....Çdo gjë është ndryshe me ty.
Sado që provojmë gjithçka dhe çdo gjë, të shkruar në ndonjë libër apo të parë në ndonjë film, gjithnjë ngel diçka tjetër.
Një diçka që të fton ta vazhdosh kërkimin.
Një mister që të deh.
Një forcë, përtej kësaj bote, që të rinon.
Madje, edhe grindjet nuk janë të lodhshme.
Aty, ku të gjithë të tjerët do të përfundonin në grushte dhe ulërima, ne shpërthejmë në të qeshura.
Dhe me sy i themi njëri-tjetrit: "Sa të marrë jemi!"
Çdo gjë është më e bukur me ty.
Sa herë matem të ta them.
Ta nxjerr nga vetja dhe mos të ta fsheh, por, si për inat, diçka ma lidh gojën.
Më ngurtëson në prehjen e melankolisë, thuajse trembem se, nëse ta them, atëherë do t'i zbulosh të gjitha sekretet e mia dhe do të ngel lakuriq.
Do ta kuptosh se jam personazh nga kënga "A fool in love."
A thua, kjo qenka dashuria?
Një druajtje e përhershme...
Kur nuk di t'i gjesh fjalët e duhura, as për të treguar sa i lumtur je.
Albatros Rexhaj...