Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

PARTIZANI :

Klodian Duro, "peng" i federimit

Ndonëse blerja e Klodian Duros ka dhënë efektet e para pozitive në klubin "Partizani", sot mesfushori i kombëtares nuk dihet nëse do të luajë apo jo ndaj Dinamos, për shkak të federimit me të kuqtë. Ndonëse Duro nuk është paraqitur dje në stërvitje, drejtuesit e klubit të kuq po bëjnë të gjitha përpjekjet që lojtari në fjalë të jetë i gatshëm që sot të aktivizohet, për arsye se ka një interes të jashtëzakonshëm edhe nga ana e tifozëve. Megjithatë, për këtë problem, fjala e fundit u takon drejtuesve të FSHF-së. Ndërkohë, tifozët e Partizanit i kanë shtuar menjëherë radhët, duke besuar tek aftësitë e Duros, i cili pritet të udhëheqë të tjerët në arritjen e objektivit kryesor të të kuqve, titullit kampion, që u mungon kryeqytetasve të kuq prej një dekade të tërë. Kësisoj, shumë tifozë të Partizanit kanë qenë të interesuar për futbollistin e kombëtares sonë, nëse do të luajë sot ndaj Dinamos apo jo, por një gjë e tillë do të vërtetohet vetëm në fillim të derbit të shumëpritur. Drejtuesit e klubit theksojnë se po bëjnë të gjitha përpjekjet që Duro të federohet sa më shpejt dhe për këtë kërkojnë edhe ndihmën e drejtuesve të FSHF-së, që, sipas tyre, nuk kanë pse të nxjerrin pengesa për të mirën e vetë futbollit shqiptar.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Mesfushori fierak mendon se Dinamoja nuk do të gabojë në takimin e sotëm me Partizanin

Poçi: Dua të shijoj fitoren e një derbi

Blutë do të luajnë sot në stadiumin "Qemal Stafa" derbin e parë të këtij kampionati, ku përballë do të kenë ekipin e Partizanit. Dinamoja vjen pas tri fitoresh në javët e para dhe të njëjtën gjë do të kërkojë ta bëjë edhe sot ndaj të kuqve të kryeqytetit. Stafi teknik i ekipit dhe të gjithë futbollistët besojnë shumë te një sukses i mundshëm në takimin e sotëm, çka do të bënte të mundur shkëputjen me pikë nga një rival direkt në luftën për titullin.
Mesfushori dinamovit Artion Poçi, i cili erdhi te blutë gjatë merkatos së verës, do të provojë sot për herë të parë shijen e një ndeshjeje derbi. Dhe si për herë të parë, futbollisti fierak kërkon ta fillojë me fitore. Ish-lojtari i Apolonisë pohon se Dinamoja synon vetëm titullin kampion, kështu që çdo ndeshje do të përpiqet ta fitojë. Në deklaratën e tij për "Sportin shqiptar", Poçi është shprehur:
"Eshtë hera e parë për mua që luaj një ndeshje derbi në kampionat, prandaj dua ta filloj mbarë. Dihet që takimet derbi janë gjithmonë të vështira, ku secila skuadër jep maksimumin, duke kërkuar vetëm fitoren. Partizani është ekip i fortë dhe në këtë ndeshje vjen me të njëjtat synime, ashtu si edhe ne. Vetëm pak ditë më parë, ky ekip është përforcuar me një lojtar të kombëtares sonë, duke treguar qartë synimet që ka në këtë sezon. Mendoj se do të jetë me të vërtetë një spektakël nesër në "Qemal Stafa", ku, natyrisht, tifozët do të bëhen protagonistë të këtij spektakli. Dinamoja ka rastin më të mirë për të treguar sot se është pretendente kryesore për titullin kampion, pasi në tri javët e para është ndeshur me skuadra relativisht të dobëta. Ekipi është plotësisht i përqendruar, ndaj kemi besim se do ta kalojmë me sukses provën e sotme. Fatmirësisht, nuk kemi probleme për sa u përket dëmtimeve, ndërsa shpresojmë të kemi edhe pak fat në lojë. Duam t'i kënaqim sa më shumë të gjithë tifozët e Dinamos, duke u dhuruar fitoren e katërt radhazi në kampionat."
Ndërkohë, për sa i përket vazhdimësisë së kampionatit, Poçi mendon se gjithçka do të varet nga ndeshjet direkte mes skuadrave të kryeqytetit. Sipas tij, përveç Tiranës e Dinamos, të cilat pas tri javësh janë me pikë të plota, edhe Partizani konsiderohet një ekip pretendent.
"Tirana dihet që është rivalja jonë kryesore, por edhe Partizani nuk duhet nënvlerësuar absolutisht. Ai ka luajtur tri ndeshje të vështira dhe nuk ka humbur asnjë prej tyre. Kështu, e theksoj edhe njëherë se do të kërkojmë vetëm fitoren sot, sepse edhe barazimi nuk do të na linte të kënaqur, duke pasur parasysh që Tirana do të luajë një ndeshje të lehtë në Peqin." Me këto fjalë e ka mbyllur mendimin e tij mesfushori i Dinamos Artion Poçi.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Marko përzgjedh anti-Partizanin

