Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Zhgënjejnë dhe Shpresat, munden 3-1 në Gjeorgji

Një humbje e hidhur është shënuar dhe për përfaqësuesen Shpresa të drejtuar nga trajneri Hasan Lika. Në 45 minutat e para të këtij takimi është venë re një lojë e dobët e 21-vjeçarëve. Lika kishte zbritur në fushë formacionin e tij më të mirë, me synimin për të marrë pikë të vlefshme për një renditje më të mirë në një grup ku pozicionohej e treta me 7 pikë, kundrejt 2 të irlandës dhe të Gjeorgjisë. Por ka qenë tepër e vështirë. Tanët janë ndëshkuar me golin e parë në minutën e 21-të të takimit.që mban firmën e Amisulashvilit. Pjesa e parë është mbyllur në dizavantazhin e një goli, ndërkohë që në pjesën e dytë ka ardhur dhe një farë reagimi i ekipit shqiptar, i cili ka ngritur shumë nivelin e lojës. Por gjithsesi ka munguar goli i barazimit. Në minutën e 56, vendasit kanë dyfishuar rezultatin me Siradze. Të dy golat si ai i pjesë së parë dhe ky kanë ardhur për faj të mbrojtjes së skuadrës sonë e cila nuk ka qenë përqendruar si duhet. Ndërkohë që në minutën e 69, Akhalaia ka çuar në tre avantazhin për vendasit, që po shkonin kështu drejt një fitoreje të sigurtë. Por atëherë kur duheshin dhe tre minuta për t’u mbyllur koha e rregullt,Kapllani ka ngushtuar rezultatin në 3-1, duke shënuar kështu dhe golin e nderit në këtë aventurë të dështuar shqiptare në tokën gjeorgjiane. Ndërkohë që gjeorgjianët me lojën e zhvilluar mund të kishin shënuar dhe një rezultat më të thellë. Menjëherë pas ndeshjes, trajneri Lika u shpreh: “Kemi zhvilluar një ndeshje të dobët, nga e cila nuk ka se si të jem i kënaqur”. Edhe trajneri i U-21 ka kthyer sytë për të përmirësuar diçka të mërkurën kur dhe do të luhet ndeshja e kthimit me të njëjtin kundërshtar.

'Shekulli'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

KOMBETARJA :

Ndeshja e “Qemal Stafës” i obligon Brigelit dhe djemve të tij vetëm një objektiv, fitoren, e cila do të zbuste sadopak klimën e ashpër të krijuar pas kritikave të shumta për humbjen e të shtunës

Kombëtarja, “aty ku hallet s’kanë të sosur”

Myrtaj “tradhton” Shqipërinë për Veronën. Do të mungojnë dhe të dëmtuarit Skela, Bellai e Dede

Altin Manallari

Pas turpit të Tbilistit ka mbërritur dje kokëulur delegacioni shqiptar që ka shoqëruar Kombëtaren në aventurën e dështuar gjeorgjianë. Humbja 3-0 përballë skuadrës së fundit në grupin 10, ka lënë shije të hidhur te të gjithë, të cilët mundohen të shmangin çdo lloj kontakti me shtypin: kjo ndoshta mund të jetë një strategji e Brigelit, por nuk përjashtohet edhe një shmangie e qëllimshme që i bëhet shtypit, për të lënë veten jashtë polemikave që duket se po mbullojnë kohët e fundit Kombëtaren shqiptare.
“Kur problemet s’kanë të sosur”
Në humbje doemos që kanë ndikuar faktorë problematikë, si ata që kishte cituar “Herr” Brigel para ndeshjes me Gjeorgjinë në Tiranë dhe të cilët i ka përsëritur edhe në stadiumin e Tbilistit menjëherë pas ndeshjes. Por nuk është e thënë se të mërkurën do të kemi një gjendje më të mirë. Madje situata vazhdon të përkeqësohet gjithnjë e më shumë. Kombëtarja është shndërruar në një institucion futbollistik ku problemet nuk kanë të sosur. Sikur të mos mjaftonte mungesa e Lalës, e cilësuar si shumë e rëndësishme, skemat e trajnerit gjerman, për të cilin nuk gjendet zëvendësuesi ideal, tashmë janë bërë zyrtare dhe mungesat e katër futbollistëve të tjerë, mes të cilëve 3 të 11-shes tradicionale që trajneri gjerman ka zbritur në fushë në këto ndeshjet e fundit. Në sfidën për revansh kundër Gjeorgjisë të mërkurën do të mungojnë Skela Myrtaj, Bellai e Dede.

'Shekulli'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

KOMBETARJA :

Dëmtimet cungojnë Kombëtaren

Për futbollistin shqiptar të Eintrachtit të Frankfurtit nuk mund të flitet më për një aktivizim të tij të mërkurë, kjo pasi ai vuan një dëmtim të kofshën e majtë dhe do të largohet sot menjëherë për në Gjermani.Ndërkohë që për futbollistin shqiptar që luanë në radhët e Veronës në serinë B italiane, gjërat shkojnë krejtësisht ndryshe. Ai ka kërkuar leje te drejtuesit e përfaqësueses sonë,pasi do të jetë i impenjuar me skuadrën italiane në turin e parë të kupës së Italisë që do të zhvillohet këtë javë. Myrtaj, i cili ka qenë një ndër tre sulmuesit që kishte grumbulluar Brigeli për ndeshjen e parë kundër Gjergjisë, ndryshe nga herët e tjera, ku kishte filluar nga stoli,këtë herë nuk ka shijuar asnjë minutë lojë. Kjo për arsye të problemeve të parashikuara që goditën kombëtaren që në fillim të takimit të së shtunës. Ndërkohë që dëmtime vuajnë edhe Dede e Bellai. Dede,i cili është dëmtuar në minutën e 10 në Tbilisi, do të jetë i detyruar t’i nënshtrohet kontrolleve të mjekëve dhe nuk do të jetë në dispozicion të Brigelit. Ndërkohë që e njëjta gjë vlen edhe për Bellain, i cili është pozicionuar në rolin e Dedes, në minutat e mëpasme në Gjeorgji. Edhe ai është prekur të shtunën nga një dëmtim dhe do t’i nënshtrohet kontrolleve në Tiranë.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

