Re: Mbreti Ahmet Zogu
Princi Leka: Kujdes me historinë
Rrëfehet pinjolli i familjes mbretërore: Detyra e re, Kosova dhe rishikimi i historisë. "Politikanët s‘mund të bëhen historianë"
Një javë pas emërimit të tij si këshilltar në Ministrinë e Jashtme, princ Leka II rrëfen në një intervistë ekskluzive për gazetën "Shqip" motivin pse ka zgjedhur t‘i bashkohet administratës dhe ambiciet drejt skenës politike. Monarku që u bë pjesë e administratës publike shqiptare ka lënë pas dore veset e bashkëmoshatarëve të tij për t‘iu përkushtuar tërësisht ambicieve në fushën e diplomacisë dhe politikës. Princ Leka pohon se pasi të ketë marrë njohuritë e nevojshme në administratë dhe përmbushur me sukses detyrat e tij si këshilltar i Ministrisë së Jashtme, kalimi drejt politikës është një rrugë në vazhdimësi. Si trashëgimtar i Oborrit Mbretëror, çështjen e rishkrimit të historisë e shikon si një hap që duhet shikuar nga historianët dhe jo nga politikanët. Sipas princit, politikanët bëjnë politikën, ndërsa historianët shkruajnë historinë.
Lartësia juaj, princ Leka, cili ishte motivi që ju shtyu që të bëheshit pjesë e administratës shtetërore shqiptare?
Unë e konsideroj se ky është një angazhim tjetër i familjes mbretërore për Shqipërinë në drejtimin e ndihmës për të mirën e kombit shqiptar. Një mënyrë tjetër për të ndihmuar në ngritjen e imazhit të saj, sidomos në momentet që po kalojmë, të cilat për familjen mbretërore dhe mbarë kombin janë historike. Për mua personalisht është një eksperiencë e shkëlqyer, sepse do të më ndihmojë në formimin tim, të njihem më nga afër me administratën shtetërore dhe të ndihmoj vendin tim, të jap maksimumin tim në shërbimin e tij. Si javë të parë e konsideroj që kam pasur mjaft ngrohtësi dhe mundësi për të marrë një formim sa më të mirë për situatën aktuale që ekziston brenda për brenda politikës së jashtme të shtetit shqiptar.
Java që kaloj ka qenë java juaj e parë si nëpunës i administratës. Si kanë qenë ditët e para të punës suaj si këshilltar?
Ditët e para të punës kanë qenë shumë të mira, duke marrë njohuri dhe duke plotësuar ditët kryesisht në takimet me administratën dhe duke marrë një informacion të situatës edhe një njohje më tepër brenda për brenda administratës.
Çfarë është për ju diplomacia dhe politika. E shihni detyrën tuaj të re si këshilltar në Ministrinë e Jashtme si një rrugë për të hyrë drejt politikës në të nesërmen?
Për mua është një shans që unë të jap kontributin tim dhe të vë në dispozicion të gjithë bagazhin tim për Shqipërinë. Është e rëndësishme për mua që unë t‘i shërbej Shqipërisë për të përmbushur detyrat e mia si shqiptar dhe si një princ. Si trashëgimtar i familjes mbretërore, jeta ime është përfshirë edhe në çështje të politikës së vazhdueshme. Unë mendoj se kjo është një rrugë tjetër për vazhdimësi. Dhe të jap kontributin për një shans tjetër, për të dhënë sa më shumë ndihmë nga ana e familjes mbretërore në të mirën e kombit shqiptar.
Pra synoni që karriera juaj në të ardhmen të jetë e fokusuar më tepër në një rang ambasadorësh apo të kontribuoni më shumë në politikën e brendshme shqiptare?
Unë do të vazhdoj rrugën time, sepse unë jam me emrin tim. E kam këtë shans të jem edhe jam princi trashëgimtar i të gjithë popullit shqiptar. Jam princ edhe në Kosovë, siç jam edhe këtu. Dhe besoj në rolin tim, pasi princi nuk ndryshohet dhe në këtë drejtim kam marrë një mbështetje të jashtëzakonshme edhe nga administrata shtetërore. Unë e konsideroj detyrën si këshilltar i ministrit si një detyrë shtesë, që duhet ta shfrytëzoj me të gjithë fuqinë që kam.
