Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

PARTIZANI :

Braziliani i të kuqve mendon se me përforcimet e fundit, ekipi do të fitojë më lehtë se tani

Abilio: Kemi sulmin më të fortë

Autori i golit të dytë për të kuqtë, Abilio, i është gëzuar jashtë mase fitores së Partizanit për faktin se është mposhtur Dinamoja. Ndërsa për golin ai mendon se ka bërë thjesht detyrën. Kështu shprehet në një deklarim për "Sportin shqiptar" braziliani, i cili në katër ndeshjet e para të kampionatit ka shënuar tre gola. Partizani, me fitoren e fundit, ndodhet dy pikë larg kreut, me pikë të barabarta me Teutën e Durrësit. Braziliani i të kuqve shprehet për lojën e tij se ka njëfarë ndryshimi nga sezoni i kaluar. "Në krahasim me sezonin e kaluar, kam qenë në të njëjtën formë, por ndryshimi qëndron te golat që kam shënuar. Deri tani kam shënuar tre gola, ndërkohë që një sezon më parë nuk kisha shënuar fare," - thekson braziliani që ka luajtur si mesfushor krahu ndaj Dinamos. Ndërkohë, në dy ndeshjet e fundit, Abilio nuk ka qenë në pozicionin e mëparshëm, por është tërhequr në krahun e djathtë. "Nuk më intereson shumë roli se ku luaj, pasi trajneri vendos për gjithçka. Unë nuk kam sesi të jem kundër tij, sepse trajnerit i takon të drejtojë lojën dhe ne duhet të zbatojmë urdhrat, përderisa kemi pranuar të luajmë me Partizanin,"- vijon më pas Abilio. I pyetur për lojën e skuadrës në katër javët e para, Abilio, gjatë krahasimit që bën me një sezon më parë, thekson se Partizani i sivjetshëm ka më tepër karakter sulmues. "Në mbrojtje janë po ata lojtarë që kanë luajtur sezonet e fundit dhe nuk kanë ndryshuar shumë gjëra, ndërkohë që në sulm besoj se jemi më të fuqishëm se asnjëherë tjetër. Madje, për mendimin tim, Partizani ka sulmin më të fortë të kampionatit, pavarësisht se nuk ka shënuar shumë gola. Ndërsa mesfusha besoj se do të jetë më e fortë se më parë, menjëherë sapo të vijë Klodian Duro. Pra, duke qenë se sulmi dhe mesfusha janë forcuar shumë sezonin e fundit, i bie që të jetë ky Partizani më i fortë, të paktën për sa kohë kam luajtur unë me fanellën e kuqe,"- shprehet lojtari i vetëm që flet gjuhën shqipe, midis katër brazilianëve të Partizanit. Ndërsa për titullin, Abilio mendon se ka ende shumë ndeshje deri në fund, ndaj tani për tani nuk mund të flitet për të. Gjithsesi, sipas brazilianit, Partizani mbetet pretendent kryesor. Këtë ai e argumenton me faktin se të shtunën është mposhtur Dinamoja, rivale për titull, edhe pa dy lojtarë në radhët e Partiznait, që shpejt do t'i bashkohen formacionit bazë. "Nuk kam dëshirë të flas tani për titullin, sepse kampionati është shumë i gjatë. Për sa i përket ecurisë së deritanishme, mendoj se Partizani ka luajtur mirë dhe ka humbur dy pikë, pas një gjykimi të dyshimtë në Durrës. Por ekipit tonë nuk i janë bashkuar ende dy lojtarë të tjerë, Brakini dhe Klodian Duro, të cilët i njoh mirë dhe besoj se do ta forcojnë shumë Partizanin. Duro është një ndër lojtarët më të mirë të kombëtares së Shqipërisë dhe fakti që do të luajë me Partizanin nuk është pak. E kam njohur Klodianin në ndeshjet direkte që ka bërë Partizani me Vllazinë dy sezone me parë dhe më ka bërë përshtypje loja e tij. Kështu, Partizani, përdersa nuk ka gabuar deri tani, nuk mendoj se do t'i vërë në dyshim fitoret as në javët e tjera të kampionatit," - e përfundon mendimin e tij braziliani i të kuqve, Abilio, jo vetëm protagonist goli, por edhe një ndër më të mirët në ndeshjen e fundit kundër Dinamos.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

BESA :

Trajneri i kavajasve flet për ndeshjen e fundit të skuadrës së tij, ndaj Flamurtarit

Sejdini: Besa nuk beson te fitorja

Edhe një herë tjetër, Besa nuk arriti dot të marrë fitoren, ndonëse iu afrua disa herë. Edhe ndaj Flamurtarit, kavajasit shfaqën po ato dobësi, për të cilat Sejdini kishte këmbëngulur t'i ndryshonte gjatë gjithë javës. Në fushën e stadiumit "Bashkim Sulejmani" të Kuçovës u pa një Besë pak agresive, e cila u kujtua vetëm në fund të 90-minutëshit se duhej të fitonte. "Nuk mjafton të krijosh vetëm raste, por duhet t'i shfrytëzosh ato. Ky ekip nuk ka akoma besim se mund të fitojë. Edhe kur është pranë saj, edhe kur luan më mirë se kundërshtari, përsëri gabon." Këto janë konkluzionet e trajnerit Sejdini, fill pas ndeshjes ndaj Flamurtarit. Eshtë e çuditshme, por edhe pse lojtarët e Besës u gjendën disa herë përballë Dines, nuk arritën asnjëherë ta venë në provë atë. Takimi ndaj Flamurtarit nxori edhe një herë në skenë problemin kryesor për trajnerin Sejdini. Ky i fundit duket qartë se nuk i njeh akoma lojtarët dhe formën e tyre. Shembull për këtë është futja me vonesë në lojë e veteranit Ypi, i cili thuajse e ndryshoi krejt manovrën sulmuese të Besës. Që Besa ka shumë mangësi në lojën e saj, kjo tashmë nuk mund të mos shihet, por korrigjimi i tyre duhet të jetë i shpejtë, sepse pikët e lëna nuk mund të kompensohen më. Në javët që vijnë mund të ndryshojë vërtet diçka për mirë, por të mos harrojmë se edhe kundërshtarët po punojnë. Shpeshherë gjatë takimit me Flamurtarin, u përmend se, po të ishte Kuli, verdhezinjtë edhe mund të fitonim. E sjellim këtë konstatim për të dalë te një pyetje: A mund të mbështetet Besa vetëm te një lojtar, qoftë ky Kuli apo dikush tjetër? Natyrshëm kthehemi tek ideja e Sejdinit, mentaliteti i fituesit. Mirëpo nuk është normale që Kuli, vetëm 20 vjeç, t'u imponohet lojtarëve veteranë, si Mërgjyshi, Kollçaku, Doka, Bratja, Romanishin etj., kur ata kanë vite që luajnë. Ashtu si Kuli, të gjithë duhet të kenë besim te vetvetja dhe te fitorja. Besës i lypset që sa më parë të ndryshojë mentalitet. Nuk kalohet më me justifikimet të tipit "nuk na eci". Topin për në rrjetë nuk e shtyn as Sejdini e as Hushi e Arkaxhiu. Janë vetë lojtarët, ata që duhet të punojnë më shumë e të kenë më shumë besim te vetja. Nëse vlonjatët kishin muaj pa u paguar, përsëri treguan shpirt e respekt për fanellën, ndërsa lojtarët e Besës, të gjithë të paguar e me grumbullime në hotelet turistike më të shtrenjta, duhet ta justifikojnë këtë paraqitje të dobët.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

