Re: NdEr i KoMbIt ApO ArMiQ Te KoMbIt
Pasi rekordmenia e sotme e Shqipërisë, Mirela Manjani shpallet për herë të dytë Kampione e Botës
Tradhtinë e kemi midis nesh, jo te Mirela!
* Shqipëria ka krijuar dy herë Kampionen e Botës, Mirela Manjani!
* Shqipëria ka tradhtuar sportin nobël të atletikës së lehtë!
* Shqipëria është i vetmi vend në Europë pa pistë atletike!
* Shqipëria po e shndërron sportin kombëtar në loteri!
* Shqipëria ka 30 rekorde kombëtare 20 vjet pa i thyer!
* Shqipëria dhe parulla e vitit 1945: "Të thyejmë rekordet e Paraluftës!
Besnik DIZDARI
Dy rekordmenë të shquar të Shqipërisë në atletikën e lehtë, Ajet Toska dhe Pavllo Mihali, janë të vetmit njerëz që çdo ditë dalin në punë për të punuar për atletikën kombëtare. Vetëm këta të dy. Askush tjetër. Nuk ka shtet në Europë që për sportin e atletikës së lehtë paguan vetëm dy njerëz! Dhe megjithatë, dy rekordmenët tanë, përpiqen, punojnë, shqetësohen. Kanë një zyrë me tavan të ulët, që nuk plotëson asnjë kusht pune të sotme dhe që s'ka asgjë të përbashkët me zyrat sportive më të rëndomta, edhe në shtetin më të parëndësishëm postkomunist të Europës. Dhe ndihen të vetmuar. Mundohen përditë ta shpëtojnë atletikën shqiptare, ta nxjerrin nga skamja. Ia kanë arritur të kenë me vete jo pak atletë pasionantë megjithatë, të cilët e ushtrojnë atletikën s'dihet se ku, ngaqë Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk ka një stadium atletike. Dhe prapë ne kemi atletë. Janë heronj për nga kushtet që i cfilitin.
Kështu, dy zyrtarët tanë të vetëm të atletikës së lehtë, Toska dhe Mihali, ia arrijnë të shpëtojnë diçka nga ajo që mund të shpëtohet thjesht prej një pasioni të vjetër, që këtyre dy rekordmenëve të jashtëzakonshëm të Shqipërisë, iu vlon në shpirt.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Atletikës, Ajet Toka, është i vetmi sekretar i përgjithshëm i një Federate atletike prej 52 shteteve të Europës që është një rekordmen në fuqi, pra që nuk i është thyer rekordi, sepse ende askush nuk ka guxuar t'ia prekë atë. Ndonëse e ka thyer 17 vjet përpara, më 22 gusht 1986, kur ka qenë 25 vjeç djalë. Shifrat e tij janë edhe për sot të nivelit të lartë ndërkombëtar: 75.92 metra! Po nga ana tjetër, si një paradoks i pashembullt, rekordi i tij fenomenal për ne, sot tregon vetë prapambetjen e qartë të atletikës sonë. 20 vjet më parë, më 1983, rekordmeni Pavllo Mihali ka kërcyer me shkop 5.21 metra. Kampioni i këtij viti, 2003, në Shqipëri arriti 4.50 metra dhe askujt sot nuk mund t'i shkojë nëpër mend se mund të arrijë 5.21 metra si 20 vjet më parë. Dhe prej 59 rekordeve kombëtare të atletikës shqiptare, plot 30 rekorde i përkasin kohës së përtej viteve '80 e poshtë. Madje ka rekorde si ai i dhjetëgarëshit (Skënder Balluku) e i 50 km ecje sportive (Sadik Demiri) që datojnë më 1975 dhe 1976, gati 30 vjet të shkuara!
Ndërkaq, Kampionati i fundit Botëror që sapo përfundoi në Saint Denis të Francës, Shqipërisë i pranoi vetëm një atlet. Ky ishte Arben Maka një nga më të mirët e Shqipërisë. Ai mori pjesë në vrapimin e 100 metrave dhe për fatin e tij arriti rezultatin mëse modest 10.87, ndonëse Maka ka arritur me kronometër dore deri në 10.3. Dhe vetëm kaq.
