Re: Flasin vete poemat per historine tone - Godisni ketu
Për adhuruesit e Fishtës. Pjesë të tjera do të vijojnë!
Arkeologu
Oda e Ministrit t’Arsimit në Tiranë
MINISTRI
(tuj këndue “Rivistën Pedagogjike”, thotë me vedi)
Mirë … mirë fort … ma mirë nuk ka …
Punë e madhe! ... (Drejtorit A) Kem’me pa
Shka do t’thotë, tash, “Hylli i Dritës”
Edh’aj Frati i dheut t’Mirditës,
Që botue ka njat broshuer
Mbi programin tonë shkolluer,
Tuj e pru për t’patenzonë.
Kem’me pa, po, shka do t’thonë
Kur ky artiklli i Nebil Çikës,
Shkrue mbas rregllave t’kritikës,
T’u bjerë n’dorë. Me shum mjeshtri
Ktu auktori ven n’qesti
Papë e kishë e meshtari,
E difton, me arsye në dorë,
Se janë hasëm e trathtorë
T’gjith njata, që n’tokë shqëptare
Duen që shkolla elementare
T’jetë e lirë. Sod afetare
Qeverija ktu asht dishmue:
S’ka pra ndryshej n’shkollë me msue,
Veç se mbas programit t’onë;
Edh’un, po, herët a vonë,
Kam me i mbyllë shkollat private.
DREJTORI A
Iu ngjatët jeta zotnis s’ate:
Mirë ketë punë mendue e ke.
Veç se shka, zotni, n’ketë dhé
Po kam shum njerz fanatikë-
Ele Priftënt katolikë ...
MINISTRI
Priftënt, jo, por Fretënt, thuej;
Pse kta janë që, posë gjithkuj,
Po na jesin m’qafë.
DREJTORI A
Zotni,
Ashtu punën si un e di,
Jezuit, Priftën e Fretën
T’gjith nji mendje p’rherë u gjetën
Ndër punë fejet e moralit:
Posë ndonjaj fatziut, batallit,
Që t’ketë mangut n’krye ndo’i hatull
E që vorr mos t’ketë kund m’shpatull.
Tash ti pra, zotni, tue kenë,
Se morali i fes s’krishtenë,
S’njet gjithkund e s’njet gjithmonë
Me moral t’besimit tonë,
Meshtarija kurdoherë
Ka me ba zhurmë e poterë
Për punë t’shkollave fillore,
Edhe kurr në shkollë shtetnore
Fmin e kshtenë s’ka me i dërgue.
Për ketë punë – si m’duket mue –
Thom do t’ishte fort ma mirë
N’Shqëpni msimin me e lanë t’lirë:
Që secilli Shqëpëtar,
A komunitet fetar
Mund t’çilë shkolla për komb t’vet
N’dashtë n’katund, n’dashtë në qytet.
Por gjithmonë – si rrjedhë prej vedit –
Tuj u mbajtë n’çark t’ligjve t’shtetit,
Si n’Angli e n’Amerikë,
E atje n’Francë e në Belgjikë.
Pse, zotni, me thanë t’vërtetën,
Sod me sod Jezuit e Fretën
E kan shkollën ma zanat
Se e kem’na. Sa per inat
Gjithshka t’duem për ta mund t’thomi,
Por e drejta asht, se kombi
Shum prej sish ka pasë dobi:
Si ajo Shkodra e ban dishmi,
Ku ka shkolla e strehë foshnjore,
Ka gymnaze e qytetnore
Me programe prendimore
E me msim e me punë dore,
Fort ma mirë se shkollat t’ona
Për të cillat dy miljona
Franga ar na vjetë për vjetë
Kulihum i mbysim n’det;
Pse, zotni, shkolla për ne
Politikë asht ase fe.
Mujm m’e strukë punën me prralla,
Porse n’thes, besa, s’hin palla...
MINISTRI
Jo, pra, jo! Shkollën n’Shqëpni
Nuk e baj kishë as xhami.
Prandej shkollat fillestare,
Që t’mos jenë qeveritare,
Do ti mbylli varg e vaster,
Mbasi ndodhë kam unë ministër:
S’due që mosha e re e Shqëpnisë
T’rritet n’dorë të Meshtarisë-
Sidomos t’Fretn’e shqëptarë.
