Re: Liria e femres te con ne degjenerim te familjes
Imanuel Kanti dhe femrat
Kapiteni i njohur Cook, gjatë udhëtimit nëpër Tahiti ka takuar një burrë që po rrihte një grua dhe pastaj me kërcënim e ka detyruar burrin që ta ndëpresë rrahjen e saj. Mirëpo, gruaja i ishte kthyer Cook-ut me fjalët: “Kjo është detyrë e mashkullit”.
Ky është një rrëfim i shkëputur nga libri “Antropologjia”, i Imanuel Kantit, sipas pikëpamjes së të cilit gruaja duhet të qeverisë, kurse burri të udhëheqë.
Qëndrimet e Kantit për çështjen e femrës ishin në të njëjtat valë me atë të mentorit të tij Zhan Zhak Ruso. Në diskutimin “Antropologjia Pragmatike e Popullsisë” (1798) Kanti elaboron qëndrimet e tij për “karakteret e gjinive”, duke pohuar se femra nuk do të duhej konsideruar si dikë që të trimëron për dijë, apo që vetë mendon. Roli i saj kryesor është që si Sofia e Rusoit të avancojë moralin e meshkujve në mënyrë që të manipulohet me ta. Në martesë, një partner mund të jetë i nënshtruar nga tjetri, por Kanti insiston në pikëpamjen se format që njihen si femërore zhvillohen krahas me zhvillimin e civilizimit, posaçërisht “të drejtuarit e meshkujve”.
Ruso ishte, pra, një formësues i pikëpamjes së Imanuel Kantit mbi femrën. Mary Wollstonecraft’s (1792) në veprën e saj “A Vindication of the Rights of Women”, kritikon ashpër komentet e Rusoit, e veçanërisht influencimin e theksuar te Kanti. Në veprën e tij “Emili” ose “Mbi edukatën” (1762), Rusoi në përgjithësi ka pranuar pikëpamjen për femrën, por tërësisht ka justifikuar këtë perspektivë pas kritikave dhe është përpjekur për ndryshime. “Femrat për herë bërtasin, sepse ne i kemi edukuar ato për asgjë, për kotësitë dhe nazet e tyre, për atë ne i mbajmë ato për zbavitje dhe shaka, në mënyrë që ne të jemi zotërues, sepse sipas tyre ne jemi përgjegjës - thonë ato, ndërkaq të metat ne ua atribuojmë atyre. Çfarë marrëzie!”, është shprehur Rusoi, në interpretimin e tij për femrën.
Kanti është konsideruar si logocentrik në trajtimin e subjektit femëror, prandaj ka konsideruar se mjafton që femra të jetë e bukur dhe tërheqëse. “Prej kësaj del medoemos se natyra synon që mashkullin në marrëdhëniet reciproke midis gjinive ta fisnikërojë edhe më tepër, kurse femrën në të njëjtën mënyrë ta zbukurojë edhe më tepër. Femra nuk brengoset shumë që nuk ka dituri të larta, që frikësohet dhe që ende nuk i janë besuar punë të rëndësishme...”, kishte thënë Kanti, sipas të cilit mendja i takon burrit, ndërkaq shija-gruas. Kjo sikur edhe një varg mendimesh sa i përket feminitetit, bën që Kanti të vihej nën syrin kritik të shumë mendimtarëve të kohës, të cilët i dhanë epitetin e mizoginit këtij filozofi gjerman. Megjithatë, jo të gjithë e kishin këtë bindje për Kantin. Pikëpamjet e tij për sexualitetin, trupin dhe martesën e femrave për Barbara Herman, ishin pikëpamje moderne për moralin dhe paraqitje në mënyrë objektive. “Te femrat është e lindur ndjenja më e fuqishme për gjithçka që është e bukur, e hijshme dhe e pispillosur. Që në fëmijëri atyre u pëlqen të rregullohen dhe i pëlqejnë vetvetes kur stolisen. Janë të pastërta dhe të ndjeshme ndaj çdo gjëje të neveritshme”, shkruan Kanti në veprën e tij “Mbi të bukurën dhe të madhërishmen”. Ndërkohë që ai përshkruan shumë aspekte të anës fizike të femrës, në shesh dalin edhe idetë e tij mizogine, sipas të cilave disa femrave u mungon vetëm mjekrra që t’u japë pamje më të thekshme të mendjes së thellë që e duan aq shumë.