Po ja sensacioni: Mirela Manjani, atlete e Durrësit, krijuar prej atletikës shqiptare, fiton për herë të dytë titullin e Kampiones së Botës në hedhjen e shtizës. Këto dy skaje më të fundit: shqiptare, Arben Maka 10.87 në 100 metra i eliminuar qysh me baterinë e parë dhe shqiptarja tjetër, Mirela Manjani - Kampione e Botës për herë të dytë, përfaqësojnë ndarje të mëdha larg njeri-tjetrit. Megjithatë, kanë një të përbashkët të madhe: shqiptarësinë e tyre atletike, nëse mund të përcaktoja kësisoji. Sepse të dy janë krijim i atletikës shqiptare. I pari të trondit me dështimin tonë. E dyta të trondit me arritjen fenomenale të atletikës "sonë".
Tashmë as unë nuk kam kohë të merrem as me siglat "Greece", as me flamurin kombëtar të Greqisë me të cilin u mbështoll edhe një herë tjetër Mirela, kësaj radhe në Saint Denis të Parisit, as me arritjen e madhe të Greqisë, e cila i blatoi këto përmasa botërore asaj. Po ashtu, nuk kam kohë të humb duke i fryrë përtej llogjikës, të të ashtuquajturit "nacionalizëm shqiptar të tipit të izolimit të një regjimi që shkoi", dhe madje nuk kam as forca e as mundësi për të vërtetuar saktësisht, nëse Manjani ka folë kundër Shqipërisë apo jo në Greqi. Por marr guximin të them se tradhtinë - nëse vazhdojmë të flasim për tradhtina kësisoji - e kemi më parë midis nesh dhe jo te Mirela Manjani.
Nuk ka tradhti më të madhe ndaj kombit tënd, të mjedisit sportiv, se sa kur një shtet braktis sportin e atletikës. Nuk ka tradhti më të madhe për kulturën kombëtare madje, që Shqipëria vazhdon të jetë i vetmi vend në Europë pa pistë atletike. Nuk ka tradhti më të madhe se sa të paguash vetëm dy vetë për të rimëkëmbur atletikën dhe të paguash bie fjala 20 vetë për një sektor që quhet "shkencor", që padashur bëhet edhe një "rifugium pecatorium" për t'i bërë vende pa meritë ndokujt. Nuk ka tradhti më të madhe se sa të mos subvencionosh për atletikën e lehtë, që është sporti më i parë që ka zhvilluar një kampionat kombëtar në Shqipëri (1929). Nuk ka tradhti më të madhe se sa të lësh atletët shqiptarë të stërviten në çakull e dhé, në pluhur a qymyr, kur atletika shqiptare është sporti i parë në Shqipëri që ka krijuar ekipin tonë kombëtar, fanelat kuq e zi dhe që ka përfaqësuar për herë të parë në histori Shqipërinë në një kampionat ndërkombëtar (Zagreb 1934, Lojërat Ballkanike). Nuk ka tradhti më të madhe se të djegësh tash sa vjet fondin e ndërtimit të pistës së tartanit, e për vite për kapricio të një njeriu të miqësive klanore, t'ia mbyllësh dyert e Stadiumit Kombëtar atletëve. Nuk ka tradhti më të madhe se sa ta zhdukësh atletikën nga gazetat, nga publiciteti sportiv, nga problemet, nga nxitja, nga promovimi, nga axhendat, qoftë edhe të vetë shtetit, i cili sportin e ka edhe detyrë kushtetuese. Nuk ka tradhti më të madhe se sa të kesh një ministri që ka sigël edhe "Sportin", dhe që megjithëkëtë të lejojë që të shuhet sporti nobël i atletikës. Nuk ka tradhti më të madhe se sa ta loterizosh sportin kombëtar, siç po ngjet vetëm në Shqipëri, madje deri aty sa thuajse çdo gjashtë muaj shpiket një loteri tjetër, kalamendet rinia dhe përfitimet e duhura të mos shkojnë te sporti kombëtar, veçanërisht te atletika, si kudo në Europë. Nuk ka tradhti më të madhe se sa ta harrosh, ta mallkosh, t'ia shuash emrin dy herë Kampiones së Botës dhe Kampiones së Europës pse ka "tradhtuar" Shqipërinë duke "iu shitur" flamurit helen, e nga ana tjetër, të mos shqetësohesh aspak për shkatërrimin e atletikës kombëtare. Nuk ka tradhti më të madhe se sa të lejosh që të ushtojnë televizione e gazeta me jetën, rezultate, intimitete, fate, arritje, kërshërina bajate me gjithë futbollistët e Europës, madje edhe me ato prej më të rëndomtëve që nuk i njohin mirë as në vendet e tyre dhe të zhdukësh famën e një Mirela Manjani.
