Re: IRAKU - Dalengadale po kthehet ne nje histori suksesi .
Deja Vu të Imperializmit Ango-Amerikan në Irak
nga: Olsi Jazexhi
Për lexuesit shqiptar, rrëzimi i rregjimit të Sadam Huseinit mund të jetë të dukur si një incident i rëndomtë në historinë e Irakut, ku disa ‘liberatorë’ perëndimorë vinin për të ‘Çliruar’ një popull që anglo-amerikanët pretendonin se po vuante nga diktatura e një sunduesi brutal. Megjithatë, për lexuesit e kujdesshëm të historisë, lufta në Irak kundër rregjimit të Sadam Huseinit dhe në ditët e sotme kundër luftëtarëve të lirisë në Falluxhah, Qerbela dhe Naxhaf nuk është tjetër por vetëm se një deja vu, apo më saktë një ripërtëritje e historisë së kolonializmit të njeriut kristjan – perëndimor kundër popujve të Lindjes së Mesme dhe Botës së Tretë në përgjithësi. Në mënyrë që historia të mos na përçmojë, publiku shqiptar duhet të rikujtohet se kolonializmi perëndimor kundër popujve të Lindjes është një fenomen i vjetër. Ai fillon që në shekullin e gjashtëmbëdhjetë kur hordhitë portugeze nisën të sulmojnë, grabisin dhe shkretojnë brigjet e Jemenit, Arabisë, Indisë dhe Afrikës.
Joshja për pasuri, lavdi dhe misionarizëm kristjan ishin faktorët kryesorë që çuan portugezët deri në brigjet e Malakës, në Malajzinë e largët, në Indi dhe Gadishullin Arab. Mitet e Kishës Katolike se në Afrikë ekzistonte një perandori kristjane e udhëhequr nga një prift me emrin Xhon, me të cilën portugezët do të ndërtonin aleancë dhe mundnin islamin ishin një nga shtytjet kryesore që çuan hordhi të njëpasnjëshme banditësh portugezë në detërat e lindjes, në kërkim të perandorisë mitike. Të ashtëquajtur eksploratorë portugezë si Alfonso de Albukuerkue, nëpërmjet përdorimit të aftësive sadiste dhe terrorit arritën të pushtojnë sa e sa qytete në Indi dhe tokat arabe dhe të grabisin pasuritë e Lindjes. Paraja që Portugalia dhe pas saj Spanja arritën të mbledhin gjatë kolonizimit dhe shfrytëzimit të popujve ku ata shkuan do të inspironin edhe fuqitë e tjera evropjane të hyjnë në garën e kolonializmit të popujve të botës jo-perëndimore.
Siç e thashë edhe më lart, kolonializmi anglo-amerikan i sotëm në Irak nuk është një shpikje e re në politikën kolonialiste botërore. Ai është pjesë e vazhdimësisë së dominimit, terrorit dhe grabitjes që perëndimi ka kryer historikisht kundër vendeve të Lindjes. Pushtimi i parë i drejtëpërdrejt nga britanikët kundër Irakut ka ndodhur në vitin 1914 kur britanikët të cilët kishin provokuar më parë revoltat e arabëve kundër Kalifatit Osman, e përdorën këtë rebelim për të vendosur hegjemoninë e tyre në botën arabe.
Interesat Imperialiste në Irakun Osman
Fuqia e parë evropjane që arriti të vendosë kontroll të plotë në Lindjen e Mesme është Britania e Madhe. Interesi britanik në Lindjen e Mesme nuk ishte për fe, si ai i portugezëve, por për të siguruar rrugët tregtarë që e çonin të fundmen në Indi. Për këtë arsye britanikët arritën që pas sulmesh të shumta kundër garnizoneve osmane në Oqeanin Indian, që në vitin 1840 të themelojnë bazën e parë në tokat arabe. Bazën në Aden të Jemenit. Pas kësaj, osmanët, siç edhe Eqrem Bej Vlora dëshmon në shënimet e tij, pikën më të largët që posedonin në detërat e botës arabe ishte qyteti iraken i Basrës. Në fillim të shekullit të 20të kur kryeministër i Perandorisë Osmane në Stamboll ishte Ferit Pashë Vlora, në Basra guvernator i vilajetit iraken ishte një shqiptar, Mahmut Maher Efendiu nga qyteti i Beratit.