Kanti si shumë filozofë të tjerë, ishte i vetëdijshëm se balanci shoqëror nuk do të arrihej në momentin kur nuk do të ekzistonte stratifikimi gjinor. Pozita nënshtruese e femrës do ta mundësonte ruajtjen e familjes dhe shoqërisë në përgjithësi. Në këtë kontekst, Kanti këtë e arriti nëpërmjet ligjit moral dhe atëij natyror. Ligji Moral këtij filozofi ia mundësoi që jobarazinë ta shohë si forcë shoqërore, ndërkaq ai natyror i ndihmon që nëpërmjet pamjes fizike ajo pa dyshim të pozicionohet në pjesën dytësore.
Përderisa, gruaja është një objekt, kuptohet që mënyra me të cilën stoliset dhe vishet e rregullon vlerën e saj qenësore. Derisa femra do të konsiderohet si një objekt, atributi i së bukurës do të jetë pjesë qenësore e subjektit të saj.
Paradigma klasike e trajtimit të pozitës së femrës bëri që shumë autorë feministë personazhin e femrës ta përdorin si kundërargument të filozofit gjerman. Kësisoj, Naoumi Wolf e trajton femrën nëpërmjet “mitit të së bukurës” dhe për dallim nga Kanti, i cili femrën e karakterizon nëpërmjet nocionit të së bukurës, ai konsideron se ky mit është një të mësuar social, që vjen si çmim i një raporti me mashkullin për të shtuar më tej se është më shumë sjellje se aparencë. Ndërkaq, Simone de Beauvoir bukurinë femërore e quan të determinuar nga zakoni dhe thekson se pikërisht zakonet e nxisin femrën të tjetërsohet në imazhin e saj. Në këtë kontekst, sipas filozofes franceze Beauvoir, vetë shoqëria i kërkon gruas të bëhet objekt erotik. Sipas saj, veshjet e burrit ashtu edhe trupi i tij duhet të tregojnë transcendencën dhe jo të tërheqin shikimin e tij. Për burrin as eleganca e as bukuria nuk arrijnë të kthehen në objekt; gjithashtu, ai nuk e sheh paraqitjen e tij si pasqyrim të qenies së tij, mendon Beauvoir. “Gruaja është një uniformë dhe një stoli, nëpërmjet tualetit, gruaja që vuan se nuk bën gjë prej gjëje mendon se shpreh qenien e saj. “Kujdesi për bukurinë e saj, për t’u veshur, është një lloj pune që i lejon të përvetësojë vetë personin e saj, ashtu siç përvetëson nëpërmjet punëve shtëpiake vatrën familjare”, thotë Beauvoir.
Qëndrimi i saj konsiston me atë të Kantit, sipas të cilit natyra përpiqet që femrën ta zbukurojë edhe më shumë. “Prej kësaj del medoemos se natyra synon që mashkullin në marrëdhëniet reciproke midis gjinive ta fisnikërojë edhe më tepër, kurse femrën në të njëjtën mënyrë ta zbukurojë edhe më tepër”, shkruan Kanti.
Fakti që Kanti dhe disa nga bashkëmendimtarët e tij janë marrë më shumë me anën vizuele se sa me atë mendore, e zbeh dukshëm femrën si qenie njerëzore.
Trajtimi i femrës si objekt dhe atribuimi i së bukurës nuk është i rastësishëm në filozofinë e Kantit, madje qasja e tij për femrën si e pispillosur duket se nuk ka ndërruar që nga ajo kohë. Edhe sot e kësaj dite femra vazhdon të perceptohet me një sy të tillë, si objekt për t’u shndërruar pastaj në subjekt me të cilin merren të tjerët.