Me kësisoj tradhtinash të pafund na takon të merremi, dhe jo me "tradhtinë" e një njeriu të vetëm, me emrin Mirela Manjani, që në fund të fundit, edhe në këtë çast "tradhtie" të saj me ngritjen lart të flamurit të Greqisë në olimpin e atletikës botërore, prap se prap, mua dhe askënd nuk e pengon të shkruajë fjalë për fjalë, këtë lajm:
"Rekordmenia e sotme e Shqipërisë, Mirela Manjani, u shpall më 30 gusht 2003 në Saint Denis të Parisit në Francë, Kampione e Botës për herë të dytë në hedhjen e shtizës për Greqinë, pjesëtare e ekipit kombëtar të të cilës është".
Sepse, nëse e keni harruar, megjithëse kam shkruar disa herë, shqiptarja Mirela Manjani e Greqisë, sot e kësaj dite vazhdon të jetë rekordmene kombëtare e Shqipërisë në hedhjen e shtizës. Si gazetar i vjetër, çka gjithashtu e kam thënë para një viti në faqet e kësaj gazete, në fund të fundit, bëj detyrën e fiksimit të kësaj historie dhe dihet që nuk bëj pjesë në turmën e gazetarëve të vendit tim, të rinj apo të vjetër qofshin, të cilët nuk denjojnë të botojnë thuajse asgjë për titullin më të ri të fituar nga atletja fenomenale shqiptare Mirela Manjani.
Sepse Mirela Manjani jo vetëm që është shqiptare, por është një atlete shqiptare, ka lindur si atlete shqiptare, është formuar deri në gjysmë të rrugës si një atlete shqiptare, ka fituar jo pak suksese si atlete shqiptare, është njohur në botën ndërkombëtare si atlete shqiptare.
Temë e vjetër megjithatë...
Detyrohem të përsëris: edhe pse medaljet e mëdha të Manjanit i përkasin Greqisë, historia shqiptare në gjithë këtë periudhë sensacionale të saj, është rrënja, nisma, njohja e madhe. Nuk mund të mohohet prej askujt. Do të ishte një tjetër tradhti më e madhe, madje tradhti ndaj së vërtetës. Sepse jemi edhe ne aty, brenda periudhës fenomenale shqiptaro-greke të hedhjes së shtizës për femra, pjesë e shpalljes të IAAF (Federata Botërore e Atletikës së Lehtë), atë të fillimit të vitit 2001, ku shqiptarja jonë - për fatin tonë përfaqësuese e Greqisë - ishte midis 3 atleteve më të mira të shekullit 20 në hedhjen e shtizës. Ndërkohë që e nis shekullin e 21-të me dy tituj të rinj: atë të Kampiones së Evropës dhe këtë të dytin e Kampiones së Botës. Rrënjët janë historia e saj shqiptare, të cilën ne duhet ta tregojmë e ritregojmë sa herë Mirela na jep rast. Të shtunën në mbrëmbje deri vonë jam marrë me internetin dhe kudo Mirela ishte po ajo, shqiptarja: "Lindur në Durrës të Shqipërisë". Dhe po e botoj përsëri historinë e saj shqiptare, për kujtesë kombëtare, për barazpeshë shpirtërore kombëtare, jo thjesht për "nacionalizëm", por për ndjenjë të vetëdijshme kombëtare, për të luftuar morinë e tradhtinave që përmenda më lart, çka në krahasim me "tradhtinë" e Kampiones "sonë" të Botës, për fat të keq, janë gjigante!