VLLAZNIA :

Trajneri malazez i kuqebluve evidenton dhe i bën "elozhe" lojtarit të tij, Edmond Doçi

Haxhiosmanoviç: Elbasani, fitore psikologjike

Fitorja e Vllaznisë ndaj Elbasanit të fortë e pretendent të shtunën, në "Loro Boriçi", ka pasur shumë vlera për kuqeblutë. Kjo, jo vetëm se janë fituar 3 pikët e para në këtë kampionat, por sepse fitorja ka ndikuar për mirë në të gjitha drejtimet, në anën morale, atë psikologjike etj. Mbi të gjitha, fitorja ndaj Elbasanit, sipas trajnerit Haxhiosmanoviç, ka "zbuluar" një talent për këtë skuadër. Është fjala për një futbollist që nuk vjen as nga Afrika, as nga rrethet e tjera të vendit. Bëhet fjalë për 22-vjeçarin e talentuar shkodran, Edmond Doçi, i cili ka qenë më i miri në fushë të shtunën. Një vlerësim të tillë e ka dhënë pikërisht trajneri i skuadrës shkodrane, malazezi Dervish Haxhiosmanoviç. I pyetur se kë do të evidentonte nga lojtarët e tij në këtë ndeshje, ai ka pohuar pa asnjë mëdyshje vetëm emrin e Doçit: "Doçi, dhe vetëm Doçi, ka qenë lojtari më i mirë i kësaj ndeshjeje. Ai ka qenë më i miri në fushë dhe ka zhvilluar një ndeshje të shkëlqyer," - ka gjykuar malazezi.
Thënë ndryshe, lojtari i krahut të majtë të mbrojtjes dhe
mesfushës shkodrane ka luajtur një 90-minutësh të shkëlqyer ndaj portokallinjve, duke qenë kështu "i adhuruari" i malazezit të stolit kuqeblu. Madje, ky i fundit ka besuar shumë te ky futbollist, ashtu si te disa të rinj të tjerë. Sapo mori në dorë drejtimin e kuqebluve, "Deda" ka vendosur t'i bëjë një vend Doçit në formacionin e parë, ndonëse nuk gëzonte ende formën e duhur fizike. Kjo, ngaqë lojtari "sallaks" ka qenë për njëfarë periudhe (gjatë muajve të verës) në Itali, e për pasojë, me skuadrën ka filluar të stërvitet disi vonë. Pavarësisht nga kjo, Haxhiosmanoviçi i ka dhënë besim të plotë Doçit, duke parë edhe nevojën e skuadrës për një lojtar të tillë në këtë krah.
Përveç lojës së mirë të këtij lojtari, trajneri malazez i shkodranëve evidenton edhe shpirtin e lartë të garës që paraqitën futbollistët e tij në fushë, ndaj portokallinjve. "Të them të drejtën, pas përfundimit të pjesës së parë, kur mbetëm me 10 futbollistë, nuk pata aq shumë besim te skuadra në arritjen e ndonjë fitoreje të mundshme. Dyshimet m'u shtuan më shumë kur Sinani humbi 11 metërshin. Megjithatë, lojtarët, ndryshe nga herët e tjera, treguan karakter të lartë, duke mos e humbur toruan, por duke i shtuar përpjekjet për të shënuar dhe fituar ndeshjen," ka theksuar Haxhiosmanoviçi. Fitorja e parë në kampionat, sipas "Dedës", do t'i vlejë shumë skuadrës për rritjen e anës morale, pikërisht në një kohë që vështirësia e ndeshjeve dhe e garës sa vjen e rritet. "Deda", trajneri i kuqebluve, teksa flet për skuadrën e tij, arrin deri atje, sa thotë që kjo fitore do ta ndihmojë Vllazninë për të punuar në qetësi: "Deri tani, lojtarët kanë qenë shumë të ngarkuar nga ana psikologjike. Prandaj, kjo fitore, përveç rritjes së anës morale të ekipit, do të na ndihmojë edhe për të punuar në qetësi në ditët e ardhshme."
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

TEUTA :

Trajneri i Teutës, i rikthyer me fitore tek ish-skuadra e tij, kërkon më shumë nga "djemtë e detit"