Zhvillimi i flotës britanike dhe futja në përdorim nga viti 1904 i naftës në luftanije do ti çonte këta të fundit të ishin të interesuar për kontrollin e burimeve të naftës në botë, për të ruajtur kështu superioritetin dhe dominancën në detërat e lindjes. Për më tepër në vitin 1908 Kompania Anglo-Persiane e naftës, arriti të zbulojë rezerva të pafundme nafte në Iranin jugor dhe Irak. Duke kuptuar rëndësinë e kontrollit të burimeve të naftës, në vitin 1911, konsortiumi anglo-gjerman (Royal Dutch Shell, tregtari C. S. Gulbenkian, Banka (angleze) Kombëtare e Turqisë dhe Deutche Banka) arritën të sigurojnë nga Zhon Turqit eksluzivitetin e nxjerrjes së naftës në Perandorinë Osmane. Kompania Turke e Petrolit (si do të njihej konsortiumi anglo-gjerman) në vitin 1913 u bashkua me Kompaninë e Naftës Anglo-Persiane të themeluar më parë nga britanikët. Në vitin që rrodhi qeveria britanike pas shumë intrigash arriti të dominojë Kompaninë Anglo-Persiane të Naftës (që sot njihet si British Petroleum apo BP) dhe sigurojë në këtë mënyrë shfrytëzimin e naftës në Lindjen e Mesme.
Pushtimi i Parë i Irakut
Edhe pse gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë imperializmi britanik në shumë raste kishte marrë anën mbrojtëse ndaj Perandorisë Osmane, nëpërmjet skemave të “Politikës së Lindjes” që synonin të frenonin avancimin sllav në Mesdhe, Lufta e Parë Botërore i detyroi britanikët të kthehen kundër popujve osman. Politika e Zhon Turqve e çoi perandorinë përkrah Gjermanisë, e cila me avancimin e saj teknologjik kërcënonte interesat imperiale britanike në Lindjen e Mesme dhe tokat osmane në veçanti. Ndërtimi nga gjermanët i linjës së Orient Ekspresit që kalonte nga Sarajeva për në tokat shqiptarë ne Kosovë dhe Maqedoni e deri në Arabinë Saudite i jepte Perandorisë Osmane forcën për të përballuar çdo sulm tokësor në kohë, nga Lindje e deri në Ballkan. Por pika më nevralgjike për britanikët në përfshirjen gjermane në Perandorinë Osmane ishte kontrolli i naftës arabe. Nëse osmanët do të kishin në duart e tyre naftën gjatë shekullit të XX atëherë perandoria do të gjente forca për të mbijetuar dhe vazhduar dominimin e Lindjes. Për të siguruar shkatërrimin e Perandorisë Osmane dhe privatizimin e naftës, britanikët hynë në marrëveshje me familjen e Hashemitëve që sundonin në Hixhaz të Arabisë Saudite. Britanikët e kuptuan pas thyerjes fatale që ata, francezët dhe australianët pësuan në Galipoli, se osmanët edhe pse të sulmuar nga i gjithë perëndimim, ishin sërisht një forcë e cila mund të mundej vetëm me dinakëri. Për këtë arsye në vitin 1915, pas Traktatit të Damaskut, britanikët hynë në bisedime me Sherifin e Tokave të Shenjta, Sherif Huseinin prijës të klanit të Hashemitëve të cilin e bindën se arabët kishin vuajtur shumë nën hyqmin turk dhe tashmë koha ishte që ata të krijonin një Kalifat Arab. Sherifi i mjerë i besoi britanikëve të cilët e armatosën dhe e hodhën atë dhe fiset arabe në luftë kundër protektorëve të tyre osmanë.