Diplomacia shqiptare gjatë kohës së Mbretit Zog njihet si diplomacia më brilante e Shqipërisë me vendet e botës. Çfarë do të trashëgoni ju nga ajo kohë dhe çfarë kontributesh do të jepni për Ministrinë e Jashtme?
Personalisht mund të them se keni shumë të drejtë. Koha e Mbretit Zog, edhe në mënyrën e zbatimit të drejtimit nga ana e politikës, sidomos nga ana e politikës së jashtme, ka qenë e spikatur nga të gjitha drejtimet. Unë besoj se sot për sot ajo kohë ka ndryshuar. Politika duhet të bazohet mbi çështjet sociale, ekonomike dhe elementet e politikës, d.m.th duhet ta shikojmë situatën me një sy tjetër. Ne nuk mund të harrojmë historinë dhe duhet të vazhdojmë përpara. Duhet të kujtojmë dhe të mësojmë mësimet më të rëndësishme të kohës së Mbretit Zog. Ajo kohë mbetet një nga kohët e arta të diplomacisë shqiptare. Është koha e një vetëdijeje të lartë kombëtare dhe dëshirë për shtetformimin, por shumëçka ka ndryshuar dhe ne kemi kaluar kohë të vështira, sot duhet t‘u përshtatemi kushteve të reja social-ekonomike dhe t‘u përgjigjemi nevojave të bashkëkombësve tanë. Koha e Mbretit Zog na ka dhënë një shembull se si duhet ndërtuar një shtet dhe sakrificat që duhet të bëjmë për vendin tonë. Sot ne e kemi dhe duhet të punojmë për të, t‘i mbrojmë pavarësinë si atë administrative, politike, ashtu edhe ekonomike. Unë kam jetuar një pjesë të jetës sime jashtë Shqipërisë dhe përvoja e akumuluar jashtë si edhe edukata e marrë në familjen time do të më shërbejë.
Keni deklaruar se do të angazhoheni fuqishëm në çështjen e Kosovës. Konkretisht, çfarë mendoni se është më e mirë për Kosovën në këto momente dhe çfarë qëndrimi duhet të mbajë diplomacia shqiptare ndaj pengesave që Serbia nxjerr për çështjen e Kosovës?
Unë besoj se tashmë është e ditur që Shqipëria është duke mbështetur me të gjithë fuqinë e saj pavarësinë e Kosovës dhe planin e Ahtisarit. Nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës. Unë do të vazhdoj të jem si trashëgimtar i familjes mbretërore, të jem një zë i fuqishëm pro pavarësisë së Kosovës në të gjithë drejtimet e saj. Edhe në këtë element, besoj se shteti shqiptar është duke dhënë maksimalen e vet për këtë çështje. Qëndrimet tona janë tashmë të njohura, pavarësia e Kosovës është e vetmja alternativë, çdo zgjidhje tjetër është e papranueshme. Diplomacia shqiptare është shprehur në mbështetje të pakos së Ahtisarit për pavarësinë e Kosovës dhe kundër ndarjes së saj, ky duhet të jetë qëndrimi të cilin duhet të mbajë dhe së cilës duhet t‘i përkushtohet. E rëndësishme për ne është bashkërendimi i punës me partnerët tanë strategjikë si SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja.
Si trashëgimtar i fronit mbretëror, cilat janë marrëdhëniet tuaja me vendet e tjera të botës. Sa do të ndikojë kjo në punën e Ministrisë së Jashtme?
Shumë të mira. Mund të them se me vendet e tjera të botës jemi shumë miq. Kuptohet, ne do të vazhdojmë dhe unë kam fatin jo vetëm si këshilltar i Ministrisë së Jashtme, por kam edhe mbështetjen e plotë të Oborrit Mbretëror, që kam mundësi të jap një kontribut për të mirën e kombit shqiptar. Kam filluar në disa drejtime, sidomos në element të diasporës edhe vendeve të tjera, duke hapur rrugët dhe shtrirjen e influencës së shtetit shqiptar, dhe unë besoj se këtë drejtim unë do të vazhdoj të ndihmoj sidomos me miqtë që kemi. Kemi edhe miq në Lindjen e Mesme dhe vende të tjera.