Dje paradite, skuadra e Dinamos ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore para ndeshjes së sotme me Partizanin. Trajneri Andrea Marko dhe ndihmësit e tij, Zhupa e Bozhiqi, i kanë kushtuar më shumë rëndësi anës tekniko-taktike. Në fund të seancës, tekniku i bluve ka veçuar edhe 18 futbollistët që do të ketë të gatshëm për derbin e sotëm, të cilët janë: Lika, Pisha, Xhafa, Gallo, Dervishi, Bakalli, Ahmataj, Dhëmbi, Poçi, Qosa, Qorri, Ziambo, Xhihani, Ishka, Gjika, Çipi, Kaseke e Kalari. Sipas Markos, formacioni i parë do të përcaktohet në momentet e fundit para ndeshjes, por parashikohet të luajë po ai 11-tësh që fitoi javën e kaluar ndaj Vllaznisë. Ndërkohë, portieri Ilion Lika, i cili gjatë javës është stërvitur në mënyrë të diferencuar, duket se do të luajë sot ndaj Partizanit. I sigurt është aktivizimi në mbrojtje i Xhafës, të cilin trajneri Marko e ka lënë pushim në takimin e mesjavës. Për një vend në mbrojtje do të luajnë Dervishi e Gallo, ndërsa nuk dihet se kush do të jetë partneri i Ziambos në vijën e parë të sulmit, Xhihani apo Ishka.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Tekniku i kampionëve nuk i nënvleftëson peqinasit dhe kërkon maksimumin nga skuadra

Mema: Me Shkumbinin s'do ta kemi të lehtë

Në prag ndeshjen e sotme ndaj Shkumbinit për javën e katërt të kampionatit, trajneri i Tiranës, Sulejman Mema, parashikon një betejë të vështirë. Edhe pse peqinasit po kalojnë një moment të keq, ku në tri takime kanë koleksionuar tri humbje, Mema është i ndërgjegjshëm se ndeshja nuk do të jetë aq e lehtë sa duket në letër. Në një deklarim për "Sportin shqiptar", tekniku i suksesshëm kërkon nga skuadra përqendrim dhe një lojë sa më të rrjedhshme për vetë kushtet e fushës. "Me Shkumbinin nuk do ta kemi aq të lehtë sa duket. Ne vijmë pas tri fitoreve rresht, ndërsa me ata ka ndodhur e kundërta, çka do të thotë se ndeshja do të ketë një shkallë vështirësie të lartë. Peqinasit, ndaj nesh do të përpiqen të japin maksimumin, duke qenë se do të kenë edhe mbështetjen e tifozerisë së tyre të zjarrtë. Na duhet të jemi të gatshëm për çdo epsiod të lojës,"- shprehet njëshi i stolit bardheblu. Fusha e skuadrës së Shkumbinit momentalisht gëzon një gjendje shumë të mirë, në krahasim me ato të skuadrave të tjera dhe kjo është një ndër arsyet që në këtë ballafaqim pritet të dhurohet spektakël dhe emocion. Një gjë të tillë do ta kërkojë edhe trajneri i Tiranës, i cili deklaron: "Fusha e Peqinit ka një gjendje të mirë dhe të lë të luash futboll të bukur. Do t'i kërkoja ekipit që si synim, përveç marrjes së tri pikëve, të ketë edhe lojën e rrjedhshme dhe me kombinacione. Është mënyra më e mirë për të kënaqur në radhë të parë veten tonë, por edhe tifozët që do ta në ndjekin nga Tirana." Për sa i takon infermierisë, të vetmit që kanë probleme dëmtimi janë Nevil Dede dhe Sokol Prenga. Trajneri Mema shprehet se pjesa tjetër gëzon formë të mirë dhe do të jetë e gatshme për ndeshjen e sotme. "Me përjashtim të Dedes dhe Prengës, pjesa tjetër e futbollistëve po kalon formë të mirë fizike dhe teknike, duke e treguar gjatë gjithë javës, si dhe në ndeshjen e parë të kupës me Cërrikun. Shpresoj të vazhdojmë kështu edhe në të ardhmen, pasi deri tani jemi në rrugë të mbarë,"- i ka dhënë fund deklarimit trajneri i Tiranës, Sulejman Mema.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Bardheblutë marrin shpërblimin e UEFA-s

Këtë fillimjavë, në adresë të klubit "Tirana" është livruar shuma prej 80 mijë frangash zvicerane, e cila ka të bëjë me pjesëmarrjen e Tiranës sezonin e kaluar në Kupën UEFA. Sipas drejtuesve bardheblu, kjo shumë e përfituar konsiston në faktin që skuadra ka marrë pjesë në një veprimtari evropiane dhe nuk merret parasysh fakti nëse nuk e ka kaluar turin. Gjithashtu, ata bëjnë të ditur se është si rregull që shuma frangave të përfituara livrohet gjithmonë një vit me vonesë. Në këtë mënyrë, dje, në xhepat e futbollistëve është futur një shumë jo e vogël, të cilat klubi ua pati premtuar dhe ua shleu. Kështu, lojtarët që luajtën si titullarë në të dy ndeshjet ndaj Nacionalit të Bukureshtit, përfituan afërsisht 100 mijë lekë të reja. Ndërkohë, pjesa tjetër, që e nisi takimin nga stoli, përfitoi diçka më pak. Dje, përpara seancës së fundit stërvitore, lojtarët janë parë të futnin nëpër çanta zarfet me lekë, madje kanë qenë ata që e kanë deklaruar shumën e marrë për "Sportin shqiptar".
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Tirana: Vëmë bast për "X" në derbi

Java e katërt e kampionatit, që do të startojë këtë të shtunë, do të rezervojë dy takime të rëndësishme për ecurinë e skuadrave në krye të klasifikimit. 20 herë kampionët do të udhëtojnë drejt Peqinit, ku do të ndeshen ndaj ekipit vendës të Shkumbinit. Ndërkohë, me shumë interes pritet të jetë edhe derbi ndërmjet Partizanit dhe Dinamos. Janë kampionët bardheblu, të cilët shpresojnë shumë që ky takim rivalësh kryeqytetas të mbyllet të paktën me një barazim, ku më pas Tirana, nëse fiton në Peqin, të shkëputet ndjeshëm në klasifikim. Madje njëri prej lojtarëve të Tiranës, dje, me të qeshur, është shprehur: "Fizikisht do të jemi në fushë me Shkumbinin dhe mendjen do ta kemi në "Qemal Stafa" për derbin. Në këtë mënyrë, bardheblutë e konsiderojnë një fitore të padiskutueshme atë ndaj peqinasve dhe janë gati të vënë bast për "X" në duelin kuq dhe blu.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Futbollistët e Shkumbinit, të vendosur për të dhënë maksimumin në përballjen me kampionët në fuqi

