Re: GJAKMARRJA
“S’më vjen keq për vrasjen e Gjovalinit, pasi djali mori hak, por më vjen keq për vrasjen aksidentale të Malushit”
Nëna e Agim Pepës kërkon dorëzimin e tij
Prena Pepa ka justifikuar djalin, Agimin, i identifikuar si vrasës i Gani Malushit dhe shoferit të tij
DURRËS- Nëna e Agim Pepës, i identifikuar si vrasës i n/komisar Gani Malushit dhe shoferit të tij Gjovalin Ndreu, i ka kërkuar publikisht djalit të saj që të vetëdorëzohet në polici, ndërsa i ka kërkuar falje familjes së Malushit, i cili u vra nga i biri i saj, pak ditë më parë, vetëm pak metra larg drejtorisë së policisë së Durrësit. Prena Pepa, nëna e katër djemve dhe katër vajzave ka thënë dje në një prononcim për mediat se “djali i saj u hakmorr për vrasjen e babait të tij dhe burrit të saj, Ndue Pepa nga Preng Bardhoku”, ndërsa i ka kërkuar falje publike familjes së n/komisar Malushit, për vrasjen e tij. Në 6 gusht të këtij viti Agim Pepa qëlloi për vdekje për gjakmarrje Gjovalin Ndreun, shoferin e kolonel Malushit, ndërsa plagosi rëndë këtë të fundit i cili ndërroi jetë dy ditë më pas. Ngjarja ndodhi vetëm 100 m larg drejtorisë së policisë së Durrësit, teksa viktimat ndodheshin në fuoristradën e policisë, ndërsa vrasësi i indentifikuar u largua në mënyrë spektakolare. Misteri i zhdukjes së autorit të krimit vuri në lëvizje të gjithë policinë shqiptare, e cila deri më sot nuk ka arritur të kapë të akuzuarin kryesor për masakrën e ndodhur në mes të qytetit dhe në mes të ditës. Për kërkimin dhe kapjen e Agim Pepës policia shqiptare ka kërkuar dhe bashkëpunimin e familjes Pepa që sipas burimeve policore e ka pranuar këtë bashkëpunim.
Në familjen Pepa
Shtëpia e vrasësit të identifikuar të n./komisar Gani Malushit, ndodhet në Spitallë, një lagje periferike në zonën e Durrësit. Familja Pepa banon këtu që prej vitit ’94, kur ata u zhvendosën nga Mirdita. Rruga për të shkuar në familjen Pepa kalonte në drejtim të zonës periferike të Spitallës, ku pasi lije pas varrezat e vjetra të qytetit do të ktheheshe në një rrugicë të paasfaltuar dhe me gropa e cila të çonte pas një kthese tjetër. Aty ndodhej shtëpia njëkatëshe e vrasësit të kryepolicit të Krujës, Gani Malushi, e rrethuar me tulla, ndërsa kishte një derë të madhe me kangjella në ngjyrë të zezë. Ajo që të hap portën portën e rëndë me kangjella, është nëna e Agimit, Prena, një grua e moshuar, e veshur me të zeza. Në oborr ndodhen 6 familjarë të familjes Pepa, të cilët qëndrojnë në një verandë ku mbizotëron heshtja , dhe ku bien në sy disa vazo me lule dhe mullaga. Një shtëpi e lyer në gëlqere të bardhë dhe me një oborr shumë të madh për një shtëpi të zakonshme. Në banesën njëkatëshe ndodhej vajza e shtëpisë, Flora, dhe nusja e Agimit, Pranvera, por dhe një prej katër djemve të familjes Pepa, Ardiani. Agimi është në kërkim për vrasje të dyfishtë, Kastrioti ndodhet në Itali, ndërsa Pjetri i akuzuar nga familja Bardhoku për trafikimin e vajzës së tyre, ndodhet në një burg jashtë vendit ku dhe vuan dënimin me 6 vjet burg. Ndërsa tre vajzat e tjera të kësaj familjeje, ndodhen përkatësisht në Itali, Valias dhe Rubik.
