Lajme ekonomike!

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Rritet çmimi i biletave të trenit

Udhëtimi me tren rreth 40 % më i kushtueshëm. Hekurudhat duan të mbulojnë humbjet

Mila Ballhysa

Trenat duket se do të humbin së shpejti edhe ata pak udhëtarë që i preferonin për shkak të çmimeve më të lira. Ditët e fundit hekurudhat shqiptare kanë rritur ndjeshëm çmimet e biletës së trenit dhe të aboneve mujore duke krijuar premisat e transportit të udhëtarëve me autobuzë dhe furgona. Drejtoria e shërbimit të transportit të udhëtarëve në linjë hekurudhore prej disa ditësh ka nisur aplikimin e çmimeve te reja për sa i përket udhëtimit me tren. Bilanci negativ i vitit të kaluar dhe ai i muajve të parë të këtij viti ka shtyrë Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave shqiptare të rrisin çmimin e biletës dhe abonesë. Prej vitesh shteti subvencionon këtë shoqëri anonime, pasi gjendja e amortizuar e linjave hekurudhore dhe vagonëve të trenit janë shkaktarët kryesorë të numrit të ulët të personave që i frekuentojnë linjat hekurudhore. Bilanci negativ që ka ardhur çdo vit duke u përkeqësuar ka çuar drejtuesit e hekurudhës të ndërmarrin një vendim të tillë.
Shtrenjtohen biletat
Të gjithë udhëtarët e linjave nga Durrësi për në stacionet e tjera hekurudhore të vendit janë detyruar të paguajnë më shtrenjtë biletën, ndërsa rritje në çmim ka pësuar edhe aboneja për studentët dhe udhëtarët e çdo kategorie. Kjo masë ka nxitur reagimin e qytetarëve, të cilëve u duket absurde rritja e çmimit të biletës në një kohë kur kushtet e udhëtimit me tren vazhdojnë të jenë mjaft të këqija. Drejtoria e Hekurudhës e ka paralajmëruar rritjen e çmimit të biletës duke nisur fillimisht me abonetë e prera në fund të muajit të kaluar. Sipas udhëtarëve bileta është rritur në masën 38 përqind duke iu afruar shumë biletës së autobozuti prej 100 lekësh. Gjithçka është justifikuar me konkurrencën si dhe bilancin negativ në transportin e udhëtarëve. Për shkak të mungesës së komfortit në vagonët e trenit, shumë qytetarë përdorin autobusët interurbanë për të shkuar në destinacionet e tyre. Megjithëse deri tani udhëtimi me tren ofronte tarifa më të lira, gjendja e amortizuar e vagonëve dhe linjave hekurudhore, i ka shtyrë qytetarët të braktisin trenin. Nëse kushtet do të ishin më komode, shprehen shumë prej udhëtarëve,-“ do të përdornim trenin për të udhëtuar pasi është më i sigurt e më i lirë, por përsa kohë shteti nuk investon për blerjen e vagonëve të rinj dhe zëvendësimin e traseve të dëmtuara me të reja, ne do të përdorim linjat interurbane për të lëvizur nga njëri qytet në tjetrin”.
Ndryshimi drejtorëve
Pak ditë më parë në Drejtorinë e përgjithshme të hekurudhave Shqiptare u krye një rotacion drejtuesish. Në postin e drejtorit Sokol Kapidani u vendos kreu aktual i këshillit bashkiak të Durrësit Zamir Ramadani, ndërkohë që Kapidani u ngrit në detyrë duke u caktuar në një post drejtori në Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit. Në linjë hekurudhore një vit më parë kanë udhëtuar afro 200 mijë udhëtarë më shumë sesa viti pararendës, por fakti se transporti i udhëtarëve është subvencionuar nga shteti ka shtyrë shoqërinë të rrisë çmimin. Transporti hekurudhor i udhëtarëve ka vite që konkurrohet nga linjat e autobusëve dhe të fugonëve duke i sjellë jo pak deficite shoqërisë së hekurudhës.

E Merkure, 11 Prill 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Merr ok rruga Levan-Tepelenë, Berat-Tepelenë me koncesion

Donatorët japin 70 milionë euro për Levan-Tepelenë. Ngjeqari kërkon koncesionin

Altin Xhikneli

Në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë u miratua dje projektligji për "Ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin, rehabilitimin dhe ndërtimin e rrugës Fier-Levan-Tepelenë". Sipas zëvendësministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Nikolin Jaka, ndërtimi i kësaj rruge do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të zonave përreth, në kuadër edhe të ndërtimit të TEC-it të Vlorës. Sipas tij, projekti parashikon rehabilitimin e rrugës Fier-Levan-Tepelenë, me një gjatësi prej 70 km, me gjerësi të përgjithshme 10.5 metër, me dy kalime. Zv Ministri Jaka tha se vlera e këtij projekti parashikohet rreth 70 milion euro dhe bashkëfinancues janë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Europiane e Investimeve, si dhe Bashkimi Evropian nëpërmjet një granti të Programit CARDS.
Sipas zëvendësministrit të PPTT, Jaka, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me BERZH-in, kjo bankë merr përsipër të financojë shumën prej 35 milion eurosh dhe kredia e dhënë prej saj është jo konçesionare. Marrëveshja pritet të hyjë në fuqi pasi të jenë plotësuar disa kushte nga pala shqiptare që kanë të bëjnë me pagesën e taksave dhe të detyrimeve tatimore, të cilat mbulohen nga buxheti i shtetit, masterplani kombëtar i transportit dhe shpronësimet.
Konkurrenti i BE-së
Por qeveria nuk është tërhequr nga projekti i Lushnjë – Berat – Tepelenë. Sipas zv ministrit Jaka “varianti i propozuar në 2005, i cili është vendosuar të operohet shpejt dhe pas proceduarës së kualifikimit të dalin kompanitë fituese, një variant që vjen në ndihmë të zhvillimit të kësaj zone duke përfshirë edhe zhvillimin e hidrocentraleve”. Kështu sipas tij, fondet janë të sigurta, nga ana tjetër donatorët janë të gatshëm dhe pritet që të operohet. Para pak kohësh, ky korridor i stimuluar nga inxhinier Ngjeqari në emisionin Zonë e Lirë, pat nxjerrë lajmin se po përgatitej rruga e re Tiranë-Elbasan, dhe se ishin bërë të gjitha studimet dhe madje ishin gjetur dhe donatorët. Por ende nga ajo kohë asnjë e re. “Ky është një projekt mjaft i rëndësishëm i aksit të Jugut të Shqipërisë. Realizimi i këtij projekti i hap rrugë realizimit të një tjetër projekti, atij Lushnjë – Berat, ku zhvillimet në ifrastrukturë përbëjnë një prioritet të mazhorancës së djathtë , të cilat do të sjellin zhvillimin e mëtejshëm të ifrastrukturës rrugore si dhe zhvillimit të turizmit”-tha zv ministri Jaka.
Kështu, sipas zv misnitrit Jaka, qeveria vendosi ta sjellë në mënyrë të përshpejtuar këtë marrëveshje , pasi fondet janë të zgjedhura, donatorët janë gati dhe duke mos hequr dorë nga zhvillimi i fizibilitetit të studimit, për projektin Lushnjë – Berat – Tepelenë, pasi është një segment i cili lidhet me Rrogozhinë – Milot dhe kemi të bëjmë me lidhjen e korridorit të Hanit të Hotit – Kakavijë.
Debati
Dje në Komisionin e Ekonomisë u debatua për varjanetet e këtij kridorri. Nga studimet që janë kryer nga kompanitë gjermane, në fazën e studimit të fizibilitetit në zgjedhjen e varianteve, të cilat kishin vlerë të lartë të përballimit të kostos finnaciare, ku për këtë qeveria ka rënë dakort të operohet me variantin egzistues që është Levan – Tepelenë. Kjo pasi kohë më parë është hedhur dhe varjanti i rrugës Berat-Tepelenë. Sipas zv ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Jaka, “një element mjaft i rëndësishëm që qeveria ka zgjedhur këtë variant për operimin e punimeve , është që ajo në bashkëpunim me ministrinë e energjetikës ka rënë rënë dakort , pasi ky segment i vjen në ndihmë zhvillimit industrial të kësaj zone në lidhje me hidrocentralet

