Re: Marketingu online
80% e postës elektronike, e padëshiruar
Përgatiti: Belina Budini
Ndotin çdo ditë postën tonë virtuale në internet dhe në vitin 2006, flitet për 61 miliardë spame të dërguara çdo ditë, që është dyfishi i spamëve të nisur në ditë gjatë vitit 2005. Madje, vëllimi i spamëve përfaqëson në total 80% të mail-ve botërore. Dërguesit e këtyre letrave elektronike të padëshirueshme kanë përdorur teknika të reja për t'u dredhuar sistemeve të ndryshme të filtrimit. Një prej këtyre dredhive është përdorimi i spameve me imazhe, që përfaqëson 25% në nivel botëror, përkundrejt 4,8% vetëm një vit më parë. Piratët përdorin gjithashtu kompjutera të veçantë, në të cilët janë instaluar pajisje spiune nëpërmjet site-ve në internet, ose spameve-imazhe, në mënyrë që të dërgojnë gjithnjë e më shumë postë të padëshiruar dhe të zotërojnë adresat.
Reklamime për medikamente të skaduara, prodhime luksi të falsifikuara apo thirrje ndihme nga një trashëgimtar i pasur afrikan: përmbajtjet e postës së padëshiruar mund të jenë të shumta. Sisteme të shumta informatike, të pambrojtura mjaftueshëm, e favorizojnë përhapjen e spamëve. Ndër dërguesit më të përhapur të spamëve janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina, Koreja e Jugut dhe Franca.
Reklama dhe mashtrime
Përgjithësisht, posta e padëshiruar përmban reklama. Produktet më të reklamuara janë shërbimet pornografike, medikamentet (sidomos ato të stimulimit seksual ose hormonet e përdorura kundër plakjes), kreditë, kazinotë on-line, etj. Një pjesë e dërguesve të spamëve, përbëhet nga mashtruesit që premtojnë pasurime të shpejta. Megjithatë, ka edhe një numër të konsiderueshëm kompanish që i përdorin spamët për të promovuar produktet e tyre, meqenëse është një mënyrë që nuk kushton. Ndërsa një kategori tjetër spamësh u përket mashtruesve, të cilët i dërgojnë ato kinse si mesazhe bankash ose shërbimesh të mbrojtura me fjalëkalim. Qëllimi është sigurimi i të dhënave personale të marrësve, fjalëkalime, numra kartash bankare, etj.
Ndotja elektronike, nga e-mailet deri tek telefonatat në internet
Letrat e padëshiruara mund të depërtojnë në media të ndryshme elektronike, si në postën elektronike, në forumet e diskutimeve të Usenetit, në motorrët e kërkimit, në mesazhet e atypëratyshme, apo në telefonatat në internet dhe në bloge. Megjithatë, më të përhapurit janë spamët e dërguar nëpërmjet postës elektronike, pasi, për shkak të kostos të pallogaritshme të kësaj dërgese, është shumë e lehtë që një mesazh t'u dërgohet miliona marrësve.
Adresat për ndotjen e postës, mblidhen zakonisht nga robotë indeksesh dhe ekziston madje edhe një treg për listat e adresave. Për të evituar ndotjen e postës së tyre, përdoruesit e internetit përdorin shpesh maskimin e adresave të tyre, kur ajo duhet të shfaqet në një site web ose në Usenet. Për shembull:
Jean@NOSPAM.exemple.com për
Jean@exemple.com.
Ndotja e forumeve të diskutimeve është gjithashtu e njohur dhe ka ekzistuar përpara ndotjes së e-maileve, pasi ato janë një shënjestër shumë e lehtë, pasi një mesazh spam i dërguar në një forum, prek të gjithë lexuesit e forumit. Disa grupe diskutimi popullohen vetëm nga spamët dhe për këtë arsye mbikëqyren nga njerëz ose robotë, që përbëjnë pastrimin e artikujve të propozuar. Ekziston edhe ndotja me spame të zëshme ose ndotja vokale elektronike, që quhet ndryshe edhe SpIT (pra, spam nëpërmjet Telefonisë së internetit). Sisteme si "Skype" konstatojnë se një pjesë e madhe e thirrjeve kanë origjinë të padëshiruar, edhe pse bëhet fjalë më së shumti për kontakte personale sesa për ato komerciale.
Si t'u shpëtosh?
Spamët, gjithnjë e më dredharakë
Sipas një sondazhi, 87% e adoleshentëve i fshijnë spamët, por 5% e tyre u përgjigjen.
Madje jo vetëm adoleshentët, por edhe një pjesë e konsiderueshme e njerëzve në përgjithësi, u përgjigjen pozitivisht spamëve. Madje shitjet e produkteve nëpërmjet postës elektronike, vijnë gjithnjë në rritje. Ndërsa në fillim posta e padëshiruar vinte me emra të pakëndshëm dhe mund ta identifikoje shumë lehtë e ta shkatërroje menjëherë, tani mund të vijë me emrin e dërguesit dhe shumë e rregullt në formë, në mënyrë që të duket e besueshme. Por, nëse e hap, marrësi mund të përballet me imazhe krejtësisht të padëshiruara. Një adresë e vështirë për t'u gjetur, mund t'ju mbrojë disi nga këto e-maile të padëshiruar, duke përdorur më shifra.
Shpjegimi i fjalës SPAM
Spam ka kuptimin e një letre elektronike të padëshiruar, shpesh e natyrës komerciale, që u dërgohet njëkohësisht një serie mail-esh apo individëve të veçantë. Fjala është përdorur për herë të parë në vitin 1978, në një serial televiziv britanik, "Monty Python's Flying Circus" në të cilën fjala përdorej në kontekstin e diçkaje që përsëritet në mënyrë të tepruar, duke u bërë shumë bezdi. Por, kuptimi i saj i parë, ka të bëjë me një kuti proshute të cilësisë së keqe, që pushton bisedat dhe menynë e një restoranti të vogël. SPAM është me sa duket në bashkim i fjalëve "SPiced hAM" që është një markë e krijuar nga Hormel Foods në vitin 1937, slogani i të cilës ishte "SPAM in time".