Kta, po, janë antikombtarë,
Njerz t’rrezikshëm, fanatikë,
Marrë gjithmonë me politikë,
E që munden me na i prishë
Fmin me shkollë edhe me kishë,
Tue na i rritë djelmt t’onë trathtarë,
Ma fort t’huej se shqëpëtarë :
Si fort bukur Nebil Çika
E ka shkrue ndër kto kritika,
Që aj ba i paska “Hyllit t’Dritës“.
Jo , po, vetë në “rend të ditës”
Do t’a vê emnin e kti,
Për m’e pru ktu n’Ministri
Inspektuer ase drejtuer,
edhe kta, po, sa ma parë,
Shi p’r inat t’Fretn’e shqëptarë,
Që “Programin syntetik”-
Syntetik e analytik-
Keqas fort na kanë poshtnue.
DREJTORI A
Po, zotni, si urdhnon e thue.
Veç, ashtu si m’duket mue,
Thom Nebili ka gabue
Me qëtë n’dritë ketë lloj kritike,
Në “Revistë Pedagogjike“,
Që â ‘i përkohshme fjesht zyrtare,
Mbajtë me mjete t’Kashës kombtare.
Qeveria asht afetare:
Prandej thom se zyrtarisht
Edhe kshtu llapazanisht
Nuk asht mirë që n’polemikë
T’hijmë na sod me Katolikë.
E t’u shajm Papë e Meshtarë,
T’u shajmë Fenë e Kishën mbarë,
Thue se Arsimi i jonë kombtar
Asht nji lozhë e masonisë.
Katolikët e Shqëptarisë
Na i kem’vllazën; edhe vetë
Kish’me thanë, se s’â’ e vërtetë,
Që atje n’Shkodër Françeskajt
T’huejë na i rrisin kalamajt,
E që ata tue kenë shqëptarë,
T’jenë, si thue ti, antikombtarë.
E po ‘imend – t’ngjatët Zoti jetën! –
Esad Pasha a thue ndër Fretën
Ka zanë shkollë? … Arif Hiqmeti
A ndër Fretën apo njeti
Aj kje rritë? … Haxhi Qamili
- T’thotë shka t’thotë, po, qaj Nebili -
Osman Bali, Halit Lleshi
E sa tjerë, që fati deshi
Armët t’i sjellin kundra Atdheut,
Kundra flamrit t’Skanderbeut,
As kta, besa – tu ngjatët jeta! –
S’i kanë ba kndimet e veta
N’shkollë fretnore. A e din, zotni,
Kush ka zanun n’ketë “skoli“?
Qaj Preng jaku, si harusha,
Qaj Lucë Nishi e qaj Prengë Tusha,
Dy djelmoça, dy skyfterë,
Si edhe ata oficjerat tjerë,
- Gjetun gati kurdoherë
Për Shqëpni me ra n’poterë –
Që mbas msimit t’Françeskanve,
M’shpinë u u lshuen kta esadjanve
Edhe i shtypën. Kta, po, janë
Që nder Fretën shkollë kanë zanë.
Prandej tham se Nebil Çika,
Para se me shkrue kritika
Kundra Fretn’e e kundra Fesë,
T’i a vejë gishtin nji here kresë
E t’mendojë se “uhaja n’Lesh-
Si tha i moçmi – merret pshesh”.
MINISTRI
Pse po thue për Nebil Çikën?
Po ti kndoje ‘i herë kritikën,
Që për t’madhe bukuri
U ban Fretënve n’”Vllazni”.
Nji (e)S.(e)S. – kush asht s’e di:
(Me gisht i difton do vjersha, botue
prej “Vllaznijet”, Nr.9, nën titullin: “Vallja
popullore”.)
A ke ç’ndien?… Ktu kish’ me thanë,
Se njat Fratin n’gojë ka zanë,
Që dikur shkrou njat broshuer
Mbi programin t’onë shkolluer.
E ktu poshtë, si npër tërthuer,
Fjalët e ashpra t’ktij vjershorit,
Kish’ me thanë, se shi drejtorit
T’”Hyllit t’Dritës” i janë kushtue.
DREJTORI A
Ashtu m’duket edhe mue,
Por, zotni, t’ngjatët Zoti jetën!
Mos t’a zamë në gojë gazetën
“Vllazënija”, pse randsi
Kjo nuk ka kurrkund n’Shqëpni.
Veç ban mirë me I shkrue vjershtarit,
Që ktu n’gojë zen punë gomarit,
Se aj gabon poetët me i nga;
Pse kta uha – nuk lanë pa la
E t’a bajnë, besa, me kja,
Porsi viç djerrë neper plish,
Ka’ e salvojnë m’konop tre fish.
