëshë në te atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini!” (Kur’an, 2:30.)
Ky ajet si dhe ajetet tjera që vijojnë, kanë zbritur për të numëruar e për të kujtuar një mirësi të Zotit për të gjithë njerëzit. Mirësitë e Zotit të cilat e kanë shoqëruar njeriun janë të shumta, mirëpo një ndër ato mirësi me të cilat e begatoi i Madhi Zot krijesën njeri është bërja e tij si zëvendës i Zotit mbi tokë dhe detyrimi i melaqeve për t’ju përulur e për t’i bërë sexhde atij në shenjë respekti.
Nëpërmjet këtij ajeti Kur’anor i Lartëmadhëruari na bënë me dije neve bashkëbisedimin dhe konsultimin në mes veti, para se të fillojmë ndonjë punë të rëndësishme. Ta bashkëbisedojmë paraprakisht ndërmjet veti dhe pastaj ta fillojmë atë.
Prandaj Allahu xh.sh para se ta krijonte Ademin a.s., Ai u konsultua me melaqet, dhe u tregoi për krijimin dhe përcaktimin e tij si halife.
“(Përkujto Muhammed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës!”
Në këtë pjesë të këtij ajeti Kur’anor shihet qartë konsultimi mes Allahut xh.sh., dhe melaqeve. Kur kuptuan melaqeve qëllimin e krijimit të një krijese tjetër.
“Ata thanë: “A do të vëshë në te atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet...”
Kjo pyetje që bënë melaqet në njëfarë mënyre duken si kundërshtuese. Meqenëse melaqet nuk gabojnë dhe ato nuk i kundërshtojnë urdhrat e Zotit, por ato me këtë patën për qëllim të kërkojnë prej Zotit që t’ua hiqte dyshimin që u ra ndërmend.
Pyetja që ja bënë melaqet Allahut xh.sh jep të kuptosh se ato donin të thoshin:
“O Zot po habitemi dhe nuk e kuptojmë urtësinë përse do ta krijosh njeriun kur ai në natyrën e vet ka ngatërresat dhe gjakderdhjen” - e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë”
Me këtë, ata sikur deshën t’i thoshin Zotit, si u bëka ai zëvendës në tokë, kur ne jemi më të meritueshëm për këtë punë, ngase ne nuk bëjmë mëkate jemi të mbrojtur nga mëkatet.
Ata e pyetën Allahun xh.sh., ashtu siç e pyesin nxënësit mësuesin kur ata kanë ndonjë paqartësi.
Dyshimi i melaqeve ishte se njeriu do të krijohet me fuqi mendore e cila do ta shtyen që të mëson diturit e zbritura nga Zoti, por në anën tjetër ai do të ketë edhe dy fuqi të tjera: Fuqinë e zemërimit dhe fuqinë e epshit. Këto dy fuqi do të ja mposhtin njeriut fuqin mendore dhe do ta detyrojnë atë që të bënë ngatërresa dhe të derdh gjak në sipërfaqen e tokës.
“Ai tha: "Unë di atë që ju nuk e dini!”
Me këtë Allahu xh.sh., deshi t’ua bënte me dije melaqeve se Ademi është më i virtytshëm dhe më meritor për të qenë zëvendës i Tij në sipërfaqen e tokës. Krijimi i tij dhe përcaktimi i tij si zëvendës ndoshta kishte atë dobësinë, por dobia për të krijuar një krijesë të këtillë është më e madhe dhe kishte urtësinë e sajë.
Etapat e krijimit të Ademit a.s.
Krijimi i Ademit a.s., kaloi nëpër disa etapa. Secila nga këta etapa ka veçoritë dhe karakteristikat e saja….Thotë Zoti në Kur’an:
“Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj një njeri nga balta” (Kur’an, 38:71)
“Ne i krijuam atë nga balta e ngjizur.” (Kur’an, 37:11)
“Ne e krijuam atë nga argjili si qeramikë” (Kur’an, 15:26)
Të gjitha këta që përmendëm janë etapa nëpër të cilat kaloi krijimi i njeriut të parë. Për të ardhur deri të finalizimi apo plotësimi i tij si një krijesë përfundimtare ai duhej të kalonte nëpër disa etapa dhe procese, dhe secili prej tyre përmbante një mesazh në vetvete.
Etapa e parë - Është mbledhja e dheut që do të përdorej për krijimin e Ademit a.s.