KOMBETARJA

Përgatitjet për revansh

Menjëherë pas kthimit nga Gjeorgjia në orët e para të mëngjesit të djeshëm, planet e trajnerit të Kombëtares Hans Peter Brigel janë zhvendosur drejt sfidës të së mërkurës, ku atij dhe djemve të tij i ngelet fitorja, si objektiv i vetëm për të vënë në vend të paktën nderin e Shqipërisë. Dhe pikërisht dje ai ka përcaktuar se cili do të jetë programi i kombëtares në këto ditë të ngelura. Ndërkohë që ka kërkuar të shmangë prononcimet për shtypin. Gjermani me pozita të lëkundura në kombëtaren kuqezi, ka pohuar se të martën, në ora 14.00, do të “rrëfehet” për gjithçka në një konferencë për shtyp. Kombëtarja nën drejtimin e tij ka zbritur dje në barin e fushës së “Selman Stërmasit”, ku dhe ka zhvilluar seancën stërvitore të radhës. Pas stërvitjes, ekipi është lënë i lirë nga trajneri gjerman, për t’u grumbulluar rreth mesditës së ditës së tome. Ndërkohë që për sot është parashikuar një tjetër seancë stërvitore e kuqezinjve.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

KOMBETARJA :

Rikthimi i Altin Rrakllit

Trajneri i Kombëtares gjermane ka grumbulluar në Kombëtare sulmuesin e shqura të kombëtares shqiptare të viteve të fundit, Altin Rrakllin, të cilin e kishte lëlë jashtë listës së shpallur në prag të ndeshjes së parë me Gjeorgjinë në Tbilisi. Futbollisti kuqezi, për të cilin është folur se ka nënshkruar më në fund një kontratë me skuadrën e RV Oberhasuesn në Bundesligën 2 gjermane, i është bashkuar ekipit kombëtare në rezidencën në Linzë dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen e të mërkurës. Kthimi i Rrakllit vjen në një moment të vështirë për trajnerin gjerman, pasi largimi i Myrtajt për te Verona e la atë vetëm me dy sulmues Taren dhe Bushin. Vetë Rraklli është shumë optimist për ndeshjen e dytë me gjeorgjianët, ku ai ka besim se Shqipëria do të bëjë të harrohet ajo paraqitje e keqe e të shtunës në Tbilisi.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

KOMBETARJA :

Fantaziati i Kombëtares kuqezi sot drejt Gjermanisë për t’u kuruar

“Sakrifikimi”, pasojë e dëmtimit të Skelës

Eshtë bërë tashmë zyrtare: Ervin Skela do t’i mungojë Kombëtares shqiptare në sfidën për revansh kundër Gjeorgjisë. Futbollisti shqiptar vuan një dëmtim në kofshë, i cili e ka detyruar atë të tërhiqet nga përfaqësuesja. Fantazisti i Eintrachtit të Frankfurtit në Bundesligën gjermane, do të udhëtojë sot drejt Gjermanisë, ku dhe do t’i nënshtohet kontrollit mjekësor të specializuar. Një vendim i tillë është marrë nga stafi i kombëtares, i cili ka gjykuar riaftësimin e tij në tre ditë si të pamundur. Shqiptari i Eintrachtit kishte paraqitur probleme dëmtimi që para ndeshjes së Tbilisit. Por zbritja e tij në fushë në Gjeorgji i befasoi të gjithë, dhe për më tepër, ai është aktivizuar gjatë gjithë ndeshjes. Sikurse është bërë e ditur dje nga burme brenda Federatës Shqiptare të Futbollit, para ndeshjes së të shtunës ishte parashikuar që Skela do të luante vetëm një pjesë loje, pasi kaq mund të lejonte dhe kondicioni fizik i tij. Ndërkohë që problemet që prekën Shqipërinë që në minutat e parë të ndeshjes, prishën të gjitha planet: Brigel, i detyruar, bërri tre ndërrime duke “sakrifikuar” Skelën, i cili ka qenë në fushë për më shumë se 90 minuta. Nuk përjasjtohet që dëmtimi aktual të jetë pasojë e sforcimit të tij të shtunën. Mungesa e Skelës do të jetë një tjetër goditje e madhe për trajnerin gjerman të Kombëtares shqiptare, Hans Peter Brigel, pas atij të Lalës. Edhe futbollisti i Eintrachtit është një ndër pikat kyçe të skemave të Brigelit, dhe për të gjetur zëvendësuesin e tij do të jetë e vështirë, megjithëse numri i mesfushorëve në dispozicion është i madh.

'Shekulli'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

BESA :

Besa, ikën trajneri Zalla, vjen Faruk Sejdini

Dy javë pas fillimit të kampionatit të 65-të kombëtar të futbollit, Besa e Kavajës ka zëvëndësuar trajnerin aktual Zalla me trajnerin e njohur Faruk Sejdini. Presidenti i KS Besa, Bizhdili, ka pranuar dorëheqjen e trajnerit durrsak Edmond Zalla, i cili drejtoi fazën përgatitore të ekipit kavajas, si dhe krijimin e formacionit bazë të tij. Zalla, i njohur për kerkesen e larte ne stervitje, duket se megjithë blerjet e lojtarëve të rinj, nuk ka mundur të vijojë veprimtarinë e tij drejtuese në krye të skuadrës kavajase. Mungesa e një fushe për stërvitjen normale gjatë javës ka qenë një nga kërkesat e Zallës, që mbetën të parealizuara. Megjithatë, rezultatet e dobta në dy takimet e para të kampionatit kanë ndikuar jo pak në dorëheqjen e tij. Specialisti i njohur nga Durrësi, i mbështetur finaciarisht nga presidenti Bizhdili, gjatë dy muajve të fundit ka krijuar një bazë shumë të mirë didaktike për të ardhmen e Besës, ndërsa mbetet ende e panjohur e ardhmja e futbollistëve të rinj durrsakë, që kishin mbërritur tek skuadra kavajase së bashku me trajnerin e tyre. Trajneri Faruk Sejdini rikthehet tek Besa pas një mungese 2-vjeçare. Sejdini e ka drejtuar skuadrën kavajase vetëm për dy muaj kur ajo militonte në kategorinë e dytë. Tashmë drejtuesit e Besës dhe sportdashësit e saj të shumtë shpresojnë në stabilitetin dhe suksesin e skuadrës së qytetit me tradita në
futboll.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

