Re: FORCAAAAAAAAAAAAAAAAAAA.
Trajneri dhe drejtuesit e klubit të kuq theksojnë se gjyqtarët e ndeshjeve blihen me para
Partizani: Gjyqtarët të hetohen
Dje paradite është mbledhur stafi drejtues i klubit "Partizani" për të analizuar jo vetëm humbjen e fundit me Vllazninë, por edhe probleme të ndryshme të skuadrës së tyre, të shfaqura në ndeshjet e fundit. Trajneri Spahiu, pas mbledhjes, e cila zgjati disa orë, u shpreh se problemet e ekipit do të diskutohen sot së bashku me lojtarët, ndërkohë që në mbledhje është diskutuar më shumë për gjykimin e dobët jo vetëm në Shkodër, por edhe gjatë ecurisë së deritanishme të kampionatit. "Ne kërkojmë nga FSHF-ja që të caktohen specialistë të ndryshëm për të hetuar sesi janë gjykuar deri tani ndeshjet e kampionatit. Sot, në mbledhje, me anë të sekuencave filmike, kemi vërtetuar plotësisht që gjykimet krejtësisht të njëanshme ndaj Partizanit nuk janë thjesht rastësi, apo kapriçio të ndonjë gjyqtari, por vijnë ngaqë shumica e atyre që gjykojnë në kategorinë e parë janë të korruptuar. Unë, si trajner, jam shprehuar që në fillim të sezonit se nuk dua të merrem me gjykimet, sepse gjyqtari ndodh që edhe gabon, por kur shoh se gjërat bëhen problem, them se duhet vënë dorë për të mirën e futbollit," - thekson me tepër ashpërsi trajneri i të kuqve. Më pas, për të argumentuar më me hollësi pakënaqësinë që të kuqtë kanë nga gjykimet, trajneri Spahiu shpjegon: "Në Durrës, gjyqtari jep një 11-metërsh të paqenë për Teutën në fund të ndeshjes, duke na mohuar në fund dy pikë. Që gjyqtari gaboi, kjo u vërtetua edhe nga pamjet televizive. Ndaj Tiranës, sërish gjyqtari nuk jep një 11-metërsh për Partizanin. Kujtojmë që ekipi ynë ishte në disavantazh, edhe pse më vonë e fitoi bindshëm derbin. Më pas, me Besën, përsëri Muzaka pengohet në zonë dhe gjyqtari nuk akordon 11-metërsh. Në Vlorë jep 11-metërsh për Flamurtarin, që provat televizive treguan se nuk ishte, edhe pse në pjesën e dytë Partizani e fitoi ndeshjen. Në Peqin, Partizanit i mohohet një tjetër 11-metërsh, pas rrëzimit të Kariokës brenda zonës. Provat televizive treguan se ishte 11-metërsh i pastër dhe Partizani humbi përsëri dy pikë. Por historia e gjykimeve vazhdoi edhe këtë javë në Shkodër. Dje, pas provave televizive, vura re se gjyqtari ka gabuar kur nuk i ka dhënë Abilios një 11-metërsh. Nuk them se ndeshja duhej fituar patjetër, por të paktën duhet të merrnim barazimin," - vazhdon më tej trajneri Spahiu. Kësisoj, sipas trajnerit të të kuqve, po të llogariten pikët e mohuara nga këto padrejtësi ndaj ekipit të tyre, Partizani jo vetëm do të ishte në krye, por edhe i shkëputur katër pikë nga Teuta. "Ne i kemi provat, por duam të dimë arsyen e saktë pse ka ndodhur kështu. Gjithashtu, nëse ndokush mendon se e kemi gabim, le të na japë një kundërprovë dhe të vërtetojë se Partizani ka fituar padrejtësisht qoftë edhe një ndeshje. Por besoj se deri tani asnjë nga kundërshtarët tanë nuk ka prova që të vërtetojë se Partizani ka fituar se ka marrë këtë 11-metërsh padrejtësisht, apo i është mohuar kjo e drejtë, - thotë tepër i irrituar trajneri Spahiu, i cili vazhdon më pas: - Që në fillim të kampionatit jam përpjekur që me investimet e presidentit Xhani t'i arrij objektivat vetëm me punë, dhe asgjë tjetër, por është e pamundur. Natyrisht, edhe ekipi ynë ka probleme të ndryshme, që do t'i zgjidhim brendapërbrenda, por ky i gjyqtarëve është shumë më i madh dhe prek tërë kampionatin në përgjithësi. Nuk ka nevojë për emra, sepse tashmë problemi është i qartë: ka gjyqtarë që blihen dhe janë të korruptuar, por deri tani nuk kam parë të ndëshkohet ndonjëri. Nuk e di çfarë bëjnë personat përgjegjës në këtë punë. Çfarë presin ata? Mos shpresojnë që ta zënë gafil gjyqtarin me para në duar që të besojnë se ç'bëhet? Nëse dëshirojmë që të ndërtojmë një kampionat të ndershëm, le të hetohen nga specialistë të ndryshëm gjyqtarët dhe gjykimet e 10 javëve të para dhe të arrihet në përfundime konkrete. Në të kundërt, do të kemi një kampionat-fantazmë, si shumë të tjerë vitet e fundit. Kjo është arsyeja që ekipet tona, në ballafaqimet në Evropë, i heqin "brekët" para se të fillojë loja," - përfundon tepër i shqetësuar fjalën e tij trajneri Ilir Spahiu.
Aranit MURAÇI
Spahiu: Që sot fillon "diktatura"
Pas ndeshjes me Vllazninë, trajneri i të kuqve, Ilir Spahiu, u shpreh se Vllaznia e meritoi fitoren. Madje, sipas tij, goli i dytë për shkodranët, edhe pse nuk dukej qartë nga pamjet televizive, ishte i rregullt. "Ndaj Vllaznisë vlen të përmendet rasti i Abilios, që u pengua në zonë, që mund t'i kishte dhënë një barazim Partizanit, ndërsa goli i dytë m'u duk në rregull. E pranoj me ndërgjegje se loja e shkodranëve ishte më e mirë, për këtë arsye ata e merituan fitoren, - shprehet trajneri i Partizanit. - Ne ishim në Shkodër pothuajse pa mesfushë. Shkodranët depërtonin hapur drejt portës sonë, prandaj dhe arritën të shënonin. Pashë që ekipi ynë nuk ishte i përgatitur mirë fizikisht dhe kundërshtari përfitoi nga kjo mangësi. Defektet tona janë shfaqur që në ndeshjen me Flamurtarin dhe arritën kulmin në Shkodër. Kjo sepse ka disa javë që lojtarët nuk kanë dëshirë të stërviten dhe momentalisht po kalojnë euforinë që kaloi Tirana pak javë më parë. Nesër do të kërkoj që, përveç stërvitjes së detyrueshme me nga dy seanca në ditë, të fillojmë edhe teorinë e javëve të para," - thekson trajneri Spahiu.
Të kuqtë, sot analiza e humbjes
Sot, në klubin e kuq, pritet të zhvillohet një analizë e gjatë midis bordit drejtues dhe futbollistëve të Partizanit. Dje, drejtuesit më të lartë janë grumbulluar dhe kanë analizuar ecurinë e deritanishme, ndërkohë që sot në drekë në mbledhje do të jenë edhe lojtarët e formacionit bazë. Humbja me Vllazninë do të jetë pjesa kryesore e kësaj analize, ku përgjegjësia më e madhe pritet të bjerë mbi disa nga lojtarët titullarë.