Por marrëveshja me arabët nuk ishte e vetmja që britanikët bënë. Në Maj të vitit 1916, Britania nënshkroi paktin trepalësh të njohur si Marrëveshja e Sykes-Pikotit. Pakti ruso – franko – anglez që synonte shkatërrimin e Perandorisë Osmane i jepte Rusisë Armeninë, Bosforin dhe Stambollin, Francës Sirinë dhe Libanin, ndërsa britanikët merrnin vilajetin e Bagdadit, Basrës dhe Trans-Jordanisë. Ndërsa Palestinën, britanikët ia kishin rezervuar një aleati tjetër që rrinte akoma në hije: Zionistëve izraelitë. Por kryerja e Revolucionit Bolshevik në Rusi shqetësoi planet britanike pse Lenini publikoi intrigën britanike, ndërsa Sherif Huseini kërkonte shpjegime nga miqtë e tij dashamirë. Por si ata ashtu edhe francezët i premtonin arabëve se pasi të mundin turkun që për aq kohë i kishte ‘shtypur’ arabët, të fundmit do të kishin lirinë që meritonin.
Por arabët e pafat në 2 Nëntor të vitin 1917 morrën një ‘ndihmë’ tjetër nga britanikët. Ministri i jashtëm britanik, Artur Xhejms Balfori, i cili ishte ‘ndihmuar’ gjatë vitit 1916 nga bankieri çifut Edmond Xhejms Rothçild për të kuptuar problemin çifut, deklaroi se në tokat e arabëve palestinezë, qeveria britanike do të themelonte një “Shtet Kombëtar” për Çifutët. Megjithatë ky pakt u mbajt i fshehtë ndaj arabëve të cilët në Mars të vitit 1917 çuan pushkët kundër zotërinjëve të tyre shqiptaro – turq dhe ia kaluan Bagdadin britanikëve. Me britanikët ata ‘çliruan’ edhe Jeruzalemin, Damaskun dhe tokat e tjera arabe. Në këtë mënyrë në fund të vitit 1918 forcat britanike sundonin nga Kajroja e deri në Jemen. Sheikët arabë që kishin sulmuar pas shpine protektorët e tyre osmanë, që nga Ibn Saudi gjyshi i mbretërve të sotëm Sauditë e deri të Sherif Huseini prisnin mrekullinë britanike. Dhe britanikët ishin të gatshëm për të përmbushur obligimet e tyre.
Liria e Munguar
Me largimin e osmanëve, kurdët ishin të parët që kujtuan se kishte ardhur dita që edhe ata të rrojnë në liri. Ata krijuan një shtet të pamvarur në Mosul dhe rrethina. Normalisht britanikët nuk mundën të pranojnë një shtet kurd dhe për këtë i’u desh 2 vite që ta shtypin duke përdorur bombardime brutale me gaz helmues nga avionët e “Royal Air Forcës” (RAF) dhe masakra që gurkat indiane kryenin nëpër fshatrat kurde, nën supervizionin e Ministrit të Mbrojtjes Britanike, Ulliam Çurçill. Nga ana tjetër britanikët që tashmë kishin punësuar si nënkontraktorë të tyre sheikët e fiseve arabe për të mbledhur taksat e popullatës, mbi 3 vilajetet osmane të Bagdadit, Basrës dhe Mosulit krijuan një “Mandat” të tipt Iraken të sotëm, të cilin e quajtën Irak. Nga mandati i Iraku komandohej edhe sheikdomi i Kuvajtit duke e kthyer Gjirin Persik në një liqen britanik. Ndërsa në Palestinë ata nisën kultivimin e kolonëve kristjanë dhe Çifutë për të krijuar Izraelin biblik
Megjithatë amerikanët që gjatë kësaj kohe kishin ndëjtur në hije, tashmë filluan të lëvizin. Presidenti Amerikan, Uodrou Vilson në vitin 1917 lëshoi Katërmbëdhjetë Pikat e tij sipas së cilët pushtuesit nuk mund të aneksonin vetëm për vete tokat e pushtuara. Në vitin 1919 amerikanët kërkuan në Lidhjen e Kombeve që ish-provincat turke të vendoseshin nën mbikqyrjen e Lidhjes së Kombeve dhe ktheheshin në “Mandate” të tipit “A”, ku pushtuesi kontrollonte vendin sipas stilit të amerikanëve në Irakun e sotëm. Ndarja finale e presë së luftës u bë në San Remo më 1920 ku Francës ju njoh zyrtarisht “mandati” mbi Sirinë dhe Libanin, ndërsa Britania morri Irakun, Palestinën dhe Jordaninë. Meqë vilajeti i Mosulit në marrëveshjen e Sykes-Pikotiti i takonte Francës, kjo e fundit u kompensua nga britanikët duke marrë 25 perqind aksione në naftën e Kompanisë Turke të Petrolit.