Merxha: Nuk kemi çfarë të humbasim

Sot, skuadra e Shkumbinit do të ketë "provën e zjarrit" ndaj një kundërshtari tepër potent, siç është Tirana kampione. Pra, Shkumbini i vendit të fundit, pa asnjë pikë, do të ketë përballë Tiranën e plotfuqishme, me pikë të plota. Megjithatë, vendësit do të synojnë të rehabilitohen disi pas atij fillimi të keq të kampionatit dhe shpartallimit të një jave më parë në Elbasan. Njëri nga pjesëtarët e kampit peqinas, mesfushori Eriol Merxha, mendon se rezultatet e arritura nga Shkumbini në këto 3 javë kampionat nuk pasqyrojnë gjendjen reale dhe forcën e vërtetë të ekipit. "E kemi nisur mjaft keq kampionatin e ri. Sidoqoftë, s'mund të thuash se këto rezultate pasqyrojnë gjendjen reale të ekipit," - shprehet mesfushori Merxha, i cili ka besim se shumë shpejt gjendja në kampin peqinas do të ndryshojë për mirë. Këtë besim ai e bazon te puna që po bën trajneri Deliu dhe te kontigjenti i futbollistëve që ka Shkumbini. Sipas Merxhës, te kjo gjendje jo e mirë, veç anës ekonomike të klubit, ka ndikuar edhe kalendari jo i favorshëm për skuadrën e tij në këtë fillimkampionati. Shkumbinin, shorti e ka vënë përballë ekipeve më të mira të kampionatit që në fillim. Kësaj skuadre i është dashur të përballet me Teutën, Elbasanin, Dinamon dhe Tiranën kampione, çka e ka nxjerrë duarbosh në tri javët e para të kampionatit. Gjithsesi, shorti jo i favorshëm, për mesfushorin Merxha, s'mund ta justifikojë lojën e dobët të skuadrës së tij dhe pësimin e shumë golave, siç ka ndodhur në dy ndeshjet e fundit me Dinamon e Elbasanin. Për takimin me Tiranën, Merxha mendon se ekipi i tij do të bëjë më të mirën. "Eshtë një ndeshje mjaft e vështirë, sepse përballë do të kemi Tiranën. Edhe pse jemi të vetëdijshëm për forcën e bardhebluve, nuk u trembemi atyre. Do të luajmë përpara sportdashësve dhe do të përpiqemi të japim maksimumin. Në fund të fundit, nuk kemi çfarë të humbasim, prandaj do të bëjmë një lojë sulmuese," - e ka mbyllur deklarimin e tij mesfushori peqinas.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Mungesa e kapiteni i shtohet të dëmtuarve të kahershëm Toshkollari dhe Babamusta

Teuta: Edhe Begeja mungon ndaj Lushnjës

Skuadra durrsake e futbollit, Teuta, tashmë e drejtuar nga ish-trajneri i saj i suksesshëm, Hasan Lika, do të luajë sot me mungesa ndaj Lushnjës. Përveç mungesave të kahershme të kësaj skuadre, Toshkollari dhe Babamusta, të cilët janë të dëmtuar, "djemve të detit" do t'u mungojë edhe kapiteni i tyre, Gentian Begeja, për arsye kartonësh, ndërkohë që në dyshim është edhe mbrojtësi energjik, Xhai, për arsye shëndetësore. Kësisoj, trajneri i sapoulur në stolin durrsak, Hasan Lika, duhet të bëjë disa meremetime emergjente në formacionin e parë për këtë ndeshje. Sipas gjasave, në sulm, përkrah Mancakut, do të luajë i riu Bërzezi, një futbollist mjaft i talentuar. Po kështu, lëvizje mund të ketë edhe në repartin mbrojtës, ngaqë Xhai mund të mos luajë në këtë ndeshje. Sidoqoftë, në kampin durrsak, të gjithë janë të tendosur për të marrë 3 pikët e mundshme në këtë sfidë, e cila paraqet mjaft interes për të dyja skuadrat. Drejtuesit teknikë të skuadrës durrsake duan të qëndrojnë me këmbë në tokë, për të mos lejuar asnjëlloj ndjenje euforie apo nënvlerësimi të kundërshtarit. Madje vetë futbollistët e Teutës, gjatë gjithë kësaj jave që po lëmë pas, janë shprehur se Lushnja është një kundërshtare që kërkon vlerësim maksimal. Durrsakët vijnë në këtë ballafaqim me dy fitore dhe një barazim, duke qenë në ndjekje të rivaleve për titull, Dinamo dhe Tirana. Barazimi i një jave më parë, në çastet e fundit, me Partizanin, ka nxjerrë në pah jo pak probleme për bregdetarët. Sidoqoftë, gjatë gjithë javës stërvitore, para kësaj ndeshjeje, ish-trajneri Vasil Bici ka punuar me përkushtim në drejtim të eliminimit të atyre defekteve që vihen re në lojën e Teutës. Tashmë ai ka dhënë përkohësisht dorëheqjen nga drejtimi i kësaj skuadre, duke ia lënë gjithçka në dorë Hasan Likës, trajnerit që e ka udhëhqeur me mjaft sukses këtë skuadër në disa sezone.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Një ditë para takimit me skuadrën lezhjane, optimizëm në kampin beratas

