Re: KORRUPSION APO GRUSHT SHTETI?
Vazhdon aventura e certifikatave te parregullta
Pervec pasojave te demshme ne zgjedhjet e ardhshme (dhe besueshmerine e dokumentave shqipetare ne bote - rrjedhimish te rregjimit te vizave) KLSH duket se eshte dakort me torine e korrupsionit (sa rehat!)
per me teper, gazetaret e shekullit paguhen per keto komente keshtu qe lexoni cfare thone
(per ata qe pertojne te lexojne ketu, i informoj se egzistojne menyra nga me te ndryshmet per te kaluar me poshte /pf/images/graemlins/wink.gif )
Raporti i KLSH-së konstaton shkelje të rënda, gjatë hartimit të modelit të certifikatës
KLSH : Certifikatat, u prodhuan jashtë standardeve ligjore
Anila Rama
TIRANË - Prodhimi i certifikatave jashtë standardeve të sigurisë, konfirmohet edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në një raport paraprak të KLSH-së, mbi procedurat e zhvillimit të tenderit dhe të specifikimeve teknike, thuhet se janë konstatuar mangësi të theksuara të elementëve të sigurisë, të cilat janë në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave, nr.188, të vitit 2003, ku përcaktohet modeli i certifikatave që shpërndahen nga zyrat e gjendjeve civile. Por, përveç defekteve që përmbajnë certifikatat, edhe tenderi i zhvilluar ku është shpallur fituese firma “Ilar”, pa pasur jo pak probleme. Ndërkohë, për certifikatat në fjalë, zyra e OSBE-së në Tiranë është shprehur se ishin brenda standardeve.
Mangësinë
Sipas raportit të publikuar dje nga KLSH-ja, shkeljet kanë filluar që nga modeli i hartuar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave dhe nga Njësia e Prokurimit. Specifikimi i vënë në dispozicion të ofertuesve ka ndryshime të dukshme nga modeli 6 i certifikatës, i miratuar me VKM-në 828. “Poshtë stemës së Republikës, është shtuar emërtimi i çdo njësie të gjendjes civile, pavarësisht se sipas VKM-së nr.828, njësia e gjendjes civile identifikohet me tre numrat e parë të kodit, të përcaktuar në pikën 2 të këtij vendimi. Është shtuar holograma e argjendtë 2D, me përmasa jo më të vogla se 2.5 X 2.5; është shtuar vendosja e shqiponjës me madhësi sa sipërfaqja e formatit të certifikatës. Këto kërkesa kanë të bëjnë me formën dhe përmbajtjen e modelit, ndryshimi i të cilave është kompetencë e Këshillit të Ministrave”,- thuhet në raportin e KLSH-së. Veprimet e mësipërme të ndërmarra nga Njësia e Prokurimit dhe Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, sipas ekspertëve të KLSH-së, bien ndesh me ligjin “Për gjendjen civile”, ku përcaktohet se “forma, elementët përbërëse, mënyra e mbajtjes, afati i përdorimit të dokumenteve dhe akteve bazë që mbahen dhe lëshohen nga zyrat e gjendjeve civile, si dhe rregullat e lëshimit të këtyre dokumenteve nga këto zyra, përcaktohen nga KM-ja”,- ndërsa zbatimi i tyre bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Një tjetër mangësi që ka vërejtur KLSH, gjatë kontrollit të ushtruar, lidhte me specifikimet teknike për cilësinë e letrës së prodhimeve të certifikatave, që nuk janë sipas standardeve të përcaktuara ISO 9706. Kështu, dimensionet e certifikatës janë përcaktuar 21X 30, me shkrim arial dhe vendosja e hologramës së argjendtë dy dimensionale me kënde të rrumbullakosura. “Sipas standardit ISO 9706, njësia e hartimit të dokumenteve të tenderit, duhet të parashikonte edhe elementët e tjerë që kanë të bëjnë me treguesit fiziko-kimikë të letrës që do të përdorej për prodhimin e certifikatave, siç janë celulozë, pambuk, acid alkalinë, e raporti mes tyre për prodhimin e letrës zyrtare, trashësia e letrës, ashpërsia, shkëlqimi i sipërfaqes dhe lagështia në %, si dhe qëndrueshmëria në kg. Këto të dhëna, lidhen jo vetëm me cilësinë e prodhimit të certifikatës, po edhe me çmimin për njësi dhe koston e prodhimit”,- vëren më tej raporti. Për pasojë, mosvendosja e parametrave të mësipërm, ka sjellë që cilësia e letrës për prodhim, të diktohet nga fituesi i tenderit dhe parametrat cilësorë të letrës të jenë jashtë kushteve teknike. Ndërkohë, sipas KLSH-së, për veprimet e mësipërme që bien ndesh edhe me ligjin “Për prokurimin publik”, ngarkohen me përgjegjësi anëtarët e Njësisë së Prokurimit Ervin Aliu, jurist, Eda Muça dhe Luiza Tafili specialiste prokurimi, e veçanërisht specialistët e fushës, Saimir Laçej dhe Rudina Brari.
Disa nga elementët e shtuar e të mangët në certifikata:
Poshtë stemës së Republikës, është shtuar emërtimi i çdo njësie të gjendjes civile
Është shtuar holograma e argjendtë 2D, me përmasa jo më të vogla se 2.5 X 2.5;
Është shtuar vendosja e shqiponjës, me madhësi sa sipërfaqja e formatit të certifikatës
Cilësia e letrës për prodhim, është diktuar nga fituesi i tenderit dhe parametrat cilësorë të letrës janë jashtë kushteve teknike
Pesha e letrës së certifikatave rezulton më tepër se +0.9 gr/m2, trashësia e letrës rezulton më tepër se 0.018 mikron dhe lagështia është më e vogël se parametri i kërkuar 2.4 %.
Firma prodhuese nuk ka paraqitur të dhëna në fletë-analizën e saj për shkëlqimin, opacitetin dhe ashpërsinë e letrës
Holograma nuk është sipas parametrave të përcaktuara.
Është skualifikuar në mënyrë të dyshimtë subjekti “Dita 2000”, që ka paraqitur ofertën më të mirë
12/11/2006
KATEGORIA: Politike
www.shekulli.com.al
------------------------