Re: Etika Sot...
ETIKA dhe MORALI
Qështjet kryesore me të cilat sot ballafaqohet njerëzimi janë ato të moralit dhe të etikës”. Si asnjëherë më parë, njerëzimi po përballet me sfida të shumta, me probleme të shkaktuara nga “çnjerëzimi i njeriut”, me dilema etike tepër kritike që kërkojnë zgjidhje të shpejtë. Politikëbërësit, juristët, eticienët dhe bashkësitë fetare por edhe çdo individ që jeton në këtë kohë të krizologjisë globale, të skajshmërive të krizës dhe brengës së njeriut modern
Dekadat e fundit të shekullit të shkuar bota po ballafaqohet në mënyrën më serioze me çështjet alarmante që kërkojnë një qasje shumë serioze, ,një diskurs dhe kurs tjetër të perceptimit të gjërave. Në këtë drejtim debatet rreth etikës gjithnjë e më tepër po shkojnë duke u bërë tendence globale, si një mjet përmes së cilit do të gjendej rrugëdalja nga kriza me të cilën ballafaqohet bota dhe qytetërimi human i kohës sonë. Kriza morale dhe deeticizimi i shoqërisë moderne të bazuar vetëm në vlerat lëndore ka krijuar një formë të tjetërsimit të njeriut që po i kanoset llojit të vet përmes hapave që po bën në saje të shkencës dhe teknologjisë së absolutizuar dhe të despiritualizuar. Etika dhe logosi i saj tanimë po trajtohet shumë me seriozitet nga të gjitha stratumet shoqërore, deri në ato universitare, ku kurikulat po pasurohen me lëndë te spektrit etik (etika profesionale/deontologjia, etika sociale, etika publike, etika administrative, etika e biznesit, etika globale, etika e përkujdesjes, etika ambientale, etika religjioze...), madje po hapen qendra e sektore të vecantë që merren me çështjet e etikës, të kapura nga këndvështrime të ndryshme.
Ç’është etika?
Pyetja e shtruar në kohën e sodit është një pyetje e çuditshme por edhe domosdoshme. Në veçanti për brezat e rinj dhe ata të rritur me botën virtuale të internetit, për ata njerëz që njohin vetëm vlera materiale, për ata njerëz që e kanë interesin, dobinë, përfitimin e asgjë tjetër. Të flasësh për etikën do të thotë të flasësh për vlera sublime.
Realiteti i hidhur i shoqërisë skajshmërisht të individualizuar, që gjithçka ka relativizuar bën që etika të na del si një temë akute për botën e kohës sonë, andaj trajtimi i saj, është detyrim i çdo njeriu të ndërgjegjshëm, që ndjen frymimin e epokës së krizës që përfolet thuajse dy shekuj.. Fjala etikë buron nga shprehja greke ethos/ethikos,që ka domethënien e traditës, dokeve dhe shprehive. Etika paraqet një degë të filozofisë që merret me vlerat themelore të marrëdhënieve ndërnjerëzore, që e studion cilësinë dhe bazën e veprave apo sjelljeve të cilat nga këndi i moralit janë të mira apo të këqija, të qëlluara apo të shëmtuara.
Etikën e shpjegon si një disiplinë që ka të bëjë me të mirën dhe me të keqen dhe me detyrimet morale, si një tërësi e parimeve dhe vlerave morale, si sistem të vlerave morale, si parime të sjelljes që e qeverisin një individ ose grup, si filozofi drejtuese.
. Ky nocion përdoret për t’i emërtuar sistemet ose teoritë me vlera apo parime të caktuara morale. Etika është shkencë mbi moralin ose etosin.
Morali është term me prejardhje nga gjuha latine mos, moris që ka kuptimin e ligjit, të zakonshmes, traditës, mirësjelljes, dëlirësisë, karakterit, natyrës etj.
Thuhet se këtë shprehje të parët e kanë shfrytëzuar Ciceroni në veprën e tij De fato(Mbi fatin)
Morali, funksionon si sistem rregullash që duhen respektuar nga individi për t’u ndihmuar në dallimin e së keqes nga e mira, në dëllimin e detyrimeve e të tjera.
Në kuptimin filozofik fjala moral do të thotë tërësi traditash, sidomos traditash të mira, të cilat mundësojnë ekzistimin dhe zhvillimin e volitshëm dhe harmonik të individit dhe shoqërisë.