Buxheti 100 mijë USD!
Ministria e trasportit ka parashikuar , shpenzimet për shpronësime, taksat të cilat jnaë përfshirë në buxhetin e kësaj ministrie-tha në komisionin e Ekonomisë Jaka. Por e vërteta është që në buxhetin e shtetit për financimin e kësaj rruge ishin planifikuar vetëm 100 mijë USD. Në fakt kjo rrugë financohet nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Karakteristikat Levan-Vlorë
• 2 korsi për kah lëvizjeje me gjerësi 3.75 m;
• Hapësirë të brendshme me gjerësi 3,50 m, të përbërë nga trafik ndarësi me gjerësi 2,50 m dhe buzë rruge në të majtë me gjerësi 0,50 m;
• Buzë rruge në të djathtë me gjerësi 1,75 m.

E Merkure, 11 Prill 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

"Gjobat e biznesit, punëtorët gati për t‘u hedhur në grevë"

Flet kryetari i sindikatës në Shkodër, Fatmir Smajli


"Mënyra se si qeveria parashikon të vjelë gjobat ndaj biznesit tani po frikëson edhe punëtorët që janë të punësuar në këto biznese", kështu është shprehur kryetari i konfederatës së sindikatave të pavarura në Shkodër, që është dhe një nga sindikata më të mëdha në vend me 6400 punëtorë, jep alarmin se te punëtorët në Shkodër është kthyer pasiguria dhe ankthi nëse bizneset nuk do të kenë mundësi t‘i paguajnë më punëtorët. Në këto kushte, kryetari i sindikatës ka paralajmëruar qeverinë se, nëse kjo vjelje gjobe do të ndikojë te punëtori, atëherë do të nisin protesta dhe greva në mbrojtje të tyre.

Shkodra, qyteti më i madh verior, por me nivelin më të ulët ekonomik në vend dhe me papunësinë më të madhe në shkallë Republike, i është frikësuar më shumë se askush mënyrës se si qeveria ka parashikuar të vjelë gjobat bizneseve. Kjo mënyrë ka të ngjarë që shumë biznese të mbyllin aktivitetet në pamundësi për të shlyer gjoba marramendëse dhe me mijëra punëtorë të mbesin pa punë. Në një prononcim dhënë për gazetën "Shqip", Fatmir Smajli, kryetari i konfederatës së sindikatave të punëtorëve Shkodër, ka bërë publike situatën e frikshme që ka shkaktuar te punëtorët vendimi i qeverisë për vjeljen e gjobave ndaj biznesit.

Kjo mënyrë e vendosjes së gjobave ndaj biznesit a ka pasur efekt te sindikatat e punëtorëve që ju drejtoni?

Që kur qeveria u shpreh se gjobat e vëna do paguhen menjëherë dhe pastaj mund t‘i drejtohen gjykatës, kjo që nuk diskutohet se ka pasur efekt. Ne kemi pasur kontakte çdo ditë me kryetarët e sindikatave në të gjitha ndërmarrjet private. Vihet re se punëtorët ndihen të stresuar dhe të frikësuar, pasi pronarët e bizneseve ku ato punojnë, ndihen të kërcënuar përballë gjobave. Pasi kemi të bëjmë me gjoba që ndoshta një biznes nuk mund t‘i shlyej njëherësh e në këtë mënyrë ata punëtorë rrezikohen të flaken në rrugë. Acarimi që po ndien biznesi në Shkodër po reflektohet te punëtorët e thjeshtë. Fundi, ata që e pësojnë më shumë me këtë që po merr qeveria janë njerëzit e thjeshtë, ata që punojnë për bukën e gojës. Nëse ai i vë një gjobë biznesit, ai biznes ose mbyll aktivitetin ose e kompenson këtë gjobë, duke ulur pagat e punëtorëve.

Sa punëtorë aderojnë në sindikatën e pavarur?

Në konfederatën e sindikatave të pavarura të Shkodrës aderojnë 6400 punëtorë të përfshirë në 224 biznese në 84 kontrata kolektive. Kështu që, sindikata jonë me këtë shifër është sindikata më e madhe në Shqipëri, kemi një numër të madh punëtorësh, për të cilët jemi në mbrojtje të të drejtave të tyre. Duke ditur papunësinë dhe ato pak biznese të mëdha që ka në Shkodër e shohim me shumë frikë vendimin e qeverisë për bizneset.

Po nëse indirekt nga kjo mënyrë vjelje gjobe preken punëtorët, si do të jetë reagimi i Konfederatës?

Ne si gjithmonë kemi ditur të mbrojmë interesat e punëtorëve, ne do të mbrojmë interesat e tyre duke përdorur të gjitha mënyrat, duke filluar nga dialogu dhe më ekstremet, që janë grevat dhe protestat.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Durres

