Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Rraklli humbet kundër Arminia-s së Vatës

Ndeshja e mbrëmjes së djeshme për Bundesligën 2, mes Regensburg dhe Arminia Bielefild, ka përbërë një derbi shqiptar mes këtyre dy skuadrave. E kjo për faktin se te Regensburg aktivizohet sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Altin Rraklli, ndërsa nga ana tjetër, në radhët e Arminias, militon “dezertori” i komandant Brigelit, Fatmir Vata. Ndeshja ka përfunduar me fitoren e Bielefild, 2-1, por ajo që mund të veçohet është se miqtë kanë fituar pa Vatën. Mesfushori shtatshkurtër nuk është aktivizuar, ndërsa Rraklli ka qenë që nga minuta e parë në fushë dhe ka luajtur në të gjithë ndeshjen. Kavajasi nuk ka arritur të shënojë dhe nuk ka zhvilluar një ndeshje fort të mirë. Skuadra e tij nuk ka qenë shumë rezultative, dhe sulmuesi ynë nuk ka patur shumë topa për gol. Vata është mbajtur në stol nga trajneri i Bielfild dhe është hera e parë gjatë këtij sezoni që mirditori nuk luan një ndeshje, qoftë edhe duke nisur nga pankina. Lojtari, me sa duket, ka pësuar një dëmtim, një ditë përpara ndeshjes, dhe nuk ka qenë në formën e tij të plotë për të zhvilluar një 90-minutësh të rregullt.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Ervin Skela, përsëri përkrah Mëlerit

Eintrakti i Frakfurti do të zbresë nesër në fushë, në ndeshjen e javës së tretë, në një ndeshje delikate kundra K’lautern. Nga tre shqiptarët që janë në radhët e kësaj skuadre, vetëm Skela dhe Çipi do ta nisin takimin nga fillimi, ndërsa kosovari Dragusha, ashtu si javën e kaluar, do ta fillojë nga stoli. Skela do të luajë përsëri përkrah Andi Mëler, duke synuar në këtë sens fitoren e dytë në kampionat. Ndeshja e nesërme është e një rëndësie të veçantë, pasi të dyja skuadrat ndahen në tabelën e renditjes nga tre pikë. Ndërkohë, Altin Lala do të mungoj përsëri në ndeshjen e sotme kundra M’glabach. Mesfushori shtatshkurtër nuk është rikuperuar akoma dhe nuk dihet ende se kur do të rinisë aktivitetin. Një vend si titullar për Adrian Aliajn, mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, që luan në radhët e Oberhausen, në Bundesligën 2. Skuadra e tij do të luajë nesër në fushën e saj kundra Cottbus, skuadër e cila ndodhet në vendin e tretë në renditje. Aliaj është aktivizuar rregullisht në këtë fillimsezoni dhe ka fituar besimin e trajnerit me nivelin e mirë të treguar në këto ndeshje. Edhe Skerdilajd Curri, i Aue-s, që një javë më parë shënoi një gol kundra Nurenberg, do ta nisë ndeshjen nga formacioni bazë. Skuadra e tij do të luajë në fushën e vështirë të Osnabruck.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Javes 4 e kampionatit Shqiptar ''A1''

Rezultatet

Vllaznia 1-0 Elbasani
Teuta 2-0 Lushnja
Partizani 2-1 Dinamo Tirana
Shkumbini 1-3 Tirana
Besa 0-0 Flamurtari

Renditja

1 Tirana 4N 4F 0B 0H 19-2G 12P
2 Partizani 4 3 1 0 8 3 10
3 Teuta 4 3 1 0 6 1 10
4 Dinamo Tirana 4 3 0 1 10 3 9
5 Elbasani 4 2 1 1 8 3 7
6 Vllaznia 4 1 0 3 2 9 3
7 Lushnja 4 1 0 3 1 9 3
8 Besa 4 0 2 2 2 10 2
9 Flamurtari 4 0 1 3 1 6 1
10 Shkumbini 4 0 0 4 2 13 0
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

VLLAZNIA :

Kuqeblutë fitojnë 1-0 ndaj Elbasanit dhe regjistrojnë suksesin e parë

Martini, goli tripikësh i Vllaznisë

Vllaznia më në fund gjen fitoren e parë në kampionat. Kjo fitore i ka gëzuar mjaft pjesëtarët e saj njëlloj sikur dje ata të ishin shpallur kampionë. Minutat e para të lojës kanë filluar me vrullin e vendësve, të cilët dukej qartë se do të kërkonin fitoren me çdo kusht në këtë takim. Si pasojë krijohen edhe 2-3 rastet e para për shënim. Mirëpo, si gjithnjë, vërehet një skuadër e shpërndarë jo mirë në fushën e lojës, duke mos e harmonizuar si duhet lojën e reparteve. Elbasani, nga ana e tij, kërkon të përfitojë nga kjo çoroditje e vendësve, duke zotëruar mesfushën. Nga ana tjetër, portokallinjtë shohin fare pak nga porta e Grimës, duke u kujdesur më tepër për mbrojtjen e rezultatit të barabartë. Raportet në fushë do të ndryshonin në minutën e 45-të, kur gjyqtari Meta, me të drejtë, i jep kartonin e kuq mbrojtësit Teli, duke ia vështirësuar edhe më tepër punën Vllaznisë. Kjo e fundit ka mbetur me 10 lojtarë në fushë. Mirëpo nuk do të ndodhte kështu. Përkundrazi, në pjesën e dytë, kuqeblutë do të tregonin karakterin e tyre të vërtetë. E kanë nisur menjëherë në sulm, duke mos u tërhequr edhe pas humbjes së 11-metërshit nga kapiteni Sinani. Në të vërtetë, pas këtij momenti pritej që elbasanasit të kërkonin me çdo mënyrë fitoren, por për t'ia arritur kësaj ata nuk kanë bërë asgjë. Kapiteni Stojku, si për ta ilustruatr këtë gjë, kujtojmë që ka qenë hija e vetvetes në këtë ndeshje, duke rënë rrallëherë në kontakt me topin. Për Vllazninë shquhet Edi Martini, i cili, ndonëse jo me kondicionin e duhur fizik, arrin të shfaqë vlerat e tij të vërteta në fushë, duke qenë edhe autor i të vemtit gol të takimit. Po ashtu, për t'u evidentuar është loja e Edmond Doçit, 22-vjeçarit të talentuar, që ishte më i miri në fushë për Vllazninë. Gjithsesi, Vllaznia ka arritur të parën fitore të saj në kampionat, e ndihmuar edhe nga gabimi i miqve, që nuk ditën të shfrytëzojnë epërsinë numerike në pjesën e dytë.

Të veçanta:
- Pavarësisht nga rezultatet negative të skuadrës shkodrane, tifozët e saj vazhdojnë të mos e braktisin atë. Dje, në "Loro Boriçi", kanë qenë të pranishëm rreth 4000 tifozë kuqeblu.
- Kartoni i kuq i dhënë për Telin në fundin e pjesës së parë, ka shkaktuar një reagim të madh tek vendësit. Të gjithë lojtarët e Vllaznisë, madje edhe trajneri Haxhiosmanoviç, kanë protestuar gjatë te gjyqtari Meta.
- Pas ndeshjes, presidenti i Elbasanit, Kumuria, i ka shtrënguar dorën kolegut të tij të Vllaznisë, Çela, duke e uruar për fitoren, por duke i thënë se atë ia dhuroi vetë skuadra e tij për mënyrën se si e interpretoi pjesën e dytë.