Lika: Më kënaqi rezultati, jo loja

Hasan Lika është ulur sërish në stolin e Teutës dhe, që në ndeshjen e parë, ndaj Lushnjës, ka arritur të fitojë. Sidoqoftë, edhe pse rezultati ka folur bindshëm për skuadrën e tij, trajneri Hasan Lika ka shprehur rezerva për lojën e Teutës. "Mbeta i kënaqur me rezultatin e ndeshjes me Lushnjën, sepse morëm 3 pikë mjaft të vlefshme, por s'mund t'i bëj qejfin vetes duke komplimetuar lojën e skuadrës," - ka thënë Lika në një intervistë për "Sportin shqiptar:
- Lika, jeni rikthyer i suksesshëm në krye të Teutës. Si e vlerësoni fitoren me Lushnjën në "Niko Dovana"?
- Fitorja është fitore dhe gjykimi për të, duke e veçuar nga cilësia e lojës, është i njëjtë. Mendoj se rezultati ishte
rrjedhë logjike e lojës së zhvilluar. Gjithsesi, dua të them se, në të vërtetë, kemi zhvilluar një lojë që nuk më kënaqi aspak si trajner. Më kënaqi vetëm ftorja. Fitorja erdhi si rezultat i rritjes së lojës, veçanërisht në pjesën e dytë, kur futbollistët ditën t'i shfrytëzojnë disa momente të mira që na u krijuan. Lushnja na vuri vazhdimisht në rrezik, si në kohën kur rezultatin ishte 0-0, ashtu edhe kur kishim shënuar golin e parë. Skuadra kundërshtare ishte mjaft kërkuese dhe mund të kishte shënuar përpara nesh. Ndonjëherë fitohet edhe kështu, sikurse fituam ne ndaj Lushnjës, por futbollistët duhet ta kuptojnë se
kanë shumë punë për të bërë. Kjo mënyrë loje, kjo paraqitje individuale, la shumë për të dëshiruar.
- Sa ndryshon kjo Teutë nga ajo e sezonit të kaluar?
- Mendoj se ka ndryshime, sepse kanë ikur disa futbollistë cilësorë, prania e të cilëve ia rriste më shumë vlerat lojës së Teutës. Megjithatë, e kam thënë edhe më parë, që baza e skuadrës ekziston, por na duhet shumë punë për të bërë, për të arritur në nivelin që paraqitëm vjet, në fazën e dytë të kampionatit. Unë shpresoj të ngjitemi edhe më lart, por, e ritheksoj, na mbetet shumë për të bërë.
- Sa ju vlejnë tri pikët e fundit, që ju mbajnë afër kreut?
- Pa dyshim, shumë. Teuta i ka mundësitë të qëndrojë gjithmonë në pozitat e kreut, por jo duke zhvilluar lojëra si ajo me Lushnjën.
- Cilat mbeten objektivat e Teutës në këtë sezon futbollistik?
- Objektivat që Teuta i ka vënë vetes dihen tashmë. Më konkretisht, pretendimi ynë në këtë sezon është të hyjmë në zonën e UEFA-s.
- A keni filluar të mendoni për ndeshjen e ardhshme, ku do të ndesheni me një kundërshtar të një niveli më të lartë?
- Sigurisht që po mendoj. Megjithatë, unë nuk mendoj vetëm për kundërshtarin e radhës, siç mund të jetë Dinamoja, Tirana apo Partizani, por për të gjitha skuadrat e A1-shit. Të gjitha janë të forta dhe mund të të nxjerrin probleme. Ju e patë vetë, edhe Lushnja na vuri shumë në vështirësi.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

FLAMURTARI :

Futbollistët vlonjatë, pas premtimit të fundit të numrit 1 të klubit, janë qetësuar disi

Lila: Jemi me sytë nga presidenti Selami

Eshtë kthyer përsëri në formacionin e Flamurtarit 24-vjeçari Elton Lila. Ish-stoperi i ekipit Shpresa, Lila, ka kaluar një fazë të gjatë riaftësimi, për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale të meniskut, pas dëmtimit të ligamentit. Në ndeshjen ndaj Besës, ai është aktivizuar në rolin e mbrojtësit të majtë, duke u shfaqur në formën më të mirë fiziko-teknike gjatë 90 minutave të lojës. Në intervistën ekskluzive për "Sportin shqiptar, Lila jep mendimet e tij për zgjidhjen e "ngërçit" të krijuar në skuadër nga bojkoti i lojtarëve, komenton ndeshjen ndaj Besën dhe beson tek e ardhmja pozitive e Flamurtarit.
- Lila, jeni aktivizuar në 3 ndeshjet e fundit me Flamurtarin. A ndieni më shqetësime fizike gjatë lojës?
- Fatmirësisht, jo. Realisht kam qenë i shqetësuar për të ardhmen time si futbollist, për shkak të dëmtimit, prandaj jam detyruar të zbatoj një regjim të rreptë sportiv. Falë zotit dhe punës këmbëngulëse në stërvitje kam arritur që, gradualisht, të ndihem mirë fizikisht. Për pasojë, tani po aktivizohem pa asnjë problem në formacionin e Flamurtarit.
- Para ndeshjes me Besën, titullarët kuqezinj i qëndronin bojkotit. Ç'ndodhi në takimin e lojtarëve me Selamin, në orët e vona të mbrëmjes së të premtes?
- Takimi u organizua me kërkesë të presidentit Selami, me synimin që 8 lojtarët që kishin paralajmëruar bojkotin të ktheheshin në fushën e lojës në ndeshjen ndaj Besës. Sikurse dihet, indiferenca e tejskajshme për të zgjidhur problemin financiar ishte shoqëruar me moszhvillimin e ndonjë takimi direk me drejtuesit e bashkisë, apo me presidentin Selami. Presidenti Selami pranoi të takohej me ne të premten dhe, po atë mbrëmje, u dha disa lojtarëve lekët e trajtimit ushqimor për 1 muaj. Të tjerët, sikurse u la në atë takim, do t'i marrin ditën e hënë (sot). Me gjithë këtë lëvizje të Selamit, D. Xhafa dhe disa lojtarë të tjerë nuk lëshuan pe. Kësisoj, Selami u premtoi atyre se, brenda javës, lojtarët do të marrin këstin e parë të kontratave që do të nënshkruajnë. Halli na detyroi të besojmë dhe të presim deri para ndeshjes me Shkumbinin, me shpresën se ndoshta marrim ndonjë lek nga presidenti Selami.
- Le të kthehemi te ndeshja Besa-Flamurtari, që është vlerësuar një ndeshje anemike. Cili është komenti juaj?
- Ashtu ishte vërtet. Loja nuk u ngjit asnjëherë në nivelin e duhur. Skuadrës sonë i mungoi motivimi financiar dhe faktori moralo-psikologjik. Mbrojtja u paraqit reparti më i konsoliduar i skuadrës, ndërkohë që në repartin e mesfushës po evidentohet dukshëm mungesa e lojtarit organizator. Gjithsesi, edhe ndaj Besës, skuadra luajti jo keq. Madje Xhafa, Serjani dhe Vito humbën disa raste goli. Mbi të gjitha, skuadra jonë ka marrë një pikë tepër të vlefshme në trasfertë, që do ta vlerësoja pikë të kthesës.
- A besoni në një të ardhme pozitive të skuadrës, duke iu referuar situatave befasuese të deritanishme?
- Përveç halleve financiare, kundër nesh ka qenë deri diku edhe kalendari i ndeshjeve. Siç dihet, kemi zhvilluar 3 ndeshje jashtë fushës sonë, nga 4 javët e këtij kampionati. Tani e tutje, kalendari është më favorizues për ne.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

TIRANA :

Goleadori bardheblu pranon se po kalon një gjendje jo të mirë psikologjike dhe nuk kërkon të shfajësohet