Prononcimi i nënës
Nëna e Agim Pepës (Shurbit), Prena Pepa, i ka kërkuar djalit të saj Agimit që të dorëzohet në polici dhe të mos dëgjojë shokët që i thonë të mos dorëzohet. Së bashku me policinë, ka deklaruar ajo dje, kemi kërkuar në zonën e Mirditës që Agimi të dorëzohet, por nuk kemi arritur që ta bëjmë këtë. “Nuk e di nëse djali im e ka bërë apo jo këtë vrasje thotë ajo, por nëse e ka bërë ai nuk ka pasur qëllim që të vrasë Gani Malushin, por të marrë hakun e babait të tij”,- ka thënë Prena, duke ngushëlluar familjen Malushi. “Nëse do më lejonin do të shkoja dhe t’i ngushëlloja familjarët e n/komisar Malushit”,- ka thënë më tej ajo, duke deklaruar se ishte gabimi i shtetit që mori në punë dhe i dha armë një njeriu që ish në gjak, pasi gjaku nuk falet. "Nuk më vjen keq për vrasjen e Gjovalinit, pasi djali mori hak, por më vjen keq për vrasjen e Gani Malushit që është vrarë aksidentalisht". Ajo i ka bërë thirje Agimit se "për gjirin që të kam dhënë të shkosh dhe të dorëzohesh". “Kam kërkuar në male së bashku me kunatin 16- vjeçar të Agimit, Malën, pasi të tjerë nuk erdhën dhe kemi kërkuar së bashku me policinë”,- ka thënë nëna e të akuzuarit si autor i masakrës, ndërsa ka shtuar se “shokët atij mund t’i thonë mos u dorëzo se do të vrasin, kurse unë i them që të dorëzohohet se policia nuk të vret". Të njëjtën gjë, që Agimi të dorëzohet, kanë kërkuar dhe vëllai i tij, Adriani, nusja, Pranvera, dhe motra Flora. Prena kujton se pesë ditë para se të ndodhte masakra në qendër të Durrësit, Agimi nuk ka qenë në shtëpi dhe ndoshta ai ka menduar që të marrë hak për babanë. “Djalin e nxitën që të lajë gjakun. E futën në burg dhe i vranë babanë. E kanë provokuar”,- ka justifikuar nëna veprimet e djalit të saj.
Gjakmarrja, versioni i familjes Pepa
Nëna e të shumëkërkuarit Agim Pepa ka treguar versionin e saj në lidhje me historinë që çoi në gjak familjen e saj dhe familjen Bardhoku, me banim në Fushë-Krujë. Sipas saj, vrasja pas shpine e burrit të saj ishte dhe fillimi i kësaj historie të përgjakshme. Burri im Ndue u vra padrejtësisht nga Preng Bardhoku. “Prenga pretendonte se djali ynë, Pjetri, që ishte fejuar me vajzën e tij, Emanuelën, e kishte shfrytëzuar këtë të fundit si prostitutë”,- ka thënë Prena, duke hedhur poshtë akuzuat e Preng Bardhokut, babait natyral të Gjovalin Ndreut, i falur tek daja, i cili u ekzektua së bashku me n/komisar Malushin pak ditë më parë. Sipas Prenës, “familja jonë nuk donte që Pjetri të fejohej me vajzën e familjes Bardhoku. Por nuk ia prishëm djalit dhe e morëm vajzën në shtëpi”. Prena ka thënë se nusja nuk vishej me rroba tradicionale si ne, por ne e pranuam në familje si vajzën tonë. Gjithnjë sipas saj, vajza më pas ka kërkuar që të shkojë në Itali me burrin dhe ka qëndruar atje dy muaj te kunata. Prena mohon faktin që djali i saj ka tentuar ta përdorë nusen si prostitutë, duke deklaruar se vajza