Alarmi i biznesmenëve: Jemi në prag të falimentimit

Reagojnë njerëzit e biznesit që e shohin projektligjin tepër abuziv


Projektligji më i ri për gjobat e tatimorëve ka lënë të pakënaqur edhe biznesmenët durrsakë. Një pjesë e mirë e tyre e konsiderojnë atë arbitrar dhe cenues ndaj ushtrimit të aktivitetit dhe financave të tyre. Të rrezikuara ndjehen të gjitha bizneset, të mëdha e të vogla. Shumë prej pronarëve a përfaqësuesve të tyre, ndërsa reagojnë kundër ligjit të ri, që i detyron të paguajnë qoftë dhe 25 për qind të gjobës para se ta ankimojnë atë, kanë frikë të prononcohen hapur mbi pasojat që do të sillte miratimi i projektligjit të qeverisë. "Ky ligj mund të nxisë tatimorët të ndërmarrin ndëshkime abuzive ndaj nesh. Ne jemi përballur shpesh me ta, por këtë herë synojnë të zyrtarizohen", thotë pronarja e një dyqani veshjesh në Rrugën Tregtare të qytetit bregdetar, duke dyshuar në korrektësinë e zbatimit të tij nga tatimorët. Frika e falimentimit ka mbërthyer një pjesë të mirë të pronarëve të subjekteve, të cilët shpresojnë në mosmiratimin e projektligjit në parlament. "Administrata tatimore duhet të bëjë shumë kujdes që të mos vërë gjoba denigruese për biznesin. Qeveria duhet të jetë bashkëpunuese me bizneset dhe jo t‘i dëmtojë ato", thotë biznesmeni Mustafa Koxhaj. Biznesmenët e tjerë të kontaktuar në Durrës mendojnë se abuzimet me gjobat jo vetëm do të çonte në falimentim biznesesh, por edhe do të rëndonte mbi të punësuarit. "Shteti nuk do të marrë të ardhura, punonjësit e firmave do të hidhen në rrugë, ekonomia nuk do të zhvillohej. Shteti nuk duhet të jetë i interesuar të mbyllë bizneset. Një shtet që mbyt biznesin, e çon atë drejt falimentimit, nuk është shtet për mendimin tim", vazhdon biznesmeni Koxhaj. Parapagimi i gjobave ka tronditur edhe më shumë biznesmenët e vegjël, të cilët ndjehen të pambrojtur dhe parashikojnë një mbyllje të aktivitetit në rast të miratimit të këtij projektligji, që pret të diskutohet së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë. Në më shumë se një rast, administrata tatimore është akuzuar nga bizneset për arbitrarizëm dhe abuzivitet. Kjo në fakt është konfirmuar edhe nga statistikat zyrtare të përballjes së sipërmarrjeve dhe tatimeve nëpër gjykata. "Një numër shumë i madh gjyqesh përfundojnë me fitoren e biznesit", thotë Sotiraq Dhamo, ekspert i njohur në fushën e tatimeve. Kjo do të thotë se nga vendimet e gabuara të inspektorëve tatimorë, tendencioze apo jo qofshin këto, kjo nuk ka shumë rëndësi, penalizohen edhe bizneset e ndershme. Çdo biznes ka të drejtë të apelojë për vendimet e taksidarëve në fillim në rrugë administrative dhe më pas në gjykata. Shkalla e parë e apelimit është Drejtoria e Apelimeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

"Në privatizimin e portit të marrin pjesë dhe serbët"

Flet Velimir Iliç, ministër i Investimeve Kapitale, në qeverinë e Serbisë


Qeveritë e dy republikave ish-jugosllave janë gati të fillojnë bisedimet për portin malazez të Tivarit, për të cilin Serbia është shumë e intersuar, tha për gazetën "Veçernije Novosti", Velimir Iliq, ministër i Investimeve Kapitale, në qeverinë e Serbisë. "Vendi ynë (Serbia) ka interes të madh për këtë port, sepse gjithë strategjia e zhvillimit të komunikacionit, është e drejtuar drejt tij. Serbia do të marrë pjesë me siguri në privatizimin e portit të Tivarit. Së pari, nuk është vonë që Serbia ta kërkojë pronësinë mbi një pjesë të portit të Tivarit, mbi bazën e investimeve të mëdha dhe së dyti, ekziston mundësia që Serbia të blejë një pjesë të portit. Në privatizim duhet të marrin pjesë firmat ose një konsorcium nga Serbia. Bisedimet në nivelin më të lartë shtetëror duhet të nisin sa më parë. Me përgjegjësit në ministrinë përkatëse malazeze, tashmë po kryhen bisedime. Për Serbinë është shumë e rëndësishme që të jetë e pranishme në portin e Tivarit, sepse strategjia e zhvillimit hekurudhor, rrugor e ujor të Serbisë, është e drejtuar drejt Barit, tha Iliç. Tani porti është në një shtet tjetër. Serbia duhet të ketë siguri në portin e Tivarit. Ajo ka investuar miliarda dollarë në infrastrukturën rrugore drejt portit malazez. Është ndërtuar hekurudha; Serbia ka qenë ndërtuesi kryesor i portit; tani nis ndërtimi i autostradës dhe është lidhur marrëveshja për pikën e kalimit kufitar në Bolare. Marrëveshja e konçensionit Horgosh-Pozhegë, e cila përfshin një pjesë të autostradës Beograd-Adriatik i Jugut është nënshkruar. Autostrada do të jetë gati në vitin 2012. Vetëm kjo punë kushton 1,46 miliardë euro. Kjo është pjesë e një sistemi, i cili e lidh Serbinë nëpërmjet portit të Barit me rrugët detare.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Fillojnë kontrollet në stabilimentet midhjeve



Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në bashkëpunim me projektin për peshkimin të Bankës Botërore, ka ngritur grupin e kontrollit për stabilimentet e peshkut dhe të midhjes në zonat kryesore bregdetare të vendit. Sipas burimeve nga kjo ministri, specialistët dhe ekspertët e peshkimit do të kontrollojnë në çdo fazë, (veçanërisht midhjet) që nga koha kur prodhohen, çohen në stabiliment dhe deri sa dalin ne treg, për cilësinë dhe garancinë e konsumimit, në mënyrë që të përmbushin standardet e BE-së për këto produkte. Strukturat e kontrollit, kanë inspektuar fillimisht merkatot e peshkut në rrethin e Vlorës, (të cilat janë ngritur me një financim prej 600 mijë euro nga programi PHARE) dhe pritet të monitorojnë merkatot në Lezhë e Sarandë. Krijimi dhe vënia në funksionim, menjëherë e strukturave të kontrollit të peshkimit, është një nga kushtet e BE-së, për hapjen e eksportit te molusqeve shqiptare. Në inspektimin e fundit nga ky mision, rezultoi se megjithëse ka mbi tre vjet që monitorohet bregdeti shqiptar, kërkohet me tepër kujdes për cilësinë e produkteve. Eksporti i midhjeve është ndaluar nga BE që prej vitit 1994. Prodhimi i midhjeve në vendin tonë gjatë vitit 2006, arriti në rreth 800 ton midhje, shifër kjo dyfish më e madhe se prodhimi i vitit të kaluar, pjesa kryesore e te cilave u tregtua në vend.

E Enjte, 12 Prill 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Tatimeve i pritet dhe koka e dytë

Pas largimit të kreut të tatimeve VIP, Hasa Zaçe mbërrin dhe kurbani i dytë

A. Xhikneli

Shkarkohet numri dy i tatimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Tiranës Sabah Jemishta. Kështu, largimi i nëndrejtorit të përgjithshëm të Tatimeve bëhet pas shkarkimit të drejtorit të Drejtorisë së Bizneseve VIP Hasan Zaçe, i cili u zëvendësua me Mimoza Kaliajn. Sabah Jemishta, nëndrejtor në Drejtorinë e Përgjithsme të Tatimeve është shkarkuar dje, ndërsa pritet të shihet në se në vendin që ai la bosh do të emërohet apo jo një zyrtar tjetër. Nuk përjashtohet mundësia që largimi i Jemishtës nga ky post të ketë lidhje me shkarkimet e kohëve të fundit të disa drejtuesve në Drejtorinë Përgjithshme të Tatimeve që ishin implikuar me kontrolle tatimore në media të ndryshme. Largimi i nëndrejtorit të përgjithshëm të Tatimeve bëhet pas shkarkimit të drejtorit të Drejtorisë së Bizneseve VIP Hasan Zaçe, i cili u zëvendësua para pak ditësh me Mimoza Kaliajn. Pak dite me pare u shkarkua dhe Kosta Miçaço, i cili nuk kishte pranuar të kryente për herë të dytë një kontroll në kompaninë mediatike “Digitalb”, duke qenë se ishte i angazhuar edhe në një kontroll në një shoqëri tjetër. Duket se qeveria është e vendosur për të kryer kontrollet tatimore të rrepta në subjektet private dhe kështu, këtij veprimi punonjësit e administratës që nuk po i rezistojnë po shkarkohen një nga një. Vetë ministri Bode në një konferencë për shtyp para disa ditësh u shpreh se kontrollet tatimore nuk kanë të bëjnë vetëm me një subjekt të vecantë por me një rutinë ligjore mbi ato subjekte që nuk është kryer kontroll i thellë për 5 vjet. I pyetur nga gazetarët mbi kontrollet tatimore në subjekte të lidhura me median Bode u përgjigj se “Unë ende nuk kam një njoftim, jo vetëm për kompaninë që ju përmendët, por edhe për të gjitha kompanitë e tjera që janë në proces kontrolli dhe që nuk janë pak, por edhe në këtë moment që ju flas mund të jenë rreth 30 kompani, të cilat vazhdojnë të kontrollohen dhe që vazhdojnë të sillen në mënyrë tepër korrekte me administratën pa i akuzuar, pa i denigruar por duke qenë bashkëpunues , duke qenë mbështetës në gjithë procesin e kontrollit ndaj tyre”.

