Copëza shkrimesh.

Hektor12

Locus omnem
Kuajt e natës

Thoshin se ishte kurvë, po ai e donte. Ja që edhe një femër e tillë mund të duhet, madje marrëzisht. Fjalët e turpshme, zvarritur ngadalë nën zë, nuk e bindnin.
“Njerëzit i zmadhojnë gjërat”, - prirej të mos u zinte besë.
Në qytetin e tyre, e shkuara dhe e tashmja përplaseshin në ndeshje të vazhduar, secila me mjetet e veta paqësore. Koha e re luftonte hapur me autostrada, makina luksi, internet, hotele moderne. Tinëzarja kohë e vjetër fshihej prapa qosheve, rrugicave të vogla me kalldrëm ngrënë nga vitet, bahçeve të qëmotshme, sidomos prapa syve mosbesuesë të njerëzve.
Neni jetonte në cep të lagjes së vjetër nga perëndimi, afër burimeve të famshme, Fillareta pranë rrugës kryesore në hyrje të qytetit. Apartamenti i saj ndodhej në katin e dytë mbi minimarketin e Kristinës.
Dilte te stacioni i autobusit në orën shtatë e gjysmë, bashkohej me mësuesit e tjerë, udhëtonte jashtë qytetit. Jepte anglisht në një shkollë rrëzës së Malit të Thatë. Zakonisht kthehej rreth orës katër pasdite. I përshëndeste me dashamirësi të gjithë. Buzëqeshja e përhershme, tualet natyror i platintë, ndehej buzëve të brydhëta si qershi. Kur kalonte rrugës, dhjetëra sy binin mbi të.
Forca e magjepsjes që rrezatonte, duke robëruar gjithsecilin, mbetej mister.
Kishte vithe të bukura, trup të drejtë dhe këmbë të përsosura. Në fytyrë nuk qe gjë: sytë e bardhë larg njëri-tjetrit, hunda e vogël dhe flokët e shkurtër bojëgruri e tregonin femër mesatare. Po kurmi i derdhur tërë forma e relieve, lëvizjet e hijshme, sjellja e shpenguar i godisnin meshkujt.
Të krijonte përshtypjen se bukuria femërore është më shumë se një trill në skemën e përgjithshme të natyrës.
Djemtë turbulloheshin, u mbahej goja, nuk dinin të thoshin një fjalë për të qenë, burrave të martuar u mbeteshin sytë, sikur kërkonin të mbushnin një boshllëk të kahershëm.
Verës vishte bluza të hapura me ngjyra të vrara dhe funde të shkurtra, zbulonte gjer lart këmbët elegante. Grave u dukej shumë e dhënë pas modës.
E përgojonin.
Vajzat e sodisnin me kureshtje dhe një lloj frike, siç shihen të sëmurët e pashërueshëm. Kaq e mirë, lavire? Argaliseshin nga fjalët e turpshme, po më tepër u vinte keq për Retën me trup aq të bukur, për t’u patur zili.
“A nuk kishte mundësi ta hiqte atë njollë?”
Reta sillej ngrohtësisht me të gjithë, sfiduese si përherë. Kur e shikonin, gratë përjetonin gëzim të egër prej fëmijësh nopranë; mund të thoshin ç’të donin, ajo nuk bënte kurrgjë, nuk i ankohej askujt.
“Forca e zakonit, - mendonte me njëlloj mëshire kristiane. - Sa pak dashuri kanë njerëzit!”
Ja kështu qe Reta, me shpirt të lirë, shikonte punën, as bëhej merak ç’thoshin. I pëlqente qyteti, liqeni, njerëzit pa përjashtim. Nuk dinte të urrente. Askush nuk e dëgjoi të këmbente fjalë të ashpra.
Kur djem të guximshëm e ngacmonin me fjalë të turpshme, buzëqeshte, i vështronte me nuanca qortimi të lehtë në sytë e kulluar, lule kumbulle.
Trimoshët shpartalloheshin.
-Arrat i gjuajnë me gurë, jo shelgjet - bënte shaka Tom Belegu.