Por arabët që e panë seÇ do të thoshte Çlirimi për të cilin ata luftuan, pas kësaj u hodhën në revolta. Djali i Sherfi Huseinit, Fajsali që më parë kishte udhëhequr arabët kundër turqve, tashmë shkoi në Siri dhe deklaroi pamvarësi në vitin 1920. Por trupat franceze që posedonin armë superiore shkatërrimi në masë i mundën dhe dëbuan arabët. Megjithatë revoltat arabe, tamam si sot në Lindjen e Mesme, u shpërhapën në Jeruzalem, Irakun Sunit dhe Shiit, ku gjyshërit e Muktada al-Sadrit dhe Sadam Huseinit e Çuan pushtimin britanik drejt shkatërrimit. Megjithatë, sërisht forca e Maksim Gun-it (Mitralozit) Britanik dhe bombardimeve me lëndë kimike që britanikët kishin përdorur kundër edhe gjermanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndihmoi në shtypjen e arabëve sërisht. Sipas deklaratave britanike, rreth 8450 irakenë u zhdukën ndërsa britanikët pësuan 2000 dëmtime. Kjo shifër duket paksa qesharake nëse krahasohet me krimet që amerikanët kishin bërë në të njëjtën kohë në Filipine kundër muslimanëve vendas – shifër që shkonte nga 50.000 deri në 100.000 civilë të vrarë. Për masakrat e pareportuara në Irak, zëvendës ministri i mbrojtjes britanike të kohës, Viscount Peel-i deklaronte: “shyqyr Zotit që “sentimentalët” vendas i kushtojnë vëmendje luftës në Irlandë dhe nuk kanë shumë kohë të mësojnë seÇ po ndodhte në Irak.” Përdorimi i bombardimeve ajrore dhe posedimi i armëve të shkatërrimit në masë nga njeriu i bardhë kristjan, kishte provuar arma më e mirë për të shtypur popullatat arabe dhe integruar të fundët në rrugën e lirisë, demokracisë dhe vlerave perëndimore, siÇ President Bushi II do të deklaronte në ditët e sotme.
Qeveria e Përkoshme Irakene
Ijad Allavi nuk është shëmbulli i parë kur britanikët vendosin irakenë të shërbejnë për ta në Irak. Biles z. Allavi në një intervistë që kishte në emisionin BBC HARDTALKT përpara pak javësh, pyetjes së një gazetari britanik sesi e ndjen veten ai kur është instaluar nga anglo-amerikanët ndërsa sunduesit e tjerë arabë jo, ai ju përgjigjë me krenari se ai nuk është i pari dhe i vetmi që instalohet nga anglo-amerikanët, por është më i fundmi. Tamam si në ditët e sotme, kur amerikanët po lëjnë miliona me mercenarët e tyre në Irak, edhe revolta arabe e viteve 1920 i tregoi britanikëve se mbajtja e pushtimit me trupa nga perëndimi është jashtëzakonisht e shtrenjtë për fuqitë koloniale. Britanikët e djeshëm si ata të sotmit, kishin nevojë për një ‘Interim Iraqi Authority’ i cili do të tregohej sa më popullor; ku në të, të kishte shija, suni, kurdë, turq etj në mënyrë që populli të bindej se jetonte në liri dhe të mos kalonte në anën e Bolshevikëve si në Rusi apo Moktada al-Sadërve vendas.
Për këtë arsye Qeveria e Lartmadhnisë së Saj, në Mars të vitit 1921 gjeti solucionin e duhur për Çështjen irakene. Britanikët që nuk u treguan aq kreativë sa të krijonin “një Green Zone” si sot në Bagdad, organizuan një konferencë në Kajron e largët ku britanikët gjetën argatët e sundimit të tyre në Irak. Bijtë e Sherif Huseinit që u bindën për të shërbyer nën britanikët u caktuan kandidatë për mbretër. Abdullahi u vendos mbret i Jordanisë, ndërsa Faisali që ishte dëbuar nga Siria më parë nga francezët u caktua si “Ijad Allavi” i Irakut. Por si sot, edhe atëherë, në Irak kishte “Moktada al-Sadr” që rrefuzonin lojën. Ai ishte Sajid Talibi, të cilin britanikët e arrestuan dhe dëbuan. Më pas britanikët organizuan nëj referendum ku 96% e popullit (ne në Shqipëri në kohë të Enverit ishim më mirë) votoi për Fajsalin i cili në Gusht të vitit 1921 filloi punën si mbret i Irakut.
