Re: Gafa: Kur inflacioni rritet--ulet papunesia !!
Mitro Cela vazhdon prap me zanatin e tij te vjeter.
ka ricikluar te njetin artikull qe ka botuar te biznesi muaj me pare, lecojeni se sa pak ndryshime ka .
NUK DI se cfare te shkruaj tjeter ky "ekonomist", vetem filipsin e shkrete njeh.
http://www.rilindjademokratike.com/RD13/koment.htm
POLITIKE
Portofoli (6)
I papuni i "varur" mbi Kurbën e Philipsit!
Nga Mitro ÇELA
Raporti mes inflacionit dhe papunësisë përbën "Thembrën e Akilit" në programet ekonomike të çdo qeverie demokratike. Në historinë e ekonomnisë së tregut kanë zënë "vend" modele të ndryshme. Mes shumë autorëve, shkëlqen modeli i ndërtuar nga ekonomisti neozelandes Philips. Ai, pasi analizoi të dhënat statistikore të një shekulli në disa vende të botës, hartoi grafikisht një kurbë për lidhjet mes inflacionit dhe papunësisë. Sipas ekonomistit të njohur, këta tregues shkojnë në krah të kundërt. Kur rritet papunësia, ulet inflacioni. Dhe e kundërta. Merita e politikave ekonomike të një qeverie, qëndron në faktin se sa e aftë është, të vendosi një ekuilibër mes këtyre dy treguesve.
Tipik është rasti i ekonomisë amerikane. Në vitet '70-të inflacioni u rrit shumë. Ekonomistët e stafit të Presidentit, propozuan masa drastike për uljen e inflacionit... Dhe brenda dy vjetëve inflacioni u vu në "pranga". Por çfarë ngjau me nivelin e papunësisë? Sipas ligjësive të kurbës së Philips niveli i papunësisë "kërceu" nga 2 përqind në 7 përqind. Pas kësaj tabloje ekonomike, u bënë korregjimet në politikat makroekonomike amerikane. Po në Shqipëri? Në raport me kurbën e Philipsit, kemi një paradoks ose mrekulli. Sipas statistikave zyrtare, në Shqipëri ulen njëkohësisht të dy treguesit: si inflacioni dhe niveli i papunësisë?! Mrekullitë në ekonomi janë shumë të ralla dhe kanë ndodhur në Gjermaninë dhe Japoninë e pasluftës; tek "Dragojtë e Azisë"-Koreja e Jugut, Taivan, Singapor, Hong-Kong në vitet '70-të. Siç do të shohim në analizën në vazhdim, kemi të bëjmë me një paradoks!
Me gjuhën e shifrave, inflacioni në Shqipëri jep këtë "kontribut" në kurbën e Filips. Në vitin 1997 inflacioni ishte 42 përqind. Një vit më vonë u ul në 8,7 përqind. Në vitin 1999-të u thye çdo rekord. Inflacioni zbriti nën nivelin e detit! Në vitet në vazhdim inflacioni zyrtarisht "përpëlitet" mes dy dhe katër përqind, edhe pse çmimet po çajnë qiellin. Statistikat zyrtare për papunësinë kanë këtë "ushqim" për kahun tjetër të kurbës së Filips. Në vitin 1999 niveli i papunësisë ishte 18,2 përqind. Në vitin 2002 zbriti në 15,8 përqind. Këtë vit do të jetë 13 përqind! Urra për qeverinë dhe kryeministrin tonë të nderuar, që thyen edhe ligjësitë ekonomike! Por kam një këshillë për zotin Nano: kur të jetë i ngeshëm, le të bëjë një zamet dhe të hapi internetin. Në faqet për treguesit ekonomikë flitet edhe për Shqipërinë. Zyrtarisht shënon shifrën 13 përqind për nivelin e paunësisë. Por ekspertët e huaj bëjnë këtë koment: Niveli i papunësisë në Shqipëri duhet të jetë të paktën 30 përqind! Është i vetmi rast në statistikat që boton interneti për nivelin e papunësisë, ku vihen në dyshim të dhënat zyrtare të qeverive të ndryshme të botës?!
Enigma e inflacionit
I ftuar nga deputetët e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, zoti Arben Malaj, bëri një "rezume" të fillimit të procesit për hartimin e buxhetit të vitit 2005 dhe Programit Buxhetor afatmesëm 2005-2007. Nën "vëzhgimin" e rreptë të kamerave dhe gazetarëve, u shtrua pyetja e parë:
-Zoti ministër! Në tre vitet e ardhshme, ju parashikoni të njëjtën përqindje në treguesin e inflacionit: 2-4 përqind. Pse qëndroni strikt? A nuk është ky një skenar i vjetëruar?
-Inflacioni është një tatim indirekt mbi popullsinë, tha ministri i Financave.- Inflacion më i lartë sjell më shumë varfëri...
-Unë shoh një enigmë prapa inflacionit, ndërhyri Ridvan Bode. Kursimet e qytetarëve llogariten deri në 40 përqind të PBB. Kreditimi vetëm 7-8 përqind e PBB-së.
E ndërsa vazhdonte "Ping-pongu" mes deputetëve, në një tjetër sallë tha një konferencë shtypi ish-kryeministrit Ilir Meta: "Niveli i ulët i inflacionit nuk ka ardhur si rezultat i një zhvillimi normal të ekonomisë, por si pasojë e pakësimit të investimeve në vitet e fundit. Sipas ligjit të buxhetit të shtetit, në vitin 2002 janë planifikuar 51 miliardë lekë investime. Në vitin 2003 janë planifikuar rreth 49 miliardë lekë. Këtë vit vetëm 47 miliardë lekë. Do të ishte gjysma e së keqes, në qoftë se paratë e planifikuara për investime do të realizoheshin deri në një. Në fakt realizimi i investimeve dy vitet e fundit nuk është ngjitur më shumë se 70 përqind. Dhe është logjike: sa më pak investime, aq më pak para në qarkullim. Sa më pak para në qarkullim, aq më i vogël inflacioni?!"