Fortuzi: Penalltia? Më mungoi fati

E ndien peshën e humbjes së penalltisë, megjithatë nuk kërkon të shfajësohet, kur thotë se penallti kanë humbur edhe lojtarë të mëdhenj. Indrit Fortuzi, sulmuesi kryesor i Tiranës, nuk ka mundur dot ta barazojë rezultatin në minutën e 58-të të shtunën, ndaj Shkumbinit, pas një 11-metërshi të fituar nga Xhafa. Ishte pikërisht portieri vendës Morina, i cili i privoi të drejtën për të shënuar golin e tij të pestë në këtë kampionat falë një grushtimi spektakolar. Megjithatë, gabimin e "Zogut" e kanë korrigjuar shokët e tjerë të skuadrës, të cilët jo vetëm që barazuan, por ditën edhe të kalojnë në avantazh dy herë të tjera. Në një deklarim për "Sportin shqiptar", goleadori më i mirë i kampionëve vitet e fundit pranon se nuk po kalon një gjendje të mirë psikologjike. "Më vjen shumë keq për penalltinë e humbur në Peqin. Në ato momente e kishim mbyllur në disavantazh pjesën e parë dhe u hodhëm të gjithë në sulm në kërkim të golit. Penalltia e fituar nga Xhafa qe e merituar për ne, por nuk e shfrytëzova ashtu siç duhet. Më mungoi fati, gjithashtu më ndëshkoi edhe gjendja psikologjike jo fort e mirë që po kaloj së fundmi. Gjithsesi, dua të falënderoj shokët, të cilët nuk e humbën kurajon dhe luftuan deri në minutën e fundit të ndeshjes për ta fituar atë,"- thotë numri 11 i kampionëve. Penalltia e humbur me Shkumbinin ishte e dyta që Indrit Fortuzi humbet brenda dy muajsh, pas asaj të humbur në Gjeorgji me Dinamon e Tbilisit për Ligën e Kampioneve. Sidoqoftë, ai nuk dorëzohet dhe pranon se 11-metërsha kanë humbur edhe lojtarë të mëdhenj. "Kjo penallti e humbur së fundmi ishte dyta që humbas në një periudhë të shkurtër kohë, pas asaj në Ligën e Kampioneve. Nuk dua të shfajësohem kur them se penallti kanë humbur edhe lojtarë me famë të madhe botërore. Çdo futbollist mund të kalojë periudha të këqija, por, gjithsesi, unë nuk dorëzohem dhe, nëse më jepet sërish mundësia për të gjuajtur 11-metërsha, nuk do të hezitoj të godas,"- bën të ditur 30-vjeçari. Duke lënë mënjanë aspektin personal, Indriti bën edhe një "radiografi" të ndeshjes me peqinasit. Sipas tij, skuadra e Shkumbinit ishte tej mase e mobilizuar për marrjen e pikëve të para në këtë sezon. "Me Shkumbinin e patëm të vështirë, duke qenë se ai nuk kishte asnjë pikë në tri ndeshjet e para. Kemi pësuar një gol që në minutat e para ta lojës dhe më pas e patëm të vështirë të depërtonim. Në pjesën e dytë, zëvendësimet dhe loja sulmuese e krijuar nga ana jonë solli dhe fitoren 3-1. Edhe pse humbëm penallti dhe ishim me një lojtar më pak në fushë, treguam karakterin e fortë të Tiranës. Për këtë javë jemi të vetëm në krye të renditjes dhe ky fakt na jep kënaqësi dhe kurajo për të punuar akoma më shumë. Dy javët e ardhshme do të jenë të nxehta për ne, pasi do të ndeshemi me dy kundërshtarë direktë në luftën për titull, siç janë Vllaznia dhe Partizani. Është momenti më i mirë për të treguar që këto katër fitoret e thella të arritura nuk janë rastësi dhe se jemi skuadra që duhet të mundemi në kampionatin shqiptar,"- i ka dhënë fund deklaratës së tij sulmuesi bardheblu, Indrit Fortuzi.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

SHKUMBINI :

Trajneri i Shkumbinit komenton ecurinë negative të skuadrës që drejton në këto 4 javë kampionat

Deliu: Futbollistët nuk kanë siguri në vetvete

Skuadra e Shkumbinit ka arkivuar humbjen e katërt radhazi në këtë kampionat të ri. Gjithsesi, ndryshe nga tri takimet e para, peqinasit, në ballafaqimin e së shtunës së kaluar, me kampionët në fuqi, treguan rritje të dukshme në lojën e tyre. Në qoftë se nuk do të ishin bërë ato gabime fatale në mbrojtje, skuadra e Tiranës do ta kishte pasur shumë të vështirë marrjen e 3-pikëshit në Peqin. Po çfarë mendimi ka trajneri i Shkumbinit, Luan Deliu, për skuadrën që drejton, pas javës së katërt të kampionatit?
- Zoti Deliu, Shkumbini i ka bërë një nisje jo të mirë kampionatit. Në 4 ndeshjet e para nuk ka marrë asnjë pikë dhe e mbyll e fundit tabelën e klasifikimit. Si e shpjegoni këtë ecuri negative të skuadrës që drejtoni?
- Kjo gjë tashmë është fakt. Askush nga ne nuk e ka çuar nëpër mend që në këto 4 ndeshje do të dilnim pa asnjë pikë. Edhe unë, si trajner, e kisha menduar ndryshe ecurinë e skuadrës që drejtoj. Këtë bindje e kisha bazuar në eksperiencën time të punës, te baza e ekipit, te kontigjenti i futbollistëve dhe te puna dhe përkushtimi i tyre në stërvitje. Për ne, e rëndësishme është të kuptojmë se përse jemi në këtë gjendje, ku pas 4 javësh gjendemi në fund të tabelës, pa asnjë pikë. Duhet të kemi parasysh një gjë: ky ekip është pasuri e qytetit të Peqinit. Për momentin, ai kërkon ndihmë e mbështetje të madhe, e kjo duhet kuptuar drejt. E kam fjalën për anën ekonomike, që mbetet kryesorja. Gjithashtu, mendoj se Shkumbini ka nevojë edhe për një përkrahje më të madhe nga ana e sportdashësve, e cila, për momentin, është e domosdoshme.
- Në stërvitje futbollistët janë të përkushtuar, gjë të cilën nuk po e shohim në fushën e lojës. Si shpjegohet ky fakt?
- Eshtë një konstaktim i saktë, që na ka shqetësuar edhe neve, si staf drejtues. Në stërvitje, skuadra paraqitet ndryshe. Ka pasur më tepër dëshirë e impenjim nga ana e lojtarëve titullarë apo të rinj. Gjithsesi, kjo e ka shpjegimin e vet. Stërvitja ka karakter tjetër, ka të tjera ngarkesa psikologjike. Futbollistët janë më të qetë, më të çliruar, pa emocionet e ndeshjes zyrtare, e cila ka një pamje tjetër, ku kërkohen të shfaqen vlerat e gjithsecilit e të kolektivit. Futbollistët, në këto 4 ndeshje (përjashto ndeshjen me Tiranën) nuk i kanë treguar plotësisht aftësitë e tyre, sepse nuk kanë pasur sigurinë e duhur në vetvete. Për mendimin tim, mungesa e kësaj sigurie ka ndikuar në ecurinë e skuadrës në këto 4 ndeshjet e para. Një rezultat pozitiv do të na nxiste për të treguar si duhet vlerat që kemi. Prandaj, do t'u bëja edhe një herë thirrje të gjithë futbollistëve dhe ekipit në përgjithësi që në fushë të paktën të shfaqin vlerat që kanë.
- Në këto 4 javë, dobësi të theksuara ka shfaqur mbrojtja, por edhe sulmi, që ka shënuar vetëm 2 gola, njërin prej të cilëve me penallti. Si mendoni ta zgjidhni këtë situatë?
- Unë mendoj se i gjithë ekipi nuk ka qenë aty ku duhet dhe ku i ka mundësitë. Kjo sepse, veç arsyeve që përmenda më lart, ekipi ka pasur në qendër të vëmendjes kryesisht anën ekonomike. Pavarësisht kësaj, për mua, si trajner, është e pashpjegueshme një gjë: nga ekipi janë larguar disa lojtarë të kampionatit të kaluar, por njëkohësisht kanë ardhur disa të tjerë, që po ashtu kanë vlerat e tyre. Futbollistët e ardhur nuk i ka marrë njeri me zor. E kanë shfaqur vetë dëshirë për ta veshur fanellën e Shkumbinit këtë vit. Atë dëshirë që ata treguan kur erdhën, le ta demonstrojnë edhe në fushën e lojës. Sidomos në 3 ndeshje e para, këtë gjë nuk e kanë bërë. Kjo gjë, për mendimin tim, shpjegon edhe defektin e lojës së dobët të ekipit dhe të futbollistëve në këto javë, ku kemi pësuar shumë gola, pa qenë në gjendje të shënojmë.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