Hannelore Schroder argumentin e Kantit e quan plotësisht të motivuar politikisht. Ajo pohon se Kanti e justifikon martesën patriarkale, sepse të dhënat e tij e përkrahin një pjesë të arbitraritetit (gjykimit), duke arsyetuar me faktin se është një privilegj legale e mashkullit për ta nënshtruar femrën nëpërmjet rregullave. Në fakt Schroder, konkludon se Kanti flet për kategorinë imperative ad absurdum, duke e zgjedhur veten. Për konkluzionet lidhur me martesën, trupin dhe seksualitetin, Barbara Herman, shkruan se mizoginia e Kantit është “përbuzje e trupit” dhe shton më tej se Kanti, filozofi modern moral e feminist, ka gjetur shumë pakënaqësi dhe për të cilin shkak më vonë shumë autorë feministë e vunë re vërtetësinë minimale të fakteve të Kantit për feminizmin.
Duke elaboruar qëndrimet e Kantit për femrën, studiuesi Mason Cash, mashkullin e ka parë më superior në relacion me femrën, shkaku i fuqisë fizike dhe guximit.
“Femra mund të jetë më superiore se mashkulli për hir të respektit të talentit të saj të natyrshëm për zotërimin e dëshirës së tij për të”, është shprehur Cash.
E meta kryesore e argumenteve të Kantit është më shumë logjike se faktike. Metoda logjike Kantin e çon në një devijim, i cili pastaj përdor këto derivate, të cilat na bëjnë me dije se ky filozof shpesh me ngathtësi këto konkluzione për femrën i involvon në ligjin moral dhe atë natyror dhe të cilat do të jenë si rrjedhojë e natyrshme e vet këtyre premisave.
Duke vrojtuar qëndrimet e Kantit, Marvin Fox (1949) nxjerr në pah se përpjekja për zbulimin e principeve morale universale e ruan Kantin nga mendjengushtësia dhe provinicializmi, të cilët gjithashtu bëjnë pjesë në filozofinë morale. Nga ana tjetër, ne gjejmë edhe mendimtarë të respektuar, të cilët bëjnë të njëjtat gabime duke pretenduar se idealet morale të pjesërishme të shoqërisë duhet të jenë universale dhe të padiskutueshme. Njëra nga virtytet dhe thekset e Kantit është arsyeja, i vetmi argument për një themel të qëndrueshëm të drejtësisë morale, i cili mund të mënjanojë të gjitha pengesat e mundshme.
Sipas Kantit, femrës i duhet një disiplinim. “Gjinia femërore patjetër duhet të edukohet dhe të disiplinohet në gjërat praktike; gjinia mashkullore nuk e kupton këtë”, thoshte ai, pavarësisht nga bindja se të gjitha qeniet lindin të barabarta për nga natyra dhe askush nuk mund t’ua marrë këtë liri dhe barazi. Ai, megjithatë, e vuri theksin në superioritetin e burrit kundrejt femrës. Përkundër kësaj, ai mendon se gruaja është ajo që jep urdhëra në shtëpi. “Gruaja është kafshë shtëpiake, mashkulli shkon jashtë me pushkë në dorë, kurse gruaja e përcjell atë e ngarkuar me një barrë shtëpiake”, ka theksuar Kanti duke folur për relacionin në mes dy gjinive.
Në trajtimin e gjinive te ky filozof gjerman gjejmë trekëndëshin famoz, sipas të cilit qeniet lindin të barabarta për nga natyra, ndërkaq nëpërmjet rrugës gnoseologjike ai bën nj; dallim të tillë (e bukur-fisnike; apriori-aposteriori), për të përfunduar me dinjitetin, që sipas Kantit është vetëdija e njeriut për detyrën e tij, për vetveten si qenie e lirë dhe ligjdhënëse e moralit, që ky “Dinjitet i posaçëm”, kjo veti esenciale morale e njeriut paraqet njërin ndër faktorët më të rëndësishëm të zhvillimit moral të njeriut dhe të njerëzimit.
