Re: Grekët
PSE GREQIA THOTE JO
Gjergj Buxhuku
Vizita e presidentit grek Stefanopulos ishte rast kulmor, që bëri të mundur të shpaloste në publik të vërtetat dhe problemet e mëdha dhe të rënda, të fshehuara me mjeshtëri për shumë kohë, që qëndrojnë ndërmjet dy popujve dhe vendeve. Jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë tij u përhap jehona e problemeve, që ekzistojnë ndërmjet vendeve tona. As më shumë e as më pak vetë televizioni i njohur “Euronews” i bëri jehonë përplasjes së Tiranës duke cituar si radhë ndonjëherë Çamërinë, Epirin e Veriut dhe përplasjen e armatosur të vitit 1947.
Qartë u pa se kreu i shtetit shqiptar, në mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe pronësore të popullsisë çame dhe shqiptare në përgjithësi në Greqi, si edhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës u la vetëm nga politika dhe institucionet e tjera ekzekutive të vendit të tij. Opinioni publik e mbështeti fuqishëm qëndrimin e kreut të shtetit shqiptar. Nga ana tjetër ishte kuptimplotë heshtja e turpshme e gazetave partiake ndaj përplasjes së hapur dhe të paprecedent në konceptet dhe idetë e presidentëve respektivë për çështjet e mëdha të mësipërme. Siç duket politikanëve shqiptarë u është mbushur mendja top se nuk mund të qëndrojnë dhe as të vijnë në pushtet pa marrë aprovimin e Athinës. Mbase kanë edhe të drejtë nëse do të shikojmë dhe vlerësojmë historinë dhe rrjedhjen e ngjarjeve në periudhën postdiktatoriale shqiptare. Aq më shumë nëse shikon se praktikisht marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë janë shumë të ngjashme me ato të një vasali të thjeshtë kolonial. Pikërisht këtu është edhe vetë problemi i vërtetë ndërmjet dy vendeve. Dhe në fakt grekët zotërojnë praktikisht të gjitha degët strategjike të ekonomisë shqiptare. Janë me qindra e qindra milionë euro, që çdo vit dalin jashtë Shqipërisë, duke u drejtuar në arkat e Athinës. Me paratë shqiptare që me aq mund dhe gjak sigurohen nga emigrantët tanë jashtë vendit dhe ndihmat e botës jo vetëm mbushen xhepat e monopolistëve grekë, pronarë të degëve strategjike të Shqipërisë, por dhe i krijohen vendit tonë probleme të panumërta me qëllimin e vetëm për ta mbajtur në mënyrë të përhershme në tension dhe në mungesë stabiliteti shoqëror. Mjafton të kujtojmë krijimin e problemeve të stisura të Himarës ku me paratë shqiptare, praktikisht paguhen për t’u emërtuar minoritarë banorët e saj, për të kuptuar sesa të fuqishëm janë pozitat greke në Shqipëri. Nuk është vendi për të përmendur ngjarjet e ‘97 për të mos ta ndërlikuar tej mase problemin. Të mos harrojmë se këto pozita janë siguruar në vite me paaftësinë shtetformuese shqiptare, mirëkuptimin e plotë të një pjese të konsiderueshme të politikës dhe deri në bashkëpunimin e hapur të kësaj pjese politikanësh me oligarkët grekë në rrjepjen e vazhdueshme të popullit të tyre. Padyshim për të shkuar deri këtu duhet të përmendim se shteti grek në mënyrë sistematike dhe të organizuar ka vepruar për të kapur fillimisht ekonominë dhe më pas edhe politikën shqiptare dhe për ta detyruar të veprojë kundër interesave të qytetarëve të vet. Duke shfrytëzuar varfërinë shqiptare, mungesën totale të eksperiencës së ndërtimit të shtetit demokratik dhe korrupsionin masiv të vendimmarrësve shqiptarë, u arrit që në vitet e para të rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri të hidhen tentakulat ekonomike dhe financiare të përfaqësuesve të oligarkisë greke. Kryesisht këta të fundit ishin përfaqësues të minoritetit grek, por më pas edhe politikanë shqiptarë, që në skemën e pushtimit ekonomik u bënë bashkëpunëtorë të të parëve. Zaptimi ekonomik u shoqërua me presione të forta politike ndërkombëtare, që edhe në disa çaste kur shteti shqiptar tregoi disa shenja vullneti të brendshëm se dëshironte të dilte nga dara e parapërgatitur greke, bënë që këto përpjekje të dështonin. Më pas erdhën ngjarjet e piramidave, që shënuan edhe shkrirjen e pushtetit ekonomik grek me atë politik në Shqipëri. Kapja e pushtetit ekonomik, politik u shoqërua gjithashtu me kapjen e medias duke mbyllur kështu edhe qarkun për shpresat e rilindjes shqiptare. Janë pikërisht përshkrimet e mësipërme që shkurtimisht mund të shpjegojnë se ku e gjen forcën presidenti grek për t’i thënë jo të qartë dhe të prerë çështjes çame dhe çështjes së Kosovës të ngritura në vetmi nga homologu i tij shqiptar.