E Enjte, 12 Prill 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Miratohet mini paketa fiskale pa asnjë ndryshim

Biznesi kundërshtoi gjobat, Vodafone ligjin për celularët. Komisioni nuk ndryshon asnjë nen

Altin Xhikneli

Miratohet mini paketa fiskale në Komisionin e Ekonomisë. Dje pasdite, të pesë ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me taksat kanë marrë votat e mazhorancës, në Komisionin e Ekonomisë dhe pritet që të miratohen në seancën plenare. Edhe pse sot, paradite përfaqësitë e biznesit kanë kundërshtuar me forcë ligjin për gjobat, qeveria ka qenë e vendosur dhe nuk e ka ndryshuar këtë ligj. Kështu, janë pesë projektligje të cilat u miratuan dje në komisionin e Ekonomisë, të cilat lidhen me akcizat, të ardhurat personale, TVSH-në, sigurimet, gjobat ndaj biznesit dhe celularët. Ndryshimet ligjore në lidhje me tatimin dhe taksat në fakt, priteshin të bëheshin në korrik siç është bërë zakon. Por, plani i qeverisë është që të merren disa masa shtrënguese përpara korrikut me qëllim që atëherë të paraqitet paketa e re fiskale me taksën e sheshtë.
Gjobat
Dje paradite grupime të ndryshme të biznesit kanë kundërshtuar me forcë ligjin i cili i detyron ata të paguajnë 25% të vlerës së gjobës para ankimimit në gjykatë. Mbi këtë argument zv ministri Mima dhe deputetët e mazhorancës kanë rënë dakord që të kalojnë ligjin kështu siç është pa i bërë ndryshim. Mima e ka argumentuar këtë me faktin se “pas përfundimin e të gjithë hallkave të ankimit administrativ dhe gjyqësor, atëherë kur administratës tatimore i lind e drejta që të tërheqë garancinë përsëri niste një proces apelimi i ri , që nga shkalla e parë administrative deri në gjykatë”. Kështu, kjo ka penguar dhe ka sjellë një anomali në sistemin e grumbullimit të shkeljeve administrative, ku deficiti i krijuar tek tatimet për këtë shkak është 400 milionë USD.
Hiqet rimbursimi
Faturat e plotësuar nga vetë fermerët për të rimbursuar TVSH-në në e biznesi të agroindustrisë do të hiqen. Kështu, në “Ligjin për TVSH-në” do të bëhet shfuqizimi i dispozitave që i jep të drejtë subjekteve në fushën e përpunimit të qumështit, ullirit, rrushit e bluarjes së grurit të lëshojnë fatura tatimore për veten, lidhur me sasinë e këtyre produkteve të furnizuar nga fermerët. Ky ndryshim synon të shmangë hapësirat për abuzime nga subjektet përpunuese në deklarimin e TVSH-së për lëndën e parë të blerë tek fermerët, të cilët nuk janë subjekte të TVSH-së. Kështu, Ministria e Financave ka ndërmarrë kësaj herë një veprim i cili kishte kohë që trumbetohej me të madhe nga FMN-së si skemë abuzive.
Akcizat
Edhe skema e për mazutin dhe gazoilin do të ndryshojë. Qeveria ka bërë dy studime duke arritur në konkluzionin se niveli i akcizës së nënprodukteve të naftës në 13 lekë ka dëmtuar rëndë industrinë e tullave, çimentos si dhe gjithë industritë që punojnë me mazut dhe solar. Gjithashtu ka rezultuar një rritje të shpenzimeve operative të buxhetit të shtetit për të gjitha institucionet që përdorin ngrohje si spitalet, kopshteve dhe çerdheve e kanë të bazuar te solari.
Tatimi mbi të ardhurat
Sipas ligjit ekzistues “Mbi tatimin mbi të ardhurat”, punëdhënësi gjobitet me 10 % të shumës së tatimit të mbajtur në burim, të deklaruar me vonesë, por jo më pak se 10 mijë lekë për çdo muaj, deri në çastin e paraqitjes së deklaratës, pra ai penalizohet disa herë për të njëjtën shkelje. Dispozita e re e penalizon punëdhënësin vetëm një herë për mosparaqitjen e deklaratës tatimore, pavarësisht faktit se sa kohë vazhdon vonesa e deklaratës tatimore. Gjithashtu në projektligj parashikohet shfuqizimi i dispozitave për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin që paguan biznesi i vogël.

E Enjte, 12 Prill 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Vodafone: Ligji për celularët zbatohet vetëm në Kenia

Qeveria miraton ligjin pavarësisht kundërshtimeve të Vodafone. AMC amendim të hënën