Britania dhe Çështja e Naftës Irakene
Çështja e naftës ishte një nga shqetësimet kryesorë që mundonte britanikët. Mungesa e naftës në vitin 1917 i kishte bindur ata se pa kontrolluar arin e zi, imperializmi i tyre do të ishte i pakrahë. Në paktin e San Remos në 1920 britanikët kishin privatizuar përqindjet gjermane në Kompaninë Turke të Petrolit dhe ja kishin kaluar francezëve në shkëmbim të kontrollit mbi Mosulin. Vilajeti i Mosulit ishte i rëndësishëm për birtanikët pse ai kishte depozita të mëdha nafte dhe balanconte diÇka në përqindjen e sunitëve ndaj shiitëve të jugut dhe për më tepër e sillte Britaninë në kufijtë e Anadollit turk. Por popullatat kurde dhe turke të zonave të Mosulit ishin rrebeluar që në vitin 1924 kundër britanikëve. Pas tyre qëndronte edhe vetë Turqia e cila kërkonte që qytetet turke të Kirkukut, Mosulit, Sulejmanies etj ti bashkoheshin asaj. Për të shtypur revolucionarët turq dhe kurdë Forcës Ajrore Mbretërore ju desh të kryej masakra të shumta mbi popullatat e Sulejmanies dhe fshatrave kurde gjatë vitit 1924 që nuk pranonin mandatin britanik të Irakut.
Por monolizimi i naftës arabe nga britanikët nuk mund të tolerohej nga amerikanët sërisht. Pas Luftës së Parë Botërore SHBA-të akuzuan Britaninë se po monopolizonte naftën e Gjirit Persik dhe marrëdhëniet u acaruan. Për të mos patur probleme me fuqinë amerikane, britanikët i dhanë disa përqindje korporatave naftënxjerrëse amerikane ‘Standard Oil of Neu Jersey’ dhe Socony Vacuum (sot njihet si Mobil Oil) në Kompaninë Turke të Petrolit që tashmë do të njihej si Kompania Irakene e Petrolit. Me ardhjen e amerikanëve në skenë, të fundit do të ishin ata që do të monopolizonin naftën e Arabisë Saudite dhe Bahreinit në vitet që do të vinin.
Pas paqësimit të amerikanëve në vitin 1926, britanikët shtynë Ansamblenë Kushtetuese Irakene të ‘kërkoj’ zyrtarisht ndihmën britanike për të mbrojtur Mosulin, në rast se Turqia sulmonte. Sipas paktit, Britanisë i kërkohej të sulmonte Turqinë në rast se kjo e fundit sulmonte Mosulin. Menjëherë pas këtij pakti në vitin 1927 në fushat e turkmenëve të Kirkukut u hapën puse masive të naftës, të cilat do të furnizonin ushtrinë e Lartmadhnisë së Saj dhe perëndimin në përgjithësi në luftërat imperiale për dominim botëror gjatë shekullit të 20të.