SHKUMBINI :

Trajneri Deliu: Jam gati të jap dorëheqjen

Takimi i fundit i Shkumbinit me Tiranën, veç humbjes së 3-pikëshit, mund të ketë pasoja të tjera për ekipin peqinas. Pas këtij takimi është lëkundur së tepërmi pozicioni i trajnerit Deliu në stolin e këtij ekipi. Sapo ka përfunduar java e 4-t e kampionatit, me sa duket, edhe një trajner tjetër i A1-shit po bëhet gati për t'u larguar e për të ndjekur rrugën e Zhegës dhe Zallës, të larguar më parë nga drejtimi i Vllaznisë dhe Besës. Në një deklarim për "Sportin shqiptar", vetë trajneri Deliu deklaroi: "Në këto 4 ndeshje të kampionatit kemi pësuar 4 humbje, gjë që nuk është aspak normale për mua. Prandaj, nuk është aspak çudi nëse kërkoj dorëheqjen si trajner i Shkumbinit." Deliu u vu në krye të Shkumbinit dy javë para fillimit të kampionatit, duke zëvendësuar Bicin e larguar te Teuta. Ai pati guximin ta pranojë sfidën e drejtimit të një ekipi me probleme financiare, siç ishte Shkumbini, pas largimit të presidentit Angjeli. Gjatë kësaj periudhe, Deliu, si trajner i ekipit, u përpoq shumë për të formuar një ekip dinjitoz, duke afruar edhe lojtarë të njohur, si Kotorri e Bylykbashi. Gjithsesi, rezultatet ishin të dobëta. Pas 4 javësh, Shkumbini e sheh veten në fund të tabelës së renditjes, pa asnjë pikë. Në takimin e fundit, ekipi bëri një paraqitje mjaft të mirë, ndryshe nga 3 takimet e para, duke luajtur si i barabartë me Tiranën. Mirëpo, pavarësisht lojës së mirë, nisur nga mungesa e rezultatit pozitiv, Deliu, pas 4 takimesh, pohon se do të japë dorëheqjen. Kësisoj, pritet dita e sotme (e hënë) për të parë nëse kjo dorëheqje do t'u paraqitet drejtuesve të klubit apo jo. Gjithsesi, do të jenë këta të fundit që do të vendosin për këtë gjë. Këtë e pranon edhe vetë Deliu, i pyetur nga "Sporti shqiptar": "Pas këtyre rezultateve negative, është e natyrshme që të marr këtë vendim, duke i kërkuar dorëheqjen klubit. Pastaj, është e drejtë e drejtuesve që ta shqyrtojnë e të vendosin për të," - sqaron Deliu.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

BESELIDHJA : 'A2'

Një nga drejtuesit e ekipit deklaron se 11-metërshi ishte i padrejtë

Besëlidhja, e pakënaqur me gjykimin

Dashamirës të shumtë të futbollit lezhjan kanë qenë kureshtar për të mësuar më shumë për lojën e skuadrës së zemrës ndaj Tomorit në Berat. Me thënë të vërtetën, nuk e kishin parashikuar lojën e bukur dhe efektive të Besëlidhjes në stadiumin e Beratit. Kjo jo se nuk kishin besim te skuadra dhe stafi i saj, por u kishte mbetur "gozhdë" ajo humbje e një jave më parë në Lezhë me Laçin. Në intervistën për "Sportin shqiptar", zëvendëstrajneri Hasan Hoxha, midis të tjerash, shpreh pakënaqësinë ndaj gjyqtarit Çekaj.
- Çfarë ka korrigjuar Besëlidhja në Berat, krahasuar me një javë më parë?
- Në Berat ndoshta bëmë më pak volum loje, krahasuar me një javë më parë, por ishim më efektivë në veprimet tona si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Ne dominuam lojën në të gjitha drejtimet. Goli i shënuar shpejt na çliroi dhe ne vazhduam të sulmojmë, duke shfrytëzuar edhe hapjen e vendësve në mbrojtje. Për pasojë, shënuam edhe golin e dytë, që për ne ishte goli i sigurisë. Beratasit e pranuan humbjen, por një një gjë të tillë nuk e pranoi gjyqtari, i cili, megjithëse kishte lajmëruar 2 minuta shtesë për pjesën e parë, kishte vendosur të mos e çonte ekipin vendës në dhomat e zhveshjes me diferencë të tillë. Prandaj e zgjati këtë pjesë loje, derisa sajoi një penallti-fantazëm, që vetëm ai e di se pse na ndëshkoi në atë mënyrë. Trajneri Lorenci, në pushim të pjesës së parë, ka këmbëngulur në qetësimin e skuadrës së shokuar nga padrejtësia e Çekajt. Perloshi tregoi se ishte truri dhe motori i skuadrës. Por edhe shokët e tjerë ishin në mbështetje të tij, qoftë Volumi, Lika, Bruka dhe i riu Marlota. Pra, mendoj se korrigjuam disiplinën taktike dhe forcën e kolektivitetit. Dua të shtoj dhe të falënderoj publikun beratas, futbollistët vendës për mikpritjen, korrektesën e çdo gjë që pamë e jetuam për 24 orë në Berat.
- Çfarë nuk eci në ekip, që rezultati u kthye nga 0-2 në 2-2?
- Së pari, ishte penalltia e padrejtë e Sokol Çekës. Së dyti, ishte një gabim i vendosjes së portierit tonë në portë. Megjithatë, ne edhe pas barazimit të beratasve synuam të shënojmë. Perloshi humbi disa raste, madje ai goditi edhe traun e portës beratase.
- Mendimi juaj për ndeshjen e radhës, me Bylisin?
- Në Lezhë do të bëjmë kthesën e plotë. E vlerësojmë kundërshtarin për ecurinë e deritanishme. Por edhe ne kemi synimet tona. Kemi gabuar një herë në Lezhë, prandaj duhet të fitojmë, pasi nuk ka alternativë tjetër për ne që të realizojmë objektivat për në A1. Besoj se edhe sportdashësi do të na mbështetë, sepse ia kemi ngrohur sadopak zemrën. Rëndësi ka që moralisht skuadra ka gjendje shumë të mirë.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