Altin Xhikneli

Vodafone ka kundërshtuar propozimin e qeverisë që detyron kompanitë celulare që pas një korrikut të mos ofrojnë shërbim për abonentët me aparate kontrabande. Dje përfaqësues të kompanisë së telefonisë së lëvizshme Vodafone kanë kundërshtuar në komisionin parlamentar të ekonomisë disa ndryshime të fundit në ligjin për “Tatimin mbi vlerën e Shtuar” ku do të merreshin masa tejet të rrepta qoftë dhe për hyrjen një aparati celular. Sipas projektit të qeverisë, duke filluar që nga një korriku i këtij viti dy kompanitë celulare në vend detyrohen të mos ofrojnë shërbim për ata klientë numri i kodit unik të celularit (IMEI) të të cilëve nuk figuron në regjistrat doganorë. Përfaqësuesja juridike e Vodafone, dje në komisionin e ekonomisë tha se ky amendament që hyn në ligjin për TVSH çrregullon tregun, bie ndesh me ligjin e konsumatorëve, penalizon këta të fundit të cilët nuk e dinë dhe as nuk duan t’ia dinë nëse është aparati kontrabandë apo jo. Sipas saj, “ky projekt bie ndesh me dokumentet ndërkombëtare të hartuara mbi përdorimin në vend të aparateve që janë brenda rregullave teknike dhe nuk shkaktojnë probleme në shëndetin”. Ndërkohë kompania tjetër, e cila është iniciatore e këtij projektligji. Këtë e ka pranuar vetë Zv Minsitri i Financave i cili është shprehur se kompanitë celulare kanë qenë dakord me këtë projekt të ri të qeverisë. Por sic rezulton vetëm AMC ka qenë dakord ndërsa Vodafone jo. Madje, dje juristja e Vodafone tha në komision se “qeveria pretendon që me këtë ndryshim të frenojë kontrabandën e celularëve, por ky ligj është precedent vetëm në Shqipëri dhe Kenia”.
Kontrolli mbi miliona euro
Sipas projektit të ri të qeverisë, të gjithë celularët që hyjnë nga doganat, duhet të regjistrohen në një regjistër te posaçëm dhe të dhënat do tu përcillen sistematikisht dy kompanive. Aparatet celularë, kodet unike të të cilëve, nuk figurojnë në këtë regjistër nuk do tu afrohet shërbim përdoruesve të tyre. Pra një klient nëse ka blerë një celular qoftë edhe në dyqane serioze mund të mos ta përdorë këtë aparat pasi mund të jetë kontrabandë.
Projekti i qeverisë, mbi rregjistrimin e imët të cdo aparati celular, sipas zv ministrit të Financave Mima, është bërë me qëllim uljen e evazionit fiskal. Janë 700 mijë celularë që hynë pa zhdoganime-është shprehur në komisionin e ekonomisë Mima. Ndërkaq sipas shifrave të doganave për hyrjen e këtyre aparateve për vitin 2005 ka qënë 17 mijë kurse për vitin 2006 , 18 mijë copë. Nisur nga ky shqetësim ndryshimet në ligj do të frenojnë këtë evazion fiskal në nivelin e dhjetra milionë eurove në vit ose 100 milion euro për të gjithë sasinë e celularëve për aparatet e reja për të cilat nuk është deklaruar numri i sasisë së tyre. Mima është shprehur para disa ditësh në Kuvend, se “vetë inisiativa ka ardhur nga vetë operatorët, e cila mbron konsumatorin dhe ul evazion”. Por sot rezulton që një nga dy operatorët celularë në treg, Vodafone e ka kundërshtuar këtë ligj.

E Enjte, 12 Prill 2007
 

personazh

Valoris scriptorum
Re: Lajme ekonomike!

hahah sa i dhim ky ligji per celularet. aty te ne gelojn makinat lluksoze te vjedhura. u pa puna, siç dolen rob qe ndryshonin numer shasie do dalin specjaliste qe do ndryshojne kodin IMEI. thuj po deshe qe nuk dime me hap vende pune te reja!
 

MLK

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Po mire po turistet shqiptar qe vijne veres e marin numer me karte (me parapagese) si i behet duhet te blen dhe telefon per 2-3 jave perdorim /pf/images/graemlins/lol.gif /pf/images/graemlins/lol.gif Si e kishte emrin ai, minister financash /pf/images/graemlins/laugh.gif more ai dhe magazinier nuk ka shance me punu ne perendim /pf/images/graemlins/laugh.gif
Pastaj dihet qe ne Shqiperi, ka 1.5 milion perdorues, me nje mesatare rreth 100 euro çmimi celularit 1 bije 150 Milion euro vlera totale e celulareve ne treg. Shteti shqiptar qe te rekuperoje 100 milion euro si do ja beje, do te lere 50 euro per fabrikusit, per transportusit, per grosistet, dhe per tregtaret e vegjel, kure 100 do ti mari vet nepermjet taksash /pf/images/graemlins/laugh.gif Ore pse dorge jane celularet qe u merka 66% takse /pf/images/graemlins/laugh.gif
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Specialistët: TEC-i, gjeneratori i jugut



Centrali i Fierit kontribuon në sistemin energjetik shqiptar duke prodhuar rreth 10 MË energji aktive dhe mbi 60 MVAr energji reaktive, që realizohet duke mbajtur gjatë të gjithë kohës në punë tre agregatë. Koha e gjatë e shfrytëzimit të pajisjeve, sidomos e pjesës kineze (mbi 150,000 orë pune) i ka amortizuar ato, duke krijuar vështirësi të mëdha për ruajtjen e gatishmërisë së centralit. Bëhen përpjekje për mirëmbajtjen e tyre, megjithë vështirësitë e mungesës së mjaft pjesëve të këmbimit dhe bazës materiale. Kohët e fundit, janë siguruar mjetet e nevojshme për ndërhyrje të pjesshme në pjesën kineze si dhe shpresojmë në rehabilitimin e bllokut energjitik”. Më tej, raporti i përgatitur nga ekspertët për Kryeministrin, përmend disa nga investimet e kryera, deri në fundin e vitit 2003, dhe përqëndrohet në njërin nga ata: “Në pjesën elektrike të centralit, më 9 shtator të këtij viti, u arrit të vihej në punë me sukses autotransformatori 120 MVA, si elementi më i rëndësishëm në fuqizimin e nënstacionit 220/110/35 kV, e domosdoshme për furnizimin në kohë piku të rajonit. Gjatë këtij viti, janë bërë zëvendësimi i çelësit 220 kV të linjës Fier – Tiranë, i çelësit 110 kV i linjës Fier – Selenicë, i dy çelësave 35 kV për linjën Fier – Povelçë dhe një tjetër për një autotransformator. Të gjitha këto përbëjnë një investim në shumën rreth dy milionë dollarë amerikan”. Raporti i publikuar nga Qeveria përmban më tej edhe nota optimiste: “Krijimi i mundësisë për një prodhim aktiv 25 - 30 MË nga TEC-i dhe rritja aktuale e aftësisë transformuese, janë elementë që do të sigurojnë hapin e parë për ndërprerjen e kufizimeve të energjisë elektrike në rajonin e Jugut, që shkkatohet nga mbingarkesa e pajisjeve të vetë këtij niveli. Por, sigurinë e furnizimit sasior dhe cilësor me energji elektrike të rajonit të Jugut, me një efekt të ndjeshëm edhe në të gjithë sistemin energjitik, e jep aktivizimi i Bllokut energjitik 60 MË. Ai është prodhim çekosllovak, i montuar në vitin 1981, dhe ka punuar vetëm 25,663 orë punë. Është ndalur për herë të fundit në vitin 2001. Nga të gjitha studimet e kryera të specialistëve tanë, të KESH-it si dhe specialistëve të huaj, rehabilitimi i bllokut energjitik është konsideruar si më me interes për burimet energjitike të sistemit energjitik, jo vetëm sepse me pak investim fitohet një burim termik energjitik më pjesën me nevojtare të sistemit energjitik, por edhe për faktin që si lëndë djegëse, kjo njësi përdor mazutin e vendit, me përmbajtje të lartë squfuri, e pamundur për tu përdorur në pajisje të tjera ekzistuese dhe të reja që mund të ndërtohen. Nisur nga sa më sipër, mendimi ynë inxhinierik është se procedurat e mundësisë së rehabilitimit të bllokut energjitik duhet të përshpejtohen, jo vetëm për rëndësinë që ka për rajonin energjitik, por edhe për faktin se çdo ditë që kalon, në kushtet e ndalesës, koreozioni shkatërron ato vlera materiale që ai ka në gjendje të mirë, sepse ambjenti ku është instaluar, është tepër agresiv. Kjo do të rriste shumë shpenzimet e nevojshme për rehabilitimin e tij”, përfundonte raporti i teknicienëve të energjitikës drejtuar Kryeministrit.

