Re: Mardhenjet femer -mashkull ne jeten sociale !
Në shumë vende të botës, me mijëra gra flasin të njëjtën gjuhë, atë të heshtjes. Për të thyer heshtjen, në prag të Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës, (25 nëntori) “Strehëza për gratë dhe vajzat e dhunuara” dhe UNICEF, kanë gjetur si mjet sensibilizimi, jo thjesht shpërndarjen e fletushkave, por një dokumentar. “Pas teje, jetoj”, quhet dokumentari i ideuar nga sociologia Majlinda Bregu, me regji të Namik Ajazit. “Kjo është hera e parë që flitet për një çështje, e cila deri tani është konsideruar e fshehtë. Dhuna ndaj gruas, apo fëmijës, është konsideruar gjithmonë si një problem që i takon vetëm familjes dhe duhet të qëndrojë i mbyllur vetëm brenda mureve të shtëpisë. Por ka ardhur momenti që të flitet hapur për të, pasi siç është edhe logoja jonë për këtë vit “Dhuna na shndërron të gjithëve””, - thotë Majlinda Bregu, skenaristja e këtij dokumentari. “Padyshim që realizimi i këtij dokumentari ka pasur vështirësitë e veta. Në të kemi të gërshetuar anën artistike dhe atë sociale, që përbëhet prej intervistash që u janë marrë grave të dhunuara, si dhe një prezantim i shërbimeve të rrjetit kundër dhunës”, - thotë Namik Ajazi. Ndërsa për sociologen, që këtë herë vjen si skenariste, synohet të dëshmohet për efektet që dhuna lë jo vetëm tek gratë e tek fëmijët, por në të gjithë shoqërinë. “Sa më shumë gra të dhunuara do të ketë, aq më shumë fëmijë të traumatizuar do të ketë, gjë që padyshim do të lërë gjurmë në shoqëri. Megjithatë ky dokumentar nuk është ngjizur me nota pesimiste, përkundrazi, ne japim edhe rimëkëmbjen e këtyre grave të dhunuara”, - thotë Majlinda Bregu, duke shtuar që krahas intervistave të grave të dhunuara, të cilat kanë qenë, ose janë kliente të “Strehëzës”, ka edhe mendime specialistësh, si avokatësh, mjekësh apo psikologësh. Vjollca Meçe dhe Rubena Moisiu, paraqesin gjatë minutave të dokumentarit, një panoramë të gjendjes, pasojat shëndetësore, apo zgjidhjet në rrugë ligjore. Dokumentari, është i pari në llojin e vet, zgjat 45 minuta dhe xhirimet e tij janë kryer në Tiranë, Berat e Shkodër, nga janë edhe viktimat e dhunës. Ai fillon dhe mbaron me një histori, e cila ka ndodhur në të vërtetë, por që interpretohet prej dy të rinjve, Ermelinda Voja dhe Lorenc Çelo.
Letrat
Isha vetëm 20 vjeç kur u lidha me bashkëshortin tim. Familja e tij nuk më donte. Brenda pak viteve shumë gjëra ndryshuan. Nuk kishte më fjalë të ëmbla, dashuri, respekt, por vetëm fyerje dhe rrahje shtazarake për shkaqe nga më të rëndomtat. Dhuna u bë edhe më e egër pasi kaluan vite dhe unë nuk po bëja fëmijë. Presioni psikologjik e fyerjet u shtuan. Dhuna arriti kulmin kur bashkëshorti im në gjendje të dehur, pasi më hodhi vajgur në trup tentoi të më vinte flakën. Nuk di si shpëtova. U largova për të mos u kthyer më…
Jam jetime. Në moshën 21 vjeç u martova dhe jetova e qetë derisa djali u bë 12 vjeç. Pas kësaj, burri mbetur pa punë nisi të pinte. Atëherë nisi dhe dhuna. Nuk kisha ku të shkoja, s’kam asnjë të afërm. Keqtrajtimet fizike shtoheshin vazhdimisht dhe jam detyruar disa herë ta denoncoj në polici. Pas tre vjet torturash vendosa të bëj padinë për divorc. Divorci u krye dhe si e pafat, fëmijët m’i mori burri, pasi sipas tij nuk isha në gjendje t’i edukoja si duhet. Kjo gjendje zgjati derisa im bir mbushi 18 vjeç, ndërsa vajza vinte më takonte fshehurazi. Vetëm tani jetoj me fëmijët e mi.
Jam Mira, 32 vjeç nga një fshat i Shkodrës. Kam shtatë vjet e martuar, me dy fëmijë, por vetëm vitin e parë të martesës kam bërë jetë normale. Problemet filluan kur linda fëmijën e parë, vajzën, që im shoq si i marrë shpresonte të ishte djalë. Nisën fyerjet, sharjet e më pas edhe shpullat. Të gjitha u egërsuan pas lindjes së vajzës së dytë. Më kapte për flokësh, më shante, me gjuante me çfarë të kishte më afër e më përplaste në tokë. Kur vajza e madhe ishte 5 vjeç, nisi të rrihte edhe atë, e zgjonte natën dhe e detyronte t’i bënte kafenë. Shumë herë kur jam munduar të mbroj vajzën e kam parë veten në spital