Re: Fakulteti Ekonomik duhet reformuar, por si?
Marre nga Gazeta TEMA
Universitetet, nën kthetrat e Pollos
Nga Rildo Ngjela
I ngarkuari i UNESCO-s për të Drejtën për Arsim, Prof. Dr. Jan De Groof, ka kritikuar ashpër ligjin e arsimit të lartë dhe funksionimin e tij, i cili, sipas tij, ka kontradikta të rënda me Kushtetutën. De Groof shprehet se ende universitetet shqiptare nuk kanë autonomi, pavarësisht se në ligj thuhet se janë autonome.
“Nëse bëjmë një krahasim të thjeshtë, pika e tretë e programit elektoral të presidentit aktual francez, Nikola Sarkozi, ka qenë autonomia universitare, ndërsa qeveria aktuale shqiptare ka pasur “Shqipëria, 1 euro” dhe autonomia e universiteteve është nga pikat e saj të fundit”, - tha Groof.
Në konferencën e djeshme me temë “Sfida për nxitjen e politikave dhe praktikave të sigurimit të cilësisë së arsimit të lartë”, ku merrnin pjesë personalitete të larta të botës akademike shqiptare dhe ndërkombëtare, u trajtuan problemet e ligjit të arsimit të lartë.
Sipas të ngarkuarit të UNESCO-s për të Drejtën për Arsim, Prof. Dr. Jan De Groof, ka ndryshime rrënjësore pozitive në sistemin arsimor shqiptar. “Shqipëria u bashkua me grupin e Bolonjës në vitin 2003. Ka ndryshime shumë pozitive në legjislacionin përkatës. Megjithatë, ka një pyetje që qëndron akoma, parë nga këndvështrime të ndryshme. Pyetja është se, nëse ky legjislacion është në të njëjtën linjë me procesin e Bolonjës dhe me disa principe demokratike si autonomia dhe përgjegjësia, pra, duke iu referuar përgjegjësisë brenda akademisë universitare”, - tha ai.
De Groof shprehet se qeveria, parlamenti dhe veçanërisht Ministria e Arsimit duhet t’i marrin më seriozisht problemet e arsimit, sidomos të universiteteve.
“Konkluzioni ynë është se ka ende vend për përmirësim. Kjo nuk do të thotë se ne nuk i vlerësojmë përpjekjet, por ka nevojë për t’i marrë më seriozisht problemet e arsimit të lartë, që është një nga gurët e themelit për zhvillimin e shoqërisë në këtë rajon. Kjo është një përgjegjësi e lartë e universiteteve, parlamentit dhe qeverisë shqiptare”, - shton ai.
Në analizën që De Groof i ka bërë ligjit shqiptar të arsimit të lartë, ai thekson se gjërat janë bërë për të favorizuar universitetet private. “Duket sikur ky ligj favorizon universitetet private”, - tha De Groof.
Ai thotë se agjencitë e akreditimit, të cilat duhet të përcaktojnë ekzistencën e universiteteve private në tregun shqiptar dhe kushtet që ato plotësojnë, thuajse nuk ekzistojnë.
KALSH
“Për sa i përket KALSH, nga njëra anë Ministria e Arsimit nëpërmjet ligjit të arsimit të lartë i jep autonomi të plotë universiteteve dhe nga ana tjetër i mohon fondet. Sipas këtij ligji, të miratuar në parlament, KALSH është Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Anëtarët e këshillit emërohen nga ministri i Arsimit. Përderisa këta këshilltarë emërohen nga ministri, atëherë kjo tregon që ministri është këshilltar i vetvetes”, - tha De Groof.
Gjithashtu, i ngarkuari i UNESCO-s shprehet se ministri i Arsimit kudo nëpër botë është një shërbyes publik, por mendja e ministrit nuk është mendja më e mirë dhe për këtë ai duhet të këshillohet për çdo gjë me trupën akademike.
Në KALSH nuk jep mendime asnjë rektor. Në atë këshill japin mendime dhe sugjerime vetëm ata që ishin kandidatë për dekanë dhe rektorë në universitetet publike, por që humbën në zgjedhje. Rektorët e të gjitha universiteteve publike të vendit i kanë parë të gjitha aktet dhe kërkojnë që ato të ndryshojnë.
Bllokimi i doktoraturave
Sipas Groof, doktoraturat dhe masterat duhet t’i ketë në menaxhim vetëm universiteti dhe jo Ministria e Arsimit, sepse ata i përkasin botës akademike.