E Premte, 13 Prill 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Ndotja e TEC-it, rrezik për banorët



Prodhimi “i shtrënguar” i energjisë elektrike nga termocentrali i Fierit ka shkaktuar edhe ndotje të mjedisit në zonën përreth. Kështu, në një raport të Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara (UNEP), të vitit 2000, të titulluar: “Vlerësimi paskonfliktual i Mjedisit në Shqipëri”, përmendej ndër të tjera se: “Si rezultat i gjendjes së vështirë që përjetoi industria e energjitikës gjatë 2000, termocentrali i Fierit u përdor të prodhonte energji, gjë që solli ndotjen mjedisore, për shkak të çlirimit në ajër të gazrave që përmbanin SO2, CO2, dhe pluhur. Më 1997-1998, termocentrali çliroi në ajër 1650 tonë hi, 7100 tonë SO2 dhe 14200 tonë CO2”. Në vitin 2003, kur TEC-i i Fierit u vizitua nga kryeministri Fatos Nano, i shoqëruar nga koordintorja e UNDP-së për Shqipërinë Anna Stjarnerklint, dhe nga disa deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, zyra e shtypit e Kryeministrit shpërndau për shtypin një dokument i cili jepte një panoramë për rëndësinë e TEC-it dhe investimet që ishin kryer për të vitet e fundit. Sipas atij raporti, “TEC-i i Fierit është një nyjë nevralgjike e sistemit energjitik shqiptar. Në funksion të prodhimit, ka një fuqi të instaluar prej 159 MË, të përbërë nga pjesa kineze me fuqi 99 MË, vënë në punë në vitet 1966 – 1969, dhe nga blloku energjitik 60 MË, prodhuar në Çekosllavaki, dhe vënë në punë në vitin 1981. Në funksionin e transmetimit të energjisë, TEC-i me një nënstacion të fuqishëm 220/110/35, ku janë të instaluar tre autotransformatorë dhe pesë transformatorë fuqie, si dhe nëpërmjet dy linjave 220 kV, pesë linjave 110 kV dhe pesë linjave 35 kV, realizon transformimin dhe, më tej, furnizimin me energji elektrike të të gjithë rajonit të Jugut.

E Premte, 13 Prill 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Ambulantët hyjnë në skemën e sigurimeve

Udhëzimi i Bodes: Të gjithë veprimtaritë ambulante do regjistrohen në tatime, do kenë NIPT dhe do paguajnë sigurimet


Ministri i Financave Ridvan Bode ka nxjerrë një udhëzim për të përfshirë një gamë më të gjerë personash në skemën e regjistrimit si subjekt dhe pagesës së sigurimeve shoqërore. Kështu, në një udhëzim të bërë nga Ministria e Financave, më 1 janar të këtij viti do të bëhet një riklasifikim i ambulantëve dhe personave që merren me biznes por që nuk kanë një ambient. Në këtë udhëzim bëhet fjalë për “Përcaktimin e veprimtarive që trajtohen si veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulante si dhe procedurat e regjistrimit të tyre në organin tatimor”. Kështu sipas këtij udhëzimi lista përmban një kategori të cilët kanë të drejtën dhe detyrimin për t’u regjistruar si “persona të vetëpunësuar në aktivitet tregtar apo shërbimi, ambulant”. Në këtë listë marrin pjesë; Personat e vetëpunësuar, që kryejnë në mënyrë individuale tregti apo shërbime në lëvizje, të cilët nuk kanë vend qëndrimi të përhershëm gjatë gjithë kohës së punës, si shitësit e akulloreve, të pijeve freskuese, të gazetave, revistave, të bananeve, të zbukurimeve artistike, të veshmbathjeve, llustraxhinjve etj., të kësaj natyre. Kjo kategori është dhe më e gjerë pasi të gjitha aktivitetet të cilët konsiderohen si ambulantë tashmë duhet të regjistrohen në tatime.
Veçori për këta tatimpagues është fakti se ata regjistrohen pa qenë nevoja për vendimin gjykatës. Sipas udhëzimit të Financave “dega e tatimeve, brenda pesë ditëve pune nga mbërritja e listës zyrtare nga organet pushtetit vendor, plotëson formularin e regjistrimit të tatimpaguesit me të gjitha të dhënat kërkuara”.
Brenda dy ditëve pas plotësimit të formularit të regjistrimit inspektori përkatës, nëpërmjet protokollit të brendshëm, e dërgon atë për regjistrim në sektorin përkatës të degës së tatimeve. K
fundit bën regjistrimin e personit, plotëson certifikatën e regjistrimit me të dhënat përkatës përfshirë edhe NIPT-in, të cilën ia dërgon zyrtarisht personit. Punëdhënësit, personat e vetëpunësuar dhe personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare
apo shërbimi, ambulante, duhet të pajisen nga organi tatimor me numrin e identifikimit të personit të tatueshëm (NIPT-i).
Punëdhënësit dhe personat e vetëpunësuar duhet të pajisin personat për të cilët paguajnë kontribute me numrin e sigurimit shoqëror (NSSH), të cilin e tërheqin nga organet e sigurimeve
shoqërore.

E Premte, 13 Prill 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Konfindustria Shqiptare, luftë administratorësh

Biznesmeni Fratari kundër administratorit Buxhuku. Akuza të ndërsjellta për emrin Konfindustria


Konfindustria është bërë protagoniste e luftës për menaxhimin e emrit të saj. Ka disa ditë që përfaqësues të këtij grupi dërgojnë njoftime kontradiktore në media. Kështu, administratori i kësaj shoqate biznesi Gjergj Buxhuku u akuzua më parë nga një anëtar i shoqatës së Konfindustrisë, biznesmeni Fratari, për përvetësim të fondeve. Madje ai e dërgoi këtë çështje në gjykatë për ndjekje penale. Por këto ditë, vetë Buxhuku ka sjellë një njoftim ku shprehet se Fratari nuk përfaqëson këtë shoqatë. Në një njoftim për media Buxhuku shprehet se “Akuzat e pretenduara nga z. Fratari për shpërdorim fondesh të shoqatës Konfindustria shqiptare nga ana e administratorit të saj janë tërësisht të pabaza ligjërisht. Instituti i drejtuar nga Buxhuku bazuar në kontratë të sanksionuar në statutin e shoqatës, në formën e sipërmarrjes ekonomike ka ideuar, krijuar dhe njëkohësisht ka drejtuar aktivitetin e shoqatës jofitim prurëse Konfindustria Shqiptare”. Madje në këtë njoftim bëhet e ditur se biznesmeni Fratari nuk ka asnjë të drejtë ligjore të flasë në emër të shoqatës KONFINDUSTRIA, në të cilën ai nuk është as anëtar i thjeshtë i saj. Por nga ana tjetër, përfaqësuesit e Fratari, shprehen se “Njoftojmë të gjithë organet e mediave audiovizive dhe të shkruar si dhe të gjithë personazhet mediatike se z.Gjergj Buxhuku nuk përfaqëson me Konfindustria Shqiptare (KISH). Konfindustria Shqiptare përfaqësohet nga presidenti i saj Hajredin Fratari ( president@konfindustria.com ) dhe z. Eduard Ypi ( eypi@konfindustria.com ), drejtor ekzekutiv”. Kurse mbështetësit e Buxhukut shprehen se Konfindustria Shqiptare nuk përfaqësohet nga këta dy persona.