Fjala moral shpreh edhe përsëritjen e veprave, sjelljeve në kuadër të një sistemi shpirtëror, shprehitë dhe hujet.
Dallimi kryesor ndërmjet etikës dhe moralit, koncepte këto shumë të përafërta, qëndron në të qenët e etikës disiplinë që në përgjithësi merret me çështjen e moralit.
Mund të thuhet se etika është sinonim i filozofisë së moralit, ajo për nga definimi ka domethënie më të gjerë dhe më të thellë. Si mësim për moralin, etika paraqet edhe teorinë dhe përmbajtjen e moralit, kurse morali ka të bëjë vetëm me përmbajtjen e jo edhe me teorinë e moralit. Shkurt, përderisa etika shtron norma, te morali normat janë të dhëna.
Si problemi më themelor në etikë merret përligjja e moralshmërisë, pra nëse mund të vërtetohet apo jo se veprimi moral është i arsyeshëm.
Disa nga çështjet kryesore të cilave etika mundohet t’u japë përgjigje janë këto: “Si duhet të jetojmë?”, “Si ta arrijmë lumturinë?”, “A duhet të synojmë ta gjejmë lumturinë apo të pajisemi me dije, me virtyte ose gjëra të bukura?”, “Nëse e zgjedhim lumturinë, atëherë kjo lumturi duhet të jetë jona, apo e çdokujt?”, “Për të arritur një qëllim të caktuar, a mund të zgjedhim një rrugë apo metodë të keqe?”, “Cilat janë përgjegjësitë tona ndaj gjallesave të tjera me të cilat e ndajmë këtë planet?”, “Cilat janë përgjegjësitë tona ndaj brezave të ardhshëm?” Aura e gjerë e këtyre pyetjeve mund të ndërlidhet me lëmenj të ndryshëm si etika, antropologjia, biologjia, ekonomia, historia, politika, sociologjia, teologjia etj. Por, etika dallohet nga të gjitha këto disiplina me faktin që merret me përcaktimin e cilësisë së teorive normative e jo faktike dhe me aspektin praktik të çështjeve morale.
Pra, nga e elaboruara deri këtu mësuam se etika është pikëpamje filozofike, konsideratë reflektive rreth bindjeve dhe praktikave morale. Sipas burimit, prejardhjes dhe rrënjëve të moralit, doktrinat dhe teoritë etike ndahen në (a) heteronome dhe (b) autonome. Sipas qëndrimit etik heteronom morali buron nga një instancë suprahumane, mbinjerëzore, nga revelata hyjnore, nga praksisi profetik, nga e vërteta absolute dhe paraqet vlerë absolute-të amshueshme. . Etika autonome gjenezën e moralit e kërkon te vetë njeriu. Sipas kësaj perspektive vetëm njeriu është kriter i të gjitha gjërave të qena dhe të paqena. Gjykimet, parimet dhe vlerat e kësaj etike janë aposteriore, të përfituara nga përvoja, vetëdija dhe kujtesa jetike. Për pasojë, janë të natyrës relative, kalimtare dhe për njeriun, të paqenësishme. Në bazë të asaj nëse në kuadër të jetës morale të njeriut rëndësi më e madhe ia kushtohet arsyes, emocioneve, vullnetit ose përvojës, teoria autonome etike ka gjeneruar teoritë të cilat në shkencë, jetë dhe në njohjen morale përparësi i japin arsyes (teoria racionaliste), vullnetit (teoria voluntariste), ndjenjave (teoria emotiviste) dhe përvojës (teoria empiriciste). Sipas qëllimit të veprimeve njerëzore doktrinat etike ndahen në hedoniste, utilitariste/pragmatiste, eudaimoniste dhe perfeksioniste. Sipas doktrinës së parë kënaqësitë trupore, fizike, biologjike, epshet, instinktet trupore janë e mira e fundme dhe më e lartë. Sipas etikës utilitariste ose pragmatiste, të mirën më të madhe e përfaqësojnë përfitimi dhe interesi, pra kategori qendrore e shtetit, shoqërisë dhe çdo individi, forcë lëvizëse e historisë është interesi. Mësimi eudaimonist është ai që si qëllim final dhe si të mirë më të lartë e sheh idealin etik, të cilin e barazon me lumturinë, paqen e brendshme, rehatinë, baraspeshën dhe kënaqësinë. Etika perfeksioniste është drejtim që për të mirë më të madhe e merr përsosjen e shoqërisë dhe botës natyrore, që synon perfeksionimin e njeriun, bartjen e tij në nivelin e papërsëritshmërisë.