-Ke të drejtë xha Tomi, - miklohej plot hare.
Belegu e ndiqte me sy, psherëtinte i ngashënjyer. Reta i largonte lodhjen dhe brengat e moshës, ashtu si flladi i vjeshtës davarit retë e fillimdimrit.
Ngaqë sillej çlirët, pa komplekse, mësuesja e anglishtes shihej me dyshim. Ndoshta prandaj e quanin të shthurur. Shumë syresh qenë të bindur se diçka nuk shkonte në qëndrimin dhe sjelljen e saj.
Reta e donte natyrën, aty ndihej e plotë. Hapësirat e mbushnin me frymë, e gazmonin. Rritur mes ajrit të kristaltë dhe fushës së gjerë pa kufij, nuk i donte ngushticat, dhomat e mbyllura, motelet.
I zihej fryma.
Neni e takonte çdo mbrëmje në rrethinat pranë Qytezës, ku preheshin gjurmët e vendbanimit të lashtë. Drurët e dendur gjithëfarëlloj dhe shkurret krijonin intimitetin e dhomës së gjumit.
Mbrëmjes së prillit me shi të imët dhe erë, ai e priste plot ankth. Përthithte polenin e luleve të sapoçelura, aromën e athët të rrugës së lagur, dëgjonte fëshfërimën dembele të ujit. Qielli i ngarkuar, varur teposhtë, lëmonte butësisht lëkurën e tokës. Një zog i murrmë, çukiste mbi drurin e mollës përkarshi. Në ajrin e mjegulluar tarracat e pallateve vezullonin, ndërsa përmes pemëve të zinte syri një copë liqen gri me ca rrudha të argjendta.
Ajo erdhi me çap të shpejtë si era. Drita e zbehtë kafshonte lakimet e këmbëve, format e gjinjve, ndriçonte flokët në ngjyrën e mollëve të pjekura. Pa thënë asnjë fjalë, Neni e puthi gjatë. Ngjitur pas saj i përcillte papushuar mesazhe dashurie. U rrokullisën mbi bar, depërtuan thellë nëpër sytë e njëri-tjetrit.
Eksploronin zona të panjohura.
Dhe zgjasnin çastin para se të jepeshin.
-Je kali im i natës, - rënkoi Neni i dalldisur dhe i ra lehtë vitheve. Në heshtjen e virgjër të mugëtirës zëri kumboi si jehonë.
Me sy gjysmë të mbyllur nga kënaqësia, ajo vështronte nga poshtë fytyrën e prushitur të Nenit. Kaloi mjaft kohë, kaq ëmbël, kaq thellë, ngarkuar me emocion, derisa u dhanë të rraskapitur.
Ai mbeti shtrirë mbi të, dremiti.
Reta u drodh nga kënaqësia. Ledhatimet e zjarrta, rënkimet dehëse, vesku i natës dhe muzgu i florinjtë shkrirë në një, kjo ishte lumturia. Ditën, kur e kujtonte, eksitohej, orët i dukeshin të gjata.
Pothuaj çdo mbrëmje, trupat e tyre kapërtheheshin të ngazëllyer. Loja e kuajve të natës nuk shterte. Ajo e priste gjithnjë e qeshur, e malluar.
Neni besonte se Fillareta rrezatonte çiltërsi…
Nga dritarja e raftit kozmetik në minimarketin e Kristinës, ku blinte çdo muaj pastën e dhëmbëve “Cherer”, Neni pa Retën të ecte trotuarit përballë. Pothuaj në të njëjtën kohë dëgjoi zërin e ngjirur si prej burri të Xexes.
-Ta pish në kupë, po ç’e do, e lëvizur.
-Eh, ajo nuk jeton në këtë botë, - psherëtiu Kristina e gjallëruar përnjëherë.