Thanë pas ndeshjes:
Dervish Haxhiosmanoviç, trajner i Vllaznisë:
"Ka qenë një fitore tepër e vlefshme për ne. Vinim pas tri humbjeve radhazi. Prandaj, duke dashur të fitojmë me çdo kusht, bëmë edhe gabime, sidomos në pjesën e parë. Të them të drejtën, pas kësaj pjese nuk isha shumë entuziast për fitore, e po ashtu edhe pas humbjes së 11-metërshit. Sidoqoftë, djemtë treguan karakter të lartë dhe fituam. Kjo fitore do të na shërbejë shumë nga ana morale, aq më tepër që jemi para ndeshjes me Tiranën".
Astrit Sejdini, trajner i Elbasanit:
"Vllaznia nuk e meritoi fitoren sot sepse luajti një lojë të ashpër. Madje, disa futbollistë të saj bënë edhe veprime të papëlqyeshme. Ekipi im nuk arriti të ngjitet aty ku duhet, duke gabuar sidomos në pjesën e dytë, pikërisht atëherë kur ne kishim një lojtar më tepër në fushën e lojës. Gabimet ishin kryesisht në mesfushë, çka tregoi se ata dy lojtarë që na munguan për këtë ndeshje, janë mjaft të domosdoshëm për ekipin".
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

BESA - FLAMURTARI :

Në Kuçovë, kavajasit dhe vlonjatët e mbyllin në barazim pa gola

Besa-Flamurtari, sfida pa fitues

Janë befasuar kavajasit kur kanë parë në fushë, përballë tyre, formacionin më të mirë të Flamurtarit, në një kohë që ishte paralajmëruar një bojkot i kësaj ndeshjeje nga titullarët kuqezinj. Megjithatë, kjo nuk e pengoi Besën ta kërkonte me çdo kusht fitoren. Kavajasit e nisën lojën në sulm dhe, sidomos gjatë pjesës së parë, dhe në 15 minutat e fundit të krejt takimit, patën raste të shumta shënimi. Kapllani, Abdullai, Bratja, Fosa e Xhani tentuan të shënonin, por nuk ia arritën dot. Kjo jo vetëm për meritë të portierit të shquar vlonjat Dine, por edhe për paaftësi të tyre. Themi kështu sepse portieri Dine nuk pati nevojë në asnjë rast të tregonte klasin e tij. Sidomos Kapllani gaboi disa herë para portës mike, duke mos arritur dot të shfrytëzonte rastet e krijuara për shënim. Gjithashtu, duhet thënë se edhe shtyllat ishin ndihmesë e miqve. Besa edhe në këtë takim tregoi se i mungon njeriu-gol. Edhe pse krijon raste, kjo skuadër nuk është në gjendje të shënojë. Në ndeshjen e djeshme ndoshta u ndie shumë edhe mungesa e Kulit, që njihet për goditjet jashtë zone. Miqtë, nga ana e tyre, edhe pse në pamje të parë dukej sikur u mungonte egoja labe dhe dëshira për të dhënë më të mirën, arritën në disa raste të kundërsulmonin rrezikshëm. Mirëpo sidomos Xhafa ishte larg emrit të tij të mirë. Futja në lojë e Vitos ndryshoi diçka, por ishte tepër vonë për të reaguar. Si përfundim mund të themi se Besa humbi dy pikë tepër të vlefshme në fushën e saj, kur duhej dhe mund t'i merrte. Nga ana tjetër, miqtë, me gjithë problemet e tyre, arritën të marrin maksimumin ndaj kavajasve në transfertë.

Thanë pas ndeshjes:
Faruk Sejdini, trajner i Besës:
"Megjithëse u përpoqëm shumë dhe krijuam disa raste shënimi, përsëri nuk konkluduam dot. Na mungoi njeriu-gol. Ekipi ka nevojë të kultivojë mentalitetin e fituesit, që fatkeqësisht edhe sot i mungoi. Mendoj se humbëm dy pikë mjaft të vlefshme".
Ardi Bozhani, trajner i Flamurtarit:
"Jam shumë i kënaqur nga loja e ekipit. Me këtë barazim hodhëm një hap tjetër të rëndësishëm në këtë kampionat. Hapin e dytë do ta hedhim në Vlorë, ku do të synojmë të mposhtim Shkumbinin. Në pjesën e parë përballuam shumë sulme të Besës, ndërsa në të dytën e ngritëm lojën tonë dhe, nëse do t'i shfrytëzonim më mirë rastet për shënim në fund të ndeshjes, edhe mund t'i merrnin 3 pikët".

Të veçanta
- Në stadiumin "Bashkim Sulejmani" të Kuçovës ishin a s'ishin 150 vetë, edhe këta tifozë të ardhur nga Kavaja.
- Më shumë kishte të pranishëm gazetarë, sesa tifozë vendës.
- Në stadium vazhdonin punimet për rregullimin e tribunës qendrore.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

PARTIZANI - DINAMO :

Të kuqtë fitojnë 2-1 derbin me blutë në stadiumin "Qemal Stafa"

Partizani "parakalon" Dinamon

Partizani ka fituar derbin e parë të sezonit, duke i kënaqur më në fund tifozët e shumtë që kshin mbushur shkallët e stadiumit për të parë ekipin e tyre të zemrës. Të kuqtë e nisin vrullshëm takimin, ku në minutën e dytë, Bejzade, i rrëmben një top Qorrit dhe përballë Likës shënon shumë lehtë golin e parë të ndeshjes. Edhe në minutat në vijim janë të kuqtë që sulmojnë, por pa rrezikuar seriozisht portën e Likës. Ndërkohë, nga ana tjetër, blutë ndonëse nuk bëjnë presing, me anë të kundërsulmit mund të kishin barazuar ndeshjen. Gjatë pjesës së parë Dinamoja krijoi dy-tre raste ideale për të barazuar, por sulmuesit kryesorë të saj u treguan të pavëmendshëm përballë portës së Nallbanit. Ndonëse pjesa e parë u mbyll me një gol të Partizanit, blutë luajtën në përgjithësi më mirë se kundërshtari. Ndërkohë që edhe në minutat e para të pjesës së dytë dinamovitët ishin më të qartë në lojë dhe si pasojë e barazuan shumë shpejt rezultatin me anë të Ishkës. Ish-futbollisti i Vllaznisë shënoi një gol të bukur, duke i mbajtur gjallë shpresat e Dinamos për një rezultat pozitiv. Por me lëvizjet që bëri më pas trajneri i të kuqve, Spahiu, ndryshoi rrjedha e lojës. Trajneri i Partizanit e rreshtoi ekipin më tepër në mbojtje dhe me rastin e parë dolën në sulm të kuqtë shënuan golin e fitores me protagonist Abilion. Duhet theksuar se dhe te goli i dytë meritë të veçantë kishte sulmuesi Bejzade, i cili pa dyshim që ishte lojtari më i mirë në fushë për të dyja skuadrat. Partizani pasi shënoi golin e fitores e administroi më mirë lojën në favor të vet, duke u mbrojtur me shumë kujdes, duke siguruar kështu tripikëshin më të rëndësishëm të arritur në katër javët e para të kampionatit.