MIRELA MANJANI
Lindur në Durrës (Shqipëri) më 1976
Rezultatet e suksesshme me Shqipërinë:
1990: 48.30 m. Rekord kombëtar NEN 14
1991: 54.86 m. Rekord kombëtar NEN 15-16
1993: 54.86 m. Rekord kombëtar NEN 17-18
1994: 57.20 m. Kampione e Ballkanit Juniore
1994: 56.62 m. Kampione e Ballkanit të Rritura
1994: 53.40 m. Finaliste (e 8-ta) e Kampionatit Botëror Juniore
1995: 55.56 m. Finaliste (e 12-ta) e Kampionatit Botëror
1995: 59.36 m. Kampione e Ballkanit Juniore
1995: 57.28 m. Nënkampione e Evropës Juniore
1996: 59.90 m. Medalje Ari në "Bruno Zauli"
1996: 62.46 m. Rekord i Shqipërisë në Alabama
Dhe mandej historia tjetër, ajo greke e Manjanit, doemos legjendare. Pak e kishim dëgjuar gjatë vitit 2003, ndonëse në Kupën e Europës më 21 qershor 2003 kishte mbërritur në 63.13 metra. Duket se ajo punon në heshtje për muaj të tanë, për të shpërthyer në kohën e duhur në garat e mëdha. Ndonëse siç thotë komenti i IAAF, "asgjë nuk duket ta pengojë atë në një arenë të rëndësishme kampionati - një disiplinë që ndoshta buron prej profesionit të saj të oficeres detare".
Kësisoj, qysh nga hedhja e parë, në garën e Saint Denis të së shtunës që shkoi, ajo ishte shkatërruese për kundërshtaret e njohura Shikolenko, Narius, Menendez, madje "madhështore" siç përcaktoi komentatori i IAAF, duke mos iu lejuar atyre as edhe një çast kryesimi. Kjo qe psikologjia e Mirela Manjanit, 27 vjeçe më 21 dhjetor 2003, 1.65 metra shtatlartë dhe 65 kilogram peshë trupore, një fizik solid dhe shpërthyes në hudhjen elegante të një stili të formuar qysh në Durrësin e Shqipërisë nga Klubi Sportiv 'Teuta' e Durrësit dhe trajneri i saj shqiptar Petrit Kërtusha, ata që e lindën dhe formuan këtë margaritar të atletikës dhe sportit të botës së sotme moderne së cilës ajo sapo i rrëmbeu edhe një triumf tjetër, këtë të titullit botëror 2003:
1. M. MANJANI / Gre 66.52
2. T.SHIKOLENKO / Rus 63.28
3. S.NERIUS / Ger 62.70
4. M.INBERG / Fin 62.20
5. O. MENENDEZ / Cub 62.19
6. S.BISSET / Cub 60.17
Ky ishte apogjeu i Mirela Manjanit, e cila siç përcaktoi IAAF, "ka një krah hedhës të shpejtë e të fuqishëm, por edhe flokë të gjatë të verdhë dhe tipare helenike prej një perëndeshe të Olimpit, përveç vendlindjes shqiptare. Personifikim i forcës dhe bukurisë".
Dhe prej këtu ajo pasuron historinë e saj sensacionale greke që është kjo:
Titujt e mëdhenj me Greqinë
1999, Sevilje: 67.09 m. Kampione e Botës (Rekord Botëror)
2000, Sydnei: 67.51 m. Nënkampione Olimpike
2001, Edmonton: 65.78 m. Nënkampione e Botës
2002, Munich: 67.47 m. Kampione e Evropës
2003, Paris, S. Denis: 66.52 Kampione e Botës
Kjo "histori greke" përfaqëson një nga historitë më të rralla të kësaj gare të Greqisë së lashtë, e cituar deri prej një Homeri dhe Taciti.
Ndodhemi para një qëndrueshmërie të rrallë për një atlete fenomenale nga Shqipëria. Siç e kam pasë thënë me kohë, emri është gjithnjë aty, i skalitur për jetë: Mirela Manjani, lindur në Durrës më 1976 dhe rritur e formuar si atlete e nivelit botëror në Durrësin shqiptar mbi Adriatik, qyteti i Klestonit - kampionit antik të Olimpiadës. Sot e kësaj dite mbajtëse e 4 rekordve kombëtare në hedhjen e shtizës për Shqipërinë: nga mosha 14 deri te të rriturat. Ndoshta është e vetmja atlete në Botë që në të njëjtën kohë - njohur zyrtarisht edhe nga IAAF - është Rekordmene Kombëtare për dy shtete, për dy kombe: Shqipërinë dhe Greqinë!
