Re: Licenca e kazinove...kualifikohen greket :O
Më poshtë mund të lexoni një informacion të
përmbledhur rreth nismës së fundit të Lëvizjes MJAFT për
pezullimin e ndërtimit të kazinove në Shqipëri.
Lëvizja MJAFT!
Në datën 17 Shkurt 2004, me urdhër të Këshillit të Ministrave,
është zhvilluar konkursi ndërkombëtar për dhënien e licencave
të kazinove në Republikën e Shqipërisë.
Lëvizja MJAFT! ka kërkuar pezullimin e këtij procesi dhe
njëkohësisht ka nxitur ngjalljen e një debati publik në të
cilin janë ftuar të marrin pjesë anëtarë të komuniteteve që
do të preken nga ndërtimi i kazinove.
Kjo kërkesë e Lëvizjes MJAFT! bazohet në parimin e të drejtës
për informim që çdo qytetar Shqiptar gëzon. MJAFT! beson se
qeveria shqiptare nuk duhet të marrë vendime të nxituara pa u
konsultuar më parë me komunitetin dhe pa zhvilluar një debat
transparent ku të gjithë palët e interesuara të jenë të ftuara.
Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon ndërtimin e pesë
kazinove në Shqipëri. Një prej tyre do të ndërtohet në qendër
të Tiranës, ndërkohe që katër të tjerat mendohet të ndërtohen
në zonat e Vlorës, Sarandës, Durrësit dhe Velipojës.
Sipas një studimi të kryer nga Lëvizja MJAFT! rezulton se
ndërtimi i kazinove ka një impakt të madh mbi komunitet dhe
krijon probleme të karakterit financiar dhe social.
Kazinotë përcaktohen si biznese të paafta për të riprodhuar
para, por përkundrazi ato shërbejnë si aspiratorë të ardhurash.
Të dhënat tregojnë se brenda një rrezeje prej 70 kilometrash nga
një kazino, mundësia e falimentimit për bizneset e vogla dhe të
mesme dyfishohet.
Brenda së njëjtës rreze, kostoja e sigurimit të bizneseve
trefishohet për shkak të rritjes së nivelit të kriminalitetit.
Në qytetet që përmbajnë kazino niveli i falsifikimit të çeqeve
dhe kartave të kreditit rritet në vlerën 90%.
Përveç problemeve financiare, hapja e kazinove ka dhe një
ndikim të madh social mbi shoqërinë.
Të paktën 80% e kumarxhinjve kryejnë shkelje ligjore pa pasur
më parë asnjë histori krimesh.
55% e kumarxhinjve mendojnë të kryejnë vetëvrasje, ndërkohë që
6% e tyre tentojnë t’i japin fund jetës.
Në zonat ku ndodhen kazino, kumari patologjik është dy herë më
i lartë se niveli normal. Në po këto zona, kumari obsesiv
kontrollon jetën e 2,5% të popullsisë, ndërkohë që varësia e
kumarit tek të rinjtë arrin në shifrat e 8%.
Studimet demografike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe
Evropën Perëndimore tregojnë se përqindja e sulmeve ndaj
personit, përdhunimet, vjedhjet e shtëpive dhe makinave,
dhunës në familje dhe depresionit rritet ndjeshëm në zonat
ku veprojnë kazinotë.
Të gjitha këto të dhëna dhe argumente vërtetojnë ndikimin e
biznesit të kazinove mbi komunitetin ku ato shtrihen.
Pikërisht për këtë arsye, Lëvizja MJAFT! i bën thirrje qeverisë
shqiptare të pezullojë marrjen e çdo lloj vendimi në lidhje me
hapjen e kazinove në vend, pa u konsultuar dhe pa marrë më parë
miratimin e qytetarëve Shqiptarë.
Ju ftojmë të bëheni pjesë e kësaj nisme.
Referenca:
National Committee Against Legal Gambling
www.ncalg.org/Gambilng%20Inside%20Story.htm
California Council on Problem Gambling
www.calproblemgambling.org/gambling_social.html
Lane County
www.lanecounty.org/prevention/gambling/