Të veçanta...
Në tribunën VIP nuk mungonin dy presidentët e ekipeve respektive, Xhani dhe Deliorgji, si dhe shumë figura të tjera të politikës.

Në stadium, ashtu siç pritej, kishte më shumë tifozë të Partizanit, pasi ekipi i tyre ka bërë disa blerje të fuqishme dhe pretendon të rikthejë titullin kampion.

Në pushim të ndeshjes doli edhe Brakini në fushë, i cili u prit me ovacione nga tifozët. Braziliani ishte planifikuar që të luante sot ndaj Dianamos, por çdo gjë është anuluar në prag të ndeshjes.

Abilio, që shënoi golin e fitores, doli i pakënaqur nga ndeshja, duke ngritur duart në drejtim të stafit të Partizanit.

Deklaruan pas ndeshjes

Deklaruan...
Ilir Spahiu, trajner i Partizanit:
"Sot jam i kënaqur me rezultatin, pasi fitorja na duhej për të ardhmen e ekipit që pretendon të fitojë titullin. E kishim llogaritur më parë që sot nuk do ta kishim të lehtë përballë Dinamos, e cila luajti mirë gjatë gjithë ndeshjes, duke na vënë në vështirësi sidomos në pjesën e parë. Nga loja prisja më shumë, ndaj edhe në ndeshjet e tjera kemi edne punë për të bërë, me qëllim që të rregullojmë disa nga defektet e shfaqura. Gjithsesi, ekipi ynë fitoi me meritë, ku në pjesën e dytë ishte më lart se kundërshtari."
Andrea Marko, trajner i Dinamos:
"Lojën e dominuam totalisht dhe e qarkulluam më mirë topin. Por ne e nisëm lojën me një gabim në mbrojtje, duke i falur një gol kundërshtarit. Edhe goli i dytë që shënoi ekipi kundërshtar erdhi si pasojë e hutimit total të mbrojtjes sonë. Kësisoj, megjithëse krijuam volum të madh loje, nuk i shfrytëzuam rastet për të shënuar. Në ndeshje derbi humbjet janë të pranueshme, ndaj nuk na ka mbetur gjë tjetër veçse të punojmë për takimet e radhës."
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

TEUTA - LUSHNJA :

"Djemtë e detit" fitojnë 2-0 ndaj Lushnjës me pretendime

Lika rikthehet me fitore te Teuta

Fitorja e djeshme, e vlefshme për javën e katërt të këtij kampionati, ka qenë plotësisht e merituar për Teutën, që veçanërisht në pjesën e dytë të takimit tregoi vlerat e një ekipi pretendent. Në këtë sfidë Teuta e kërkoi golin përmes një loje të interpretuar mirë taktikisht. Tre zëvendësimet e bëra në pjesën e dytë nga trajneri Lika i dhanë më tepër frymëmarrje lojës së Teutës, veçanërisht në mesfushë. Pas një pjese të parë të ekuilibruar, ku lushnjarët ishin më të rrezikshëm, pjesa e dytë foli për durrsakët, që, nëse do të ishin treguar më të kujdesshëm, mund ta thellonin rezultatin e takimit. Dje u panë dy tablo të ndryshme loje për Teutën. Në pjesën e parë u shfaq një Teutë e lodhur, ndërsa në pjesën e dytë u shfaq një skuadër shpërthyese dhe potente. Nga ana e tyre, lushnjarët vetëm në pjesën e parë i treguan vlerat e një ekipi cilësor, sepse në pjesën e dytë kapitulluan para presionit të "djemve të detit".
Durrsakët nën drejtimin e Likës arritën një fitore që do t'u rikthejë atyre besimin e duhur pas atij barazimi me të kuqtë kryeqytetas. Ndërkohë, rezultatet pozitive të skuadrës durrsake janë marrë në një kohë që në ekip vazhdon të ndihet mungesa e Toshkollarit dhe e Babamustës, rikthimi i të cilëve do ta fuqizonte mjaft mesfushën durrsake. Sidoqoftë, pas kësaj fitoreje Teuta është ripozicionuar në rolin e pretendentit. Sytë e skuadrës së Hasan Likës tashmë janë kthyer nga sfida tepër e vështirë dhe e rëndësishme e javës që vjen, ku përballë tyre do të vihet një tjetër pretendente për titull, siç është Dinamo.

Thanë pas ndeshjes:
Hasan Lika, trajner i Teutës:
"Nuk jam plotësisht i kënaqur me lojën që zhvilluam. Kemi pasur një përmirësim të dukshëm në pjesën e dytë, por kjo nuk mjafton për një skuadër pretendente. Gjithsesi, mbi të gjitha na gëzon fitorja, e cila erdhi si rrjedhim i rritjes së nivelit të lojës në pjesën e dytë dhe zgjidhjes së drejtë të disa momenteve të lojës nga futbolistët. Lushnja gjatë gjithë kohës na ka vënë në rezik dhe mund të na kishte ndëshkuar. Mendoj se objektivat e Teutës në këtë sezon janë të qarta. Do të luftojmë fort për t'u futur në zonën UEFA. Baza e ekipit është ruajtur, pavarësisht nga disa largime futbollistësh cilësorë, si Ahmataj, Memelli etj.
Aurel Cikleanu, trajner i Lushnjës:
"Kemi kryer një volum të madh loje, veçanërisht në pjesën e parë të takimit. Në këtë pjesë loje nuk kemi shfrytëzuar si duhet disa raste të mira për shënim. Mbrojtja jonë gaboi në shënimin e golave, çka na kushtoi edhe humbjen e takimit. Teuta kishte një skuadër më homogjene se jona, me futbollistë që kanë tre vite që luajnë bashkë. Kjo skuadër hyn tek ekipet pretendente, siç është Tirana, Partizani etj.