Duhet ta pranojmë se ishte zëri i presidentit shqiptar i vetmi që përfaqësoi në memecërinë institucionale shqiptare, shpresat e 300 mijë çamëve për të rifituar të drejtat e tyre të mohuara në dekada nga Greqia. E njëjta gjë edhe për zgjidhen e çështjes së Kosovës. Ndryshe turpi do të ishte i plotë për të gjithë ne pa përjashtim. Opinioni publik e mbështeti qartë një qëndrim të tillë. Pavarësisht fuqisë greke frika e politikës shqiptare, të papërlyer në afera ekonomike, për të mos u shprehur dhe për të mos mbrojtur hapur interesat e qytetarëve dhe vendit të saj në rastin e dhënë, është e gabuar. Nuk kihet parasysh këtu se shqiptarët sot nuk janë shqiptarët e 15 ose edhe 7 viteve përpara. Emancipimi shoqëror i shqiptarëve ka bërë që ata të mos kënaqen vetëm për mbijetesë fiziologjike. Punësimi, arsimimi dhe jetesa në vende të huaja kanë dhënë ndikimin e tyre pozitiv sidomos te rinia shqiptare. Ata e kanë kuptuar se ku qëndrojnë rrënjët e vërteta të varfërisë së tyre. Qindra e qindra milionë eurot para djerse dhe gjaku të tyre tashmë janë identifikuar se shkojnë në xhepat e monopolistëve greko –shqiptarë. Në kushte të tilla edhe reagimi i tyre tashmë nuk është i paorientuar. Në mjaft raste përfshi edhe ndeshje sportive ata e kanë bërë të qartë se e dinë shumë mirë se cilat janë problemet e vërteta ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Edhe ata e dinë se organizimi dhe shprehja e vullnetit të shqiptarëve do të bëjë të mundur prishjen e sigurtë të qarkut të hekurt të zgjedhës ekonomike dhe politike greke në qafën e shqiptarëve. Të mos harrojmë se sot shqiptarët duhet të llogariten si një komb prej të paktën 7 milionë banorësh duke patur parasysh çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe. Forca e shqiptarëve për zhvillim është shumë më e madhe sesa më parë. Gjithashtu, edhe grekët e dinë mirë për sa më sipër.
Bashkë me heqjen e zgjedhës ekonomiko -politike do të zhduken edhe privilegjet përrallore greke në Shqipëri. Të vetmit, që nuk e kanë kuptuar janë politikanët shqiptarë, që si zakonisht në historinë tonë janë të fundit në radhë. Kuptohet këtu nuk e kemi fjalën për politikanët shqiptarë të panjollosur dhe që e dëshirojnë zhvillimin e vendit dhe qytetarëve të tyre. Dhe nëse sot nuk ka shumë të tillë me siguri vullneti i shqiptarëve do të bëjë që të dalin të tjerë në skenë. Kush e kupton se dëshira e shqiptarëve për të qenë të barabartë në vendin e tyre me të huajt do të realizohet me çdo kusht, do të jetë edhe fitimtari politik në afatgjatë në Shqipëri. Ajo që shqiptarët kërkojnë është asgjë më shumë se fitimi i dinjitetit të nëpërkëmbur të paktën në vendin e tyre!