Perfeksionistët synojnë rendin e përsosur, sistemin e përsosur, ekonominë e përsosur, arsimin e përsosur, politikën e përsosur, familjen e përsosur, kurse refuzojnë kategorikisht gënjeshtrën, hipokrizinë, padrejtësinë, dhunën, jetën artificiale, gjakun dhe terrorin, me një fjalë kategorinë e së keqes
Mundësitë teknologjike shtypën fuqinë tonë për gjykim moral, dhe kjo gjendje tmerruese na ka bërë të paaftë për të bërë llogarinë e të kaluarës që na jep trajtën sot dhe për të pasur një vizion kritik për të ardhmen që na pret.
“Sot zemra është e zbrazur, e uritur për drejtësi. A thua çka i ofron asaj i ashtuquajturi përparim? Në çdo rast një surrogat që për një çast e mbush zbrazëtinë e brendshme, ju mashtron, ndërsa zemra mbetet prapëseprapë edhe më e uritur. Zemra e zbrazët, forma e zbrazët, këto janë karakteristikat e jetës sonë shoqërore aktuale. Vetëm ndikimi i traditës, ndikimi i edukatës, ndonjë shkëndijë e fesë, e cila njerëzve ende u ka mbetur në ndërgjegjen e tyre, i mbron ata nga mohimi i parimeve të cilat tanimë s’i gjeni dot në zemër. Njerëzit në shoqëri janë formalisht të moralshëm vetëm për shkak të mirësjelljes dhe dekorit të jashtëm, kurse në jetën private largohen prej ligjit moral. Këto dy morale, njëri për jetën private dhe tjetri për sallonin, janë kanceri prej të cilit lëngon shoqëria jonë. Moralin e njohin vetëm kur e përmendin moralin publik, sepse, siç shprehen, për të kemi nevojë. Për ta shëruar moralin publik duhet ta përforcojmë së pari moralin individual.”
Gjendja e krijuar që vlon nga problemet pasqyrohet përmes palumturisë së përhapur dhe rritjes së madhe të rasteve të neurozave, psikozave, narkomanisë, krimit, vetëvrasjeve, shkurorëzimit, abortit, shpërfilljes së pleqve...
“U var në banjon e shtëpisë”, “Dhunë në familje”, “Në kafene rrahje, kriminalitet dhe prostitucion më bollëk”, ”U var në kolibë”, “Grabiti tregtarin me thikë”, “Dy vetëvrasje”, “E goditi nënën deri në vdekje”, “Profesoresha rrahu dy nxënëse”, “Mësuesja kafshon tre nxënës”, Iu kanos gruas me bombë në dorë”, “Dy vjet heqje lirie për shkak të përdhunimit”, “Shtatë vjet për shkak të përdhunimit të vajzës së vet”, “Të shpuar me thikë, të goditur me sëpatë”, “E lidhën, e rrahën dhe e plaçkitën plakën”, “Vrau gruan, djalin, të bijën dhe vetëveten”, “, “Nxënësi në shenjë hakmarrjeje vrau 17 njerëz”
“Përkujdeset për qenin ndërsa nënën e ka në shtëpinë e pleqve.
Gjithë kjo “pasqyrë negative” përplot banditizëm, dhunë, kriminalitet, përçudnim psikik, jostabilitet familjar, pandërgjegjshmëri, traumatizëm tregon se bota e sotme ka nevojë për një ringjallje të vlerave që afirmojnë të mirën karshi të keqes, të bukurën ndaj të shëmtuarës. Ka nevojë për vlera që do t’ia kthejnë njeriut dinjitetin dhe optimizmin e humbur për të jetuar i lumtur me veten dhe të tjerët. Bota sot si asnjëherë më parë ka nevojë për njeriun e moralshëm, për atë profil të njeriut që ka kufij të veprimit, që është i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm për hapat dhe veprimet që i bën, , që përpos interesave njeh edhe ideale dhe idealizëm.
Sot njerëzit duhet të fillojnë të mendojnë më gjerë, të jenë të përgjegjshëm për veprat e tyre, të mbajnë llogari për të gjitha aspektet e jetës së tyre. Flitet se vlerat etike si mëshira, besnikëria, sinqeriteti, përgjegjësia dhe respektimi i jetës sot janë minuar.