Të veçanta:
- Në stolin e Teutës, pas largimit në fund të sezonit të kaluar, është ulur sërish trajneri Hasan Lika. Ky i fundit e ka filluar gjithçka me fitore.
- Në tribunën e stadiumit "Niko Dovana", ku luhej kjo ndeshje, qëndronte edhe Vasil Bici, që tashmë e shikonte Teutën jo si trajner, por si drejtor teknik i saj.
- Fusha e "Niko Dovanës" pas dëmtimeve që i shkaktoi thatësira e verës, tashmë ka marrë pamjen e një tapeti modern.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

SHKUMBINI - TIRANA :

Shkumbini u dorëzua 3-1 përballë bardhebluve, vetëm në pjesën e dytë

Tirana, 3 pikë të mundimshme në Peqin

Shkumbini humbet sërish në fushën e vet, kësaj here përballë Tiranës. Në fakt, duhet thënë se këtë humbje skuadra peqinase nuk e meritonte. Edhe pse vinte pas 3 rezultateve negative, Shkumbini, dje, përballë Tiranës, u duk sikur ishte tjetër ekip. Peqinasit luajtën me mjaft dëshirë, mjaft të organizuar dhe kjo u vu re gjatë 90 minutave të ndeshjes. Që në fillim ata e treguan këtë gjë dhe shumë shpejt kaluan në epërsi me anë të mbrojtësit Salliu, që diti t'i kurorëzojë përpjekjet e shokëve me një gol të bukur me kokë. Goli për të cilin ata kishin nevojë u dha zemër peqinasve, ndërkohë që i nervozoi miqtë nga Tirana. Ata nuk e prisnin këtë ndëshkim dhe u hodhën në kërkim të golit. Në ndihmë të sulmit, veç sulmuesve Halili e Fortuzi, shohim edhe mbrojtësit Sina e Dabulla, por pa dobi, sepse Shkumbini në këto minuta di të orgnizohet mjaft mirë në mbrojtje, ku shquhet kapiteni Magani. Gjithashtu, Shkumbini nuk harron të kundërsulmojë rrezikshëm, sidomos në lojën në krah, ku spikasin Dervishi, Merxha dhe Pashën. Këta të fundit e vënë shpeshherë në pozitë të vështirë mbrojtjen tiranase e portierin Egbo. Madje, po të ishin treguar më të qetë, edhe mund të kishin shënuar. Në këtë mënyrë përfundon pjesa e parë. Shkumbini, ndryshe nga ç'pritej, shkon në dhomat e zhveshjes me autoritetin e fituesit. Në pjesën e dytë, trajneri i kampionëve, Mema, detyrohet të bëjë zëvendësime, aktivizon Merkoçin e Bulkun në vend të Agollit dhe Hajdarit. Gjithsesi, 10 minutat e para të kësaj pjese vazhdojnë të jenë mjaft të mira për Shkumbinin, që kërkon të shënojë përsëri. Në minutën e 58-të, Tirana fiton një 11-metërsh, por portieri Morina tregohet i saktë e nuk lejon prekjen e rrjetës, duke e grushtuar gjuajtjen e Fortuzit. Shumë shpejt, kur akoma jetohej me emocionet e këtij 11-metërshi të pritur nga Morina, vjen goli i Tiranës, me autor Sokol Bulkun. Shkumbini nuk pajtohet me këtë rezultat e përpiqet të kundërsulmojë, sepse e sheh se kundërshtari tashmë luan me 10 futbollitë pas daljes së Pinarit me karton të kuq. Peqinasit arrijnë t'i afrohen golit, por mbrojtja e portieri Egbo janë të gatshëm t'i zbrapsin me sukses vendësit në fazën finalizuese. Më tej, Tiranës ia lehtëson punën vetë portieri e mbrojtësit peqinas me gabimet elementare e të pafalshme që bëjnë. Kampionët dinë t'i shfrytëzojë më së miri këto gabime falë edhe përvojës që kanë, dhe në dy raste të këtij lloji e ndëshkojnë Shkumbinin, duke dalë fitues nga ky takim mjaft i vështirë për ta. Tirana luajti jo e lirshme dhe goli i pësuar e nervozoi atë. Këtë e tregoi edhe kartoni i kuq i marrë. Futbollistët e Memës, përballë Shkumbinit, nuk arritën të shprehnin vlerat e tyre, që tashmë njihen.

Të veçanta
- Interesimi i sportdashësve peqinas nuk ka qenë si zakonisht në këtë takim. Ndoshta rezultatet e dobëta të Shkumbinit në 3 javët e para të kampionatit apo thirrja e Shoqatës së Tifozëve për bojkotim janë arsyet e këtij indiferentizmi.
- Vazhdojnë të qëndrojnë ende në fushë reklamat e firmës së Pirro Angjelit dhe ajo e Agim Berishës, që kanë qenë presidentë të Shkumbinit të suksesshëm në të kaluarën.

Thanë pas ndeshjes:
Luan Deliu, trajner i Shkumbinit:
"Në qotë se ekipi do t'i kishte shfaqur këto vlera, këto cilësi dhe këtë këmbëngulje që pati sot edhe në tri ndeshjet e para të kampionatit, atëherë rezultatet për të do të kishin qenë ndryshe. Sot Shkumbini tregoi se i ka mundësitë të ngjitet më lart. Pavarësisht nga niveli i kundërshtarit, pavarësisht nga golat aksidentalë të pësuar, Shkumbini sot ishte i barabartë me Tiranën. Kur ne patëm mundësi të shënonim golin e dytë, e pësuam, nga 3 gola të Tiranës, dy prej të cilëve erdhën si pasojë e gabimeve foshnjarake të mbrojtësve dhe portierit tonë. Megjithëse humbi, Shkumbini tregoi se ka vlera dhe mundësi për më shumë".
Sulejman Mema, trajner i Tiranës:
"Vuajtëm shumë sepse nuk e patëm parashikuar ekipin kundërshtar të luante në këtë mënyrë. Pësuam gol që në fillim dhe kjo na e vështirësoi edhe më shumë punën. Rezultatin e zhbllokuam vetëm në pjesën e dytë, pas humbjes së 11-metërshit nga Fortuzi. Mendoj se ky takim ishte më i vështiri për ne në këto takime të zhvilluara në këtë kampionat. Fitorja tregoi se skuadra ka karakter".
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Bardheblutë, me pikë të plota, kryesojmë të vetëm tabelën pas dështimit të Dinamos në derbi

Tirana, ajo që njeh vetëm fitore

Një Partizan cinik fiton derbin kryeqytetas ndaj Dinamos me rezultatin 2-1, ndërkohë që djemtë e Markos meritonin komplimente për lojën e treguar