Sistemi filozofik (sensualiteti, arsyeja dhe mendja) i Imanuel Kantit, është njëkohësisht edhe një sistem i rregullimit të raporteve gjinore. Ndarja e nocioneve në apriori dhe aposteriori determinon drejtpërsëdrejti edhe dihotominë racionale - emocionale, e bukur-fisnike mbi të cilën edhe e ndërton strukturën gjinore. Në të parën, ai paraqet mashkullin, i cili kultivon virtytin e fisnikes, për dallim nga femra, e cila përmban në vete virtytin e së bukurës dhe rangohet në pjesën e emocionales.
Në përpjekjen e saj të parë, Susan Mendus (1987) ka qenë e qartë në interpretimin e Kantit, sipas së cilës ai ka dështuar të dallojë në mes asaj se si një pjesë e vetme pranohet në shoqëri dhe cila është arsyeja e kësaj porosie. Ajo pranon që Kanti ishte i qartë dhe i pazoti të dallojë këtë pjesë dhe rrethanat që nga ajoj apriori deri tek ajo e domosdoshmja.
Në pajtueshmëri me Kantin, Morris Cohen, beson se femra është qenie e domosdoshme e varur nga mashkulli, që është një diktim i arsyes. Kanti e ka parë femrën të një natyre emocionale dhe një konsekuencë të ligjit natyror, e cila në kohën e këtij filozofi është shqyrtuar si problem apriori. Gjithashtu, edhe ligji moral është një zbulim i pastër dhe i padyshimtë në vetëdijen e gjithë njerëzimit. Në këtë mënyrë konkluzionet se femra është emocionale nga natyra dhe gjithashtu e varur nga mashkulli për shkak të udhëheqjes morale është i ndikuar direkt nga ligji i natyrës dhe, gjithashtu, ai moral. Pas këtyre dy ligjeve, të njohura si apriori, këto konkluzione për femrën, të varur nga mashkulli për shkak të çështjes morale dhe mbikëqyrjes, janë vertet apriori për Kantin dhe në këtë mënyrë kjo është një e domosdoshme e vërtetë. Ai është i bindur se arsyeja dikton që femra duhet të jetë nën diktatin e mashkullit, në interes të moralit. “Femrat janë shumë të dobëta për t’i kontrolluar ndjenjat e tyre. Të jesh subjekt me emocione dhe pasione është pa dyshim gjithmonë sëmundje e mendjes, sepse këto të dyjat - ndjenjat dhe pasionet - i përjashton mbretëresha e arsyes”, thotë Kanti. Sipas kësaj pikëpamjeje, ai shkruan se femrat janë shumë të dobëta për t’i kontrolluar ndjenjat e tyre, sepse janë të motivuara nga rregullat morale, për dallim nga meshkujt që janë të motivuar më shumë nga arsyeja.
Në kohën kur shumë qëndrime të shprehura nga Kanti për personalitetin e femrës janë kontestuar nga koha dhe zvillimet, më së miri vetë ai e ka përmbledhur më fjalën “Sapere aude” – Kij guxim! Dhe nëse duhet patur guxim, atëherë sot femra ka guxim për të qenë pjesë e ndryshimit të mendimit filozofik të trasuar ndër vite dhe krijimit të një vizioni të ri - se femra dhe mashkulli paraqesin më shumë dallim anatomik se filozofik, më shumë një dallim objektiv se subjektiv dhe, përfundimisht, më shumë një dallim parimor se esencial. Ndërkohë që dallimet në mendimet filozofike sa i përket femrës vazhdojnë ta bëjnë jetën e tyre, Kanti me të drejtë fjalën e fundit të tij e kishtë thënë “Mirë është”. E nëse është mirë, atëherë vërtet makiazhi dhe prerja e flokëve nuk janë surrogat i një vepre arti!
Referencat
1. Mbi të Bukurën dhe të Madhërishmen, Imanuel Kant
2. Antropologia, Imanuel Kant
3. Distancing Kantian Ethics and Politicks; From Kant’s View on Women”
4. Simone De Beauvoir, “Sexi i Dytë I-II”
5. The Fundamentals of the Philosophy of Sex, Alan Soble
6. Osporovanje Muske Aristokracije, Karen Ofen
7. Feminist Epistemologies, Linda Alcoff and Elizabeth Potter
8. Fjalori Filozofik, Ekrem Murtezai