E Premte, 13 Prill 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

“Taksa e sheshtë kapitaliste, ajo progresive marksiste”

Berisha sfidon të gjithë: taksa progresive mbi të ardhurat është filozofi marksiste

Altin Xhikneli

Kryeministri Berisha ka etiketuar sistemin e taksës progresive mbi të ardhurat personale si skemë marksiste. Në një takim dje me donatorë të huaj për zhvillimin sektorial, kryeministri Berisha tha se “Në filozofinë fiskale botërore janë dy rryma: rryma marksiste e taksës progresive dhe e kundërta e saj, rryma e taksës së sheshtë. E para godet të pasurin dhe synon goditjen e tyre. E dyta bazohet në konceptin se një shoqëri nuk mund të pasurohet kurrë duke goditur të pasurit, e kundërta ndodh, ndaj dhe është e taksës së sheshet, e taksës së ulët dhe jo e taksës progresive”. Pra sipas kryeministrit të gjithë ata vende të cilat aplikojnë taksën progresive mbi të ardhurat personale, kanë në filozofinë e tyre marksizmin. E kështu, mund të përmendim se vendet me politikat më liberale mbi ekonominë e tregut, siç janë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania etj të cilat nuk e aplikojnë taksën e sheshtë kanë filozofi marksiste përsa i përket taksës mbi të ardhurat personale. Kryeministri dje në takim në fakt u shpreh qartë “Kjo është e kthjelltë sa ç’është uji i Semanit, Bistricës apo Valbonës. Vetëm ai që noton në ujëra të turbullta nuk e ka të qartë se këto dy filozofi janë krejtësisht të kundërta”. Kështu ai siguroi pjesmarrësit projektues e investitorëve, se qeveria do t’i përmbahet filozofisë së saj të taksave të ulëta, e në këtë rast të sheshta. Madje sheshimi i taksave nga shumë vende perëndimore, është kundërshtuar për faktin sepse ky sistem në rastin e tatimit mbi të ardhurat personale rrit barrën për punonjësit me paga të ulëta dhe e ul për ata me paga të larta.
Debatet mbi taksën e sheshtë vazhdojnë dhe sot e kësaj dite në Europë. Kryesisht vendet që e kanë aplikuar këtë taksë janë ato të ish bllokut sovjetik. Një nga kundërshtarët e taksës së sheshtë është dhe ministri aktual i Thesarit, në Britaninë e Madhe, Gordon Braun. Ai është shprehur kundër kësaj takse pikërisht për të kundërtën e thënies së kryeministrit Berisha. Sipas Braun, taksa e sheshtë (sidomos për taksën mbi të ardhurat personale), pasi kjo taksë varfëron të varfrit dhe pasuron të pasurit.
Sheshimi në korrik
Ministri i Fincave Ridvan Bode, është shprehur se taksa e sheshtë do të jetë 10% dhe do të ndërmerret si hap konkret në muajin korrik. Ai u shpreh gjatë një konference për shtyp se “Sigurisht që kemi ngritur një grup pune i cili do llogarisë në detaje efektet e taksës së sheshtë. Ne kemi rritur dhe përmirësuar dukshëm administrimin e të taksave , ku në qoftë se ulëm taksën e punës vitin e kaluar ne mundëm të realizonim parametrat e vendosur në fillim të vitit përmes përmirësimit të administrimit”. Kështu ai ka sqaruar se ndryshimi i këtyre dy taksave në nivelin 10% është një masë e cila do të llogaritet dhe do të mbështetet nga një sërë reformash të tjera fiskale. Kështu, kjo nismë do të jetë e vështirë, pasi vetëm të ardhurat nga tatim fitimi i cili është në nivelin e 20% i japin buxhetit të shtetit 220 milionë USD në vit. Kështu që reduktimi në nivelin e 10% do të bëjë që të ardhurat tatimore nga ky zë të ulen me 110 milionë USD në vit, shifër kjo tepër e lartë.

E Premte, 13 Prill 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

TEC-i Fierit mbyllet për t’u shitur me 1 euro

Mendohet të jepet me koncesion. Mbeten pa punë rreth 160 punonjës

Gentjan Ruko

FIER – Mbyllet pas 41 vjetësh punë TEC-i i Fierit. Prodhimi u ndal dje, në orën 7 të mëngjesit, njoftuan zyrtarë të ndërmarrjes shtetërore, duke shtuar se ishin urdhëruar nga ministria për ndërprerjen e punës. Shkaku zyrtar gjendet në rendimentin e ulët: TEC-i i Fierit prodhonte sasi të vogël energjie elektrike me kosto të lartë, për shkak të amortizmit të tij të thellë. Duke vlerësuar se qeveria nuk disponon fonde të mjaftueshme për ripërtëritjen e TEC-it të Fierit, janë hedhur sytë në një aleternativë tjetër. Sipas burimeve disa biznesmenë shqiptarë po përgatiten të marrin me koncesion TEC-in e Fierit. Në një mbledhje të qeverisë, para disa kohësh u miratuan procedurat e dhënie me koncesion të 5 termocentraleve në vend, por burime pranë gazetës bëjnë të ditur se e gjithë kjo lëvizje është bërë për TEC-in aktual të Fierit. Sipas këtyre burimeve, disa biznesmenë shqiptarë, janë interesuar për të marrë me koncesion Termocentralin aktual të Fierit. Kështu, dje qeveria mori vendim për dhënien me koncesion të këtij TEC-i duke shpallur kriteret e dhënies me koncesion të cilat do të jenë të formës ROT/BOT (rehabilitim-shfrytëzim-transferim). Sipas kësaj marrëveshje, i ngarkuar për koncesionin e Termocentralit të Fierit do të jetë Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës. Para disa javësh ministri Ruli deklaroi se TEC-i i Fierit do të bëhet objekti i parë i cili do të jepet me koncesion me nismën Shqipëri 1 euro.
Dalin të papunë 160 vetë
Nga ana tjetër, pas ndalimit të punës, pjesa më e madhe e 220 punonjësve mbeten tashmë të papunë. Drejtori i objektit industrial, Arjan Nika, citohet të ketë pohuar se rreth 60 punonjës do të qëndrojnë në punë megjithatë për mirëmbajtjen e pajisjeve, deri në një vendim tjetër. Drejtori nuk përjashton mundësinë e kthimit në punë edhe të punonjësve të tjerë, në rast se TEC-i do të merrej me konçesion nga një kompani e huaj. Megjithë amortizimin e tejskajshëm të tij, TEC-i i Fierit është riaktivizuar në vitet e fundit, në kulmin e krizave energjitike në vend. Kostoja e prodhimit ka qenë e lartë, por zyrtarët kanë thënë se e konsideronin vënien në punë të TEC-it si një përpjekje për të zbutur sadopak krizën e energjisë elektrike. Llogaritej që prodhimi i TEC-it të Fierit të mbulonte një të njëzetën e nevojave të vendit, duke iu bashkuar sasisë së energjisë elektrike të prodhuar nga hidrocentralet e vendit dhe asaj të importuar.

