Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??
Futbollistët shqiptarë në Evropë
Bogdani, surpriza e Salernitanës në premierë
Erion Bogadani ka luajtur dje 90 minuta, në ndeshjen e parë me fanellën e Salernitanës. Sulmuesi kuqezi e ka bindur trajnerin e ekipit se në këto momente është futbollisti më i rëndësishëm. Erioni ëndërronte një debutim ndryshe, një ndeshje ku të shënonte gol. Dëshironte të shënonte që në minutat e para me ekipin e tij të ri, Salernitana. Kjo sepse është sulmues dhe, si i tillë, golin e ka prezantimin para tifozëve të skuadrës së re. Por, nga ana tjetër, një gol është edhe një ogur i mirë, për të filluar mbarë një aventurë të re në Serinë B. Erion Bogdani, pas katër vitesh në Rexhio Kalabria, ka vendosur të kërkojë lavdinë në kampionatin italian me skuadrën e Salernitanës. Gjithmonë në Itali, Bogdani ka veshur një bluzë të kuqërremtë, por këtë herë ai veshi fanellën e Salernitanës, që këtë sezon i ka besuar rolin e golashënuesit të ekipit. Edhe pse është i gjatë dhe të gjithë mendojnë se arma e tij është loja në ajër, gabohen, pasi Bogdani luan mirë edhe me këmbë. Këtë gjë e pohon edhe vetë. Shqiptari i habiti të gjithë, duke treguar një lojë shumë të mirë me skuadrën e tij të re, Salernitanën, në ndeshjen e parë të Serisë B në këtë sezon me Askolin. Loja e Bogdanit në ndeshjen e tij debutuese tregoi se në të ardhmen për këtë ekip shqiptari do të jetë pika e referimit për të gjithë. Në çdo sulm, Brevi dhe Ferri janë mundur nga shqiptari, edhe pse ky i fundit nuk ka shënuar dot në portën e Askolit. Në minutën e 9-të godet fort, por portieri Miçilo i mohon golin. Nuk dëshpërohet, luan me gjithë shpirt në çdo aksion. Madje arrin deri aty sa ndihmon skuadrën edhe në fazën mbrojtëse, diçka jo e zakontë për një sulmues me karakteristikat e tija. Në fund të ndeshjes, trajneri i Salernitanës, Pioli, e ka përgëzuar shqiptarin, i cili për të gjithë ndeshjen e ka kërkuar me ngulm golin e debutimit, edhe pse ekipi i tij nuk është se ka luajtur mirë.
Myrtaj: Gabova para portës
Në ndeshjen e djeshme, Verona-Trevizo, e mbyllur në barazim 0-0, Florian Myrtaj ka humbur rastin më të pastër për të shënuar golin e fitores me fanellën e Veronës. "Ishte një pasim shumë i mirë,- është shprehur në fund të ndeshjes shqiptari. - Anjeli e vertikalizoi mirë topin dhe unë isha në një pozicion shumë të mirë, por e prisha gjithçka, pasi u nxitova në momentin kur godita topin. Më bezdisi edhe dalja e portierit, prandaj topi që gjuajta doli jashtë." Myrtaj, më pas, është shprehur se sulmuesit nuk kanë pasur shumë mbështetje nga ekipi. "Pikërisht sepse nuk ndërtuam shumë raste për të shënuar, duhet ta kisha finalizuar atë aksion. Ndonjëherë mjafton një rast i tillë për t'i dhuruar fitoren ekipit tënd,"- ka vijuar më tej vlonjati. Myrtaj konstaton se skuadra e nisi ndeshjen me pak frikë. "Në pjesën e parë, Trevizo luajti më mirë, më pas skuadra reagoi, duke zhvilluar një ndeshje më të mirë, sidomos në fund të lojës. Ishte ndeshja ime e parë në "Bentegodi" dhe jam i kënaqur për lojën time, edhe pse vazhdoj të mërzitem kur kujtoj rastin e humbur. Kampionati është i gjatë dhe në këtë moment e rëndësishme është fillimi i tij. Pashë që në javën e parë kishte shumë barazime, kështu që nuk jemi të vetmit që e kemi nisur sezonin ngadalë," - ka përfunduar sulmuesi i përfaqësueses shqiptare Florian Myrtaj.
Tare, nga stoli kundër Milanit
Igli Tare është bashkur me ekipin e tij, Bolonjën, në prag të ndeshjes me Milanin sot, në orën 20.30. Shqiptari, pasi ka shënuar një gol me kuqezinjtë, ndoshta do të debutojë sot në mbrëmje kundër Milanit. Tare është një njohje e vjetër e milanistëve, pasi kur luante me Breshian, u ka shënuar dy gola kampionëve në fuqi të Evropës. Macone nuk e ka zbuluar ende 11-shen që do të aktivizojë kundër Milanit, edhe pse Tare mendohet ta nisë takimin nga stoli i rezervave.
Gjermani
Çipi në formacion, Skela në dyshim, Dragusha në stol
Tre shqiptarët e Eintrahtit të Frankfurtit nuk do të kenë mundësi të luajnë së bashku që nga minuta e parë. Trajneri, Vili Reiman, ka vendosur që Dragusha ta nisë ndeshjen nga stoli. Ndërkohë, Skela është i dëmtuar dhe për të do të pritet deri në minutat e fundit. Faqja në internet e revistës sportive "Kicker" e rreshton organizatorin e Shqipërisë që nga minuta e parë në ndeshjen kundër Borusias së Mynshengadbahut. I sigurt në formacion do të jetë mbrojtësi Geri Çipi, i cili në ndeshjen e dytë të kombëtares me Gjeorgjinë ka treguar formë të mirë sportive.
Rraklli, sot kundër Unterhashingut
Altin Rraklli, me të gjitha gjasat, do të luajë sot që nga minuta e parë me skuadrën e tij të re, Regenzburgun. Përballë, shqiptari në rikthimin e tij në Bundesligën 2, do të ketë ish-ekipin e tij, Unterhashingun. Trajneri i Regenzburgut ka menduar ta aktivizojë sulmuesin shqiptar nga fillimi i takimit, edhe pse Rraklli nuk është në formën e tij optimale. Vetë kavajasi ka pranuar se nuk ka zhvilluar fazë përgatitore.
Turqi
Jupi rikthet te Diarbakirspori
Mesfushori i kombëtares shqiptare, Redi Jupi, do të aktivizohet që nga fillimi në ndeshjen e radhës së kampionatit turk, Adanaspor-Diarbakirspor. Jupi rikthehet në skuadër pas skualifikimit për arsye kartonësh në javën e fundit të kampionatit turk, i ndërprerë për ndeshjet kualifikuese të Euro 2004-s. Mesfushori kuqezi, që luajti 80 minuta, në ndeshjen e kombëtares në Tbilisi edhe këtë javë mendohet se do të luajë. Mediat turke, për ndeshjen e sotme, e kanë rreshtuar shqiptarin në formacionin bazë të Diarbakirsporit, në ndeshjen me Adanasporin.
'SPORTI SHQIPTAR'