Këshilli i Ministrave ka vendosur pesë ditë më parë që historia e Shqipërisë të shkruhet nga e para. Kjo çështje ka ngjallur debate, jo vetëm mes akademikëve, por edhe mes politikanëve. Mendoni se është e drejtë që të rishikohet historia, kryesisht periudha e Mbretit Zog?
Këtu do të ketë edhe një reagim. Unë personalisht nuk mund të reagoj si këshilltar i ministrit të Jashtëm, por nga ana e Oborrit Mbretëror do të ketë një reagim për këtë çështje. Patjetër që historia në Shqipëri ka pasur shumë ndikime politike dhe duhet shikuar me një sy të pavarur. Jo nga elemente të vjetra të politikës shqiptare. Unë do të them me të gjithë fuqinë time, se në qoftë se jeni i përfshirë në politikë, nuk duhet të jeni edhe historianë.
Jeta në Oborr
Siguria në Oborrin Mbretëror, më e lartë se në Presidencë, Kryeministri dhe aeroporte
"Princi në punë deri në tre të mëngjesit"
Djali i trashëgimtarit të fronit mbretëror, princi Leka II tregon për "Shqip" se ka pak kohë të lirë dhe se puna në Oborrin Mbretëror dhe si këshilltar në Ministrinë e Jashtme i harxhon shumë kohë. "Si këshilltar mund të qëndroj në punë edhe në tre të mëngjesit pa asnjë problem", thotë Princi Leka II, i cili tregon se i ka me pasion punët që bën. Të hysh në Oborrin Mbretëror, aty ku kalon pjesën e mbetur të kohës princi Leka, duhet të kalosh një kontroll të rreptë, çka të lejon më pas të shëtisësh i lirë në gjithë vilën mbretërore, muret e së cilës janë të rrethuar nga fotografi të bëra nga periudha e Mbretit Zog. Fotografitë e familjes dhe miqve të tij kanë mbushur zyrën e princit Leka II, e cila ndodhet në katin e parë, në hyrje të ndërtesës. Librat e huaj me temë diplomatike dhe historike nuk mungojnë në bibliotekën e nipit të Mbretit Ahmet Zogu, por gjithashtu edhe flamujt shqiptarë të pranishëm në çdo dhomë dhe zyrë të këtij Oborri. Siguria brenda territorit të vilës ua kalon masave të sigurisë së Presidencës, Kryeministrisë, madje edhe kontrolleve nëpër aeroporte. Të rrallë janë miqtë dhe personat që futen lirshëm në Rezidencën Mbretërore, ku përveç stafit pjesa tjetër duhet të harxhojë 15 minuta për të hyrë në vilën mbretërore për shkak të kontrolleve. Aredimi i godinës të lë një përshtypje të mirë. Shpatat dhe armët e vjetra të ndodhura gjithandej në shtëpinë e princit, tregojnë më së miri se familja mbretërore e adhuron kulturën popullore shqiptare dhe se është një njohëse e mirë e saj.
Miqtë
"Tani që kam dy detyra të ndryshme, në ministri dhe në Oborrin Mbretëror kam shumë pak kohë të lirë se më përpara. Por si djalë i ri, i di si t‘i shfrytëzoj deri në maksimum", shprehet princ Leka II. 25-vjeçari shprehet se ka pasur fatin të krijojë një shoqëri shumë të mirë. "Dua të kem një jetë aktive, duke takuar njerëzit përditë dhe besoj se kjo më ka ndihmuar me detyrën të mos jem i mbyllur dhe të njoh situatën. Unë jam tipi që kam qejf të lëviz, të njoh situatën jashtë konceptit filozofik të Tiranës. Duke marrë parasysh se Shqipëria nuk është vetëm në Tiranë dhe Durrës, ajo është që të shkosh dhe të vizitosh çdo fshat dhe kështu do të vazhdoj edhe në të ardhmen", shprehet ai. Princi pranon se shoqërohet me miqtë VIP-a, por preferon të mos publikojë emra, duke ruajtur me fanatizëm identitetin e miqve të tij. "Unë nuk frekuentoj një shoqëri të përcaktuar, por shoqërohem me njerëz të të gjitha fushave", thotë princi Leka II.