LUFTETARI : 'A2'

Organizatori i ekipit gjirokastrit vlerëson disa nga rezultatet e fundit

Dhima: Luftëtari po funksionon mirë

Gjergji Dhima, 18 vjeç, është një ndër futbollistët gjirokastritë me të dhëna premtuese. Ai është përfshirë me ekipin e të rriturve të Luftëtarit që nga sezoni i kaluar. Ky pjesëtar i ekipit kombëtar të moshave, në dy ndeshjet e fundit në Gjirokastër, kundër Bylisit dhe Erzenit, la përshtypje të mira. Në intervistën për "Sportin shqiptar", futbollisti Dhima tregon përshtypjet e para në këtë fillim sezoni.
- Cili është mendimi juaj për Luftëtarin?
- Luftëtari, kryesisht, përbëhet nga djem të rinj. Në ekip kemi dy "shtylla", Çonin dhe Mihon, me një përvojë të gjatë në repartin e mbrojtjes. Pra, në tërësi, jemi një ekip pa përvojën e duhur, por ajo që është më shqetësuese është se nuk kemi ende president. Megjithatë, nga ana profesionale jemi përgatitur dhe besoj se do të nxjerrim një kampionat të mirë.
- Po për ndeshjen me Erzenin, cili është komenti juaj?
- Ndeshja u komandua nga ne dhe fitorja ishte e pastër, e merituar dhe u arrit me një lojë plotësisht korrekte. Duhet thënë po ashtu se ajo erdhi pas fitores të së mërkurës me Bylisin, gjë që tregon se loja e ekipit tonë po krijon një fizionomi të pëlqyeshme.
- Jeni ndër organizatorët kryesorë të ekipit. Si e përjetoni këtë rol?
- Futbolli është lojë kolektive dhe një skuadër e arrin suksesin nëse, sikundër është thënë, punon si një makinë perfekte çdo pjesë e saj. Kështu, nëse loja e organizatorit stonon, kjo do të jetë me pasoja të rënda, veçanërisht për sulmin. Ndaj unë, në çdo ndeshje përpiqem të jap maksimumin për të ndërtuar aksionet sulmuese. Dita ditës fitoj përvojë dhe shpresoj të përmirësohem më shumë, sepse jam në fillimet e mia.
- Si e parashikoni vazhdimin e kampionatit?
- Tani kemi dy ndeshje rresht jashtë fushe. Rezultatet e tyre, kam mendimin se do të ndikojnë shumë për gjithë ecurinë e mëtejshme të ekipit tonë. Jo vetëm dëshiroj, por parashikoj, mbështetur në ecurinë e deritanishme, se do të arrijmë rezultate të pëlqyeshme.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

ERZENI 'A2'

Erzeni, kthesa fillon ndaj Laçit

Pas dy humbjeve radhazi në kampionatin e Grupit A2 dhe eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, situata për Erzenin duket e amullt. Megjithatë, ish-presidenti Astrit Hoxha, i cili është rikthyer si sponsor, për "Sportin shqiptar" do të deklaronte se gjithçka është e përkohshme dhe se, duke filluar që nga java e ardhshme, Erzeni do të ndryshojë, duke rritur pretendimet që e çojnë në Grupin A1. Sipas Hoxhës, çelësi i zgjidhjes do të jetë asambleja që do të zhvillohet ditën e hënë, ku do të zgjidhet edhe presidenti. Pas kësaj asambleje, problemet financiare dhe ato organizative do të zgjidhen përfundimisht. Shpresohet që Erzeni do të hyjë në shtratin e duhur dhe pranë tij do të afrohen disa futbollistë për të fuqizuar ekipin. Gjithashtu, në krye të stolit shijakas do të vijë një emër i njohur i futbollit shqiptar. Shijakasit kërkojnë ta fillojnë gjithçka për së mbari nga ndeshja e ardhshme me Laçin, ku Erzeni do të fillojë kthesën e shumëpritur. Në asamblenë që pritet të zhvillohet mbrëmjen e së hënës do të marrin pjesë, veç anëtarëve aktualë, edhe disa emra të tjerë të njohur të futbollit dhe biznesit shijakas, të cilët do të zgjedhin presidentin e ardhshëm.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

TOMORI : 'A2'

Tomori: I fortë jashtë, i dobët në Berat

Pas barazimit me Besëlidhjen në fushën e saj, skuadra beratase ka "shokuar" veten dhe sportdashësit. Kjo për faktin se nuk është hera e parë që Tomori fiton jashtë, apo humbet dhe barazon brenda. Rasti më i fundit është takimi i parë, kur djemtë bardhezinj fituan bindshëm në "Loro Boriçi" ndaj Veleçikut dhe barazuan në javën e dytë në Berat, ndaj Besëlidhjes, e cila në javën e parë humbi në fushën e saj me skuadrën e Laçit. Pikërisht barazimi me lezhjanët, i cilësuar si humbje, ka bërë që drejtuesit e skuadrës të analizojnë dhe të gjejnë të metat. Trajneri Theodhori Arbri, i tronditur nga barazimi, pranon se skuadra po kalon një "shok" psikologjik në ndeshjet brenda fushës dhe se luan më e çliruar jashtë saj. Sipas tij, në ndeshjen me Besëlidhjen, skuadra u shokua nga autogoli dhe më pas nga epërsia 2-0. "Gjithsesi,- vazhdon ai - barazimin me lezhjanët ne do ta analizojmë si humbje, me qëllim që të reflektojmë në ndeshjen e kupës me Çlirimin dhe atë të kampionatit me Egnatian në Peqin. Skuadra po shfaq dobësi gati në të gjithë sektorët, sepse ende nuk është stabilizuar formacioni." Për Arbrin, dëmtimi i lushnjarit Xhema, i cili nuk do të luajë as në takimin me Egnatian, i ka prishur shumë punë në mesfushë. Arbri, shpreh opinionin edhe për gjykimin, i cili, sipas tij, në ndeshjen me Besëlidhjen la shumë për të dëshiruar. "Nuk e kuptoj se përse Lezha apo Shkodra duhet të gjykohen nga gjyqtarë laçianë, apo lezhjanë,"- thotë trajneri beratas, Theodhori Arbri. Futbolli ndaj është i bukur, sepse çdo takim është provim. E rëndësishme është që problemet e skuadrës beratase janë në riparim e sipër.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