Arbri: Ndaj Besëlidhjes, Tomori i vërtetë

Një ditë para takimit me Besëlidhjen, në kampin e skuadrës beratase ka optimizëm dhe siguri për një fitore të radhës. Ndeshja e dytë e kampionatit në A2 do të luhet ditën e shtunë, në stadiumin "Tomori", dhe është takimi i parë i këtij edicioni futbollistik që do të luhet para tifozerisë vendëse. Sipas teknikut Arbri, skuadra në takimin me Besëlidhjen do të tregojë vlerat më të mira dhe sportdashësit do të kenë mundësinë të shohin Tomorin e vërtetë. Në seancat stërvitore të së premtes, në dispozicion të Arbrit ka qenë i gjithë formacioni bazë, që mendohet të hidhet në fushë ditën e shtunë kundër Besëlidhjes. Ka munguar vetëm lushnjari Xhema, i cili ka pësuar një dëmtim të lehtë në gju dhe nuk do të jetë në formacion. Futbollistët ndihen në gjendje të mirë psikologjike dhe fizike dhe mjaft optimistë për fitore. Mbrojtësi energjik Diko thotë për "Sportin shqiptar": "Kemi mbi supe përgjegjësinë e madhe që luajmë para sportdashësve tanë, prandaj do të hyjmë në fushë dhe do të luajmë vetëm për fitore." Në seancën stërvitore të pasdites, teknikët Arbri dhe Muzhai, pasi kanë përpunuar disa elementë tekniko-taktikë dhe të skemës së lojës, kanë piketuar edhe formacionin e mundshëm ndaj Besëlidhjes.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Mesfushori i ekipit kuçovar vlerëson përbërjen dhe përgatitjen që është bërë

Dautaj: Naftëtari, skuadra në rritje

Mesfushori i talentuar kuçovar, 20-vjeçari Dautaj, mendon se Naftëtari do ta kalojë me sukses provën e kësaj jave, kur përballë do të ketë Apoloninë. "I kemi të gjitha mundësitë për një fitore të radhës. Optimizmi është në shkallën më të lartë pas fitores së thellë në javën e parë, sidomos pas takimit të zhvilluar në mesjavë për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Vërtet barazuam 2-2 me Besën, por mësuam shumë,"- thekson midis të tjerash në intervistën për "Sportin shqiptar", futbollisti Dautaj.

- Çfarë synon Naftëtari në takimin me Apoloninë?
- Ne shkojmë në Tiranë vetëm për fitore. Eshtë kjo alternativë jo vetëm për këtë ndeshje, por për të gjithë kampionatin. Vetëm kështu mund të futemi në Grupin A1.
- Ku bazoheni që do ta arrini këtë objektiv?
- Ne jemi ekip në ngritje dhe, me pak përjashtime, mosha mesatare është relativisht e re. Pra, dëshira është e madhe për t'u ngjitur sa më lart. Besim na japin edhe takimet e fundit që kemi zhvilluar si për kampionat ashtu dhe për kupë. Sidomos takimi me Besën tregoi se jemi të aftë të përballojmë çdo kundërshtar.
- Si e vlerësoni Apoloninë, kundërshtaren tuaj të sotme?
- Apolonia, pavarësisht nga problemet që ka pasur, mbetet gjithmonë një kundërshtare e respektuar. Ne e kemi vlerësuar maksimalisht dhe, siç e thashë më lart, besoj se do t'ia dalim mbanë.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Bashkim Sulejmani, stadium në rikonstruktim

Prej disa ditësh, stadiumi Bashkim Sulejmani në Kuçovë po i nënshtrohet një rikonstruksioni të pjesshëm, i cili përfshin kryesisht tribunën perëndimore. Me krijimin e një skuadre cilësore që pretendon të futet në Grupin A2, bashkia dhe drejtuesit e kësaj skuadre po mendojnë seriozisht për përmirësimin e infrastrukturës sportive. Stadiumi i Kuçovës i plotëson kushtet për zhvillimin normal të takimeve për kategorinë e parë, me një fushë të mirë, rrethim të jashtëm dhe të brendshëm dhe me një kapacitet për rreth 6000 spektatorë. Pas ndërhyrjeve që do të bëhen në tribunën qendrore, pamja e këtij stadiumi do të jetë më tërheqëse. Plan-projekti i investimit përfshin shtimin e shkallëve ekzistuese, ku pesë të tillave do t'u shtohen edhe gjashtë radhë, ndërkohë që 102 metrat gjatësi të tribunës do të jenë të mbuluara plotësisht, si pak stadiume të tjera të vendit. Konkretisht, firma Kaçaku, që ka marrë përsipër punimet, do të përfundojë në fund të vitit 2003 dhomat e zhveshjes së futbollistëve, të cilat momentalisht ndodhen në anën veriore të stadiumit. Mendohet që në fund të vitit 2003 të ketë përfunduar ky investim me vlerë të madhe. Krahas rikonstruksionit, drejtuesit kuçovarë synojnë edhe rregullimin e aneksit sportiv të qytetit, i cili përfshin rrethimin e brendshëm dhe të jashtëm. Por hyrja e kuçovarëve, pas kaq viteve pritje, në kategorinë e parë e ka rritur dukshëm interesimin për infrastrukturën në këtë qytet, e cila, natyrisht, do t'i shërbejë sa më mirë si sportdashësve ashtu edhe ekipit të futollit.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Erzeni, shpresat te bashkia

Bashkia e Shijakut do të jetë mbështetësi kryesor i Erzenit pas humbjes së ndeshjes së parë në kampionat. Sipas kapitenit Fatos Kuçi, fakti që ekipi do t'i zhvillojë ndeshjet në Krujë, është një disavantazh. Ai shpreson në një mbështetje më të fuqishme jo vetëm nga bashkia, por edhe nga sponsorët. Ndërkohë, prezantimi me bujë i trajnerit Hysen Dedja në rolin e drejtorit teknik, apo këshilltarit, me sa duket, nuk ka vazhduar të funksionojë. Sipas kapitenit shijakas Fatos Kuçi, Dedja nuk ka pasur kontakte të tjera me ekipin. Nuk dihen shkaqet e kësaj shkëputjeje apo të mosvazhdimit të punës prej tij, të cilat mund të jenë të lidhura me probleme ekonomike të Erzenit.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Sufaj: Ndaj Laçit për fitore

Egnatia është mobilizuar për fitore ndaj Laçit.