Pas banakut nga mëngjesi në darkë, Kristina e gjatë dhe simpatike nuk e mbante veten. Flokët e thinjur, rrobat dosido e tregonin të moshuar. Sytë e vegjël të vëmendshëm regjistronin gjithçka si aparat dixhital. Në dyqanin e saj gjeje përherë një dyzinë grash, që shtynin kohën. Bisedat nuk qenë thjesht kureshtje e pafajshme. Ato argëtoheshin. Rrallë i shpëtonin kalimtarët kërshërisë së tyre.
Në këtë lloj auditori virtual secila shpaloste aftësitë e veta. Reta ishte pre i lehtë, binte kollaj në lak, nuk dinte të mbrohej.
-Shkon me Tom Belegun, - foli Xexja mbytur, sikur rrotullonte mastik nëpër dhëmbët e rrallë e të ngrënë.
I vetëm në qoshen e minimarketit, Neni u zmbraps a thua e goditën me pëllëmbë.
“Deri këtu?”
Edhe Kristinës iu duk e tepruar. Xexja fliste marrëzira.
-Na bëre për të qeshur, - i tha.
-E pashë me këta sy, - u përgjigj Xexja me gjysmë zëri. Përreth endeshin të ngeshëm blerësit e rrallë.
-Ku?
-Rrugës së Qytezës. Dëgjova rënkime femre nga ato, e di ti, pastaj zërin e Tomit: “kali im i natës”.
-Je në vete moj! - u habit Kristina.
-Kështu i thonë tani, - qeshi me zë të lartë trashaluqja, - edhe unë me zor e besova.
Neni pagoi, iku i tronditur.
“Nuk janë kot, - arsyetoi i turbulluar. - Nga e dinë batutën?”
Në mbrëmje e priti ftohtë. Bëhej gati të zbrazej, kur Reta foli natyrshëm, madje buzëgaz.
-Tom Belegu më tha sot, “ku je kali i natës”, - qeshi me zë të lartë.
Neni u shastis.
-Jo, të ka thënë ndryshe, - ironizoi. I rëndë, cinik.
Ajo e shikoi me habi.
-Kali im i natës, - plotësoi Neni në mënyrë provokuese.
Reta u ligështua. Fjalët e lodhnin më shumë se sa e trishtonin. Ajo kishte filozofinë e vet: gjithkush le të sillej si i pëlqente, asaj aq i bënte. Në donin të merreshin me fjalë, punë e tyre. Ai e dinte.
Priti me vështrim mbi qytetin memec, përgjumur në këmbët e tyre.
Neni dashuronte për herë të parë, nuk i njihte femrat. Mënyra si reagoi iu duk e dyshimtë, jo e zakonshme.
“Nuk kundërshtoi, as iku”. - Mendimet e hallakatura ndalën të ngurtësuara, po sakaq morën sërish gjallëri, rendën pas vajzës.
I hodhi duart në bel dhe u rrëqeth: Reta qe bërë pjesë e tij. Atë mbrëmje loja qe mbresëlënëse si rrallë herë. Ndërsa e mbante në krahë, përkëdhelte kofshët e ngjeshura të rrëshqitshme, harroi gjithçka.
Harroi edhe se ishte i vdekshëm.
Pa menduar gjatë, si një shtysë e brendshme shumë e fortë, i kërkoi të martoheshin. Reta ngurroi, u përgjigj në mënyrë të papërcaktuar.
-Herët, - i tha.
E shikoi gjatë me dashuri, e sikletosur.
-E lëmë për më vonë?
Më në fund heshti.
Ajo sikur tallej. Përse e shmangte? Mos kishte të tjerë në mes?
Nenit iu duk vetja i përfshirë në një lojë djallëzore, të dhunshme, nga e cila zor se do të dilte. E pamundur ta kuptonte atë vajzë, njëlloj siç nuk mund të përndjesh flladin që përtërin një krah të plagosur fluture…
Pasditeve Neni pinte kafe te bar “Topleci”. Kur ra ora katër, nga tavolina e cepit ku qe ulur, pa Retën të afrohej rrugës kryesore. Si të kishte shkrepur një rreze dielli, shpirti iu ngroh, u ndje i plotë.
