Re: E ardhmja e integrimit Europian
Ministri i Jashtëm i grekërve kërkon ndjesë, porse dhuna nuk ndalet
Akoma pa u shuar mirë buja e vrasjes së Vullnet Bytyçit nga kufitarët grekë, këto të fundit kanë shkaktuar një tjetër incident. Arian Tarko, 28 vjeç, është rrahur nga policët grekë në postën e doganës greke të Kristolopogjisë. Sherri ka nisur në prani të dhjetra personave të tjerë, të cilët ishin në radhë si Tarko, për të hyrë në tokën greke. Por duke dashur që gjithçka të ngelë brenda për brenda, policët grekë e kanë marrë të riun shqiptar dhe e kanë futur brenda në postë. Aty, ata kanë e rrahur dhe e kanë qëlluar, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Në gjendje shoku, me shenja dhune në fytyrë, Arian Tarko, është paraqitur në orët e mbrëmjes në komisariatin e Korçës. Me zërin që i dridhej, por plot duf e mllef, ai ka bërë denoncimin, që tashmë është bërë i zakonshëm: “Më kanë rrahur policët grekë!” Dhe siç ndodh në të tilla raste, policët e komisariatit të Korçës, kanë plotësuar një formular, ku ka firmosur dhe viktima, i cili më pas, është nisur drejt shtëpisë së tij në Gramsh.
Megjithatë, 28-vjeçari u ka shpjeguar grekërve se ai e kishte nxjerrë pasaportën në policinë e Gramshit
e nuk e kishte blerë rrugëve apo ta kishte të falsifikuar. “Në këto momente njëri nga policët më ka goditur me grushta disa herë në fytyrë dhe me shkelma në pjesën e prapme të trupit”, dëshmoi gramshioti. Pasi e kanë rrahur, policët e kanë detyruar atë që të firmoste një formular, të cilën e kanë plotësuar para syve, por ai nuk ka pranuar që të lërë firmën mbi të. Autoritetet greke e kanë kërcënuar dhe i kanë thënë që të largohej urgjentisht. “Në rast se do të kalosh në Greqi, të duhet një pasaportë e re dhe vizë”, mësohet t´i kenë thënë ata. Grushtat dhe shqelmat e policëve grekë kishin shkaktuar enjtje dhe të çara në fytyrë, ndërkohë që në pjesën e pasme të trupit dukeshin qartë të mavijosurat. Tarko ka qëndruar për disa minuta në policinë e Korçës, e cila i ka premtuar se do
të marrë masa për të sqaruar akoma më tej këtë incident.
VIKTIMAT E TRI JAVËVE TE FUNDIT
Vullnet Bytyçi i vrarë (18 vjeç, nga Hasi)
Ligor Halili i gjymtuar (45 vjeç, nga Elbasani)
Mili Halili i rrahur (43 vjeç, nga Elbasani)
Rrahman Pashollari i rrahur (60 vjeç, nga Elbasani)
Leonard Shmilka i rrahur (19 vjeç, nga Pogradeci)
Dashamir Brekolli i rrahur (26 vjeç, nga Devolli)
Sokol Hallka, i rrahur 26 vjeç, nga Cërriku
KRYEMINISTRI SHPREH NGUSHËLLIMET PËR EMIGRANTIN E VRARË
Kryeministri F. Nano, ka bërë dje një vizitë në shtëpinë e emigrantit të vrarë nga grekërit, Vullnet Bytyçi. Rreth orës 13.00 të mesditës së djeshme, i shoqëruar nga shtabi i tij dhe ministri i Rendit Publik, Luan Rama, ai ka shprehur ngushëllimet në familjen e Bytyçëve. Ndonëse dialogu nuk ka qenë shumë intensiv, kryeministri Nano, i është drejtuar kryefamiljarit Mehdi Bytyçi: “I kam kërkuar autoriteteve të pushtetit lokal që të bëjnë bilancin e të gjitha nevojave emergjente që ka familja juaj dhe unë angazhohem, se brenda një kohe shumë të shkurtër, do t’i realizoj ato”. Ai ka vazhduar më tej se ka kontaktuar dhe me palën greke për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Kam folur në telefon me ministrin e Jashtëm grek, Papandreu. Ai më ka thënë që të të bëj shumë të fala dhe të kërkon ndjesë për incidentin e ndodhur në kufi”. I zhytur në trishtim, kryefamiljar Mehdi Bytyçi është shprehur se familja e tij kërkon vetëm drejtësi. “Djali im është nisur me një çantë të mbushur me bukë dhe nuk ka pasur armë. Unë dua që kësaj çështje t’i shkohet deri në fund dhe të zbardhet plotësisht”.