CV
Këshilltari më i ri i administratës
25-vjeçari, princi Leka ka pranuar ftesën për të mbajtur postin e këshilltarit të ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, duke qenë në këtë mënyrë këshilltari më i ri i administratës publike. Shtatë ditë më parë, ministri Basha ka prezantuar para mediave bashkëpunëtorin e tij më të ri, Leka Zogun II. Më parë Basha ua ka prezantuar princin Leka II, zyrtarëve më të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ekipit të tij më të ngushtë, anëtarin e ri të kabinetit të tij. Princi Leka II ka një formim akademik solid. Ai ka studiuar në disa kolegje të njohura në vende të ndryshme, përfshirë ST. Peter College dhe më pas ka vazhduar në "Royal Military Academy of Sandhurst", një ndër institucionet edukative më prestigjioze në Mbretërinë e Bashkuar. Princi Leka II ka kryer gjithashtu një kurs tremujor në Akademinë Ushtarake "Skënderbej", në Tiranë dhe një kurs 3-mujor në Itali. Sipas Ministrisë së Jashtme, emërimi i princit Leka II në kabinetin e tij është pjesë e filozofisë së qeverisë shqiptare si dhe e vendosmërisë së tij për të pranuar në administratën shtetërore kapacitetet më të mira të vendit, persona me aftësi të spikatura në pajtim me nevojat e shërbimit të vendit.
Këshilltar për Kosovën
Princi Leka II në foto me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu. Përveçse është emëruar si këshilltar i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, Princi Leka II do të ketë edhe funksionin si këshilltar për çështjen e Kosovës, për të cilën deklaron se do të angazhohet fuqishëm për pavarësinë e saj
Uniforma mbretërore
I pari që krijoi traditën e uniformave ushtarake në Shqipëri ishte Mbreti Zog. Ato u dizajnuan nga italianët, ishin "high-tech" për kohën dhe kishin një vulë kombëtare. Në vitin 1939, italianët ngritën një batalion të Gardës Kombëtare dhe krijuan dy uniforma të kushtueshme, një me tirqe dhe një me fustanellë. Duke futur kështu elementë të traditës kombëtare nga jugu dhe veriu
Kronologjia
Uljet dhe ngritjet e familjes mbretërore
Në vitin 2002, familja mbretërore mbërrin përfundimisht në Tiranë, duke i dhënë fund një mërgimi 63-vjeçar. Një avion "boing 727" transportoi nga aeroporti Lanceria të Johanesburgut trashëgimtarin e fronit, Leka Zogu I së bashku me familjen e tij. Duke iu rikthyer mbrapa historisë, në prill të vitit 1997, teksa Shqipëria gjendej e zhytur në kaos për shkak të shembjes së firmave piramidale, Mbreti Leka I mbërriti në Tiranë. Ai mori pjesë në fushatën elektorale për zgjedhjen e formës së regjimit në Partinë e Legalitetit, duke shkuar pothuajse në të gjitha rrethet e Shqipërisë. Në këto zgjedhje, monarkia fitoi 36% të votave sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky rezultat u shpall i falsifikuar nga Mbreti Leka I. Nisur nga kjo, tri ditë pas zgjedhjeve, Partia e Legalitetit organizoi një miting proteste, ku simpatizantët e saj bashkë me babain e Leka Zogut II marshuan drejt qendrës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku pati edhe konfrontime me policinë. Pak ditë më pas u hap një proces hetimor ndaj Leka Zogut, duke e akuzuar atë për sulm të armatosur ndaj institucioneve të shtetit. Zogu u dënua në mungesë dhe pastaj përfitoi një amnisti. Heqja e kësaj pengese bëri që Leka Zogu, trashëgimtari i ligjshëm i fronit mbretëror të Shqipërisë të kthehej në vend. Në bazë të një marrëveshjeje midis PD-së dhe PLL-së dhe trashëgimtarit të fronit mbretëror, 25- vjeçari, princi Leka II është punësuar si këshilltar i ministrit të Jashtëm dhe do të fokusohet kryesisht në çështjen e statusit të Kosovës.