VLLAZNIA :

Presidenti Çela: "Vllaznia, merkato me lojtarë cilësorë"

Presidenti i klubit të futbollit të Vllaznisë, Agron Çela, ka deklaruar se së shpejti tek ekipi kuqeblu do të afrohen disa futbollistë cilësorë, të cilët do të ndikojnë ndjeshëm në rritjen e lojës. Nfa prononcimi i tij i djeshëm është mësuar se mund të vishet kuqeblu mesfushori Klodian Duro, i cili edhe dy vjet më parë ka luajtur me ekipin e Vllaznisë dhe më pas u aktivizua në kampionatin turk, me Gallatasarajit, Samsungsporin dhe Malatiasporin. Ardhja e tij pritet me mjaft interes edhe nga sportdashësit shkodrane, pasi me lojën e tij ai kishte fituar simpatinë e tyre. Ndërkohë, mesohet se në ditët e para të javës se ardhshme do të testohen me kuqeblute edhe tre futbollistë brazilianë nga trajneri malazez Haxhiosmanoviç. Pak ditë më parë, me skuadrën shkodranë është bashkuar edhe futbollisti malazez, Perishiç, i cili luan në rolin e mesfushorit. Siç bëhet e ditur, 26-vjeçari nga Mali i Zi ka fituar besimin e teknikut të shkodranëve dhe së shpjeti do të jetë në formacionin e ekipit. Të gjitha këto lëvizje të drejuesve të skuadrës së Vllaznisë vijnë pikërisht pas abandinimit që i’u bë kësaj skuadre në momentet e krizës në këtë verë. Skuadra simpatike e kryeqendrës së veriut, ka bërë një parqitje jo të mirë në dy ndeshjet e para të kampionatit shqiptar, ku ka koleksionuar dy humbje rradhazi, (me Partizanin në stadiumin “Qemal Stafa” dhe me Teutën në stadiumin “Loro Boriçi”).
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

KOMBETARJA :

Kapiteni kuqezi kërkon ta harrojë sa më shpejt humbjen e së shtunës
Strakosha: Tbilisi, turpi i kombëtares

"Ky turp duhet të lahet shumë shpejt në ndeshjen e Tiranës." Janë këto fjalët e kapitenit kuqezi, një ditë pas humbjes me Gjeorgjinë. Sipas tij, ekipi nuk mund të ketë justifikim për këtë humbje 3-0. "Nuk mund të them gjë tjetër, veçse ta konsideroj këtë humbje turpin e kombëtares. Kemi luajtur ndeshjen më të keqe me fanellën kuqezi. Nuk mund të them më tepër. Duhet ta harrojmë sa më shpejt këtë turp dhe, për ta larë menjëherë, duhet të fitojmë në Tiranë në ndeshjen e dytë," - është shprehur Strakosha. Kapiteni duket i prishur në fytyrë dhe fjalët mezi i shqipton. "Detyra e futbollistit është të luajë dhe jo të gjykojë trajnerin. Në këtë ndeshje na ka munguar elementi kryesor, me të cilin kemi arritur suksese më parë, shpirti luftarak,"- ka vijuar më tej Strakosha. Sipas tij, shkaku kryesor që kjo skuadër zhgënjeu të shtunën ishte mungesa e sedrës dhe e shpirtit luftarak në fushën e lojës. "Nuk do të ndodhë më, pasi ekipi duhet të reagojë dhe të tregojë vlerat e vërteta në fushën e lojës të mërkurën,"- i ka përfunduar Strakosha ato pak fjalë për shtypin.
O. AVDIAJ
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

KOMBETARJA :

Rraklli: Do të shënoj të mërkurën

Vetëm sot në mëngjes, sulmuesi kuqezi është bashkuar me ekipin kombëtar menjëherë pas humbjes së turpshme në Tbilisi. I grumbulluar me urgjencë nga Brigeli, Altin Rraklli shprehet entuziast për këtë vlerësim që i ka bërë gjermani në momentet e fundit. Nuk ka dëshirë të flasë për ndeshjen e së shtunës, pasi thotë se nuk ka qenë pjesë e ekipit, ndaj do të ishte e padrejtë që t'i gjykonte shokët e ekipit. Thotë se nuk është në formën e tij më të mirë, por shpreson te një aktivizim në ndeshjen e së mërkurës me Gjeorgjinë. Madje synimi i tij është goli, jo për të hyrë në histori, por për të ndihmuar ekipin që të fitojë medoemos në Tiranë.
- Altin, jeni thirrur nga Brigeli për ndeshjen e dytë, në momentin që keni gjetur ekip...
- Po, është e vërtetë që trajneri më ka thirrur për këtë ndeshje në momentet e fundit. Të them të vërtetën, deri para pak ditësh jam marrë më shumë me të ardhmen time. Më në fund, gjeta një ekip në Gjermani dhe them se do t'ia kaloj shumë mirë këtë sezon. Nuk e prisja këtë grumbullim në kombëtare, pasi isha pa skuadër dhe nuk kam bërë fazë përgatitore këtë verë. Tani jam bashkuar me kombëtaren, edhe pse nuk jam plotësisht në formë.
- U mërzitët kur nuk u thirrët që në fillim nga trajneri Brigel?
- Jo. Kisha folur me trajnerin e kombëtares. I thashë që nuk jam në formën më të mirë, ndaj ishte e logjikshme që të mos më thërriste për këtë ndeshje. Kam gati 10 ditë që po zhvilloj stërvitje të fortë për të arritur formën optimale. Mendoj se për të mërkurën do të jem në gjendje më të mirë fizike. Shpresoj që trajneri do të më besojë një vend në ekipin e parë.
- Dje, kombëtarja ka humbur me Gjeorgjinë. A mund të na jepni një gjykim për këtë ndeshje?
- Nuk do të ishte e drejtë që Altini të fliste për një ndeshje, në të cilën nuk ka qenë i grumbulluar. Nuk do të ishte e drejtë që të flisja për shokët e ekipit në këto momente. Eshtë e kotë të flasësh për të kaluarën. Eshtë shumë vonë. E vetmja gjë që mund të them është se të mërkurën duhet të fitojmë medoemos, për të shlyer këtë humbje në Tbilisi. Shpresoj që do të jem në fushën e lojës për të dhënë kontributin tim të mërkurën.
- A mendoni se do ta kaloni kuotën e 10 golave me fanellën kuqezi në këtë ndeshje?
- Kam shumë dëshirë të shënoj në ndeshjen e së mërkurës, nëse trajneri beson tek unë. Të gjithë sulmuesit duan të shënojnë gola, pasi ky është profesioni i tyre. Ndaj Gjeorgjisë dua të shënoj gol për të ndihmuar ekipin dhe jo për statistikë. Fitorja është gjëja më e rëndësishme në këto momente për skuadrën kuqezi. Gjithsesi, e mërkura është prova e fundit për ne.
Olsi AVDIAJ
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

