Re: Futboll Zone
Trezege-Klose, një këmbim i mundshëm
Në gjuhën e shifrave, David Trezege është më mirë se Françesko Toti, në krye të golashënuesve të Serisë A, më mirë se Didië Drogba edhe ai golashënuesi më i mirë i Premier Ligës, duke mbajtur gjallë zbehtas shpresat e Çelsit për titull. Megjithatë, francezi mbetet pas bashkëkombasit të tij, Frederik Kanute, zbulimit të Sevijes, në garë për të fituar çmimin "Këpuca e artë" për këtë sezon. Më mirë se Trezege, po në gjuhën e shifrave, edhe Mirosllav Klose. Sidoqoftë, pa asnjë mëdyshje, Davidi mbetet një prej më të mirëve, nëse bëhet fjalë për ta kaluar topin përtej "vijës fatale" në rrafshin europian dhe mbase edhe botëror. Në botën e futbollit, veçanërisht në "racën" e golashënuesve, ky detaj është prej më të rëndësishmëve. Monumentale mbeten edhe fjalët e Kapelos dhe një si ai e njeh futbollin në të gjitha aspektet, si pak njerëz.. "Davidi? Në zonën e 11 metërshit nuk ka shok në botë". Fjala është për atë zonë të vogël me përmasa, por ku vendosen fatet e ndeshjeve të mëdha. David Trezege kësisoj është thjeshtësisht "vrastar".
Pastaj, të mendosh se në këto shtatë sezone italiane ka pasur edhe nga ato që nuk kanë rreshtur së kritikuari David Trezegenë: nuk merr pjesë në manovrat kolektive të skuadrës, nuk i siguron thellësi skuadrës dhe nuk jep ndihmesë sa duhet me tërheqjet e tij. Le ta marrim pjesërisht të vërtetë. Por, një pjesë të madhe të topave që kalojnë para apo pas tij, ai i dërgon në rrjetën kundërshtare. Skeptikët mund të konsultojnë statistikat, minuta të luajtura dhe gola të shënuar për Davidin, një prej më të mirëve në të gjithë botën. Mirë, mund të vazhdosh, ai luan në Serinë B, ku mbrojtësit janë më pak të rreptë sesa në A. Dashamirësit e futbollit mund t'i drejtohen mënyrës së ekzekutimit dhe cilësisë së zhvendosjes para portës pas kurrizit të kundërshtarit. Këto dhunti lindin dhe demonstrohen në çfarëdo niveli. Shembull: goli i tij me Çezenën. "Dudu mbrojti mirë, shpjegonte trajneri i Çezenës, Kastori, por fakti mbetet se këto lloj goditjesh i bën vetëm Trezege". Ky sezon i francezit në B, pavarësisht me shumë zymtime, konfirmon përzgjedhjet e goditura nga ana e Juves. "Këtë verë, kujton drejtori teknik, Alesio Seko, duhej të vendosnim se kë do të mbanin dhe cili do të largohej, sigurisht duke pasur parasysh atë moment delikat. Trezege qe një prej atyre, tek i cili u mbështetëm fuqishëm. Kishim nevojë për një finalizues që do të na garatonte një numër golash të shënuar. E cili do të ishte më mirë se Davidi?"
Ja pse në uraganin e të gjithë forcës së "calciopoli t", Deshampi i telefonoi: "David, je një prej atyre që do të dëshironim ta mbanim". Zgjedhje që Juvja dëshiron ta përsërisë me çdo kusht edhe këtë vit për të riardhur në Serinë A, me dikë që sa i takon shënimit të golave, mbetet një prej numrave 1. Mbi të gjitha, siç po përvijohen ngjarjet, do të jetë çdo gjë, veç një formaliteti. "Të gjithë e dimë se Trezege ka një kontratë që përfundon vitin e ardhshëm, vazhdon Seko, dhe po presim momentin e duhur për të biseduar me të. Ne duam ta mbajmë, por marrëveshjet duhen nënshkruar nga të gjitha palët. Ai është shumë i lidhur me Juven, tashmë ka hyrë në historinë e klubit, ndihet pjesë e tij dhe jam i sigurt se ndihet edhe pjesë e së ardhmes së tij". Sidoqoftë, për çdo rast, nëse David Trezege vendos të largohet, do të nisë ofensiva për të sjellë në Torino qendërsulmuesin ndërkombëtar të Gjermanisë, Mirosllav Klose, që në Bundesligë me Verderin këtë vit ka shënuar dhjetë gola në pesëmbëdhjetë ndeshje të fazës së parë.