Dinamo ndalet në derbin kryeqytetas nga Partizani, dhe Tirana gjen rrugë të hapur për të kryesuar e vetme pas javës së katërt të këtij sezoni. Bardheblutë nuk janë ndalur as në Shkumbin, ku megjithse kanë qenë në dizavatazhin e golit, ka gjetur forcat te vetja për ta përmbysur rezultatin në 3-1. Gjithçka po ecën në rrugë të mbarë për Tiranën, e cila është dhe skuadra e vetme që ka grumbulluar pikë të plota në 4 javët e para të Kampionatit shqiptar të futbollit. Partizani ka arritur të fitojë derbin ndaj Dinamos me rezultatin 2-1, i vlefshem për javën e katërt të kampionatit kombëtar të futbollit, ndërkohë që Dinamo meriton komplimente për lojën e treguar. Partizani gjeti portën në rastin e parë të paraqitur dhe e fillon takimin me avantazhin e një goli, kur qendërsulmuesi Skerdi Bejzade, i rrëmben topin kapitenit dinamovit, Arjan Pisha, dhe siglon avantazhin në minutën e 2' të takimit. Të kënaqur nga shënimi i golit, futbollistët e Partizanit e tërheqin shumë barrierën në mesfushë dhe ndiejnë iniciativën e bluve, që nuk pajtohen me rezultatin. Kapiteni i Partizanit, Blendi Nallbani, tepër i sigurt midis dy shtyllave, në dy raste shpëton skuadrën nga pësimi i golave të sigurtë, kur më parë Rigels Qosa dhe më pas Ziambo, iu afruan ndjeshëm golit. Dinamo duket më e qartë në lojën e saj dhe futja e Kasekes, e përmirëson ndjeshëm lojën në mesfushë, ndërkohë që Partizani mundohet të përdorë kundërsulmin, por Bejzade është tepër i tërhequr, ndërsa Muzaka e Abilio tepër të izoluar në krahë. Pjesa e dytë fillon e shpejtë për Dinamon. Në minutën e 54', pas një goditjeje nga këndi Qorri gjen të lirë brenda zonës Sokol Ishkën, që me kokë shënon golin e barazimit. Skuadra e Partizanit vazhdon të luajë në mënyrë konfuze dhe Bejzade, që lufton i vetëm me mbrojtjen kundërshtare, nuk mjafton për të rrezikuar Dinamon, që vazhdon të shfrytëzojë mirë inkursionet në krahë. Megjithatë, skuadra e Partizanit, tepër cinike, shënon me anë të brazilianit Abilio në minutën e 62', pas një krosimi të Muzakës. Topi që parakalon të gjithë zonën e rreptësisë gjen të lirë brazilianin, që përballë Likës nuk gabon. Fërshëllima e fundit e gjyqtarit e mbyll derbin e shumëpritur me rezultatin 2-1, duke i dhënë mundësi të kuqve të vazhdojnë ndjekjen e Tiranës, që fitoi 3-1 në transfertë ndaj Shkumbinit. Ndërkohë që Vllaznia ka shënuar një fitore të çmuar të shtunën pasdite në stadiumin "Loro Boriçi" ndaj Elbasanit me rezultatin 1-0. Shkodranët vinin në javën e katërt të kampionatit kombëtar të futbollit pas tre humbjeve radhazi, ndaj kërkonin fitoren e parë. Dhe këtë e kanë arritur pas një loje jo shumë bindëse. Teli është ndëshkuar në pjesën e parë me karton të kuq dhe shkodranët janë detyruar që të luajnë me 10 lojtarë. Në minutën e 48-të të takimit, shkodranët humbasin një 11-metërsh nga Sinani. Por, në minutën e 66-të ishte Martini që shënoi golin për Vllazninë, që e ruajti me shumë sakrifica këtë rezultat deri në fund të takimit. Ndërkohë që fitore ka arritur dhe Teuta. Durrsakët kanë mundur me rezultatin 2-0 në shtëpinë e tyre Lushnjën. Po dje janë luajtur dhe ndeshjet e javës së dytë të grupit A2, ku fitojnë bylis e Luftëtari, ndërkohë që ndeshjet tjera janë mbyllur në barazim.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Rezultatet e javës së dytë të grupit A2:

Tomorri- Besëlidhja 2-2
Bylis- Veleçiku 4-0
Apolonia- Naftëtari 1-1
Laçi- Egnatia 0-0
Erzeni- Luftëtari 0-0

Renditja

1.Bylis 6 pikë
2.Naftëtari 4 "
3.Tomorri 4 "
4.Laçi 4 "
5.Luftëtari 2 "
6.Egnatia 2 "
7.Besëlidhja 1 "
8.Erzeni 1 "
9.Apolonia 1 "
10.Veleçiku 0
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

APOLONIA - NAFTETARI :

Fierakët dhe kuçovarët janë ndarë në barazim 1-1 në stadiumin "Selman Stërmasi"

Ruko, ai që mendon për Apoloninë

Apolonia dhe Naftëtari janë ndarë në një barazim 1-1 dje në fushën asnjanëse të "Selman Stërmasit", për javën e dytë të kampionatit në grupin A2. Një barazim që për mënyrën se si rrodhën ngjarjet ishte i drejtë për të dyja skuadrat. Ekipi fierak i Apolonisë vinte në këtë takim të dytë pas humbjes një javë më parë me fqinjët ballshiot. Ndërsa Naftëtari kishte siguruar një fitore të thellë ndaj Erzenit. Trajneri Vangjel Capo i fierakëve zbriti në fushën e lojës formacionin e tij më të mirë të mundshëm dhe me një rreshtim 3-5-2. Të njëjtën gjë bëri edhe kolegu i tij Gjyla, i cili ka vetëm pak kohë në drejtim të ekipit pas rikthimit.
Ndeshja ka nisur e vrullshme për të dyja skuadrat, ku kuçovarët ishin më të qartë në lojën e tyre. Fierakët nuk po orientoheshin si duhet dhe vuajtën për minuta të tëra në pjesën e parë presionin e kundërshtarit. Goli i parë do të shënohej për miqtë në minutën e 12-të me anë të sulmuesit kryesor Blloku. Ky gol i shënuar ka entuziazmuar Naftëtarin, si dhe një numër të konsiderueshëm tifozësh në shkallët e stadiumit. Pjesa e parë mbyllet me disa përpjekje të vakëta të fierakëve për të barazuar, por pa mundur dot. E dyta do të nisë e bukur. Janë futbollistët e Apolonisë, të cilët pas udhëzimeve të marra nga tekniku i tyre, krijojnë volum loje dhe barazojnë shumë shpejt me golashënuesin e tyre të përhershëm Ruko. Gjithçka e barabartë në kryeqytet midis të dyja ekipeve, të cilat pothuajse nuk mendojnë shumë për mbrojtjen dhe hidhen në sulm në kërkim të golit të fitores. Apolonia është më e rrezikshme, por vuan eksperiencën e lojtarëve të rinj, përpara portës. Ndërsa Naftëtari ka kundër dhe fatin, kur Stojçevski godet shtyllën. Minutat e fundit të lojës ishin me aksione dhe kundërsulme nga të dyja palët, por goli nuk u duk në dritë. I gjithë takimi përfundon këtu dhe fierakët e Apolonisë marrin pikën e parë në këtë sezon, duke shpresuar shumë që vitin tjetër të luajnë në A1.

Opinione
Vangjel Capo, trajner i Apolonisë:
"Ndeshjen nuk e kemi nisur ashtu siç e kishim parashikuar dhe kështu që vuajtëm presionin e kundërshtarit në mesfushë. Naftëtari ishte më i qartë në lojën e tij në këtë pjesë dhe arriti të shënojë i pari. Pjesën e dytë rregulluam diçka në favorin tonë dhe mundëm të barazonim shumë shpejt, madje të kalonim në avantazh. Nuk ia arritëm duke qenë se skuadra po vuan ato problemet e mosambientimit të lojtarëve të rinjë. Nuk dua të paragjykoj gjyqtarin për rastin e penalltisë. E vetmja gjë është që të vazhdojmë të punojmë me këto ritme dhe të shohim nga e ardhmja."
Ilir Gjyla, trajner i Naftëtarit:
"Rezultati i ndeshjes, duke parë dhe rastet e të dyja skuadrave mund të quhet i drejtë. Takimin e kemi nisur mirë në pjesën e parë. Jo vetëm që shënuam një gol, por mund ta kishim dyfishuar nëse do të tregoheshim më të kujdesshëm. Në pjesën e dytë nuk e mora vesh se çfarë ndodhi me djemtë, pasi lëshuan shumë në lojën e tyre dhe Apolonia arriti të na barazojë. Një pikë e marrë në transfertë do të ndikojë në moralin e skuadrës për ndeshjen e radhës."
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