KOMBETARJA :

Sulmuesi vlonjat i Veronës largohet nga kombëtarja me kokën pas

Myrtaj: Brigeli më zhgënjeu

Qëndron i vetëm në korridorin e stadiumit "Selman Stërmasi dhe duket se është i mërzitur. I veshur, por jo me kompletin sportiv kuqezi. Florian Myrtaj shprehet se do të largohet nga grumbullimi, pasi kështu kishte rënë dakord me Brigelin më parë. Por edhe pse do të largohet, diçka e shqetëson. Nuk e ka përtypur mosaktivizimin në ndeshjen e parë me Gjeorgjinë. Thotë se kishte folur me Brigelin dhe ky i fundit e kishte garantuar se do të ishte në formacionin e parë. Por nuk ndodhi kështu. Jo vetëm nuk luajti që nga fillimi, por qëndroi në stol për të gjithë ndeshjen, duke u zhgënjyer nga Brigeli.
- Florian, do të largoheni nga kombëtarja?
- Po, është e vërtetë që do të largohem nga ekipi kombëtar, për t'u bashkuar me ekipin tim, Veronën, në prag të ndeshjes së Kupës së Italisë, që do të zhvillohet këtë mesjavë.
- Cili është shkaku i këtij largimi të parakohshëm?
- Para se ekipi kombëtar të grumbullohej për këto dy ndeshje, kisha diskutuar me trajnerin. Së bashku me të dhe klubin, me të cilin aktualisht aktivizohem, kishim rënë dakord që të largohesha, pasi të kisha luajtur ndeshjen e parë. Kjo, sepse skuadra ime, siç e thashë, kishte kërkuar leje te Brigeli në prag të Kupës së Italisë. Trajneri i kombëtares e kishte pranuar këtë kërkesë, prandaj më duhet të largohem.
- Ishte menduar se do të aktivizeshit që nga minuta e parë kundër Gjeorgjisë, por nuk luajtët asnjë minutë...
- Nuk e prisja. Në kontaktet telefonike që kam pasur me trajnerin e skuadrës, Hans Peter Brigel, më ishte thënë se do të luaja që nga minuta e parë. Edhe para ndeshjes më ishe komunikuar e njëjta gjë. Nuk ndodhi, pasi dikush tjetër luajti. Nuk e prisja vendimin e Brigelit, i cili më zhgënjeu shumë. Shpresoja që të aktivizohesha që nga minuta e parë. Gjithsesi, respektoj vendimin e trajnerit në këtë ndeshje, pasi ai duhet të ketë pasur arsyet e veta për zgjedhjen që bëri.
- Po për ndeshjen e humbur me Gjeorgjinë ç'mund të thoni?
- Nuk kam dëshirë ta komentoj rezultatin dhe lojën e kësaj ndeshjeje. Them vetëm që kombëtarja për mua do të jetë krenari. Do të vazhdoj të grumbullohem me ekipin kombëtar, edhe pse kam shumë dëshirë të aktivizohem më shumë në ndeshjet zyrtare. Më parë kam luajtur pak, por në të ardhmen dua që gjërat të ndryshojnë. Jam një sulmues dhe dëshiroj të shënoj sa më shumë gola, si me ekipin kombëtar, ashtu edhe me Veronën në Itali.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

KOMBETARJA :

Futbollisti i Eintrahtit largohet i dëmtuar për në Gjermani

Skela: Gjeorgjia, katastrofa jonë

Organizatori i kombëtares shqiptare dhe i Eintrahtit të Frankfurtit, Ervin Skela, do të largohet nga kombëtarja. Ky vendim është marrë, pasi Skela nuk riaftësohet dot për ndeshjen e dytë me Gjeorgjinë. Ka qenë vetë stafi kuqezi, menjëherë pas ndeshjes me Gjeorgjinë, që ka vendosur për këtë largim. Dje paradite, në stërvitjen e kombëtares pas rikthimit nga Tbilisi, Skela ka diskutuar gjatë si me Brigelin, me mjekun e kombëtares, Heqimi, dhe me fizioterapistin Bulinger. Nga ajo që është marrë vesh, Skela do të largohet për në Frankfurt, pasi dëmtimi i tij është serioz dhe futbollisti nuk mund të riaftësohet deri të mërkurën. Sipas stafit mjekësor të kuqezinjve, lojtari vlonjat ka shumë dhimbje në rrëzën e kofshës, e cila nuk e lejon fare të luajë. Kështu, duke parë se gjendja e futbollistit ishte e keqe, është vendosur që Skela të largohet për në Gjermani, ku do të vazhdojë kurat për t'u riaftësuar. Vetë futbollisti, për këtë çështje, shprehet: "Kam luajtur një ndeshje nën mundësitë e mia. Ka qenë një ndeshje, të cilën mund ta quaj një katastrofë të vërtetë. Nuk ishte ekipi ynë. Ndeshje më të keqe nuk mund të luajmë më. Për të gjithë takimin kam luajtur me një injeksion, i cili nga fundi nuk më dha efekt," - është shprehur Skela. Sipas vetë futbollistit, Brigeli, pasi diskutoi gjatë me mjekët e ekipit, vendosi që Skela të largohet, pasi është e kotë të qëndrojë së bashku me ekipin. Kështu, në ndeshjen e dytë me Gjeorgjinë, Ervin Skela nuk do të luajë.
O. AVDIAJ 'Sporti Shqiptar'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