është mbajtur në familje, atje në Itali, derisa një ditë policia italiane ka ushtruar një kontroll në banesën e Pjetrit në shtetin fqinj. “Gjatë kontrollit policia italiane e ka gjetur nusen pa dokumente dhe e ka riatdhesuar. Djali e ka shoqëruar nusen deri në derën e tragetit dhe atje ia ka lënë në dorëzim djalit të tezes së vajzës që e ka shoqëruar në Shqipëri”, - ka thënë ajo. Po sipas versionit të familjes Pepa nusja ka qëndruar në shtëpinë e vëllait të saj. Më pas Ndue Pepa ka kërkuar nga familjarët e nuses që ajo të kthehet në shtëpinë e burrit. Ndue Pepa, sipas Adrianit, vëllai i të shumëkërkuarit Agim Pepa, i ka kërkuar Prengës që të sjellë vajzën në derën e burrit, por ky i fundit nuk ka pranuar. “Pas kësaj të dy krushqit, Ndue dhe Prenga, kanë bërë sherr në Rubik”,- thotë Adriani. Sipas tij, një natë para vrasjes së babait, më 27 qershor 2001, Agimin e futën në burg, për armëmbajtje pa leje, ndërsa një ditë më pas thotë ai më 28 qershor, Preng Bardhoku “na vrau pas shpine babanë”. “Asnjë prej vëllezërve, ka shtuar ai, që ndodheshim jashtë vendit nuk është lejuar që të hyjë në doganat e Kapshticës dhe Durrësit, për të marrë pjesë në varrimin e babait dhe ne dyshojmë se njerëzit e Prengës e kanë organizuar këtë”,- ka thënë me tej Adriani, i cili ka shtuar se pas burgut prej 9 muajsh Agimi ka shkuar në Belgjikë. Përsa i takon faljes së gjakut, familja Pepa ka deklaruar se familja Bardhoku nuk e ka kërkuar një gjë të tillë.
“Në Fushë- Krujë Agimi i ka thënë Gjovalinit thuaji babës që të mos lëvizë lirisht, ndërkohë që Gjovalini i është përgjigjur se po e vrave babën do të marr një me vete",- citon Adriani fjalët e të vëllait, Agimit, të shumëkërkuarit të policisë, që akuzohet për vrasjen e n/komiar Malushit dhe shoferit të tij, me të cilin kishte probleme gjakmarrjeje.
Llambi Kallço
Dera e familjes hapet për gazetarët
Për të shkuar në drejtim të rrugës që të çon në familjen Pepa, e cila mban njëkohësisht dhe mbiemrin Shurbi, (mbiemër i fisit) ka vetëm një rrugë. Ajo që të çon përmes segmentit kur në 6 gusht Agim Pepa kreu masakrën, duke qëlluar me 17 plumba mbi Gjovalin Ndreun dhe me 6 plumba mbi trupin e Gani Malushit. Për herë të parë pas kaq ditësh nga vrasja e shefit të komisariatit të Krujës, Gani Malushi, dhe shoferit të tij Gjovalin Ndreu (Bardhoku), dera e shtëpisë Pepa hapet për gazetarët, duke mos u bërë më një tokë e ndaluar. Të gjithë pjesëtarët e familjes Pepa, që ndodheshin në shtëpi nuk kanë nguruar të dalin përpara kamerave, madje dhe të japin prononcimet e tyre. Ata kanë zgjedhur si sallë të “konferencës për shtyp”, njërën prej dhomave të banesës, në muret e së cilës ndodhej fotografia e kryefamiljarit të vrarë dy vjet më parë, Ndue Pepa. Në mure qëndrojnë fotografitë e babait të Agimit, vëllezërve, por mungon fotografia e Agim Pepës, pasi sipas familjarëve çdo foto e tij është marrë nga policia.