Këtë e pohon një ndër lojtarët më në formë të ekipit kavajas, Indrit Sufaj. Ky optimizëm dhe ky besim tashmë mbizotëron në kampin rrogozhinas. Loja që Egnatia paraqiti në kupë shpreh gjendjen e mirë të saj. Ashtu siç pritej, kupa pasqyroi një autokritikë të vërtetë të ekipit, pas atij fillimi zhgënjyes ndaj gjirokastritëve. Të ndodhur nën kritikat e shumta të tifozerisë, por edhe dushit të ftohtë nga sponsori Ibrahimi, ekipi u mundua që në sajë të angazhimit ndaj një ekipi si Teuta të tregonte se kjo është Egnatia e vërtetë. Në këtë linjë është edhe deklarimi i mbrojtësit kavajas, Indrit Sufaj. "Na duhet një rezultat pozitiv ndaj Laçit, edhe pse është një trasfertë e vështirë. Ne do të synojmë vetëm fitoren, sepse besoj se i kemi të gjitha shanset." Nuk është i vetëm Sufaj në këtë optimizëm, pasi te të gjithë ekziston kjo bindje. Jakupi, një ndër sulmuesit më të shquar të Egnatias, thekson se duhet të justifikohen në çdo takim investimet e sponsorit Ibrahimi.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

VLLAZNIA :

Kuqeblutë duken të vendosur për t'i thyer elbasanasit në shtëpinë e tyre dhe për të marrë fitoren

Vllaznia, fund "agjërimit" për pikë

Skuadra shkodrane duket më e vendosur se kurrë në këtë fillimkampionati për të marrë 3 pikët e para, pikërisht në ndeshjen me Elbasanin. Stërvitja e kësaj jave është përqendruar pikërisht në mundësitë e gjetjes së rrugëve për të arritur te fitorja e parë në këtë kampionat. E gjithë puna e trajnerit Haxhiosmanoviç është mbështetur në një strategji fituesi, duke ndërtuar çdo skemë loje, kuptohet në seancat stërvitore, në përqasje me kundërshtarin. Të gjithë futbollistët kuqeblu janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka ky takim dhe për përgjegjësinë e madhe që kanë përpara tifozëve shkodranë. Treguesit e ekipit, deri tani, janë të gjithë negativë, e për këtë qëllim ata duhet të japin maksimumin në fushën e "Loro Boriçit" para publikut të tyre, që mezi pret suksesin e parë të skuadrës kuqeblu. Më i paduruari duket malazezi i stolit shkodran, Haxhiosmanoviç, i cili ka pohuar se nuk mund ta durojë dot situatën e krijuar në ekipin e tij. Gjatë gjithë kësaj jave, "Deda" ka përsëritur të njëjtën frazë: "Të shohim sesi do të reagojë skuadra ndaj Elbasanit." Përndryshe, paralajmërimi i tij është bërë i ditur prej kohësh: "Nëse nuk fitojmë edhe këtë ndeshje, duhet të ikim të gjithë, duke filluar nga unë."
E parë në këndvështrimin e trajnerit malazez, mund të thuhet se sfida e sotme ndaj portokallinjve të Sejdinit do të jetë mjaft e rëndësishme për ecurinë e mëtejshme të Vllaznisë. Mirëpo gjithçka bëhet tepër e koklavitur, kur merr në konsideratë ecurinë pozitive të portokallinjve në këtë fillimkampionati dhe pretendimet e tyre. Këta të fundit e kanë bërë të qartë edhe në publik se nuk vijnë pa pretendime në Shkodër. Nga ana tjetër, përshtypja e çdo skuadre, e krijuar për Vllazninë në këto javë të para të kampionatit, është shumë negative, prandaj dhe Elbasani, ashtu si Partizani, Teuta dhe Dinamo, ka dëshirë ta shfrytëzojë këtë moment kritik të kuqebluve. Mbi të gjitha, skuadra elbasanase do të ketë në gjirin e saj një futbollist që është shndërruar në "mace të zezë" për shkodranët. Me sa është vënë re në të shkuarën, korçari Migen Memelli e ka pasur shansin e tij në stadiumin "Loro Boriçi". Sa herë ka luajtur përballë Vllaznisë në këtë stadium, ai ka shënuar. Sidoqoftë, mbrojtja shkodrane duket se i ka marrë masat për të mos e lejuar më një gjë të tillë. Aq më tepër që Haxhiosmanoviçi, për të eliminuar gabimet e bëra në këtë repart, ka menduar të ndryshojë diçka në vendosjen e lojtarëve të këtij reparti. Kështu, nga sa është parë edhe në ndeshjen e kontrollit të së enjtes, Ilir Dibra do të luajë në qendër të mbrojtjes, përkrah Zmijanit, duke zhvendosur Telin në krahun e djathtë të mbrojtjes.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

ELBASANI :

Kapiteni portokalli shprehet optimist për ndeshjen e sotme ndaj Vllaznisë

Stojku: Synojmë tripikëshin në "Loro Boriçi"

