Re: IRANI ben boooom!
Meqe grupi gjerman ka bere kontrabante, qeveria jone ka menduar te beje tregti te ndershme me Iranin. Lexoni artikullin:
Shqipëria kërkon ekspansion tregtar me Iranin
Tregtia me Iranin, i shesim armë lufte dhe blejmë tekstile
A. XHikneli - Gazeta ABC
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli ka ndërmarrë një nismë për të zgjeruar marrëdhëniet tregtare me Republikën Islamike të Iranit. Kjo deklaratë është bërë e ditur pas takimit të vetë ministrit Ruli me ambasadorin Iranian në Tiranë, Ali Beman-Eqbalid. Sipas agjencisë iraniane të lajmeve ISNA, ministri Ruli gjatë këtij takimi është shprehur se ekziston një numër shumë i kufizuar i aktivitetit industrial dhe tregtar, midis Iranit dhe Shqipërisë, krahasuar me potencialet. Kështu, po sipas agjencisë, ministri Ruli shprehur dëshirën që dhomat e tregtisë të Iranit dhe Shqipërisë të organizojnë forume dhe seminare, me qëllim nxitjen e secilit vend në potencialet ekonomike e tregtare. Gjithashtu, përfaqësuesit zyrtarë të shtetit shqiptar u shprehën se brenda këtij viti do të zhvillojë një vizitë në Teheran për të finalizuar një numër marrëveshjesh ekonomike të cilat ishin nënshkruar kohë më parë midis dy vendeve. Aktualisht, Shqipëria ka një gamë të vogël marrëdhëniesh tregtare me Republikën Islamike të Iranit, ku eksportet drejt këtij vendi janë të natyrës ushtarake. Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme, volumi më i madh tregtar është realizuar gjatë vitit 2005, ku janë eksportuar drejt Iranit rreth 750 mijë USD armë luftarake si granata, bomba etj. Ndërkohë që importet nga ky vend, janë kryesisht tekstile të cilat kapin vlerën e 1.5 milionë dollarëve në një vit. Praktikisht, shkëmbimet tregtare me Republikën e Islamike të Iranit janë rritur gjatë ardhjes në pushtet të koalicionit të djathtë.
Sipas treguesve të tregtisë së jashtme rezulton se që nga vitit 1999 e deri më vitin 2003, eksportet drejt Iranit ishin në shifra mjaft të ulëta, mesatarisht 30 mijë USD. Ndërkohë që në vitin 2004 rezulton që të jenë eksportuar gjithsej 180 mijë USD, nga të cilat 134 mijë janë armë lufte si bomba e granata. Por, ndryshimet thelbësore kanë filluar në vitin e rotacionit të pushtetit 2005.
..................................
Tregti me “armiqtë” e SHBA-së
Shqipëria ia ka shitur fishekë Iranit ndërkohë që SHBA e kërcënon me luftë
Altin Xhikneli - ABC
Një suprizë tjetër nga qeveria “Berisha”. Shqipëria ka eksportuar armë në Iran, armikun më potencial të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas Irakut në një kohë që aleati zyrtar strategjik, pra SHBA është në gjendje quasi-lufte me vendin që po prodhon armë bërthamore jashtë kontrollit të Kombeve të Bashkuara.
Eksporti armëve
Tregtia e armëve luftarake ka filluar të riaktivizohet pas regjimit komunist por shifrat e tregtisë janë rritur pas ardhjes në pushtet të koalicionit të djathë. Shqipëria ka rritur të eksportojë çdo vit e më shumë fishekë, bomba, granata etj. Kështu, vendet të cilat kanë blerë municione ushtarake me Shqipërinë kanë qenë Gjeorgjia, Republika Islamike e Iranit, Maqedonia dhe SHBA-së. Sipas shifrave të tregtisë së jashtme, rezulton se gjatë vitit 2006, janë eksportuar 2.4 milionë dollarë municione ushtarake gjatë këtyre vendeve, ku Gjeorgjia zë peshën më të madhe me 2 milionë USD. Drejt këtij vendi, gjatë këtij viti janë eksportuar vetëm fishekë. Sipas këtyre shifrave, eksporti i armëve drejt partnerëve tregtarë ka pësuar një rritje prej 281% krahasuar me vitin 2005. Kjo rritje, kryesisht i dedikohet shitjes së armëve në Gjeorgji me një vlerë të lartë monetare. Ndërkohë që vendi i dytë importues i armëve nga Shqipëria është Republika Islamike e Iranit, i cili ka blerë fishekë, granata, bomba dhe municione të tjera luftarake në vlerën e 251 mijë dollarëve. Nga këto, 121 mijë USD janë vetëm fishekë. Ndërkohë që Maqedonia ka blerë rreth 50 mijë USD fishekë nga Shqipëria gjatë 2006-ës. Tendenca e eksportit të fishekëve ka ardhur në rritje, sidomos gjatë 2 viteve të fundit. Sipas shifrave tregtare, në vitin 2005 vendi ynë ka eksportuar rreth 500 mijë USD fishekë, ose 233.5% më shumë se në vitin 2004. ndërkohë që viti 2006, është me një rritje prej 357.2% krahasuar me paraardhësin.
Eksporti i fishekëve
Që nga janari i këtij viti, vendi ynë do të prodhojë më shumë fishekë në uzinën e armëve ne Poliçan. Në Dhjetor të këtij viti qeveria miratoi një marrëveshje me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Turke e cila do të modernizojë Uzinën e Prodhimit të Armëve të Poliçanit. Kështu, sipas marrëveshjes, aty do të prodhohen 400 mijë fishkë kallashnikovë për tu eksportuar drejt Turqisë në harkun kohor prej 10 vjetësh. Ky prodhim do të riaktivizojë në punë dhe 80 specialistë të cilët do të merren me një kontratë pune.
Tregtia e shtetit
Kompania e cila bën tregtinë e armëve në emër të shtetit shqiptar e ka emrin MEICO (Kompania Ushtarake e Import Eksportit). MEICO funksionon me vendim qeverie që prej tetorit të vitin 1991. Kjo njësi është krijuar në atë kohë për plotësimin e nevojave të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe të institucioneve të tjera me mallra importi specifike të karakterit ushtarak, si dhe eksporte të mallrave ushtarake të reja dhe stoqeve te Ushtrisë Shqiptare, si dhe te prodhimeve të industrisë ushtarake. Sipas të dhënave, gjatë viti 1994, në gjenocidin që ndodhi në Rwanda, shteti shqiptar nëpërmjet kësaj kompanie i ka shitur municione këtij vendi në vlerën 943 mijë dollarëve. Tashmë duket se shteti shqiptar është riaktivizuar në tregtimin e armëve.