KOMBETARJA :

Në grumbullim ka qenë i pranishm Rraklli, i cili është thirrur me urgjencë nga Brigeli

Kombëtarja, "mbizotëron" heshtja

"Kjo Shqipëri ka probleme". Nuk janë këto fjalët e ndonjërit, por të vetë trajnerit Brigel një ditë para nisjes për në Gjeorgji, të cilat janë aktuale edhe sot. Dje, në stërvitjen e parë pas ndeshjes së Tbilisit, Brigeli nuk ka dashur të flasë për shtypin. Madje heshtjen për shtyp ua ka imponuar edhe lojtarëve kuqezinj. Këta të fundit kanë qenë shumë të heshtur në stërvitjen e së dielës, gati 11 orë pas mbërritjes në Tiranë. Shumë prej tyre nuk kanë folur fare për mediat. Përjashtim ka bërë Rraklli, i rikthyeri në kombëtare, Myrtaj dhe Skela, që u larguan nga grumbullimi, si dhe kapiteni Strakosha, i ngurtësuar pas "shfaqes" së djeshme të kuqezinjve në Tbilisi. Trajneri Brigel ka thënë vetëm se të martën, në ora 14.00, do të flasë për të gjithë. Në stërvitje mbizotëronte vetëm heshtja, madje në ndonjë moment edhe nervozizmi, ku lojtarët kërkonin që kamerat të mos filmonin. Flitej që futbollistët kishin bërë një pakt për të mos komunikuar me shtypin, edhe pse deklaronin se trajneri kishte ndaluar një gjë të tillë. Gjermani i stolit kuqezi, për të gjithë stërvitjen ka qenë i mërzitur, madje kjo gjendje mbizotëronte edhe te futbollistët. Hallet për kombëtaren dje janë shtuar edhe më shumë, kur është mësuar se Skela, Myrtaj, Bellai dhe Dede nuk do të jenë në ndeshjen e së mërkurës. Skela, Dede dhe Bellai janë të dëmtuar, ndërkohë që Myrtaj është larguar pasi ka marrë leje nga trajneri Brigel. Bellai ka pësuar një tërheqje muskulare dhe do të kthehet në Greqi, ndërkohë që Dede do të bëjë rezonancën magnetike në Tiranë. Pas stërvitjes, ekipi është lënë i lirë nga Brigeli për të pushuar deri mesditën e së hënës. Skuadra do të rigrumbullohet sot, në orën 13.00 dhe në orën 17.00, kur kuqezinjtë do të zbresin në "Selman Stërmasi" për të zhvilluar stërvitjen e radhës në prag të ndeshjes me Gjeorgjinë.
Olsi AVDIAJ 'Sporti Shqiptar'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

KOMBETARJA :

Cana dhe Çipi, të skualifikuarit për kartonë

Geri Çipi dhe Lorik Cana shtojnë hallet e kombëtares në prag të ndeshjes së dytë me Gjeorgjinë të mërkurën. Dy futbollistët kuqezinj janë ndëshkuar dje, në ndeshjen me Gjeorgjinë, me kartonë të verdhë. Kështu, këta dy kartonë janë të dytët për këta futbollistë dhe, sipas rregullores së UEFA-s, në ndeshjen e së mërkurës do të jenë të skualifikuar. Çipi, për herë të parë, është ndëshkuar në ndeshjen me Irlandën, ndërkohë që Cana kartonin e parë të verdhë e ka marrë në Zvicër, gjatë pjesës së dytë. Kështu, duke llogaritur edhe 4 futbollistët e tjerë të kombëtares, numri i mungesave të futbollistëve kuqezinj shkon në 6, çka do të thotë se kombëtarja është në krizë të plotë.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

TEUTA :

Sulmuesi durrsak mendon se Teuta e sivjetshme është skuadër tepër e konsoliduar

Begeja: Në fushën tonë vetëm fitore

Gentian Begeja, kapiteni i ekipit të Teutës, e konsideron plotësisht të merituar pozicionin aktual të Teutës në tabelën e klasifikimit. Ai mendon se Teuta do të dijë të sulmojë titullin në këtë kampionat, pavarësisht nga rivaliteti, i cili do të jetë më i fortë se kurrë. Në një prononcim për gazetën "Sporti shqiptar" kapiteni Begeja do të shprehej...
- Si do ta komentonit këtë "shpërthim" të Teutës në startin e kampionatit?
- Unë nuk do ta konsideroja surprizë këtë start të kampionatit për ne, pasi ekipi që kemi e tregoi veten që në fazën e dytë të kampionatit të kaluar. Grumbulluam më shumë pikë se çdo ekip tjetër dhe këtë sezon kemi po atë kontingjent futbollistësh. Madje, jemi përforcuar më shumë në mbrojtje me ardhjen e Drizës.
- Fituesit nuk gjykohen, por a mendoni se Teuta ka dhënë maksimumin në dy ndeshjet e para?
- Sigurisht që nuk kemi dhënë maksimumin. Do të thosha se është fillim kampionati dhe nuk kemi arritur ende në 100% të formës sportive. Në dy ndeshjet e para kemi pasur edhe mangësi që shpresojmë t'i riparojmë sa më shpejt.
- Cilat janë këto mangësi, sipas jush?
- Duhet të luajmë më shpejt me topin dhe të jemi më insistues nga minuta e parë në të fundit.
- Fitorja me Vllazninë ishte meritë e Teutës, apo erdhi si pasojë e gjendjes së dobët të ekipit shkodran?
- Sigurisht që Vllaznia nuk ishte në lartësinë e sezonit të kaluar, por mendoj se fitorja ishte meritë e lojës që ne zhvilluam. Ditëm t'i shfrytëzojmë mirë rastet që krijuam dhe ta përfundojmë ndeshjen me rezultat të pastër. Vllaznia pas ndeshjes me Dandin kishte kohën e mjaftueshme për të pushuar dhe në fushë hymë të barabartë. Ju siguroj se të rrallë do të jenë ato ekipe që do të marrin pikë në Loro Boriçi, pasi Vllaznia ka futbollistë cilësorë.
- Nga Vllaznia te Partizani, cili është ndryshimi sipas jush?
- Në ndeshjen me Partizanin vijmë në pozita të barabarta për sa i përket gjendjes së pikëve dhe pretendimeve. Nëse Vllaznia kishte probleme në fillim të sezonit, ne dhe Partzani kemi bërë një përgatitje dhe start të mirë këtë fillim sezoni, kështu që përballja do të jetë tepër e fortë. Kemi fituar një miqësore në prag të fillimit të kampionatit me Partizanin, por ajo ishte thjesht miqësore, ndërsa një ndeshje zyrtare është diçka tjetër. Gjithsesi, në fushën tonë, jo vetëm me Partizanin, por me çdo ekip do të synojmë vetëm tripikëshin.
- Si po funksionon sulmi në këtë fillim kampionati?
- Kemi shënuar tre gola, dy prej të cilave nga vija sulmuese. Nuk janë shumë, por jam i kënaqur që kanë ndikuar në fitoret e të dyja ndeshjeve. Me Shkumbinin kemi gabuar shumë, ndërsa me Vllazninë jemi treguar të saktë dhe racionalë.
- Si ndihet vetë Begeja në këtë sezon?
- Jam stërvitur maksimalisht dhe do të jap maksimumin në dobi të ekipit. Një avantazh tjetër që kemi në këtë kampionat është fakti që kemi një ndërthurje efektive të futbollistëve të rij me ata me eksperiencë.
Llambi Kallço 'Sporti Shqiptar'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