Tanimë askund s’jeni të sigurt se s’do t’ju mashtrojnë. Janë formuar modele të mendimit, të vlerësimit dhe të sjelljes të cilat normë kryesore e kanë parullën “Bëhu i zhdërvjellët, ashtu veprojnë të gjithë!”, kurse në të gjitha veprimet qëllimi është interesi. Çdokush e mashtron çdokënd. Çdo gjë arsyetohet duke thënë se kohët kanë ndryshuar dhe njeriu nuk mund të jetojë ndryshe. Me të vërtetë njeriun e ndryshojnë rrethanat, por edhe më tepër telashet. Kohët më të këqija janë ato kur njerëzit bëhen të pafytyrë, kur nderit i bie çmimi.”
Para njëqind vitesh të gjithë ishin kundër etikës dhe “moralizimit”, duke pohuar se është mjet trysnie, që vë korniza, që pengon lirinë humane. Të gjithë brohorisnin, “Leni le të kalojnë, leni le të bëjnë”, por kjo solli deri te qmenduria e njeriut,deri te ideologjitë e përdhosura si komunizmi, fashizmi
Botëkuptimi neglizhues ndaj etikës dhe moralit krijoi njeriun shkatërrues të natyrës, të vetvetes (drogë, SIDA...), ka krijuar tipin që dëshiron luftën në një pjesë të botës ( zhdukjen e mijëra njerëzve) për të kënaqur epshet e veta. Vërtet jetojmë në në një shoqëri globale moralisht të papjekur
Para tridhjetë viteve njerëzit filluan që me gjithë seriozitet të kërkojnë medikamentin e kësaj patologjie sociale, duke synuar transformimin dhe rizgjimin e njeriut. U konstatua se rruga drejt këtij rizgjimi kalon përmes etikës, kështu që kjo shkencë mori tiparin e shkencës më të rëndësishme të kohës. U konstatua se pa etikë s’mundet mëtutje. Njeriu, ose do ta njohë të mirën dhe do të jetojë me të ose do të vetëshkatërrohet! Ky ishte konstatimi. Shkencëtari i madh spanjoll, drejtor i UNESKO-s, Federico Mayor ka pohuar se kompasi i vetëm që me siguri mund të na shpie nga ardhmëria është etika. Etikë kjo që do të jetësohet që nga gjiri familjar e deri te marrëdhëniet ndërkombëtare. Etika në literaturën e vjetër greke i referohet asaj që ne sot e quajmë mënyrë jetese . Ajo u përgjigjet pyetjeve “si duhet jetuar?” dhe si të “bëhemi të mirë?”. Është fakt se sot mënyra e të jetuarit në kohën tonë etikën dhe moralin nuk i prezantojnë si diç që domosdoshmërisht duhet të përvetësohen, por si diç që duhet zgjedhur, që mund të merret ose jo, si diç pa të cilën njeriu mund të zhvillojë jetën e tij.
E gjithë kjo krijon një gjendje të krizës postmoderne, kur gjithçka është relativizuar dhe kur s’ka më shkallare vlerash, kur s’përfillet aksiologjia, megjithëse, aksiologjia është jo vetëm nevojë, por edhe domosdoshmëri e tendencave shoqëror-kulturoro-historike. Shmangia e këtij elementi do të thotë shembje e moralitetit, e shembja e moralitetit është shembje e vetë njeriut. Për t’u mbrojtur prej antivlerave dhe për t’iu shmangur të këqijave të kohës vetëm arsimimi nuk mjafton. “Vetëm arsimi nuk është zgjidhje, sepse sikur që u pa në rastin e fashizmit, disa prej krimeve më të mëdha u bënë nga njerëzit shumë të arsimuar”. Pra përpos arsimimit njerëzit duhet edhe të edukohen, e këtë të dytën, për fat të keq, shkollimi i sodit nuk po e bën. Ai ofron të dhëna shkencore, mbush kokat e fëmijëve dhe të rinjve me të dhëna teorike por lidhur me vlerat mundohet të mbetet asnjanës.
ANDAJ:
“Pa etikën, çdo gjë do të ndodhte sikur ne të gjithë të ishim pesë miliardë udhëtarë, të hipur në një makinë të madhe që nuk e drejton asnjeri. Ajo lëviz gjithnjë e më shpejt, por ne nuk e dimë se ku shkon......”