TOMORI - BESELIDHJA :

Ka këmbëngulur vetëm 25 minuta skuadra bardhezi e Tomorit dhe më pas loja është dominuar nga bardhekaltrit lezhjanë. Ndërsa beratasit kanë goditur më parë traun e portierit Ferhati, sulmuesi Volumi, më i miri në fushë, në minutën e 27-të e ka detyruar Veliajn që të shënojë në portën e tij, duke bërë që të heshtë tribuna qendrore e mbushur me tifozë vendës. Ndërkohë që pritej goli i barazimit, lezhjanët janë më të organizuar në mesfushë dhe me Perloshin e Volumin, tepër të rrezikshëm. Një aksion perfekt i nisur nga krahu i majtë ka sjellë golin e dytë të shënuar me kokë nga Volumi në minutën 44-t. Në minutën e fundit të shtesës së pjesës së parë sulmuesi Gjata kthen në gol një 11-metërsh të dhënë nga gjyqtari Çekaj.
Pjesa e dytë nisi më e fortë. Tomori kërkoi me insistim golin e barazimit dhe më pas atë të fitores, por mbrojtja e organizuar lezhjane me në krye shtatlartin Lika thyen të gjitha sulmet e vendasve, duke nxjerrë "jashtë loje" dy sulmuesit kryesorë, Arbri dhe Mile. Goli i barazimit erdhi në minutën e 62-të, kur Lako dërgoi në rrjetë një top të goditur nga Arbri. Minutat e mbetura u luajtën më shumë për të ruajtur rezultatin e takimit sesa për të shënuar. I vetmi rast "i artë" për miqtë ishte ai i minutës së 74-t, kur Perloshi me një goditje spektakolare goditi traun e portës. Tomori luajti dobët, veçanërisht në mesfushë, repart që nuk mundi të ushqente sulmin. Lezhjanët e merituan barazimin, madje mund të merrnin edhe fitoren. Vendësit këtë takim e morën disi lehtë, ndoshta të vetëkënaqur nga fitorja e një jave më parë, në takimin jashtë fushës së tyre. Krejt ndryshe ndodhi me lezhjanët, të cilët humbja në stadiumin e tyre i kishte mobilizuar si duhet dhe ia arritën për të marrë një pikë të vlefshme në transfertë.

Opinione
Theodhori Arbëri, trajner i Tomorit:
"U futëm për fitore, por lezhjanët na befasuan. Eshtë një skuadër që duhet patur në konsideratë. Barazimi për ne është humbje. Ne do të marrim shkas nga niveli i lojës që shfaqëm për të analizuar thellësisht se ku i kemi të metat."
Nikolin Lorenci, trajner i Besëlidhjes:
"Objektivi ynë u realizua. Luajtëm mirë, kryesuam dy herë, por gabuam në momente delikate. Ky ishte barazimi i shpresës. Me lojën që zhvilluam futbollistët treguan se kanë mundësi të përballen si të barabartë edhe me ekipet më të forta."
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

LACI - EGNATIA :

Ka qenë një ndeshje e bukur me një ritëm mbi mesatar ku ekipi laçian ka dominuar plotësisht gjatë 90 minutave. Por gjatë finalizimit të aksioneve ekipi ka qenë konfuz, pa gjuajtje të sakta ndaj mbrojtjes solide të miqve, e cila u mbështet fuqimisht nga mesfusha tepër elastike dhe e zhdërvjellët. Nga ana tjetër, ekipi laçian ka arritur të zhvendosë lojën në gjysmëfushën mike, por në disa raste, nga dëshira e madhe për të shënuar, kanë krijuar të çara në mbrojtje, por për fat nuk janë shfrytëzuar si duhet nga miqtë. Gjithashtu, në prapavijën mike ka qenë i sigurt portieri Gjondeda, i cili me grushtimet e tij dhe daljet e sigurta ka shpëtuar portën nga pësimi i golit. Nga ana tjetër, laçianët janë munduar të çajnë në mes të mbrojtjes, aty ku ishte dhe pika më e fortë e rrogozhinasve. Megjithëse nuk ka munguar përvoja e Xhelal Farrukut me hapjen e lojës, Xhetani ka humbur disa raste përpara portës. Me sa duket, ai e ka humbur disi nuhatjen në repart të mohuar prej kohësh, pasi ka luajtur në mesfushë. Mungesa e Rexhës ka qenë asfiksuese për vendasit, ku me gjithë volumin e lojës, Osusi ka qenë i pambështetur sa duhet nga lojtarët e tjerë. Pasimet e sakta të tij nuk janë shfrytëzuar as nga K. Farruku dhe as nga Xhetani, ndonëse janë vënë përballë portës, çuditërisht, gjuatjet e tyre në 2-3 raste kanë qenë mbi shtylën e portës. Madje ata kanë bërë më të vështirën vetëm 3-4 metra larg portës. Janë raste të njëpasnjëshme të tyre të cilat janë grushtuar edhe nga ana e portierit Gjondeda. Edhe në minutat e fundit të lojës këmbëngulja e laçianëve nuk është shpërblyer. Përfundimisht një barazim pa gola, një volum loje më i madh i laçianëve, të cilët duhet thënë se kanë rënë në kurthin e taktikës të rrogozhinasve.

Opinione
Astrit Maçi, trajner i Laçit:
"Ishte një ndeshje me raste të humbura. Në e kipin tonë u ndie mungesa e sulmuesit kryesor. Mendoj që barazimi nuk ishte i drejtë për vetë mënyrën se si u zhvillua ndeshja, ndërkohë që futbolli i ka këto."
Sokol Branica, trajneri i Egnatias, është larguar menjëherë nga stadiumi pa u prononcuar.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

LUFTETARI - ERZENI :