PARTIZANI :

Braziliani i Partizanit shprehet se është rikthyer te Partizani për të luajtur titullar me ekipin

Rosha: Të mos e kthejmë kokën pas

Mesfushori brazilian Rosha është aktivizuar në dy ndeshjet e para me Partizanin, por, ashtu siç pritej, para fillimit të kampionatit, ai nuk ka qenë në formën më të mirë. Rosha, gjatë takimit të fundit ndaj Lushnjës, është zëvendësuar nga trajneri Spahiu në pjesën e dytë, ku nga pakënaqësia që shfaqi në fund, mori edhe një karton të verdhë. Por braziliani, pas ndeshjes së fundit, shprehet se gjithmonë futet në fushë për të dhënë maksimumin e mundshëm, por ndonjëherë ndodh që ekipi, apo lojtarë të ndryshëm, të luajnë dobët. "Unë jam provuar më parë te Partizani dhe tifozët më njohin mirë. E di që në takimin e fundit nuk isha në gjendje të mirë, por kjo nuk më shqetëson shumë, sepse ekipi e fitoi ndeshjen ndaj Lushnjës. Ndodh që loja nuk del ndonjëherë dhe si rezultat edhe lojtarët kanë probleme në fushë. Jo vetëm unë, por i tërë ekipi nuk ka qenë atje ku duhej në dy ndeshjet e para të kampionatit," - shprehet braziliani Rosha, i cili duhet theksuar se është ende larg formës së tij të mëparshme, që tifozët e Partizanit qenë mësuar ta shihnin dy sezone më parë.
Rosha, për sa i përket të ardhmes së tij, shprehet se ka dëshirë të qëndrojë te Partizani dhe për këtë është kthyer sërish në Shqipëri, madje që të fitojë titullin me ekipin kryeqytetas. "E kam theksuar edhe më parë që kam dëshirë të luaj dhe të fitoj me Partizanin. Nëse nuk kam qenë në formë në ndeshjet e para, kam besim se në të ardhmen do të jem një lojtar krejt tjetër. Unë i harroj shpejt ndeshjet që kalojnë, edhe kur luaj shumë mirë, sepse mendjen e kam gjithmonë te takimet e radhës. Jo se nuk kam dashur të jam maksimumin deri tani, por, siç e theksova, asnjë futbollist nuk mund të luajë çdo ndeshje shumë mirë. Madje ka edhe futbollistë të mëdhenj që gabojnë në fushën e lojës. Kështu, shpresoj se shumë shpejt loja e Partizanit do të ketë ngritje, në krahasim me ndeshjet e para, dhe të gjithë lojtarët e formacionit të parë do të japin maksimumin," - shprehet futbollisti me ngjyrë i kryeqytetasve të kuq.
Partizani, pasi ka marrë pikët maksimale në dy javët e para të kampionatit, pritet të ketë provën më të vështirë në Durrës, ku Teuta është shfaqur si pretendente pas dy fitoreve të para. Gjithsesi, braziliani Rosha thekson se takimi i javës tjetër, ndaj Teutës, do të jetë si të gjitha ndeshjet e tjera të kampionatit. "Duke qenë se kemi më shumë kohë në dispozicion, po i kushtoj më shumë rëndësi ndeshjes së radhës, edhe për faktin tjetër se Teuta është skuadër më e fortë. Por, nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë se kampionati sapo ka filluar dhe deri në fund kemi edhe tri ndeshje të tjera me Teutën e Durësit. Prandaj mendoj se, mbi të gjitha, duhet të luajë mirë ekipi, duke bërë diferencën me të tjerët. Nëse nuk marrim maksimumin në Durrës, besoj se do të kemi mundësi në ndeshjet e tjera ta bëjmë një gjë të tillë," - e përfundon fjalën e tij mesfushori i fuqishëm brazilin Rosha.
Aranit MURAÇI 'Sporti Shqiptar'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

PARTIZANI :