Krizat e Rregjimit të Faisalit; dhe Forca e Armëve
Komandimi i një shteti si puna e Irakut është një nga gjërat më të vështira që Çdo fuqi në historinë e saj ka patur. Presidenti egjiptian Husni Mubarak, jo më kot këshillonte dinastinë e Bushëve në Amerikë, përpara rrëzimit të Sadamit, se hyrja në Irak do të hapte dyert e xhehenemit. Por presidenti Bush II duket se, ashtu si edhe në lëndët e tjera, nuk ka qënë nxënës i mirë në lëndën e historisë. Megjithatë duke u kthyer të mbreti Fajsal, një nga problemet kryesore që rregjimi i tij kishte pasi u instalua nga britanikët ishte mbajtja e pushtetit. Në një vend si Iraku ku jetojnë Shiija që kanë eposin dhe aspiratat e tyre historike, Sunitët që kanë botëkuptim tjetër, turq e kurd, pushteti është gjëja e fundit që mund të mbahet. Për këtë arsye qeverisë së Fajsalit ju desh të bëj pakte dhe ujdi me fiset irakene dhe sheikët e tyre për të mbajtur pushtetin. Por problemi kryesor i Irakut pas-osman, ashtu si edhe atij të sotmit, ishte pagesa për ushtrinë e pushtuesve. Nëse sot Iraku mund të paguajë diÇka me naftën, në vitet 20’ kjo nuk ishte aq e lehtë. Marrëveshja Anglo – Irakene e vitit 1922 i kërkonte qeverisë të paguante borxhet e Perandorisë Osmane që e fundit i kishte britanikëve. Për më tepër britanikët i kërkonin irakeneve të shpenzonin 25% të buxhetit të tyre për ushtrinë – me të cilën do të sillnin “Moktada Al-Sadrit” e pabindur nën hyqmin britanik.
Për këtë arsye, qeveria e Fajsalit, naftën e së cilës e kontrollonte tjetërkush duhej të sillej si Bashkia e Edi Ramës: të gjobiste popullin e varfër iraken. Por gjobat pakufi e Çuan popullin iraken në sa e sa revolta të cilat rregjimi i Fajsalit mundi ti shtypte vetëm nëpërmjet “kontrollit nga qielli”. RAF-i britanik do të ishte arma më e zgjedhur e Fajsalit e cila përdorej sa kundër rebelëve aq edhe kundër fshatarëve që nuk paguanin taksat. Për këtë arsye, bombardimet e sotme të amerikanëve, që padyshim kryhen gabimisht, kundër irakenëve që bëjnë dasma dhe shtijnë në ajër nga gëzimi, nuk janë asgjë e huaj për irakenët. Në vitin 1923-24 qeveria ndërmorri një nga sulmet më të mëdha në Irakun Jugor me RAF-in Britanik, kundër Arabëve të Marsheve, të cilët nga ndryshimi i rrjedhës së lumejve ishin varfëruar në kulm dhe nuk kishin Çtaksë të paguanin për qeverinë kukull. Për këtë arsye RAF-i u urdhërua të hedh disa bomba për të “rritur bindjen ndaj qeverisë.” Në operacionet dy javore, siÇ raportohet nga burimet qeveritare humbën jetën 144 vetë.
Pasi qeverija e Lartmadhnisë së Saj ishte bindur tashmë se në Irak sundonin “Sadamë” të mirë, dhe nafta natyrisht ishte një tabu për irakenët, në vitin 1930 Iraku “fitoi pamvarësinë” – normalisht qeveria vendase ‘këshillohej’ nga këshilltarë britanikët të cilët kontrollonin postet kyÇe në vend. Edhe pse vendi nga viti 1921 deri më 1958 ndërroi 59 qeveri, njeriu më i bindur i britanikëve do të dilte Nuri al-Saidi, rregjimi i të cilit do të rrëzohej nga nacionalistët irakenë të udhëhequr nga Rashid Ali al-Gajlani.
Britanikët Eksportojnë Demokracinë Irak
Disa ish-sigurimsa shqiptarë, kur dalin në emisionet televizive tona, mua shpesh më mahnisin kur deklarojnë se Islami nuk pranon dot demokracinë. Unë e kam të qartë se shumica e tyre ndoshta nuk e dinë as se ku bie Iraku në hartë, dhe kjo gjë më inkurajon që të filloj ti lekturoj këllufëve tanë, mbi demokracitë e mëdhaja Muslimane në Indonezi, Malajzi, Pakistan (kur perëndimi qëndron larg) dhe pse jo të marr edhe shembullin e përparimeve parlamentare në Perandorinë Osmane në kohën e Zhon Turqve, të cilat u anulluan nga rregjimet diktatoriale që kolonialistët vendosën në Lindjen e Mesme më pas.