E pra?
Vazhdojmë të heshtim kësisoj për kampionët Olimpike, Botërorë e Europianë, të cilët i kemi zbuluar, përgatitur e rritur për mjaft kohë vetë ne. Në fund të fundit, pse i bëri Shqipëria sportistë klasi shpejtoi të na i rrëmbente edhe Greqia, për t'i bërë ajo Kampionë të Botës, Olimpikë dhe të Europës! Dhe prapë më duhet të përsëris: Nëse këta sportistë shqiptarë të një fame botërore greke, kanë ra pré e një pjese të shtypit vendas duke arritur deri në deklarata të papranueshme - nëse ato nuk janë sajime - gjesti i parë i tyre do të ishte falje ndaj Shqipërisë - Nënë. Ndërsa ne, për të treguar se jemi atdhetarë, pra jo pseudoatdhetarë - ne që me të drejtë kemi një Teatër "Aleksandër Moisiu" edhe pse vetëm ngaqë aktori i madh ka thjesht një origjinë shqiptare, apo që hidhemi me të drejtë përpjetë kur Maqedonia e quan "Bijë të Maqedonisë" Nënë Terezën, ndonëse duam s'duam, aty është rritë shqiptarja e madhe së cilës shqiptarët e regjimit të Shqipërisë nuk e kanë lejuar të takojë për 40 vjet as nënën e as motrën - banore të Tiranës - nuk ka pra llogjikë që të heshtim kësisoji ndaj këtyre sportistëve të rangut botëror të formuar po prej nesh, në tokën tonë, në stadiumin tonë, me trajnerin tonë, në kampionatet tona, pa mohuar kurrë zotësinë e madhe të Greqisë për t'i ngjitur ata në majat e titujve botërorë.
Do të ishte më mirë që më parë të spastronim këndej pari tradhtinat tona.
Dhe të përkujtonim ngritjen e parë të ekipit kombëtar shqiptar, që është i ai i atletikës së kohës së Mbretërisë më 1934; t'iu japim shokë Ajet Toskës e Pavllo Mihalit për të ringritur atletikën kombëtare; t'i japim Shqipërisë pistën e atletikës; të marrim përftimet e loterive sportive për sportin kombëtar; të ndalojmë gazetat e televizionet që nuk iu kushtohen sportit kombëtar, por kryesisht atij të huaj; të rindërtojmë sektorin shkencor të sporteve dhe prej këtyre shkencëtarëve nëse qofshin të tillë, të paktën nja dy t'ia japim Federatës së Atletikës për të mbështetur edhe me shkencë rimbëkëmbjen e këtij sporti nobël - ndërsa të tjerët federatave të tjera; që fondet më të mëdha tani për tani Ministria që ka në sigël "Sportin", t'ia japë atletikës; që ne më në fund, të organizojmë një Konferencë Kombëtare për të shpëtuar atletikën kombëtare.
Më 1945 regjimi komunist më tepër me inatin kundër Mbretërisë se sa për përparimin e sportit kombëtar, lëshoi parullën: "Të thyejmë rekordet e Paraluftës!" Dhe i theu. E për këtë i lumtë. Dhe a nuk e kuptojmë vallë, se sa do t'i shërbenim sportit kombëtar, atletikës kombëtare, nëse në këtë gusht 2003 menjëherë pas titullit të dytë botëror të Mirela Manjanit, të lëshonim thirrjen: "Të thyejmë 30 rekordet kombëtare të viteve '80 e më prapa", çka për fat janë të gjithë të shekullit të shkuar?!
Atletika shqiptare kërkon ndërkaq, të hyjë në Shekullin 21. Mendja ta do që ndihet krenare për dy herë Kampionen e Botës, Mirela Manjanin "e saj". Porta për të hyrë në shekullin e ri tek është. Por pa hequr "tradhtinat" që u përmendën në këte shkrim, ne do të mbetemi edhe kushedi për sa kohë te shekulli i kaluar.
'Tema'