Karioka, i gatshëm ndaj Teutës

Duket se sulmuesi i Partizanit, Karioka, i cili u dëmtua në "Qemal Stafa" në ndeshjen e kaluar kundër Lushnjës, nuk do të ketë asnjë problem për takimin e radhës kundër Teutës së Durrësit. Sipas mjekut të Partizanit, dëmtimi i Kariokës nuk është shumë problematik, ndaj pritet që braziliani, deri të shtunën në Durrës, të mos ketë asnjë problem me gjurin. Sulmuesi i të kuqve u zëvendësua që në pjesën e parë nga trajneri Spahiu. Nga mesi i javës së kaluar, ai doli në stërvitje së bashku me lojtarët e tjerë, ndërkohë që këtë javë mund t'i nënshtrohet edhe grupit të lojtarëve që po eksperimentohen nga trajneri Spahiu. Sipas trajnerit të të kuqve, nëse në sulm do të luajë dyshja Bejzade-Bylykbashi, ka mundësi që Karioka të kalojë në krah të mesfushës. Gjithsesi, deri tani, asgjë nuk është vendosur në lidhje me të, si dhe me lojtarët e tjerë të Partizanit.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

APOLONIA :

Skuadra fierake do të vazhdojë stërvitjen në kompleksin "Dinamo" ndoshta deri në fund të fazës së parë
Apolonia me grumbullim afatgjatë
Që prej ditës së hënë skuadra fierake është grumbulluar në kompleksin sportiv "Dinamo", ku po vazhdon përgatitjet në prag të fillimit të kampionatiti të ri. Një gjë e tillë është bërë e mundur pas një marrëveshjeje midis drejtuesve të të dy klubeve, ndërsa parashikohet që grumbullimi i Apolonisë në kompleksin "Dinamo" të zgjasë deri në përfundim të fazës së parë të kampionatit. Këtë fakt e ka pohuar edhe trajneri i ekipit fierak Vangjel Capo. Ky i fundit është shprehur se grumbullimi i ekipit për një kohë të gjatë është parë si gjëja më e mirë në dobi të skuadrës. Sipas Capos, është duke u punuar në mënyrë të veçantë për forcimin e disiplinës brenda ekipit, si dhe për futjen e grintës te lojtarët, dy elemente shumë të rëndësishme në futboll. Trajneri i fierakëve ka pohuar se edhe me përforcimet që do të bëhen, synohet që këtë vit Apolonia të rikthehet në nivelet në të cilat jemi mësuar ta shohim më parë në kampionatin shqiptar. Apolonia ka zhvilluar edhe një ndeshje miqësore me Dinamon, ku është mundur me rezultatin 3-0. Në përfundim të këtij takimi trajneri Capo është shprehur: "Ekipi ka një javë që ka filluar grumbullimin këtu në kompleksin "Dinamo". Aktualisht, gjysma e skuadrës përbëhet nga lojtarë me eksperiencë dhe gjysma tjetër nga lojtarë të ardhur nga ekipet e të rinjve. Ne jemi duke punuar për ingranimin e këtyre të fundit në lojën e ekipit. Para së gjithash, do të kërkojmë që ekipi të jetë mjaft i disiplinuar dhe serioz në stërvitje. Pikërisht kjo është arsyeja që Apolonia ka organizuar këtë grumbullim, i cili mund të zgjasë deri në fund të fazës së parë. Para fillimit të kampionatit skuadra do të përforcohet me lojtarë të cilët duhet të jenë sa më punëtorë dhe të kenë grintë në lojë."
Apolonia ka filluar të mendojë që tani për përforcimet e mundshme, duke kërkuar të huazojë futbollistë nga ekipe të ndryshme, kryesisht nga ato të kryeqytetit.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

TIRANA :

Sulmuesi bardheblu i ka lënë pas dëmtimet dhe ndihet i gatshëm për një vend titullari në formacion

Merkoçi: Shpresoj të jetë sezoni im

I rikthyer te Tirana pas huazimit në fazën e dytë te të kuqtë e Partizanit, sulmuesi bardheblu Eldorado Merkoçi shpreson që ky sezon që sapo ka nisur të jetë i tij në të gjitha aspektet. Nuk ka luajtur në dy ndeshjet e kampionatit si rrjedhojë e një tërheqjeje muskulare që kishte në kofshë, por tanimë dëmtimet i ka lënë pas dhe ndihet i gatshëm për të luftuar për një vend titullari në formacion. Në një deklarim për "Sportin shqiptar", sulmuesi energjik shprehet i kënaqur që i ka lënë pas dëmtimet dhe se skuadra e tij e ka nisur më së miri sezonin e ri. "Pas disa javësh me probleme muskulare, më në fund ndihem mirë fizikisht. Nuk kam mundur të luaj në dy sfidat e para të kampionatit dhe kam bërë të pamundurën që të riaftësohesha sa më shpejt. Java që lamë pas ishte vendimtare për mua, duke qenë se u aktivizova në dy takimet miqësore dhe nuk ndieva dhimbje. Tashmë shpresoj që të luaj që nga ndeshja e së shtunës ndaj Besës,"- shprehet 25-vjeçari. Kampionati i kaluar ishte me dy fytyra për Merkoçin, pasi fazën e parë luajti me bardheblutë, ndërkohë që në fazën e dytë preferoi një huazim te Partizani. Megjithëse nuk u shqua për shënimin e shumë golave (5 gola gjithsej, 2 me Tiranën dhe 3 me Partizanin), ai ishte pika e referimit për të dy ekipet, falë edhe shpërthimeve karakteristike. Pas largimit nga të kuqtë, Eldoja ka luajtur edhe në takimet e Ligës së Kampioneve me skuadrën e tij të zemrës dhe nuk ka mundur dot të zhbllokohet. Ai beson se një gjë e tillë ka për të ndodhur shumë shpejt dhe do të arrijë që në këtë sezon të japë maksimumin. "Pas rikthimit nga Partizani për te Tirana, akoma nuk kam shënuar sikur dhe një gol të vetëm për arsye që përmenda më lart. Gjithsesi, unë shpresoj që ky të jetë sezoni im, ku golat e mi t'i dhurojnë Tiranës trofe,"- thotë sulmuesi bardheblu. Në karrierën e tij disavjeçare si futbollist profesionist, Merkoçi ka kontribuar edhe në radhët e Vllaznisë së Shkodrës. Vetë ai e pranon që, edhe pse ka kaluar ditë të gëzueshme si te Vllaznia dhe te Partizani, vetëm te Tirana ndihet si në shtëpinë e tij. Eldorado Merkoçi, ish-lojtari i ekipit Shpresa, është "produkt" i ekipeve zinxhirë të bardhebluve dhe e ka treguar talentin e tij disa herë. "Për mua, Tirana mbetet shtëpia ime, pasi te kjo skuadër kam lindur dhe jam formuar si futbollist. Kam luajtur më parë edhe me disa skuadra të tjera, brenda dhe jashtë vendit, dhe e kam ndier mungesën. Sezonin që kaloi më erdhi pak keq që nuk arrita të isha edhe unë me shokët që ngritën trofeun e kampionit në Elbasan, megjithatë besoj se një gjë të tillë do ta bëj këtë edicion,"- thotë ai. Kampionatin që sapo ka nisur, Eldoja e parashikon të vështirë dhe është i bindur se Tirana, edhe këtë sezon, ka për dalë mbi ekipet e tjera, duke i fituar të dy trofetë. "Për mua, edhe këtë kampionat do të jemi ne që do ta fitojmë, pasi i kemi të gjithë mundësitë. Ndërmjet të gjithë lojtarëve, në ekip ekziston një klimë shumë miqësore dhe secili përpiqet të bëjë më të mirën e tij në ato momente që i jepet mundësia për të luajtur. Na duhet t'i bëjmë një mbrojtje dinjitoze titullit 20 herë kampion dhe jemi më se të gatshëm t'u tregojmë të gjithëve se është vështirë të na bëjnë ballë,"- përfundon deklarimin e tij sulmuesi energjik i bardhebluve, Eldorado Merkoçi.
Aurel CELIBASHI 'Sporti Shqiptar'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