Megjithatë në vitit 1930 popujt arab e kuptuan lojën që kishte ndodhur me ata. Intriga britanike jo vetëm se kishte instaluar rregjime shtypëse dhe kriminale në vendet arabe, por për më tepër mbështjetja britanike ndaj kolonëve Çifutë në Palestinë do të Çonte në Intifadën e parë arabe të viteve 1936-39. Për irakenët, ashtu si edhe për një pjesë të mirë të shqiptarëve, triumfi i Rajhut III ishte më i mirëpritur sesa hegjemonia anglo-amerikane në Lindjen e Mesme. Hitleri që e kuptonte këtë, dërgoi në Bagdad në vitin 1939 Haxhi Emin al-Huseinin, myftiun e Jeruzalemit i cili do të ngrinte arabët në revoltë kundër Pax - Anglikanës. Kur Britania i shpalli luftë gjermanëve, e para i kërkoi irakenëve të bëjnë të njëjtën gjë. Kukulla britanike, Nuri al-Said shpalli luftë kundër Rajhut III me të njëjtin guxim dhe vendosmëri që edhe presidenti jonë babaxhan, Al-‘Fred Moisiu i shpalli Irakut përpara pushtimit amerikan. Por ndaj vendimit të Nuri al-Saidit populli dhe vetë kabineti iraken nuk mundën të heshnin. Ata u rrebeluan kundër të parit, i cili në Mars të vitit 1940 dha dorëheqje dhe i lëshoi vendin patriotit arab Rashid Ali al-Gajlani që mbështetej nga oficerët e Rrethit të Artë. Rashid Gilani deklaroi neutralitetin e Irakut në konfliktin botëror, bleu armë nga Italia dhe Japonia dhe rrefuzoi përdorimin e bazave nga britanikët në Irak. Por forcat britanike në Irak e hodhën nga pushteti Rashidin në Janar të vitit 1941, gjë që shkaktoi revolta popullore që sollën në Prill Rashid Aliun në pushtet sërisht. Pas ardhjes në pushtet Rashid Aliu ashtu si presidenti Chavez në Venezuelë në ditët tona, shpalli reforma popullore në vend dhe deklaroi pamvarësi nga britanikët. Por britanikët nuk e toleruan gjatë këtë iraken të pabindur të cilin e rrëzuan nga pushteti me trupat që dërguan nga Jordania dhe India.
Dëbimi dhe Kthimi i Dytë i Britanikëve në Irak
Përfundimi i luftës së Dytë Botërore ndryshoi edhe mënyrën sesi politika bëhej në botën e pasluftës. Pikë së pari Britania doli nga kjo luftë si vend i Botës së Dytë që mund të merrej vetëm duke i vënë gjoba vendeve të vogla, si në rastin e Shqipërisë në incidentin e Korfuzit. Ndërsa fuqitë që tashmë do të kontrollonin rrjedhat e botës do të ishin SHBA-të dhe BRSS-ja. Krijimi i shtetit Izraelit, falë mbështetjes sovjeto – amerikane dhe suskesit të terrorizmit anti-britanik të bandave izraelite të Irgunit dhe Stërnit të udhëhequra nga David Ben Grueni (Gurioni), dëboi britanikët nga Palestina përfundimisht, ndërsa Çoi në kulm urrejtjen arabe kundër të fundmëve; për tragjedinë që ata i shkaktuan botës islame dhe tokës së Shenjtë të Xhamisë Al-Aksa. Në Irak, Iran, Egjipt dhe Sudan popujt arab tashmë filluan të armatosen nga komradët sovjetikë dhe luftojnë kundër kolonialstëve britanikë.
Përpjekjet e britanikëve në Janar të vitit 1948 në Irak për të ripërtërirë Marrëveshjen Anglo – Irakene për naftën edhe për 20 vite të tjera, Çuan studentët, punëtorët dhe popullin iraken në protesta masive. Qeverija e Saleh Xhabirit dhe Nuri al-Saidit i shtypi protestat duke vrarë 400 vetë në një ditë. Por lëvizjet e Mosadekut në Iran kundër britanikëve dhe për më tepër revolucioni egjiptian kundër monariksë shqiptare të mbretit Faruk, i udhëhequr nga gjenerali Muhamed Naxhip dhe Xhemal Abdul Naser i treguan Perandorisë Britanike se ishte koha për të perënduar. Përpara Egjiptit edhe në Jordani mbreti Abdullah i Jordanisë ishte vrarë nga një palestinez në vitin 1951, ndërsa i biri i tij psikopat ishte detyruar ti lëshonte vendin të birit 17-vjeÇar, Huseinit.