E Premte, 13 Prill 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Durrës-Kukës, Banka Islamike hap thesin

Fondi prej 35 milionë USD akordohet nga Banka Islamike për Zhvillim për ndërtimin e aksit Kalimash-Rrexhepaj


Banka Islamike për Zhvillim ka akorduar fondim prej 35 milionë USD për ndërtimin e segmentit Kalimash-Rrexhepaj, të korridorit Durrës-Kukës. Dje u nënshkrua marrëveshja për akordimin e fondit prej 35 milionë USD, e cila u firmos nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Lulzim Basha dhe përfaqësuesi i Bankës Islamike për Zhvillim Faruk Miami. Banka Islamike për Zhvillim i bashkëngjitet partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, të cilët së bashku me Qeverinë Shqiptare po financojnë ndërtimin e rrugës Durrës-Morinë. Kredia do të miratohet nga Bordi i Bankës në muajin Maj dhe punimet priten të përfundojnë brenda 18 muajsh. Segmenti rrugor Kalimash-Rrexhepaj me gjatësi 5.6 km do të jetë me katër korsi. Financimi i kësaj rruge me rëndësi strategjike, ka qenë dhe mbetet prioritet i Qeverisë Shqiptare, e cila mbas negociatave të bëra ra dakord që kjo pjesë e mbetur e aksit Durrës-Morinë të financohet nga Banka Islamike për Zhvillim. 70% e gjatësisë së këtij segmenti rrugor do të jetë ndërtimi i trupit të rrugës jashtë aksit ekzistues duke kaluar në shpatet shkëmborë të zonës. Parametrat teknikë të projektimit janë të standardit Italian CNR për rrugë me katër kalime të ndara mes tyre, të cilat mundësojnë vazhdimësinë e trafikut normalisht. Gjerësia e trupit të rrugës do të arrijë në 23 m. Trupi i rrugës do të përfshijë ndërtimin e dhjetë viadukteve për katër kalime me gjatësi totale prej 800 m dhe lartësi maksimale të kolonave deri në 48 m. Do të ndërtohen gjithashtu edhe 200 metër linear ura dhe vepra arti të madhësive të ndryshme. Rruga do të ketë nënshtresa rrugore me trashësi 50 cm si dhe shtresa asfaltike me trashësi 20 cm. Gjithashtu janë marrë masa për sigurinë rrugore duke përdorur të gjithë elementët bashkëkohor të sinjalistikës horizontale dhe vertikale në përputhje me standardin e projektimit.

E Shtune, 14 Prill 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

LSI: Taksa e sheshtë na varfëron



LSI del kundër taksës së sheshtë. Sipas nënkryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Filloreta Kondra, “LSI është jashtëzakonisht e shqetësuar për rrezikimin serioz të nivelit të jetesës së qytetarëve shqiptarë si rezultat i politikës financiare që po zbaton qeveria. Aplikimi taksës së sheshtë për të gjithë nivelet e tatim paguesve sidomos tatimi mbi të ardhurat do të ulë në mënyrë të ndjeshme nivelin e jetesës së qytetarëve shqiptare”. Kështu, sipas LSI, Projektligji për aplikimin e tatimit mbi të ardhurat në korrik 2007 do të ulë ndjeshëm dhe në mënyrë të menjëhershme të ardhurat e niveleve të ulta të punonjësve duke filluar nga 14000 lekë që është paga minimale. Kështu një person me pagë 14 000 lekë me taksën progresive aktuale paguan 140 lekë tatim mbi të ardhurat, me taksën e sheshtë po ky person do të paguajë 1400 lekë, pra pagesa do të dhjetëfishohet në muajin korrik të këtij viti. Kodra bën të ditur, se Vendimi i Këshillit të ministrave nr. 42 date 31.01.2007 për përcaktimin e pagës minimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, rrit në mënyrë të menjëhershme deri ne 300% nivelin mbi të cilin llogariten sigurimet shoqërore që duhet të paguajnë punëdhënësit, një veprim tjetër ky i qeverisë për të kompensuar krizën e uljes së të ardhurave ne buxhetin e shtetit si rezultat i aplikimit të taksës së sheshtë. “Aplikimi i këtyre taksave jo vetëm që do të ulë nivelin e të ardhurave personale të nëpunësve të administratës publike, të cilët do të marrin më pak para për punën që kryejnë, por edhe për të gjithë punonjësit me nivele të ulta pagash në sektorin privat duke thelluar varfërinë”-tha në konferencë dje Kodra. Kjo masë shton një barrë më shume mbi bizneset përveç aplikimit të taksës së sheshtë mbi vetë biznesin duke krijuar premisë të qarta për rrënimin dhe falimentimin e tij në masë.

E Shtune, 14 Prill 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Aeroporti i Athinës drejt ofertës publike


Kerin Hope/Financial Times

Aeroporti Ndërkombëtar i Athinës, një partneritet mes grupit gjerman Hochtief dhe shtetit grek, ka raportuar disa ditë më parë të ardhurat e tij të para bazuar mbi standardet ndërkombëtare të financave (IFRS), duke i hapur kështu rrugën nisjes së ofertave në bursën e Athinës. Në deklaratën e saj, AIA pohon se të ardhurat para taksave gjatë një viti kanë arritur në 96.3 milion euro mbi të ardhurat net prej 357.5 milionë euro, të siguruara përmes një aktiviteti të fuqishëm tregtar dhe rritjes së nivelit të trafikut të pasagjerëve.
Grupi më i madh i ndërtimeve në Gjermani, nisi ndërtimin e aeroportit, me vlerë 2.2 miliard euro, në kuadër të një projekti për Lojrat Olimpike të Athinës, në vitin 2004, duke synuar zhvillimin e tij si një nyje e rëndësishme për Mesdheun Lindor. Shteti grek zotëron 55 për qind të AIA, aeroporti i parë ndërkombëtar i ndërtuar si një partneritet privat publik. Në kuadër të programit të privatizimit, qeveria planifikon të shesë, përmes një tenderi publik, 15-20 për qind.
Hochtief zotëron 40 për qind të aksioneve të AIA si dhe konçensionin 30-vjeçar. Pjesa e mbetur prej 5 për qind të aksioneve i takon kompanisë private greke të energjisë dhe ndërtimeve,Kopelouzos. Trafiku përmes aeroportit të vetëm të Athinës, është rritur me 5.6 për qind gjatë vitit të kaluar, me 15.1 milionë pasagjerë. Sipas marrëveshjes së konçensionit të vitit 1995, Greqia është zotuar të mos hapë dy aeroporte ushtarake, pranë qytetit, për fluturimet me kosto të ulëta.
Një lojtar me rëndësi jo pak të vogël, në menaxhimin e aeroportit, Hochtief drejton gjithashtu edhe aeroportet e Duseldorfit, Hamburgut, Sidneit dhe Tiranës.
Një muaj më parë, Hochtief hapi një terminal të ri pasagjerësh në Tiranë, me vlerë 50 milion euro, pas sigurimit të kontratës së marrjes në konçension për një periudhë 20-vjeccare, duke filluar nga viti 2005.

E Shtune, 14 Prill 2007
 
Top