DINAMO :

Sulmuesi afrikan e ndien veten në formë, megjithëse nuk ka shënuar në dy javët e para të kampionatit

Ziambo: Të ruajmë serinë e fitoreve

Dinamovitët, të kënaqur pas dy fitoreve të para, presin me qetësi takimin e së shtunës, ku do të kenë përballë Vllazninë e Shkodrës. Tashmë skuadra duket se është konsoliduar më së miri në çdo repart të saj dhe të gjithë futbollistët janë në formë. Këtë gjë e ka treguar mjaft qartë edhe miqësorja me Apoloninë, ku blutë fituan lehtësisht me rezultatin 3-0. Sipas sulmuesit afrikan të Dinamos, Jonuari Ziambo, në dy ndeshjet e fundit është vënë re një rritje e konsiderueshme në lojën e skuadrës. Ai mendon se kjo rritje ka ardhur sepse të gjithë futbollistët e rinj që u bashkuan me Dinamon gjatë kësaj vere, tashmë kanë arritur të përshtaten plotësisht me grupin e mëparshëm. Për afrikanin, kjo është një gjë shumë e rëndësishme, e cila do të bëjë që në ndeshjet e ardhshme Dinamoja të zhvillojë lojëra me nivel më të lartë. Në deklaratën e tij për "Sportin shqiptar" Ziambo është shprehur:
"Ekipi është në përmirësim të vazhdueshëm. Ndaj Besës fituam 2-0 dhe luajtëm mirë, ndërsa me Shkumbinin luajtëm më mirë. Mendoj se tashmë të gjithë lojtarët që erdhën në ekip gjatë merkatos së verës janë përshtatur plotësisht në lojën e grupit. Besoj se kjo është edhe arsyeja që skuadra ka pasur rritje të dukshme në lojën e saj. Kështu, Dinamoja do të jetë më e fortë në javët e ardhshme të kampionatit, duke synuar gjithmonë fitoren dhe lojën e bukur. Deri tani nuk jemi ndeshur me rivalët tanë direktë, por mendoj se ekipi i vlerëson të gjitha ndeshjet njësoj."
Ziambo luan si titullar në formacionin blu, por ende nuk ka arritur të shënojë golin e parë në kampionatin e ri. Sezonin e kaluar afrikani ka qenë vendimtar me golat e tij, ku vlen të përmendet ai i finales së Kupës së Shqipërisë, i cili i dha fitoren Dinamos. Ai shënoi tetë gola në kampionat, katër nga të cilët me fanellën e Bylisit, ku luajti në fazën e parë. Aktualisht, Ziambo pohon se gëzon një formë të mirë, pavarësisht se nuk ka arritur të shënojë në dy ndeshjet e para. Afrikani shpreson ta gjejë shumë shpejt golin.
"Besoj se kam luajtur mirë, - thotë Ziambo.- Në ndeshjen me Besën dhe në atë me Shkumbinin kam pasur disa raste, por, për fat të keq, nuk kam arritur të shënoj. Më vjen mirë që Qorri është në formë shumë të mirë dhe ka shënuar pesë gola në dy ndeshje. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse të them se të njëjtën gjë do të bëj edhe unë në ndeshjet e ardhshme. Gjithsesi, e rëndësishme është që Dinamoja ka fituar në ndeshjet e para."
Ditën e shtunë, Dinamoja do të luajë në Tiranë takimin me Vllazninë e Shkodrës, i vlefshëm për javën e tretë të kampionatit. Për Ziambon, ndeshja me Vllazninë parashikohet tepër e fortë, pasi shkodranët vijnë pas dy humbjesh radhazi dhe ndaj Dinamos do të kërkojnë të bëjnë kthesën. Afrikani pohon se Dinamoja nuk do ta prishë serinë e fitoreve edhe këtë javë.
"Do të thosha se është një takim i vështirë për Dinamon. Luajmë ndaj një kundërshtari që ka humbur në dy javët e para. Vllaznia ka ndryshuar trajnerin dhe me Dinamon do të japë gjithçka për të fituar pikët e para në kampionat. Megjithatë, ne kemi synimin tonë, i cili është vetëm fitorja. Duam të ruajmë serinë e fitoreve, në mënyrë që gjithçka ta kemi më të lehtë në vazhdimësinë e kampionatit. Kemi një javë kohë në dispozicion për të mbushur çdo boshllëk të mundshëm përpara takimit me Vllazninë." Ky ka qenë edhe komenti i sulmuesit të Dinamos në lidhje me ndeshjen e së shtunës.
 
Top