Në Shkurt të vitit 1955, Nuri al-Saidi inaguroi në Irak aleancën britanike ndërmjet Turqisë, Iranit, Pakistanit dhe Irakut, të njohur si Pakti i Bagdadit. Kjo egërsoi sovjetët dhe Xhemal Abdul Naserin e Egjiptit që denoncoi Nuri al-Saidin për tradhëtar. Por gjatë pushtimit anglo – francez të Suezit në mbështetje të Izraelit në vitin 1956, në Irak populli u hodh në protesta masive për luftë. Terrori i Nuri al-Saidit Çoi opozitën irakene që në Korrik të vitit 1958 të organizoj grusht shteti kundër klikës anglofile e cila rrëzoi dhe ekzekutoi monarkinë Hashemite dhe Nuri al-Saidin.
Pra, në Korrik të vitit 1958 populli iraken arriti të dëbojë pjesërisht dominimin e huaj dhe anglo-amerikan nga vendi. Edhe pse rregjimet që pasuan më pas nuk ishin në shumë raste popullore, populli iraken arriti të jetë zotërues i të mirave të tija për 45 vite me rradhë. Gjatë epokës së rregjimit Bathist, irakenët ndërtuan shtetin, ushtrinë, industritë dhe identitetin e tyre të pamvarur. Nuk ka asnjë dyshim se gjatë kësaj kohe pati periudha kur udhëheqja irakene, sidomos ajo e Sadamit kreu krime të papara dhe lufta mizore për interesat e perëndimit siÇ ishte konflikti Iran – Irak, por sërisht irakenët ishin popull relativisht i lirë nga terrori i huaj.
Rrëzimi i rregjimit Baathist dhe të Sadam Huseinit pas 45 vitesh e pa popullin arab të Irakut sërisht pre të dej? vu-së së kolonializmit anglo-amerikan. Irakenët e sotëm janë sërisht nën hyqmin e padronëve anglo-amerikan, të cilët për hir të interesave të naftës së korporatave të familjes Bush dhe klikës britanike duhet të vuajnën nën pushtimin e huaj. Irakenët sot janë sërisht viktima të bombardimeve nga qielli me armë të shkatërrimit në masë, me të cilat njeriu kristjan perëndimor vazhdon të jetë superior përkundër popullit të paramatosur arab. Edhe pse arabët patën 45 vite pamvarësi, ata nuk ditën siÇ duket, të mësojnë nga leksionet e historisë. Edhe pse ri-klasikët e Marksizmit pretendonin njëherë e një kohë se historia nuk përsërit vetveten, sot kolonizimi i Lindjes së Mesme tregon se teorema e tyre ka qënë e gabuar. Populli iraken sot në rrugët e Naxhafit, Falluxhasë, Qerbelasë, Tikritit, Kirkukut, Mosulit, Basrës etj është kthyer në pozitat e 50 viteve më parë. Intifadat arabe që në vitet 20’ të shekullit të kaluar udhëhiqeshin nga Rashid al-Gilani, Sajid Talibi dhe Haxhi Emin al-Huseini, sot udhëhiqen nga Moktada al-Sadri dhe Sunitët e Falluxhasë; të cilët, falë posedimit të armëve të shkatërrimit në masë nga forca pushtuese, na bind se do të kenë fatin e pararendësve të tyre në histori. Ndryshimi i vetëm është se, shqiptarët që 100 vite më parë ishin mbrojtës të irakenëve kundër kolonializmit perëndimor: sot janë kthyer në gurka dhe palikarë të shpifur të tij. Dhe se britanikët që përpara 45 vitesh posedonin të gjithë Irakun, sot janë mjaftuar vetëm me portin strategjik të Basrës, ndërsa puset kryesore të naftës sot i kontrollojnë korporatat e Dinastisë së Bushëve nga Amerika. Dhe se përveÇ përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë, kolonialistët e sotëm kanë shpikur edhe burgje si puna e Abu Ghraibit, ku arabëve përveÇ lirisë dhe naftës, ju merret edhe nderi, nga maniakët dhe kurvat e perëndimit tip Lindi England me kompani.