Re: Joshje per investitoret e huaj????
www.SHEKULLI.COM.AL
Pas shpalljes së nismës “Shqipëria, një euro”, Ministria e Bujqësisë dorëzon publikon sipërfaqet e tokave të lira që mund të përdoren
Qeveria, lista e tokave “një euro”
Për biznesmenët e huaj ofrohen 100 mijë ha tokë joproduktive, 19 mijë ha tokë bujqësore, 8 mijë ha troje dhe 41 objekte
A.Rama
TIRANË- Kur kanë kaluar vetëm pak ditë nga shpallja e nismës së kryeministrit Sali Berisha “Shqipëria, një euro”, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka konfirmuar listën dhe sipërfaqen e tokës, si dhe objektet që do të vihen në dispozicion të investitorëve të huaj që do të kenë interes të zhvillojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri. Burimet zyrtare nga kjo ministri pohuan dje se tashmë Këshillit të Ministrave i janë vënë në dispozicion sipërfaqe të konsiderueshme për fillim investimesh. Kështu, burimet konfirmojnë se në të gjithë territorin e vendit janë identifikuar 19 mijë e 562 hektarë tokë, 41 objekte të ndërtuara, rreth 8 mijë hektarë troje të lira dhe 100 mijë hektarë tokë joproduktive e refuzuar nga fermerët, pasi ka qenë zallishte e nuk mund të mbillej, të cilat do t’i vihen në përdorim paketës “Shqipëria, një euro”. Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Rexhep Sharra, tha dje se 19,5 mijë hektarët dhe pjesa e 8 mijë hektarëve troje të lira ishte evidentuar nga puna e strukturave të ministrisë në zbatim të urdhrit të kryeministrit Sali Berisha për të bërë inventarin e tokave të lira. Por vetë ministria, ka pasur si aset rezervë pjesën e 100 mijë hektarëve tokë joproduktive, e cila është refuzuar nga fermerët, të cilën e ka shtuar në listën e tokës dhe të objekteve që do të vihen në dispozicion të investitorëve që do të jenë të gatshëm për të filluar investime serioze në Shqipëri. Në këto shifra, nuk janë përfshirë zonat e Kënetës së Durrësit, Tërbufit, Bathores, Torovicës etj., të cilat janë të zëna nga ndërtimet pa leje. Gjithashtu, nuk janë përfshirë në këtë shifër tokash të lira, as tokat turistike. Vlen të theksohet se një pjesë mirë e tokave joproduktive janë kërkuar herë pas herë nga biznesmenë dhe investitorë të ndryshëm për t’u mbjellë me bimë mjekësore, por kjo kërkesë nuk është pranuar e mund të pranohet tashmë. Duhet thënë se ministri ka ngritur grupin e punës për inventarizimin e gjithë pasurisë, në zbatim të urdhrit të kryeministrit Berisha për gjendjen e tokave të lira shtetërorë, duke u marrë me sistemimin e të gjitha aseteve që mund të vërë në dispozicion. “Jemi të bindur që kemi asetin kryesor, tokën që mund t’ia vëmë në dispozicion biznesit, që mund ta përdorin për vreshta etj. Përveçse do të përfitojnë nga një euro, mund dhe të subvencionohen më vonë nga Ministria e Bujqësisë, nëse grupohen në kooperativa për zhvillimin e vreshtave, pemëtarisë, bimëve medicinale, blegtorisë etj”, - ka thënë Gjana pak ditë më parë. Në Shqipëri ekzistojnë shembuj të përdorimit të kësaj toke inproduktive, siç është vepruar në Krajë të Zadrimës, ku toka e refuzuar është përdorur për vresht. Tashmë deri më 10 shtator kur është përcaktuar edhe afati që ministrat e qeverisë të paraqesin në Këshillin e Ministrave, një paketë masash për zbatimin e nismës “Shqipëria, një euro”, duket se të tjera të dhëna do të dalin për t’ju vënë në dispozicion investitorëve të huaj dhe vendës. Shefi i qeverisë tha në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, se për të tërhequr investitorët e huaj do të krijohen lehtësira të tilla, ku çdo gjë apo shërbim do të jetë në vlerën e një euroje. Ndërsa këshilltari i kryeministrit, Selami Xhepa, ka sqaruar se nëpërmjet kësaj nisme nuk po jepet falas asnjë aset shtetëror. “Nuk po i japim në pronësi askujt falas asetet shtetërore; nuk po shesim Shqipërinë me një euro, siç përpiqen ta etiketojnë në disa raste, qoftë dhe duke përdorur thonjëzat në titujt e shkrimeve. Iniciativa jonë qeveritare synon të vërë në shfrytëzim asetet e vendit, përkundrejt tarifave simbolike, t’i vërë ato në dobi të ekonomisë dhe të interesit të përgjithshëm. Për ata që dëshirojnë politikë dhe i kanë dhënë ngjyra politike këtij debati, duhet theksuar se qeverisja e PD-së nuk zbaton për herë të parë politika nxitëse dhe favorizuese për të nxitur investimet private. Në fillim të viteve 90, ne ofronim një sërë lehtësish fiskale si përjashtim nga tatimi mbi fitimin për pesë vjet, zbritje tatimi mbi fitimin për fitimet e riinvestuara, përjashtime nga tarifat doganore për mallrat e investimit etj. Pavarësisht debatit mes studiuesve se sa efektive ishin ato, nuk ka dyshim se ato shërbyen si një katalist i jashtëzakonshëm për sipërmarrjen private dhe krijimin e mijëra firmave në vend”, - tha Xhepa gjatë një komenti.
Sipërfaqet dhe llojet e tokave që ofrohen për investitorët nga qeveria
19 mijë e 562 hektarë tokë e lirë
41 objekte
8 mijë hektarë troje të lira dhe
100 mijë hektarë tokë jo produktive e refuzuar nga fermerët