Elbasanasit kanë udhëtuar qysh të premten pasdite drejt qytetit të Shkodrës. Ndërkohë, sot, portokallinjtë do të ndeshen në stadiumin "Loro Boriçi" me Vllazninë vendëse, në kuadrin e javës së katërt të Kampionatit të 65-të Kombëtar të Futbollit. Paraditen e djeshme, ekipi i Astrit Sejdinit ka zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore në "Ruzhdi Bizhuta", për të qenë e freskët për sfidën e sotme me shkodranët. Sikurse dihet, Elbasani vjen në këtë takim pas rezultateve pozitive të njëpasnjëshme në këtë edicion futbollistik. Edhe në prag të ndeshjes me Vllazninë, të gjithë pjesëtarët e kampit portokalli mendojnë se, edhe pse do të jetë mjaft e vështirë, do të synojnë vetëm rezultatin pozitiv. Njëri prej futbollistëve të Elbasanit, kapiteni Gentian Stojku, duke folur për këtë ndeshje, shprehet: "Elbasani do të synojë tripikëshin në "Loro Boriçi". Nëse një ekip nuk synon më të mirën në një ndeshje, është i dështuar që përpara fillimit të saj." Në ndeshjen e sotme me Vllazninë, sipas tij, pritet të luajnë po ata futbollistë që janë aktivizuar edhe në takimet e mëparshme, me ndonjë lëvizje të detyruar të ndonjë lojtari, për arsye të gjendjes jo të mirë fizike. "Kundërshtari do të luajë më fort se kurrë në këtë ndeshje, sepse ndodhet në një pozicion mjaft të keq në renditjen e këtij fillimkampionati. Gjithsesi, Elbasani është përgatitur për ta përballuar me sukses "urinë" e Vllaznisë për të marrë pikë. Po njohim rritje të forcës së ekipit nga ndeshja në ndeshje, gjë që na jep shumë shanse për të marrë një rezultat pozitiv në "Loro Boriçi", edhe pse luajmë në trasfertë. Nga ana psikologjike, besoj se jemi më lart se shkodranët. Gjithashtu, edhe në aspektet e tjera të lojës nuk jemi aspak poshtë tyre. Nuk i kemi bërë llogaritë e kësaj ndeshjeje duke iu referuar problemeve që po kalojnë shkodranët, por duke u mbështetur në mundësitë tona reale. Kundërshtarin nuk do ta tolerojmë në asnjë moment të lojës, por do të përpiqemi ta mposhtim me gol sa më shpejt," - shprehet kapiteni i Elbasanit, Stojku, për ndeshjen e sotme me kuqeblutë.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Kumuria: Hajdarin nuk e kemi përjashtuar

Deklarata kontradiktore nga kampi i portokallinjve për të ardhmen e futbollsitit të Elbasanit, Shkëlqim Hajdari. Ndryshe nga qëndrimi i bërë publik nga ana e njërit prej financuesve të ekipit, presidenti Refik Kumuria dhe shefi i klubit, Kujtim Dalipi, i konfirmuan gazetës "Sporti shqiptar": "Hajdari nuk është përjashtuar nga radhët e portokallinjve. Ky futbollist ka afro dy javë që mungon në seancat stërvitore, por ne nuk dimë asgjë se përse nuk është paraqitur. Jemi interesuar rreth shkakut të largimit të tij nga Elbasani, por nuk kemi marrë ende përgjigje prej tij. Futbollistit Shkëlqim Hajdari i kemi kërkuar që të paraqitet pranë klubit të futbollit "Elbasani", me të cilin ai ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare për të sqaruar qëndrimin e mbajtur prej tij kohët e fundit,- shprehet presidenti Kumuria.- Ne do të vendosim për të ardhmen e tij vetëm pasi të zhvillohet një takim ballafaques, ku të jetë i pranishëm edhe futbollisti Hajdari për të sqaruar shkaqet e mospjesëmarrjes së tij në stërvitje kohët e fundit." Përjashtimin e Hajdarit mund ta bëjnë vetëm organet kompetente institucionale të klubit të futbollit dhe askush tjetër,- është gjykimi i presidentit Refik Kumuria të Elbasanit.- Ne shpresojmë që mesfushori Shkëlqim Hajdari të rikthehet në ekip për të vazhduar stërvitjen, ashtu si të gjithë futbollistët e tjerë, në qoftë se ka pasur arsye të forta për të qëndruar larg Elbasanit,"- përfundon Kumuria lidhur me çështjen "Hajdari".
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Besa, sot pa Kulin e Shetën

Edhe pse me mungesa, skuadra kavajase synon vetëm fitoren ndaj Flamurtarit

Besës, në takimin e sotëm ndaj Flamurtarit, do t'i mungojnë dy nga lojtarët më të mirë, që u dalluan në takimin e fundit ndaj Tiranës. Bëhet fjalë për mbrojtësin e ekipit Shpresa, Arjan Sheta, dhe për sulmuesin Bekim Kuli. Sheta, siç mësohet nga presidenti kavajas, Bizhdili, është larguar vetëm për 1 javë drejt një klubi grek, ku po provohet për të nënshkruar një kontratë me ta, që do të fillojë nga muaji janar, gjithnjë nëse mbrojtësi në fjalë merr "ok"-in e trajnerëve atje. Kuli do të mungojë, sepse është ndëshkuar me karton të kuq në takimin e Kupës së Shqipërisë, të zhvilluar në mesjavë ndaj Naftëtarit. Mungesa e sulmuesit në fjalë do të ndihet mjaft te kavajasit, sepse Kuli, edhe në ndeshjen e fundit, ishte më i miri për Besën. Sidoqoftë, edhe pse këto dy mungesa do të ndihen në lojën e verdhezinjve, prapëseprapë ekipi ndihet i motivuar për fitore. Pas seancës së djeshme stërvitore të pasdites, ekipi i Besës është grumbulluar në një nga hotelet turistike të Golemit. Kjo, për të ruajtur qetësinë e futbollistëve dhe për të mbajtur lart faktorin psikologjik. Siç e theksuam më lart, përveç dy mungesave, Shetës dhe Kulit, të gjithë të tjerët janë në gjendje optimale për lojë. Sikurse duket, trajneri Sejdini i ka llogaritur mungesat e rëndësishme që në takimin e kupës, sepse aktivizoi për herë të parë në formacion të rinjtë Lila, Xhihani e Bajaziti. Lila, pjesëtar i ekipit kombëtar U-19, u aktivizua në rolin e Shetës disa herë, para se ky i fundit të vinte në Kavajë, ndërsa K. Bajaziti është aktivizuar në takimet e fundit të sezonit të kaluar, ku vlen të veçohet goli i tij shënuar ndaj Vllaznisë në Shkodër. "E respektojmë në maksimum kundërshtaren e sotme. Pavarësisht nga problemet e saj në ekip, - shprehet Sejdini, - nuk duhet harruar që Lushnja i mposhti vlonjatët vetëm me një 11-metërsh. Me këtë dua të them se Flamurtari mbetet "kockë" e fortë, ndaj fitorja do të vijë vetëm me angazhim maksimal, duke mos lëshuar pe deri në minutën e 90-të."
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