Muhamedi a.s., në një hadith të tij thotë: “Zoti e krijoj Ademin a.s., nga një grusht dhe të cilin e mori nga e gjithë sipërfaqja e tokës. Si rezultat erdhën njerëzit me ngjyra të ndryshme, të kuq, të bardhë dhe të zinj. Nga kjo rrjedhin edhe njerëzit zemërbutë të pakuptueshëm dhe të këqij.”
Ky hadith tregon se ngjyrat, tiparet dhe natyrat e ndryshme të njerëzve erdhën si rezultat i ngjyrave të dheut që u morën për t’u krijuar Ademi a.s.
Ka njerëz të këqij me të cilët nuk bënë dobi asnjë këshillë dhe asnjë fjalë, sikurse disa toka çfarëdo plehrash dhe mjetesh të përdorësh për t’i kthyer në toka pjellore ato nuk kthehen.
Njeriun Zoti e ka krijuar nga dheu, mirëpo ai arrin që të ketë vlerën bile më të shtrenjtë edhe se vet floriri nëse tregon modesti dhe përulje ndaj Krijuesit të tij.
Etapa e dytë - E krijimit të Ademit a.s., është ajo e mbledhjes së dheut dhe lagia me ujë, me qëllim që të bëhet baltë. Thotë Zoti në kur’an
“Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj një njeri nga balta”
Në këtë kontekst bëhet pyetja se pse Zoti e zgjodhi dheun dhe ujin si bazë të krijimit të njeriut dhe nuk zgjodhi diçka tjetër, si p.sh. hekurin?
Dheu dhe uji janë zgjedhur si substancat bazë të krijimit të njeriut, pasi janë elementet më të pastra dhe kanë veti pastruese. Vetë uji në natyrën e tij është i pastër dhe përdoret për të pastruar. I pastër është edhe dheu, të cilin e përdorim për tejmum në rast mungese të ujit.
Muhamedi s.a.s. thotë: ,,Më është bërë toka e vlefshme për falje dhe e pastër” (Muslim-1665).
Me këtë fakt, Zoti dëshiron të na thotë se ti o njeri që në origjinë je i pastër. Të kam krijuar nga substancat më të pastra prandaj ruaju që të mos e ndotësh këtë pastërti me gjynahe. Zoti njeriun e ka krijuar të pastër, nëse ai e ndotë këtë natyrë të pastër të krijimit të tij dije se e ka ndotë vetë, duke bërë sende dhe vepra të cilat ja ka ndaluar Perëndia në katalogun e tij i cili shërben për të ruajtur natyrën e tij të pastër. Në moment kur ai zhytet në harame dhe mëkate dije se me to e ka ndryshuar natyrën e tij të pastër të krijimit.
Etapa e tret - Është kur fillon balta të ngjizet dhe të trashet, së cilës mund t’i jepet formë. Thotë Zoti në Kur’an:
“Ne i krijuam atë nga balta e ngjizur.”
Etapa e katërt - Është kur Zoti i dha formë, me duart e tija fisnike, kësaj balte të ngjizur. Thotë Zoti në Kur’an:
“O Iblis, çka të pengoi të përulesh ndaj atij që e krijova me duart e mija? (Kur’an, 38:75)
Forma që ke o njeri, të është dhënë nga vetë duart fisnike të Zotit tënd. I cili të ka krijuar në formën më të bukur, të dalloi nga të gjitha krijesat, ta dha mendjen, arsyen, dijen dhe logjikën që të mendosh, studiosh, logjikosh dhe të qeverisësh në sipërfaqen e tokës me të gjitha kapacitetet, potencialet dhe aftësitë e tuaja që i ke.
Përderisa je krijuar nga vetë duart fisnike të Zotit tënd atëherë duhet të tregosh përulje, modesti dhe përkushtim ndaj Tij. Të mos tregohesh arrogant dhe mospërfillës i urdhrave të Tij, me të cilat të ka obliguar Ai i cili të ka krijuar.
Çdo gjë e punuar me dorë është më e shtrenjtë dhe ka më shumë vlerë. Edhe ty o njeri, përderisa Zoti ta dha formën me duart e tija fisnike, je shumë i shtrenjtë dhe me vlerë. Prandaj mos e zhvlerëso veten me vepra që nuk të kanë hije.
Allahu xh.sh., në një hadithi kudsij thotë: “O biri i Ademit, të kam krijuar me duart e mia, të kam ushqyer me mirësitë e mia, kurse ti më kundërshton dhe del kundër meje?! Nëse pendohesh,unë të pranoj përsëri. Ku do të gjesh një Zot si unë, mëshirues dhe falës?