Rezultatet reale të një vizite PSE GREQIA THOTE JO PSE GREQIA THOTE JO
Mentor Nazarko
Thuajse të gjithë agjencitë greke të lajmeve i kushtuan vëmendje deklarimit të presidentit grek Stefanopulos për atë që rëndom, në mënyrë naive, prej të paditurish patetikë, quhet dhe tentohet të quhet në politikë, në marrëdhëniet tona ndërkombëtare “çështje çame”. Me shumë të drejtë, madje si lektor europianizues, presidenti grek, përfaqësues i politikës konservatore të këtij vendi- 78 vjeçari Stefanopulos ka hyrë në politikë në 1964 në Bashkimin Radikal Kombëtar,- tha se asnjëra palë nuk duhet të ngrejë çështje territoriale. Madje shtoi gjysmë kërcënueshëm: “edhe ne mund të ngremë për reciprocitet çështje të ngjashme si“çështja e Vorioepirit”? Kjo gjuhë ishte përgjigje elokuente ndaj togfjalëshit “çështja çame”, aq shumë të banalizuar prej shtypit vendas në kuadër të vizitës, e që i kumtuar në marrëdhëniet ndërkombëtare mund të përkthehet si rivendikim shqiptar për atë që prej nesh quhet Çamëri. Madje sipas shtypit grek, zoti Stefanopulos, i ka thënë homologut: hiqni dorë prej pretendimeve tuaja, ashtu si ne hoqëm dorë nga reparacionet e Gjermanisë, për t’ i shërbyer së ardhmes, marrëdhënieve të mira midis dy vendeve.
Për palën shqiptare
Vizita e presidentit grek shërbeu shumë për të na treguar disa gjëra që lidhen me politikën shqiptare. Shoqërisë dhe shtetit tonë i munguan dhe këtë radhë boshtet e përbashkëta ku lëviz mendimi politik për çështje me rëndësi kombëtare. Madje institucionet shtetërore nuk kanë asnjë lloj harmonie në hartimin dhe zbatimin e një politike të tillë. Ngritja në publik prej presidentit Moisiu e çështjes së pronave të popullsisë çame dhe shqiptare në përgjithësi, qëndrim i orientuar në një pistë të gabuar me vlerë vetëm për konsum të brendshëm dhe jo ndërkombëtar duhet vlerësuar si kurajoze, por vetëm kaq. Ai sigurisht do të mbushë me rrëfime shpresëdhënëse ca netë të komunitetit çam aspak të pandriçuar për atë që i takon dhe si duhet ta kërkojë në botën e sotme duke humbur katërmbëdhjetë vjet kohë pa asnjë përparim. Ky qëndrim mbeti i izoluar, i pambështetur prej kryeministrit me syze lunare, forca negociuese e të cilit përpara autoriteteve greke duket e kufizuar pas asaj që pamë në buzukun N të Selanikut. Aq më pak nga një Berishë që shpenzon kot komplimentet arkitektonike për një president të politikës së vjetër që po ikën.
Vizita e zotit Stefanopullos tregoi se sa të dobëta janë edhe taktikisht institucionet tona: ato nuk ngrihen minimalisht në lartësinë e hileve verbale të organizatave të minoritetit grek, që ankohen zëshëm për çështje inekzistente të të drejtave të njeriut, të ortodoksëve, si pronat, etj. një muzikë e pëlqyeshme për veshët europianë. Pra ata nuk ngritën çështjet e Vorioepirit, siç i bie të ketë ngritur për analogji presidenti ynë.
Por si duhej folur me presidentin grek, duke ditur rëndësinë e tij të kufizuar politike; duke patur parasysh se ai ishte në shtëpinë tonë i ftuar në vizitë shtetërore? Kërkesa për pronat ndoshta nuk duhej të ishte publike, pra për konsum të brendshëm: ai duhej të ishte më mirë realist dhe dinjitoz në bisedat e rezervuara sesa në tryezat para shtypit. Në komunikimin diplomatik kërkesat do të duheshin të futeshin në kornizat e të drejtës ndërkombëtare dhe nuk duhej folur për emra krahinash si Çamëria, por për të gjithë pronat e shtetasve shqiptarë në Greqi si bëri kryetari i Parlamentit. Duhej kërkuar një lloj reciprociteti në trajtimin e kësaj çështjeje, megjithëse larg paritetit real të marrëveshjeve të Zogut me Greqinë. Duke zbatuar një ligj si ai pronave në 1992, Shqipëria nuk e përjashtoi minoritetin nga gëzimi i së drejtës së pronës duke mos ia kthyer ish -pronarëve, ndaj dhe Greqia duhet të bëjë diçka në këtë drejtim. Çështja e pronave zgjidhet duke abroguar ligjet që i mbajnë të bllokuara, pjesë e kuadrit ligjor të gjendjes së luftës së 1940 dhe të aprovuar dhe më pas. Kjo është pjesa minimale që i duhej kërkuar politikës shtetërore greke, bashkë me krijimin e kushteve për qytetarët shqiptarë që të ndjekin gjyqësisht fatin e pronave dhe pasurive të tyre, pa folur për të parë varret e afërta të baballarëve dhe jo stërgjyshërve siç pati rast zoti Stefanopullos.