(Hinë Babatasi. Drejtori A del)
BABATASI
T’u ngjatët jeta! –
MINISTRI
T’u ngjatët jeta!
Si po shkoni?
BABATASI
Si do’zoti…
Gjene mirë.
MINISTRI
Asht edhe moti,
Që na kalbi. Kujtoj ka
Ma se ‘i muej që shiu s’na ka da.
Me t’mërzitë!
BABATASI
Shka t’i bajm pra.
Vetë ju fajin, thom, e kini,
Që bje shi.
MINISTRI
Na, pse?
BABATASI
Pse jini
Ju njata, që sod n’Shqëpni
Vrani e kthjellni…
MINISTRI
Nuk e di…
Nejse ma ... veç fjalë t’kam çue,
Ktu me ardhë me u pjekun m’mue,
Pse nji punë kam pasë me ty.
BABATASI
Qe, tek m’ke – me kambë me krye;
Urdhno e fol. Ku ti me sy,
Aty “ praf “ un kambë e krye,
npër stomije e mpër “hendeqe”.
MINISTRI
Babatas, mjaft punë e keqe
Për nji shtet “okcidental”
Si ky i joni, as n’fushë as n’mal
Mos me pasun nji Muze;
Jo, po asht turp, besa, p¸er ne,
Për njiket Shqëpninë e re,
Pa Muze vendin m’e lanë.
Tham, asht mirë, që ktu n’Tiranë
T’a ndërtojm nji farë Muzeut.
Për lulzim e nderë t’Atdheut,
- Vjet në Shndré pata fillue
Nji Muze vetë me ndërtue,
Edhe krejt e pata mblue:
Por nji ditë – si do t’keshë ndie –
Ra do shi e u kapërdi
U shemb mbrendë, e e marroi Zoti.
Shka me ba: e prishi moti.
BABATASI
Mirë zotni; veç se po drue
Se ende dita nuk ka ague
T’ndërtojm na Muzej n’Shqëpni,
Me kuletë t’shpueme në gji.
Ti e di mirë se as n’tokë shqëptare
Muzejt s’ngrifen n’kambë pa pare;
Jo, po, ktu edhe, n’tokë t’Kastriotit
Hecë nji fjalë që kje thanë motit:
“Xhep e lep – more Rexhep!”
Prandej vetë kishe me thanë
Se, për tash, Muzeu do lanë:
Na s’po kemi bukë me ngranë,
Jo me ngrfë Muzej n’Tiranë!...
Po a njnimend, more lum beu,
Se, tu’u ngrefë n’Tiranë Muzeu,
T’a ha mendja ty që Atdheu –
Që Shqëpnia, fush e djerr,
Tash na bahet Ingliterr,
E, pjekë vedit pulat n’furrë,
Fluturim kanë me na u turrë
Me na hî përdhuni n’gojë?...
Jo, zotni: s’asht gja ajo lojë.
Edhe tham ma mirë do t’ishte
Per nji shtet ende ferishte,
Si Shqëpnija, nji Spital
Me ngrefë kund n’ndo ‘i fushë a mal,
Për me shndoshun “pelivromin”
Ase “dergjen” që sod kombin
Janë tue e lshue shakull për dhé,
E me u shporrë Muzeut. Për ne,
Që nuk kemi as bukë me u ngî
Sod Muzeu â ‘i “kabuni”,
Që nuk asht, jo, për dhambë t’onë;
Pse financa, si po thonë,
Sod ka radhë e asht ba teneqe.
MINISTRI
S’â e vertetë. Asht punë e keqe
Kshtu me folun, lum zotnija.
Ti s’e din, por sod Shqëpnija
Ka mjaft pare n’kashë të vet:
Si me pa mundet n’”budget”,
Që kolë thaçi e ka përmbledhë
Edhe bukur aj e ka dredhë,
“Simbas urdhnit” që ka pasë.
A din ti, se sivjet n’kasë,
(Si ky Kola e ka shpjegue)
N’Financë t’onë kanë me u grumbllue,
- Tanë fyshekë, ndry ndër kashuj –
Rrash njizetedy miljuj
Franga ar. Prandaj kuleta...
BABATASI
S’di gja Kola – t’u ngjatët jeta! –
Po t’tham un, po, Babatasi.
Po a dro m’pare kund aj hasi,
Që kështu, n’hamende t’vet,
Shton miljona në “budget”?...