Etapa e pestë – është kur Ademi a.s., mori formën e njeriut dhe qëndroi për t’u tharë.
Etapa e gjashtë – është kur Ademit a.s., iu krijua goja, fytyra edhe organet e trupit.
Etapa e shtatë – e krijimit të Ademit a.s., është dhënia e shpirtit. Pasi qëndroi një kohë të gjatë i formuar si njeri, më në fund Zoti ia dha shpirtin krijesës së tij.
Pasi që i dha shpirtin urdhëroi melaqet që të përulen para tij në shenjë respekti e t’i bëjnë sexhde.
E kur ta përsosë atë (në formën e njeriut) dhe t'i japë atij shpirtin që është krijesë Imja, atëherë ju bini atij në sexhde”. (Kur’an, 15:29)
Meqë Zoti të krijoj nga dheu dhe uji, dy substanca që përdoren për pastrim. Më pas Ai të dha formën me duart e tija fisnike. Më pas të dha shpirtin dhe urdhëroi melaqet të përulen para teje në shenjë respekti.
A akoma nuk e kupton sa i shtrenjtë je për Zotin dhe sa të do Ai ty? Si është e mundur që Ai të do dhe të vlerëson kaq shumë, kurse ti nuk i bindesh dhe nuk e do? Si e ndot me gjynahe këtë shpirt që e ka burimin nga vetë Zoti? Si guxon ta harosh Zotin tënd I cili të ngriti në shkallën më të lart, të vlerësoi mbi të gjitha krijesat, të ngriti në shkallën më të lartë duke urdhëruar melaqet të përulen para teje, mos bjer në nivelin më të ulët dhe të harrosh urdhrat e Zotit dhe qëllimin për të cilin je krijuar. Bëhu mirënjohës ndaj Zotit tënd,e assesi mos u bën në taborin e atyre që të poshtëruan dhe të degraduan në formën më të poshtër duke pohuar se jeta në tokë fillimisht ka nisur si një qelizë e vetme e formuar rastësisht. Më pas nga kjo qelizë filloi të formohet një gjallesë e vogël, e cila me kalimin e kohës u bë bretkosë. Nga bretkosa, me kalimin e kohës u bë peshk. Duke pësuar ndryshime të njëpasnjëshme nga peshku u bë majmun.
Nga nevoja për t’u zhvilluar ky majmun evuloi dhe u kthye në njeri. Vallë,cila nga këta dy teza është më e dashur për ty o njeri? A do të doje që Krijuesi yt të jetë Zoti, I cili babën tënd e krijoj nga balta e pastaj ia dha shpirtin dhe prej tij e krijoj palën tjetër nënën tonë Havën, dhe me bashkimin e këtyre dy gjinive u krijua njerëzimi deri në ditën e sodit. Ashtu siç e ka potencuar edhe në kur’an.
“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s'ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (Kur’an, 49:13)
Të krijoj në formën më të bukur dhe më të përsosur, dhe në fund të nderoi me një nder dhe një respekt të veçantë, që këtë nder nuk e pati askush tjetër përveç teje, duke i urdhëruar melaqet të bien në sexhde për ty, në shenjë nderimi dhe respekti.
“Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.” (Kur’an, 95:4)
Do të doje që të jesh pjesëtar i këtij respekti, apo do të doje që gjyshërit e tu të jen majmunët. Kë do të preferoje për baba të parë, Ademin a.s., apo një gorillë ose shimpanzë?
Me ndihmën e Allahut xh.sh., kjo temë do t’ju shërbej pak a shumë për të kuptuar të vërtetën mbi krijimin e njeriut, edhe pse shumica e njerëzve me kalimin e kohës kanë arritur të kuptojnë të vërtetën mbi krijimin e njeriut. Por, ka disa nga njerëzit, që kjo teori u është ngulitur thellë në kokat e tyre saqë e kanë shumë të vështir ta pranojnë të vërtetën mbi këtë.
Gjatë 140 viteve të fundit, Darvinizmi, i cili mohon faktin e krijimit, e si rrjedhojë, edhe vetë ekzistencën e Allahut, ka bërë që shumë njerëz të largohen nga besimi i tyre dhe të bien në kthetrat e dyshimit, edhe pse kjo teori nuk ishte gjë tjetër veç një mashtrim. Insha-allah ky shkrim u shërben të gjithë lexuesve që pak a shumë të kuptojnë të vërtetën dhe të pastrojnë dyshimet nga kokat e tyre, mbi realitetin e këtij fenomeni.