Luftëtari priti Erzenin pas disa rezultatesh zyrtare mjaft të mira. 3 fitore në Kupën e Shqipërisë dhe barazimi në premierën e kampionatit janë rezultate që të shtojnë besim për më tej. Ndërkohë, Erzeni zbriti në qytetin jugor pa "rrëmbyeshmërinë" e tij karakteristike. Nuk ndodhi ajo që thuhet shpesh se kundërshtarët studiojnë për disa minuta lojën e njëri-tjetrit. Luftëtari sulmoi dhe që në minutën e 2 të Dhima ekzekutoi një goditje dënimi dhe Çoni me një gjuajtje të topit me kokë tronditi tranversën e portës të mbrojtur nga Pajo. Në minutën e 10 të, Karapici gjuajti nga afër, rreptë dhe tifozët që shtoheshin gradualisht kanë duartrokitur Miçon, i cili u vë në provë të vështirë, sikundër edhe 5 minuta më vonë nga një gjuajtje e fortë e Agushit nga larg. Në minutën e 19-të, Luftëtari ndrydhi në dy goditje këndore Erzenin, nga të dy krahët e sulmit dhe pas kësaj u hap "valvola". Dimo, tashmë golashënues i Luftëtarit, i ndodhur në krahun e majtë të sulmit gjuan rrëmbimthi me të majtën një top të ardhur nga krahu tjetër, të cilin Pajo e pa në rrjetë në të djathtë të tij. Në minutën e 25-të, Nushi, pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi, gjuajti rrezikshëm, por topi kaloi pak mbi tranversë. Kur nuk shënon, e pëson dhe kështu i ndodhi edhe Erzenit. 7 minuta më vonë Brahimi i ndodhur në harkun e zonës, pothuajse në pozicion ballor, gjuan befas me mjeshtëri dhe 2 0. Afër fundit të pjesës së parë, pas një këndoreje Dimo desh shënoi golin e dytë të tij, por këtë radhë fitues doli Pajo. Në pushim të pranishmit në tribunën qendrore dhe rrotull saj u emocionuan kur panë Anastaz Bozhorin, një ndër 11 futbollistët më të mëdhenj të Gjirokastrës, ish-trajner, tash mbi të 80 tat, por gjithmonë elegant. Ai sapo kish mbërritur nga Greqia, erdhi në ndeshje, pjesën e dytë të së cilës e ndoqi në krah të kryebashkiakut Murat Kaci.
Në minutën e 55-të ka rrezikuar Muço dhe në vazhdim Luftëtari solli pështjellime në porten e Erzenit me tre gjuajtje të tjera që u thyen nga miqtë, të cilët gjithsesi nuk janë dorëzuar. Kështu, Karapici mjaft i lëvizshëm dhe nuhatës ndëshkoi euforinë e vëndasve me një gjuajtje të fortë nga krahu i majtë i sulmit, duke e futur ekipin e tij në lojë me rezultatin 2 1. Ai e gjeti të papërgatitur Miçon. Karapici provoi sërish në minutën e 67 të, por ketë radhë portieri vendas priti i ndodhur në pozicion. Në minutën e 77-të, Mehmeti mund të shënonte, por topi i gjuajtur prej tij parakaloi portën pothuajse të boshatisur nga e majta në të djathtë të sulmit vendas. Pas rreth 10 minutash, Muço ka kërcyer fort mirë, por topi i goditur me kokë fluturoi mbi tranversë. Loja është ndezur dhe Erzeni kërkon barazimin, por në fund Cenko kroson nga e majta dhe i porsafuturi në lojë, Dhjamandi, fikson 3 1, pasi topi preku tranversën dhe gjeti rrjetën. Kështu, Luftëtari arriti javën e dytë fitoren e parë me një lojë që, edhe pse nuk arriti majat, ishte plotësisht e merituar.

Opinione
Andrea Çulli, trajner i Luftëtarit:
"Ndeshja u dominua plotësisht nga ne dhe mund të shënonim më shumë gola, por dy sulmuesit nuk u treguan të kujdesshëm. Në pjesën e dytë, si rrjedhojë e rezultatit, lëshuam pak pe, por pas golit që pësuam çdo gjë funksionoi shumë mirë duke rritur presionin që solli dhe golin e tretë. Jam i kënaqur nga loja ku dominoi përgatitja fizike e lojtarëve të mi. Ky ishte dhe treguesi kryesor që arritëm fitoren."
Bashkim Seiti, trajner i Erzenit:
"Me gjithë problemet financiare që ka ekipi ynë, unë them se u paraqit mirë dhe loja qe në baraspeshë. U goditëm si rezultat i gabimeve tona. Mendoj se në vazhdim me afrimin e sponsorëve do të përgatitemi më mirë dhe do të arrijmë nivelin e kërkuar."
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Futbollistët shqiptarë në Evropë

Brigeli "qesh", shqiptarët e Frankfurtit "qajnë"

Ervin Skela, përjashtohet nga gjyqtari për sjellje antisportive, ndërkohë që Kaizerslauterni i Hans Peter Brigelit fiton 3-1 në Frankfurt. Nuk kishte sesi të shkonte më keq për Eintrahtin e Frankfurtit, ku aktivizohen tre nga futbollistët kryesorë të kombëtares shqiptare, Skela, Çipi dhe Dragusha. Ekipi i tyre është mundur në stadiumin e Frankfurtit me rezultatin 3-1 nga skuadra e Kaizerslauternit, ku është zëvendëspresident trajneri i kombëtares shqiptare, Brigeli. Ndeshja është filluar mirë nga Frankfurti, por më pas ka marrë tatëpjetën. Që nga fillimi janë aktivizuar Çipi dhe Skela, por ky i fundit nuk ka mundur ta përfundojë dot ndeshjen, pasi për sjellje antisportive është ndëshkuar nga gjyqtari Jansen me karton të kuq, në minutën e 90-të të lojës. Ndërkohë, Dragusha, si edhe një javë më parë, ka qendruar në stol. Kështu, me këtë humbje, Frankfurti rikthehet në zonën e ftohtë të tabelës, ndërkohë që Kaizerslauterni i Brigelit buzëqesh, pasi tashmë ka rikuperur disavantazhin që kanë pasur në fillim të Bundesligës gjermane.

Aliaj, i pazëvendësueshëm tek Oberhauzeni
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare Adrian Aliaj, edhe në ndeshjen e fundit të Bundesligës 2, Oberhauzen-Kotbus, është aktivizuar 90 minuta. Ekipi i tij, në shtëpi, nuk ka shkuar më shumë se një barazim 0-0 me Kotbusin, ndërkohë që Aliaj ka qenë futbollisti më i mirë në ndeshjen e zhvilluar të shtunën. Mbrojtësi i Oberhauzenit, disa herë ka shpëtuar portën e tij nga sulmet e kundërshtarëve. Ndërkohë, trajneri i Oberhauzenit është shprehur për shqiptarin me superlativa.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Futbollistët shqiptarë në Evropë

Myrtaj, dygolësh dhe... dasmë

Një gol si Maradona dhe një tjetër të ngjashëm me ata të Paolo Rosit. Në njërin klasi i pastër dhe, nga ana tjetër, nuhatja e sulmuesit të vërtetë. "Të zgjedh mes dy golave? Nuk ka dyshim, Myrtaj i vërtetë është ai që shënoi golin e 4-t. Janë këto gola që ndoshta nuk janë shumë të bukur, por duke qenë oportunist, më gëzojnë shumë," - është shprehur shqiptari. Florian Myrtaj, shqiptari nga Vlora dhe "italiani modenez", shijon dygolëshin e parë në Serinë B, me bluzën e Veronës. "Këta dy gola janë për gruan time. Kam zgjedhur momentin e duhur për ta uruar,"- është shprehur ai. Dje, Myrtaj, në qytetin e Modenës është martuar në një ceremoni, ku janë ftuar të gjithë miqtë e tij si edhe i gjithë ekipi i Veronës. "Në dhjetor do të lindë fëmija im i parë. Shpresoj që të shënoj gola të tjerë për ato ditë," - ka vazhduar më tej shqiptari. Myrtaj flet se ndeshja e së shtunës ka qenë shumë e bukur dhe se për 60 minuta të dy ekipet kanë treguar një lojë të bukur sulmuese.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Futbollistët shqiptarë në Evropë