Për palën greke
Ashtu siç u duk prej reflektimit në shtypin grek, vizita e zotit Stefanopullos nuk u ngrit në lartësinë e një vizite shtetërore, tipike për vizitat e rralla. Ai kthente pas 8 vjetësh në Shqipëri vizitën e një homologu shqiptar në Athinë në 1998, kur kryeministrat tanë shkëmbehen shpesh. Vizita rezultoi pa ndonjë përmbajtje të rëndësishme që në marrëdhëniet midis vendeve në kohërat tona përfaqësohet nga marrëveshje ekonomike, investimesh, etj. Mungesa e përmbajtjes reale ishte element i konfirmuar dhe nga rangu i shpurës që shoqëronte presidentin grek. Jo ministri i jashtëm siç është në ritualin diplomatik të lëvizjeve të presidentit në vizita shteti, por zëvendësministri i cili madje pretendonte në një intervistë se Greqia është vend i parë për ndihmat Shqipërisë, ndërkohë kur nga dy premtimet më të mëdha greke, ai për kredinë për të pastrehët (7vjet më parë) dhe Plani për rindërtimin e Ballkanit (5vjet më parë) nuk ka mbërritur asgjë. Vetëm një ministre as finance, as ekonomie, por arësimi, që me siguri ka kërkuar ngritjen e shkollave publike greqisht në Himarë sipas një koncepti që grekët përdorën rëndom në këtë vizitë: nuk ka më zona minoritare tradicionale, ngrini shkolla ku ka edhe një minoritar të vetëm. E gjitha kjo kur grekët nuk lejojnë apo dekurajojnë shkollat shqipe në favor të emigrantëve të sotëm, pa le të shqiptarëve të greqizuar në trojet e tyre në vendin fqinj; kur Greqia nuk pranon asnjë minoritet në territorin e vet, madje atë turk e quan mysliman.Vizita nuk arriti të realizonte as dhe misionin minimal të ngarkuar nga diplomacia greke e që u propagandua në fillim të saj. E zhvilluar pas incidenteve të rënda me origjinë komplekset ksenofobike të shoqërisë greke dhe jo tifozerinë sportive të vendit fqinj larg asaj britanike, vizita mund të kishte tentuar të përmirësonte klimën e miqësisë nëpërmjet ndonjë gjesti simbolik. Politikani grek mund të nderonte një punëtor model në Greqi si Gramoz Palushi vrarë në Ksanti, apo në përgjithësi veprën e punëtorëve shqiptarë për Olimpiadën. Nuk pamë gjë: zbatues i një skeme totalitare mendimi, pjesë e shkollës së vet politike që daton nga koha e juntës, presidenti i vendit fqinj i dha leksione shtypit të lirë të të dy vendeve, apo autorëve të teksteve shkollore (kryesisht shqiptarë) që sipas tij kanë nxitur ksenofobinë dhe fanatizmin.
Rezultati i vetëm i vizitës, evidentuar prej shtypit grek ishte pra mundësia për një president në muajt e fundit të mandatit të tij , me kompetenca të kufizuara si Stefanopulos, por shprehës i politikës tradicionale që ka akoma peshë në Greqi, të na tregonte qartë kuptimin që i japin në vendin e tij zgjidhjes së çështjes së pronave të shqiptarëve, duke zhvleftësuar historitë me komisione ekspertësh, të tipit të Shvejkut. Nuk mund të quhet rezultat me peshë për marrëdhëniet dypalëshe kënaqja sadopak e sentimentit patriotik të një presidenti që e ka konsideruar Shqipërinë vend të mundur në Luftën e Dytë në një fjalim me rastin e festës kombëtare të Greqisë, një presidenti që në fund të aktivitetit të tij politik viziton varret e ushtarëve grekë në Bularat, në Dhrovjan, etj. Erdhi, nderoi heronjtë grekë që mundën Shqipërinë në 1940, pa varret e të parëve në Dhrovjan, i dha një shuplakë politikës konfuze shqiptare, dhe iku, megjithëse Shqipëria nuk meriton leksione prej Greqisë për minoritetet. Kësisoj mesazhesh mjaft të rëndësishëm për politikën e vjetër greke, mesazhet nga takimet me Jani Janon e Omonias, përfaqësues zemërgjerë i tërë ortodoksëve, madje as dhe mesazhet me Karamelon e Goçin, nuk i dhanë kësaj vizite as kuptim real dhe as europian.
20/10/2004