“Fitorja e Frankfurtit, tregon lojën e shqiptarëve të mi”

Brigel: Derbi i Sudwest, sfidë e veçantë për mua

Të dielën do të luhet një ndeshje e veçantë për trajnerin gjerman të kombëtares sonë Hans Peter Briegel dhe treshen e shqiptarëve të Frankfurtit. Bëhet fjalë për derbin e Südwest mes Eintrachtit dhe Kaiserslauternit. Skela e Çipi janë parashikuar në formacionin e parë të Frankfurtit, ndërkohë që Dragusha mendohet ta nisë këtë ndeshje nga stoli. Akoma edhe më mirë e njeh derbin e Südwest Brigel, i cili ka qenë lojtar aktivi i skuadrës së Pfazit. Si fillim, ish-lojtari i Kombëtares gjermane ka kujtuar fitoren 5:3 të sezonit 1979/80. Në fillim të asaj ndeshjeje ne e pamë veten në dizavatazhin e një goli, por më pas mundëm ta përmbysim atë, madje të fitojmë dhe gjithë takimin 5-3”,- thotë Brigel në një prononcim të tij për një gazetë të përditshme gjermane. Ndeshja e të dielës është “die Walz aus der Pfalz” (nofka e Brigelit), si një ndeshje shumë e rëndësishme në dy sense të ndryshme, prandaj dhe ai e konsideron këtë përplasje si shumë të veçantë. "Djajtë e kuq” duhet të fitojnë patjetër, pasi në të kundër "trajneri i tyre duhet të ikë", thotë Briegel. Nëse Erik Gerets nuk do të mundet të sigurojë të dielën një fitore, do t’i shtonte problemet edhe për Brigelin: Si kryetar i këshillit drejtues të skuadrës së Kaiserslauternit, Brigel do të duhej të urdhëronte shkarkimin e trajnerit të mësipërm. Që Kaiserslautern nuk ka bërë një star të mirë në këtë sezon, Brigel Shpjegon: "Kjo ka ndodhur sepse skuadra ka shumë lojtarë të mirë, por atyre u mungon loja në komplet. Mund të them se është normale, pasi lojtarët e rinj, të ardhur nga merkato e verës, nuk janë ambientuar në ekip, por në të ardhmen gjithçka do të bëhet më mirë”,- shpreson ai. Por po ashtu ai ka shumë arsye për t’iu gëzuar një fitoreje të Frankfurtit. Ai është gëzuar shumë që Eintrachti fitoi në Mynshengladbach 2:0, pasi në radhët e skuadrës së Frankfurtit luan Geri Çipi, një person i njohur për gjermanin dhe që është një ndër shtyllat e Eintrachtit. Ashtu si Çipi edhe Skela e Dragusha i përkasin formacionit të kombëtares shqiptare, e cila drejtohet nga vetë trajneri gjerman Brigel. “Nëse Eintrachti fiton, nënkuptohet një formë e mirë e lojtarëve të mi”, thotë Brigel, i cili e shikon kthimin e Andreas Mëler si një përforcim të skuadrës së Frankfurtit. “Ai do ta ndihmojë këtë skuadër me eksperiencën e tij”. Një respekt të madh ka 47-vjeçari për punën e trajnerit të Eintrachtit Villi Reimann. Për atë ekip që ai ka krijuar, është e drejtë që ai të kërkojë dhe të presë më shumë nga skuadra e tij, e cila mendoj se do të arrije rezultatet sensacionale në të ardhme”. Duke u mbështetur në mendimin e tij se Eintrachti ka një mbrojtje të mirë, Brigel bën llogaritë dhe thotë se nuk do të jetë një ndeshje e bukur. “Do të jetë një ndeshje e fortë ku të dy skuadrat do të lujnë të kujdesshme. Ai që do të shënojë golin e parë do të fitojë”. Ndërkohë që ai nuk ka nguruar të japë dhe parashikimin e tij për rezultatin e mundshëm të ndeshjes: 1-2.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Xhani: “Duro do ta shpërblejë Partizanin”

Presidenti i të kuqve tregohet entuziast për blerjen e futbollistit të Kombëtares