EGNATIA : 'A2'

Trajneri i Egnatias mendon se forcën e laçianëve do ta provojnë edhe rivalët e tjerë

Branica: Barazimi në Laç s'është pak

Egnatia arrin të marrë vetëm dy pikë në dy takimet e para. E veçanta e këtyre dy javëve për të qëndron te golat e pakët të shënuar. Edhe pse me emra të shquar, sipas trajnerit Branica, disa prej tyre janë ende larg formës optimale fizike. Nëse ndaj Laçit u luajt mirë, kur dihen tashmë blerjet te Laçi, gjithsesi 2 pikët e deritanishme nuk janë një start që pritej. Në intervistën për "Sportin shqiptar", trajneri Branica analizon ecurinë e deritanishme të ekipit të tij.
- Dy pikë në dy takime. Një fillim zhgënjyes, apo jo?
- Vërtet që janë dy pikë, por mos harroni se, nëse ndaj gjirokastritëve gabuam, kjo s'mund të thuhet ndaj Laçit. E them këtë, pasi barazimin në Laç e quaj sukses dhe për këtë do të bindeni kur të shihni kundërshtarët tanë se ç'do marrin. Mos harroni se Laçi ka kryer një merkato të fuqishme.
- Mos vallë dëshironi të justifikoni dobësitë e ekipit tuaj?
- Çdo ekip ka dobësitë e veta, dhe asnjëherë s'e kam thënë se ne jemi pa asnjë gabim. Për shembull, unë jam i pakënaqur nga sulmuesit për formën e tyre fizike, të shfaqur në dy takimet e para. Më duhet gjithashtu të pranoj se kemi qenë pa fat me dëmtimet e futbollistëve. Konkretisht, ndaj Laçit, Simaku, Sufaj dhe Pipa luajtën me injeksione, shto këtu edhe Koten e Zenelin të dënuar. Me gjithë këto, nuk mund të justifikohem, pasi, po e përsëris, kishim përballë Laçin e përforcuar.
- Atëherë si e gjykoni konkretisht lojën e Egnatias ndaj Laçit, pavarësisht nga dëmtimet e deklaruara?
- Unë si trajner jam i kënaqur nga loja e ekipit. Nëse në pjesën e parë ishim të detyruar të frenonim vrullin e vendësve (kjo ndodh kudo) në të dytën reaguam dhe iu afruam dy-tre herë golit. Nëse nuk shënuam, kjo edhe për shkak të përgatitjes së pamjaftueshme fizike të sulmuesve. Ata erdhën me vonesë në ekip dhe janë pa fazë përgatitore, por shpresoj me stërvitje të kapin formën e kërkuar. Për repartet e tjera s'kam vërejtje, pasi ata kryen detyrat që u kisha ngarkuar.
- Flisni për sulmuesit, kur në stol keni 19-vjeçarin Kashari, autor i 5 golave në kupë. Ç'po ndodh me të?
- Mendoj se A2-shi dallon shumë nga ish-liga e dytë, ndaj më duhet t'u besoj lojtarëve me përvojë. Kashari është i ri dhe, që të jem realist, s'mund të aktivizohet para Jakupit, Ymerit e Simakut. Kampionati është i gjatë dhe Kashari do të ketë mundësi të luajë dhe kam besim te talenti i tij, përndryshe nuk do ta kisha rezervën e parë në sulm. Me Kasharin, Durin, Bilicën, etj., në stol, Egnatia ndihet më i sigurt.
- Përfundimisht, kur do ta shohim, sipas jush, fytyrën e vërtetë të Egnatias?
- Tifozët tanë duhet të kenë besim më të madh te ne. Unë dhe ekipi nuk do t'i zhgënjejmë. Egnatia do të luajë ndaj Tomorit në Rrogozhinë, ndaj shpresojmë të shënojë dhe fitoren e parë dhe bashkë me të edhe kthesën e shumëpritur. Ne kemi qenë, jemi e do të jemi pretendentët kryesorë për t'u ngjitur në A1. Ky është jo vetëm besimi im, por i gjithë stafit dhe i lojtarëve tanë.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

KOMBETARJA 'U19'

Trajneri Ramadan Shehu shpall listën përpara ndeshjeve miqësoreve

U-19, miqësore në Kosovë

Trajneri i përfaqësueses së 19-vjeçarëve të Shqipërisë, Ramadan Shehu, ka publikuar dje listën e futbollistëve të cilët i ka grumbulluar për miqësoret që kjo skuadër do të zhvillojë në Kosovë. Sipas Shehut, ekipi do të luajë dy ndeshje në fillin me skuadrën e Pejës dhe më pas në Prishtinë me kombëtaren e Kosovës, ose me 21-vjeçarët. Por ndeshja e dytë gjithsesi mbetet për t'u saktësuar. Shehu është shprehur se ekipi që do të niset të martën në drejtim të Kosovës, përbëhet nga 19 futbollistë të kësaj moshe, ndërkohë që të gjithë lojtarët gëzojnë një formë të mirë sportive. Trajneri i 19-vjeçarëve në konferencën e improvizuar ka shprehur objektivat për këto ndeshje miqësore. "Ideja është që unë si trajner të njihem me futbollistët e ekipit dhe të mundohem të seleksionoj elementët më të mirë për Evropianin e Kroacisë, i cili do të zhvillohet në fund të tetorit", - është shprehur Shehu. Trajneri i kësaj përfaqësueseje më pas ka thënë se për këtë moshë është shumë e vështirë që të gjenden portierë dhe ky është një nga repartet ku ka mangësira ky ekip. Gjithsesi, sipas tij, skuadra është e mirë dhe me të ardhme. Ndërkohë që 19 futbollistët e grumbulluar për ndeshjet miqësore në Kosovë janë këta:

Portierë: Mario Bytyçi, Genti Tafaj
Mbrojtës: Tefik Osmanaj, Erion Dushkaj, Andi Lila, Aurel Kurti, Emiliano Çela, Lubin Baçi, Florian Peqini
Mesfushorë: Besmir Shabani, Emiliano Veliaj, Gjergji Dhamo, Shkëlzen Kelmendi, Iris Xhihani
Sulmues: Sabino Plaku, Vangjel Mile, Gerti Qilaku, Besmir Arifaj, Mateo Metani
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

KATEGOTIA E DYTE :

Memaliaj vlerëson Lushnjën

Sfida memaliote e së mërkurës së kaluar, në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, ndërmjet Memaliajt dhe Lushnjës, u zhvillua në një atmosferë tepër festive. Ekipi i Memaliajt zhvilloi një lojë të bukur, duke pasur parasysh kundërshtarin që kishte përballë si dhe ambiciet e tij për të qenë një ekip pretendent për fitimin e kupës. Për këtë arsye, edhe rumuni Cikleanu i Lushnjës kishte ardhur në këtë takim me formacionin e tij bazë për ta siguruar kualifikimin që në Memaliaj. Kjo gjë u pa edhe nga drejtimi i Cikleanut, i cili gjatë gjithë takimit i udhëzonte lojtarët, ndonëse ishin në fitore, të shënonin dhe të sulmonin më shumë. Pas takimit, trajneri Cikleanu do të shprehej me fjalët më të mira për mikpritjen dhe lojën tepër korrekte të vendësve. Ai u befasua nga fusha dhe nga terreni i shkëlqyer, ku të gjithë lojtarët e tij kishin dëshirë të aktivizoheshin. Këtë terren, sipas Cikleanut, do ta kishin zili edhe në Lushnjë. Gjithashtu, me konsideratë më të lartë, ai foli për ekipin vendës, i cili është një ekip i ri që premton për të ardhmen. Ekipi lushnjar, në këtë takim, u paraqit një ekip me ambicie, i cili me meritë ndodhet në A1, ku ka shumë elementë që janë profesionistë dhe në kampionat do të paraqiten denjësisht.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

KATEGOTIA E DYTE :

Fushë-Mbreti fitoi përvojë me Partizanin
Megjithëse ekipi modest Fushë-Mbreti ka humbur thellë në ndeshjen e parë të turit të dytë të kupës me ekipin e Partizanit, drejtuesit e elbasanasve kanë mbetur të kënaqur me nivelin e lojës së zhvilluar nga futbollistët e tyre. Trajneri i Fushë-Mbretit, Besnik Bashalliu, u shpreh pas këtij takimi se ekipi i tij e dha maksimumin e mundshëm në fushën e stadiumit "Ruzhdi Bizhuta", përballë Partizanit. "Nëse do të merret parasysh fakti se Fushë-Mbreti dhe Elbasani përfaqësojnë në futbollin shqiptar ekipe me disnivele të dukshme, gjithkush do ta vlerësojë nivelin e lojës së prezantuar nga ekipi ynë në këtë ndeshje,"- u shpreh trajneri Bashalliu. Për Fushë-Mbretin, ndeshja me Partizanin është vlerësuar si një eksperiencë e madhe, që do të vlejë mjaft për të ardhmen.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

KATEGOTIA E DYTE :

Cërriku, humbje dinjitoze me Tiranën

Humbja me rezultatin 3-0 e Cërrikut ndaj Tiranës për kupë, nga drejtuesit e cërrikas është vlerësuar tepër dinjitoze. "Ne arritëm ta përballojmë sulmin e fuqishëm të bardhebluve deri në fundin e pjesës së parë,"- i deklaroi "Sportit shqiptar" trajneri E. Bellshi.- Ne kemi një ekip simpatik, me një grup futbollistësh cilësorë dhe pretendojmë të kryesojmë në grupin ku bëjmë pjesë në kampionatin e inferiorëve. Me lojën që zhvilloi skuadra e Cërrikut, si staf drejtues i tij, jemi mjaft të kënaqur. Ne kishim përballë një nga "superfuqitë" e futbollit shqiptar, që bën ligjin në fushë edhe me skuadrat më të mira të kampionatit tonë. Interesimi i jashtëzakonshëm i sportdashësve cërrikas në takimin Cërriku-Tirana besojmë se është justifikuar me atë që dhanë futbollistët tanë në këtë ndeshje,"- theksoi Belshi.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

VLLAZNIA :

Rakiqi: "Kthesa tek Vllaznia sapo ka nisur"

Kthesa sapo ka nisur tek ekipi i Vllaznisë së Shkodrës. Kështu është shprehur ndihmës trajneri i ekipit kuqeblu, Esat Rakiqi. Ai shton se, fitorja e arritur të shtunën ndaj Elbasanit (1-0) ka rritur besimin tek te gjithë lojtarët. "Ndryshe nga tre takimet e para të kampionatit, ku kemi zhvilluar ndeshje të dobëta dhe pa nivel, të shtunën lojtarët tanë kanë treguar një shpirt të lartë gare dhe dëshirë për fitore, thotë Rakiqi. Duhet pranuar se nuk kemi patur fat, kemi humbur shumë raste shënimi, si dhe një penallti nga sulmuesi ynë, Sinani". Sipas tij, me këtë fitore duket se kriza e ekipit ka marrë fund. "Me këtë fitore nis kthesa e shumëpritur nga të gjithë, vazhdoi ai. Ndaj Elbasanit të gjithë futbollistët treguan një përgatitje të mirë fizike dhe tekniko-taktike, çka na bën optimistë për takimet e tjera të radhës. Unë jam i bindur se tek Vllaznia tani gjërat kanë ndryshuar. Ne i kemi të gjitha mundësitë për të qënë ndër ekipet më të mira të vendit",- ka përfunduar Rakiqi.
 

AlbiD

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

o Alesio ti mos bej copy paste artikujt e gazetave ktu se ato i lexojm ne gazeta ne, gjej ne nje lajm qe seshte ne internet ose ne nje gje tjeter.
 

Alesio1

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Kampionati kombetar (A1) Java 15

Rezultatet

Flamurtari 1-2 Vllaznia
Lushnja 0-1 Dinamo Tirana
Elbasani 1-1 Teuta
Tirana 1-0 Partizani
Besa 1-0 Shkumbini

Renditja

1 Tirana 15 N 11 F 2 B 2 H 39-16 35 Pike
2 Partizani 15 9 3 3 27 12 30
3 Teuta 15 8 5 2 24 14 29
4 Dinamo Tirana 14 8 4 2 22 11 28
5 Vllaznia 14 6 2 6 22 23 20
6 Lushnja 15 5 2 8 11 20 17
7 Elbasani 15 3 6 6 20 19 15
8 Besa 15 4 3 8 11 23 15
9 Shkumbini 15 2 3 10 9 31 9
10 Flamurtari 15 2 2 11 13 29 8
 
Top