Hasi në formë të shkëlqyer

Duket se Besnik Hasi tashmë ka fituar një vend në formacionin bazë të Anderlehtit, skuadrës belge, e cila vazhdon të kryesojë kampionatin e këtij shteti me pikë të plota. Edhe në ndeshjen e fundit, Anderleht-Vesterlo, e mbyllur 5-1, Hasi ka luajtur 90 minuta. Madje kosovari vazhdon të tregojë formën e tij të mirë sportive, e cila është pranuar edhe nga trajneri i Anderlehtit, Ugo Bros. Hasi, përballë Vesterlosë, ka qenë i pakalueshëm në qendër të mesfushës dhe në dy raste ka goditur portën, edhe pse portieri i skuadrës kundërshtare ia ka mohuar golin. Deri në javën e 6-të, futbollisti i kombëtares shqiptare është aktivizur me ekipin e tij belg 444 minuta dhe këtu nuk përfshihen ndeshjet e Ligës së Kampioneve.
Francë Cana fiton besimin e Halilhoxhiçit Për herë të parë në këtë sezon të ligës së parë franceze, Lorik Cana ka luajtur 90 minuta me ekipin e tij. Skuadra e Paris SG-it ka fituar 2-0 në trasfertë me Gëngomin. Trajneri Halilhodxhiç ka menduar ta aktivizojë futbollistin e kombëtares shqiptare Cana që nga minuta e parë dhe besimi i është shpërblyer nga i riu kosovar. Jo vetëm që ka luajtur mirë, por edhe është vlerësuar me një nga notat më të larta të ndeshjes, 6.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Futbollistët shqiptarë në Evropë

Haxhi, njeriu-"asist" i CSKA-së

Edhe Altin Haxhi vazhdon paraqitjen e mirë në kampionatin bullgar. Futbollisti i kombëtares shqiptare, të shtunën, ka luajtur 90 minuta në fitoren e CSKA-së me Spartakun e Varnës 2-0. Mesfushori i krahut të majtë, që mban fanellën me numrin 77, ka zhvilluar ndeshjen e tij më të mirë, duke dhënë edhe pasimin në rastin e golit të dytë.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Futbollistët shqiptarë në Evropë

Njazi Kuqi në gjurmët e të vëllait

Njazi Kuqi, futbollisti kosovar që luan me FC Lahtin, ka shënuar gol në ndeshjen që ekipi i tij ka fituar 4-1 me skuadrën e Kotepes. Futbollisti me nënshtetësi finlandeze, që dëshironte të mbronte ngjyrat kuqezi, ka shënuar golin e dytë të takimit Lahti-Kotepe, në minutën e 59-të të ndeshjes. Sulmuesi i Lahtit, prej kohësh, ka shprehur dëshirën për t'u aktivizuar me kombëtaren shqiptare, por një aktivizim me ekipin Shpresa të Finlandës nuk e lejon të grumbullohet me përfaqësueset shqiptare. Njazi Kuqi është një nga futbollistët titullarë të ekipit finlandez të FC Lahtit,
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

DINAMO :

Trajneri blu, i pakënaqur prej të tijve, pohon se skuadra do të ketë ndryshime në formacion gjatë javëve të ardhshme

Marko: Ia dhuruam fitoren Partizanit

Dinamoja ka pësuar humbjen e parë në kampionat, 2-1, me Partizanin, e cila i ka kushtuar dorëzimin e kreut të tabelës së renditjes. Tashmë, blutë renditen në vendin e katërt, me 9 pikë, ndërsa janë luajtur vetëm katër javët e para të kampionatit. Në derbin e së shtunës, me Partizanin, skuadra e drejtuar nga trajneri Marko krijoi volum të madh loje, por arriti të shënonte vetëm njëherë, me anë të Ishkës. Gabimet e pafalshme në mbrojtje dhe finalizimi i dobët i aksioneve sulmuese patën ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në ecurinë e takimit.
Për trajnerin e skuadrës, Andrea Marko, ndeshja e së shtunës, më shumë se një fitore e Partizanit, ishte një dhuratë nga ana e Dinamos. Sipas trajnerit të bluve, të dy golat e Partizanit erdhën si rezultat i gabimeve të pafalshme të mbrojtjes. Ai mendon se goli i parë i Partizanit, i cili u shënua që në minutën e 2-të të takimit, ndikoi negativisht në aspektin psikologjik të skuadrës. Po kështu, Marko pohon se Dinamoja luajti mirë dhe krijoi disa raste të pastra shënimi, sidomos gjatë pjesës së parë të takimit, por finalizimi i tyre ka qenë i dobët. Në deklaratën e tij për "Sportin shqiptar", trajneri Marko do të shprehej:
"Të gjithë e panë që të dy golat e shënuar nga Partizani ishin më shumë një dhuratë e mbrojtjes sonë. U gjendëm në disavantazh që në minutën e dytë, pas një gabimi të pafalshëm të Pishës, i cili i dorëzoi topin kundërshtarit. Në pjesën e parë e kërkuam me insistim golin e barazimit, duke krijuar raste të pastra për shënim, por që nuk u shfrytëzuan si duhet nga sulmuesit tanë. Arritëm të barazonim në fillimin e pjesës së dytë me anë të Ishkës, madje patëm mundësi për të kaluar edhe në epërsi. Kur gjithçka po fliste për ne, u goditëm sërish pas një hutimi total të mbrojtjes, çka i lejoi sulmuesit të Partizanit të shënonte golin e dytë. E kërkuam golin e barazimit, por nuk ia arritëm. Mendoj se Dinamoja nuk e meritonte të humbiste në ndeshjen me Partizanin, pasi zhvilloi një lojë të mirë. Megjithatë, fiton ai që shënon gol, kështu që na mbetet shumë për të bërë në këtë drejtim, sepse po humbasim shumë raste."
Gjithsesi, për trajnerin e Dinamos, një humbje në një ndeshje derbi mund të quhet e pranueshme. Ai vlerëson kundërshtarin dhe e cilëson një pretendent të fortë në luftën për titull. Trajneri Marko beson se skuadra do të arrijë t'i rikuperojë tri pikët e humbura këtë javë në ndeshjet e ardhshme të kampionatit.
"Jemi të dëshpëruar për mënyrën sesi humbëm, - thotë Marko, - por në një ndeshje derbi pranohen të tri rezultatet, kështu që nuk duhet ekzagjeruar. Partizani është një skuadër e fortë dhe një nga pretendentet kryesore për titull. Dinamos i mbetet të mendojë për takimin e radhës, pasi nuk duhet të bëjë më hapa false. Duhet të rikuperojmë sa më shpejt tri pikët e humbura këtë javë."
Ndërkohë, trajneri i skuadrës dinamovite ka shprehur edhe pakënaqësinë e tij në drejtim të lojës së disa futbollistëve, emrat e të cilëve nuk ka dashur t'i përmendë. Ai është shprehur se lojtarët nuk dhanë atë që pritej, por, mbi të gjitha, nuk treguan sedër të vërtetë në fushën e lojës, duke pasur parasysh se luhej një ndeshje derbi. Kështu, trajneri Marko ka pohuar se në ndeshjet e ardhshme, duke filluar nga ajo e radhës me Teutën, formacioni i bluve parashikohet të ketë disa ndryshime të rëndësishme.
 
Top