“Ministria dhe qeveria duhet të merren vetëm me strategjinë e arsimit. S’ka punë ministri të përcaktojë kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët për doktoraturë”, - u shpreh ai. Afro 500 vetë që po ndiqnin studimet e doktoraturës në vendin tonë nuk do ta marrin këtë titull. Shkak është bërë një udhëzim i Ministrisë se Arsimit, i cili bllokon mbrojtjen e disertacioneve. Muajin që kaloi, pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë i kanë dërguar edhe peticion kryeministrit, Sali Berisha, ku kanë kërkuar anulimin e këtij vendimi, i cili, sipas tyre, ka qëllim bllokues. Vendimi i MASH urdhëron universitetet që të mos pranojnë asnjë disertacion të atyre doktorantëve që e dorëzojnë pas daljes së udhëzimit. Ky i fundit daton në mes të muajit prill. Në atë kohë, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, u shpreh se nisur nga ky udhëzim, universiteti është i detyruar të mos pranojë asnjë punim të atyre që mbrojnë doktoraturën aktualisht. “Nuk janë pak, por afro 500 vetë, pjesa më e madhe e tyre të angazhuar si pedagogë apo në pritje për t’u punësuar në universitete”, - tha Kule. Ai shtoi se “kryesisht, ata që janë në pritje për t’i punësuar si pedagogë, janë mjaft të shqetësuar për këtë vendim të Ministrisë së Arsimit dhe kërkojnë anulimin e tij”. Rektori i UT sqaron se, sipas ligjit të arsimit të lartë, neni 85, duhet që doktoraturat të vazhdonin me procedurat e mëparshme. “Ka dalë një akt nënligjor që e kapërcen ligjin dhe që i bllokon doktoraturat në të gjitha universitetet publike dhe jopublike”, - u shpreh ai. Është krijuar një shqetësim i madh për sa iu përket procedurave dhe kritereve të reja, të dala nga Ministria e Arsimit për ata që duan të ndjekin studimet për doktoraturë dhe aq më tepër për ata që tashmë janë në proces të marrjes së këtij titulli shkencor. “Ne kemi pedagogë që janë të interesuar për të ndjekur studimet doktoraturale, por që frenohen, duke bërë që ne të mbetemi pa stafe të kualifikuara”, - tha Kule.
Ministria e Arsimit ka miratuar masterat dhe doktoraturat e reja për vitin akademik 2008-2009. Në bazë të udhëzimit të ri që është publikuar nga ky dikaster, programi i studimit të doktoratës ka në bazë të tij kërkimin shkencor dhe veprimtarinë krijuese të pavarur. Po kështu, përfshin edhe 60 kredite për studime të organizuara. “Për t’u pranuar në doktoratë (titulli Dr.), kandidati duhet të zotërojë diplomë të nivelit të dytë, diplomë të integruar të nivelit të dytë apo diplomë tjetër studimi, të fituar jashtë vendit, ekuivalente me to”, - thuhet në udhëzimin e MASH. Udhëzim ky që është hedhur menjëherë poshtë nga i Ngarkuari i UNESCO-s për të Drejtën në Arsim, Prof. Dr. Jan De Groof, i cili shpjegon se nuk ka të drejtë askush dhe as ministri që të përcaktojë kriteret që duhet të plotësojnë doktorantët.
Doktoratura zgjat tre vjet dhe kriteret e pranimit në mënyrë të detajuar do të miratohen nga universitetet tashmë që ka dalë udhëzimi i ri i ministrisë. Disa degë me karakter specifik do të kenë edhe kritere të veçanta për studimet e doktoraturës. Sipas udhëzimit, programet e studimeve specializuese afatgjata janë profesionalisht të orientuara dhe ofrojnë njohuri për profesione specifike në fushat e mjekësisë, stomatologjisë, veterinarisë, drejtësisë, etj. Me ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë, janë bërë edhe një sërë ndryshimesh të tjera në mënyrën e funksionit të universiteteve. Përshtatja e tyre me Bolonjën e ka komplikuar gjendjen universitare, pasi është thuajse e pamundur për to, kalimi nga sistemi i vjetër në të riun, në kushtet e mungesës së infrastrukturës, kurrikulës dhe stafeve të kualifikuara.
Pranimet në universitete
Sipas ligjit të arsimit të lartë, pika 2 e nenit 33 thotë se kuotat e pranimit në universitetet publike duhet të miratohen nga qeveria.
“Kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë, për ciklin e parë të studimeve, miratohen nga Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ministria e Arsimit dhe Shkencës formulon propozimin e saj pas konsultimit me institucionet publike të arsimit të lartë dhe rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës”, - thuhet në pikën 2 të nenit 33. De Groof e ka kundërshtuar këtë pikë, duke thënë se, “për sa i përket të drejtave për arsim, Këshilli i Ministrave nuk ka pse të miratojë kuotat e pranimit në universitete, ndërkohë që në të gjithë botën kjo është e drejtë ekskluzive e universiteteve”.
Çelja dhe mbyllja e universiteteve
Sipas pikës 1 të nenit 41 të ligjit të arsimit të lartë është qeveria dhe Ministria e Arsimit që ka të drejtën e mbylljes apo të hapjes së një universiteti. Ndërkohë, sipas De Groof, nuk është detyra e qeverisë, e ministrisë apo e ndonjë organi tjetër shtetëror që të hapë apo të mbyllë universitete. “Kjo bëhet në varësi të tregut që ka vendi. Problemet, për të cilat duhet të shqetësohet qeveria, janë diplomat, pra sa njihen ato në Evropë. Kreditet e degëve përkatëse, sa ekuivalentohen? Mund të themi që s’njihen fare”, -thotë ai.
Pezullimi i rektorit
Edhe për tri pikat kryesore në nenin 64 të ligjit të arsimit të lartë, De Groof u shpreh se janë qesharake. “Sidomos pika tre, e cila përcakton pezullimin e rektorit, është qesharake. Terminologjia lindore e përdorur dhe momenti, për të cilin flet ligji, s’është real. Nëse janë zhvilluar zgjedhje të lira, kemi zgjedhur një akademik, pra nuk po flasim për një njeri dosido. Ajo cenon moralin e akademikut dhe ul besueshmërinë te publiku”, - tha ai. Këto pika flasin për kontrollin që MASH iu bën universiteteve, veçanërisht rektorit, i cili, po u kap me shkelje, do të pezullohet dhe më pas shkarkohet