Partizani bën lëvizjen më të goditur të merkatos së këtij sezoni. Vetëm dje ata kanë arritur një marrëveshje me Klodian Duron, një nga futbollistët e Kombëtares shqiptare. Presidenti i të kuqve, Albert Xhani, ka treguar të gjithë aventurën për të arritur te ish-futbollisti i Malatiasportit në Turqi e deri te projektet për të ardhmen. “E kemi studiuar Duron dhe e kemi kërkuar që prej 7 muajsh, por tani erdhi momenti që ta afrojmë në ekipin tonë. Jam shumë entuziast për këtë blerje. Kemi paguar një shumë mjaft të madhe për të, 120 mijë euro, por këto janë shumë pak për një futbollist si Klodian Duro. Mendoj se Duro do ta shlyejë këtë shumë”. Ka nënshkruar një kontratë 1-vjeçare me të, por shpreson ta mbajë më shumë në radhët e të kuqve: “Stafi i Partizanit ka projekte afatgjata për Duron. Shpresoj që ai të qëndrojë edhe për vitin e ardhshëm, por nuk e di nëse do t'ia arrijmë të biem dakord për shumën., ka shtuar presidenti i Partizanit, që dëshiron ta shikojë futbollistin në fushë për ndeshjen derbi me Dinamon. “Nuk e di nëse do t'ia arrijmë që Duro të jetë i gatshëm për derbin. I kam kërkuar presidentit Duka që të na ndihmojë edhe me komitetin ekzekutiv që ta federojnë por nuk e di nëse do të realizohet. Po të federohet Duro do të jetë në fushë sot. Në janar do të bëj edhe dy blerje të tjera. Nuk mund t’i zbuloj tani se cilët janë. Ata lojtarë le të stërviten tek Dinamo, Vllaznia apo Tirana dhe më pas do të vijnë tek Partizani”, ka mbyllur Xhani.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Tirana udhëton për në Peqin. Vllaznia e “rrudhur” pret Elbasanin

Kampionati servir derbin kryeqytetas
Partizani kundra Dinamos. Sezoni nis këtu

Java e tretë e Kampionatit Kombëtar, servir derbin e kryeqytetit, në një sfidë, ku do të përqëndrohet dhe vëmendja sportive në këtë të shtunë.Rrokadë në kreun e renditjes vështirë se mund të pritet, por skuadrat që akoma nuk kanë siguruar pikët e para kanë mundësinë për të shfrytëzuar kalendarin, përjashto këtu Shkumbinin, që do të ketë një provë të vështirë kundra Tiranës së Memës. Mesjava ka thyer disi qetësinë e javës së tretë, ku ka patur lëvizje të shumta, si në pankinë ashtu dhe me transferimet e lojtarëve. Teuta ka rimarrë edhe njëherë Hasan Likën, pas dorëheqjes që ka bërë trajneri i mëparshëm Bici, ndërsa Brashini dhe Rizvanolli janë rikthyer edhe një herë në arenën e futbollit shqiptar. I pari është rikthyer përsëri nga Partizani, ndërsa i dyti te Dinamo, pas një aventure jashtë shtetit. Nuk mund të thuhet se këto lëvizje kanë ecur të qeta, përkundrazi, presidentët janë kujtuar disi vonë për të tilla gjëra, sepse afati i federimeve ka mbaruar dhe FSHF-ja, me të drejtë, bëhet pengesë për aktivizimin e tyre. Duke iu rikthyer ndeshjeve të sotme, derbi Partizani-Dinamo do të tregojë se cila nga këto dy skuadra është më e afta për të rivalizuar kampionen në fuqi, Tiranën. Dhe këtë gjë e konfirmon vetë tekniku i Dinamos, Andrea Marko: “Do vazhdojmë serinë e fitoreve dhe do të rivalizojmë Tiranën në rrugën drejt titullit”, shprehet kreu i bluve. Nga kampi tjetër, të njëjtën dëshirë ka dhe tekniku Ilir Spahiu, që Partizanin e tij nuk e mënjanon aspak nga lufta e gjatë për titull. “Duhet të mbajmë hapin e Tiranës, deklaron Spahiu, e për të bërë këtë, duhet të mundim një nga kryesueset”. E thënë shkurt, gjithçka është e hapur, ajo që do të gabojë më pak do të ketë më tepër shanse për të marrë një trepikësh. Nëse do të jetë Dinamo, atëherë bardheblutë duhet të bëjnë kujdes, e nëse do të jetë Partizanim ai që do të dalë kokëlart nga “Qemal Stafa”, e kotë të flasësh më pas për Tiranën. Dhe duke u ndalur te Tirana, ajo thjesht do të luajë në Peqin, kundra një Shkumbini që deri tani ka njohur humbjen. E vështirë për vendasit që të marrin një pikë, ndonëse ato janë tepër të domosdoshme, por skuadra e Memës deri tani ka treguar se është në një tjetër planet. Shifrat flasin qartë: 16 gola në 3 ndeshje të trembin. Por Mema nuk e jep veten. “Dua tre pikë dhe jo shumë gola, ka thënë dje tekniku në stërvitjen e fundit të bardhebluve në “Selman Stërmasi”, përpara nisjes për në Peqin.Me interes do të pritet sot dhe ndeshja e Vllaznisë kundra Elbasanit. Shkodranëve, pasi u “rrëshqiti” nga duart Klodian Duro, u mbetet që të mendojnë për të marrë pikët e para dhe të kthehen në nivelin që kanë patur këto vitet e fundit. Trajneri serb, Haxhiosmanoviç, do të mbështetet tek i njëjti grup lojtarësh, që ka patur në dispozicion që nga fillimi i kampionatit, ku sulmi, i formuar nga dyshja Sinani-Martini, duhet të kthejë tifozët në shkallët e tempullit shkodran, “Loro Boriçi”.
Java e katërt
Teuta-Lushnja
Partizani-Dinamo
Vllaznia-Elbasani
Shkumbini-Tirana
Besa-Flamurtari

Renditja
1.Tirana 9
2.Dinamo 9
3.Elbasani 7
4.Partizani 7
5.Teuta 7
6.Lushnja 3
7.Besa 1
8.Flamurtari 0
9.Vllaznia 0
10.Shkumbini 0
 
Top