Të papunët ose "jetimët" e qeverisë
Në fushatën elektorale të vitit 1997, kryetari Nano deklaroi se në katër vjet të qeverisë socialiste do të hapeshin 250 mijë vende të reja punë. Në fakt u shkurtuan rreth 30 mijë vende pune sipas reformave, për pakësimin e punonjësve buxhetorë. Pa e kthyer kokën prapa, me vështrim nga e ardhmja, në maj të vitit 2001, nga tribuna e Kongresit të PS, zoti Nano deklaroi se do të hapë 150 mijë vende të reja pune. A e mbajti fjalën kryeministri për herë të dytë?
Investigimin do ta bëjmë, duke shfletuar raportet e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Raport i vitit 2001. Në fund të faqes 28 është shkruar: "Paradoksi i vitit: edhe pse u prishën ndërtimet pa leje në gjithë vendin dhe u futën në tregun e punës mijëra studentë që përfunduan shkollën, numri i të papunëve njohu rënie të vazhdueshme?!" Të nderuar këndonjës! Në këtë përfundim nuk ka arritur sekretari për Ekonominë në Partinë Demokratike zoti Edmond Spaho, por ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Shkëlqim Cani. Raport i vitit 2002. Faqet 25 dhe 26. Tregu i punës. "Deri në vitin 2001, në fshat ishin të regjistruar 761 mijë të punësuar. Vitin e kaluar, sipas regjistrimit të ri të popullsisë, në fshat kanë punuar 526 mijë punonjës. Kjo do të thotë se drejt qyteteve kanë vërshuar rreth 235 mijë të papunë!"
Në çdo vend të Europës, në qoftë se Guverantori do të lëshonte një bombë të tillë, do të kishim "fortunë" në ekonomi dhe në politikë. Vetëm në Shqipëri "bombat" që plasin në ekonomi nuk kanë efekte politike.
Pjella të burokracisë
Qeveria jonë e nderuar, i paçim uratën, kur është puna për të thënë se mendon për punësimin e shqiptarëve, tregohet dorëlëshuar në krijimin e një lëmshi burokratik. Nuk do të ishte humbje kohe të ndjekim disa prej tyre.
1. Shërbimi kombëtar i punësimit. U krijua që në vitin 1999. Në tre nivele. Në Tiranë: Drejtoria e Përgjithshme e SHKP. Në qendrat e prefekturave: 12 zyra rajonale. Në këto zyra punojnë 193 punonjës. Në nivel rrethi janë hapur 24 zyra punësimi. Aty punojnë rreth 154 punonjës. Zyra e punësimit në Tiranë ka 47 specialistë. Po të punësuar? Në vitin 2002 u sigurun 7 mijë vende pune. Në vitin 2007 do të hapen 11 mijë vende pune? Morali: Qeveria mbarsi malin për të pjellur një...mi?!
2.Qendrat e formimit profesional në: Tiranë, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Tepelenë, Durrës. Këto përbëhen nga ente publike, subjekte private dhe OJQ. Kemi 70 subjekte, nga të cilat 48 janë subjekte private dhe 22 OJQ. Në këto qendra janë kualifikuar 7200 persona.
3.Agjensitë private të punësimit. Pretendojnë se merren me punësimin e shqiptarëve jashtë shtetit?!
Po çfarë tregon realiteti? Lashë mënjanë kompjuterin dhe mora rrugën drejt tregut të punës. Ishte i rralluar. Një pjesë kishin gjetur punë. Disa ishin mërzitur duke pritur. Më të duruarit qëndronin ende, edhe pse dielli ishte ngjitur në zenith. M'u afrua një mesoburrë tek xhami i makinës: "A doni punë, zotni!" M'u duk vetja sikur isha një nga personazhet e tregimeve të Migjenit. Për të dalë nga sekëlldia zbrita nga makina. Unë:-Pse kaq pak të papunë sot. Mos vallë qeveria ka hapur vende të reja pune?
Ai:-Qeveria na ka lënë në mëshirë ta fatit. Për të parë se sa vende të reja pune ka hapur qeveria, hajde në mëngjez të shohësh turmën e njerëzve që kërkojnë punë...
Unë:-Ku bëhet regjistrimi për punë?
Ai, më vështroi sikur të isha një ufo!
Morali mes inflacionit dhe papunësisë
Praktikisht asnjë ekonomi nuk mund t'i shpëtojë ligjësive të teorisë së Philipsit. Të papunët e kanë "skalitur" edhe në Shqipëri kurbën e ekonomistit të njohur. Këtë tregojnë edhe shifrat që kanë zënë vend në raportet e Guvernatorit. Ky koment bëhet edhe në internet. Këtë tablo japin edhe reportazhet e gazetarëve nga qytete të ndryshme të vendit: në Shkodër, Peshkopi, Has, Kuçovë niveli i papunësisë është 40 përqind Shifrat, siç llafoste babai i komunizmës, tavarish (shoku) Lenin janë kokëforte. I shohin të gjithë në mesin e ditës. Përjashtim bën kryeministri. Nuk ka nge të lexojë treguesit ekonomikë të vendit. Nuk e bëjmë me faj. E morën më qafë ftesat që i bëjnë liderët e qeverive të botës, duke filluar nga Kina, Greqia, Rumania, Spanja e të tjera e të tjera, ironizonte miku im, Todor Keko.