Fjala e tij nuk çon kandar:
Se atij kasha i ka qëtë bar,
Edhe asht ba me dal me lypë,
Qysh se rrogat i lanë krypë.
Jo që ka edhe ‘i tjetër punë:
Parja n’kashë kurr nuk i bunë:
Pse, ke vetë s’asht veç ‘i kukull,
Ate shokët e bajnë krejt sukull,
E ia shijnë paret përdhuni,
Si n’Shqëpni që hecë kanuni...
Posë që vetit s’i shef hall,
Edhe krejt ka ra batall
Me “budget” t’Pandel Vangjelit,
Që n’dugajë t’Ali Kacelit
S’la kund karta e envelopën,
Ke po merr e ep me Europën,
Tue çue Korsuj e Sefira
Për gjith skuta e për gjith bira,
Për m’ia u shti europjanve n’kokë,
Se na mend kemi me okë:
Se Shqëpnia, fushë e male,
Asht ba sod “aksidentale”...
Desha t’thom “oksidentale”:
Si ajo Italja, si ajo Franca,
Me aeroplana, orkestra e danca,
Me “mocjone” e “interpelanca”:
“Ferku” asht vetëm ndër “pjatanca”:
Ke atje rruejnë, po, shepka e fllanxa,
Na me mzi ktu bukë e planca,
Kur t’i kemi; pse Financa
Ende ktu, si kje dishrue,
S’mujt me u “oksidentalizue”
Veç se shka, se do trregtarë
Mue m’kanë thanë se punët fort marë
Nuk po i ki’n kta korcullarë,
Kta sefira t’onë shqëptarë,
Ke qyqarve muej për muej
Po u mbijn fjalë me gjind të huej,
Sidomos për qëra t’shpisë,
Posë kasapit e furrxhisë;
Pse “xhaxhaj” Pandel Vangjeli,
Tash që kasha pa gja ngeli,
Nuk ka pare me u dërgue.
Prandej t’mjerët sod janë ngushtue
Pa nji dysh, me thanë, n’kuletë,
Me i shkue Europës poshtë e përpjetë,
Si kual pleq që l’shohen n’knetë,
Pa tagji – pa kashagi
Përse askush nuk del me i ble:
Si mo’Zot! Ma keq për ne,
Që gjithmonë e kem’ matë vrapin
Ma të madh se kem’ pasë hapin.
E vërtetë që ky Kolë Thaçi
Vjet der m’gju kërrçikët i zgaqë
Edhe i ra detit përtej,
Me do tjerë financier t’mdhej:
E npër Romë e ... shishe t’Kjantit
Na ka vojtë në bankë t’Brabantit,
Diku larg atje n’Belgjikë,
Për me lypun metelikë.
Veç se rruga i vojt bihude,
Edhe i shkuen paret zollude,
Pse “Brabanti”, si un kam ndie,
Po kish kenë nji bastanxhi
Që epte vetë, po, kastraveca
Për sherqëj, edh’epte speca
Për tomate e patlixhana,
Kshtu që Kola – ate e pastë nana! –
Tanë korrname e punë të mdhaja,
Kthej n’Tiranë me i kalë mushkaja;
E të mjerës moj Shqëpni,
Që ministra e tevabi
Do t’i lajë me ar flori,
Prap npër kambë iu vuer jullari,
Edhe i mbet nën bark samari.
Tash që kasha mbet filuzë
E besë kush s’na zen p’r’i rruzë,
Po na thonë se ky Kolë Thaçi
Ka çue kashën te kovaçi,
Thatë ngarkue mbi dy shilurtha,
Për me ndreqë me tê do kurtha,
Që me i ngrefë mandej n’Shqëpni,
Do n’Gegni – e do n’Toskni,
Ku ma fort t’ket gjasë e ishkile,
Se bjen mbrenda ndonji skile –
Ndonji skile britanike,
A ndo’i shqarth prej Amerike,
T’cilve shtrtejt po u bante lkura.
Veç ka thanë Ali Klisura,
N’Parlament kur e kan pvetë,
Se kjo punë asht “peshk në det”,
E prej saj kurrgja n’kuletë
Nuk i hinë s’mjerës Shqëpni.
Por po e zamë, zotni se Kola
Po ka pare e po ka t’holla,
Për me m’kambun ketë Muze:
Arkeologun, por, ku e ke?
Pse un e dij, more bablok,
Se muzeu pa Arkeolog –
Arkeolog i damë me gisht,
Asht si spata e re pa “bisht”.
Durim deri në herën tjetër! Ia kalofshi mirë!