Klientët kthyen kokën njëherësh, e ndoqën me sy derisa silueta e saj u fsheh pas farmacisë. Në sytë prej të dehurish spikasnin hapur dëshirat. Një femër e pashme si Fillareta qe balsam plagësh të harruara.
-Pelë hergjele, - tha Viktori.
-Ah, edhe ti xha Tori! - e ngacmoi kamerieri.
-Kalë, nuk i shkon, - Viktori rënkoi mbytur, - pelë po.
-I fortë Belegu, - zëri hundor erdhi nga fundi i kafenesë.
-Eh, këto laviret, dreqi vetë janë, nuk të kthejnë, - tha një i dehur me tonin e atyre që i dinë mirë këto punë.
Nenit i hipi gjaku në tru. Doli nga bar “Topleci” i zverdhur dyllë, i dërrmuar si një fatkeq. Shpirti iu trazua, siç pështjellohet pellgu me ujë të ndenjur. Një ndjenjë e hidhur xhelozie e përcëlloi.
“Bushtër” - mërmëiti i handakosur.
Mezi e priti takimin dhe, kur erdhi Reta, nuk e mbajti veten, iu duk se po e shtypte qielli mbi kokë.
-Nga e dinë? - pyeti vrazhdë.
Një pikëpyetje habie u ndeh në sytë e qelibartë të vajzës.
-Mendoj se e kupton, - vazhdoi ai.
Reta u mblodh e indinjuar.
-Kujtova se do të ma thoshe ti, - foli e mbushur me bezdi.
-I jep dot shpjegim kësaj pune? - u vrenjt Neni.
-Jo, nuk mund t’i jap. - Reta e soditi gjatë me sytë e tejdukshëm, të kristaltë. Zuri të qajë heshturazi. E zhgënjyer.
Ai s’e kishte parë asnjëherë të lotuar.
“Kërkon të shfajësohet”, - mendoi dhe i ktheu shpinën.
Reta as mori mundimin të vazhdonte një bisedë të kotë pa pikë kuptimi. Nuk ishte e aftë të hynte në të tilla hulli, skenat e neverisnin.
Ç’të vërtetë kërkonte prej saj?
U largua qetësisht, e heshtur.
Ai mendoi se do të kthehej. E kërkoi të nesërmen, të pasnesërmen. Nuk e gjeti as atë ditë, as më vonë, derisa e pa veten siç qe në të vërtetë, pa dashuri, të mjerë e të braktisur. Ëndrra, thurur me aq përkushtim, u zhbë në një çast të vetëm barbar dhe absurd. Tre vjet të hatashëm u vendosën në horizontin e turbullt, ngarkuar me copëza të zbehta takimesh.
Reta u zhduk si një psherëtimë.
Për një farë kohe njerëzve nuk u ra në sy, pastaj zunë të shqetësohen.
Burrat e kërkonin nëpër vendet ku e shihnin më parë, nuk e gjenin dhe largoheshin të mërzitur, pa kuptuar tamam përse. Gratë e ndjenë më shumë. Si të mbushnin kohën? Zgjasnin kokën prapa perdeve, vështronin rrugën mëngjeseve, pasditeve, nuk e shihnin dhe ndiheshin bosh.
Lagja e vjetër vazhdonte luftën e pashpallur, po tani jeta pati bërë kapërcime të mëdha. Kishte më shumë vajza të hijshme me funde të shkurtra, se gra të ligështuara nëpër minimarkete.
 

Hektor12

Locus omnem
Rri i heshtur.
Jo se nuk kam çfarë të them, por jam dorëzuar para vobektësisë së të gjitha fjalëve që gjenden në fjalor. Mendoj se më duhet t’i jap jetë një gjuhë të re falë së cilës të mund të shpreh plotësisht dashurinë që ndiej për ty.
Nuk flas.
Por kjo nuk do të thotë se shpirtin e kam të belbër.
Ende pa marrë formë mirë, fjalët e mia mbyten në vetvete. Sado e bukur dhe e mirë, lumturia qenka vetëm një vegim i rrufeshëm, që zhduket sa çel e mbyll sytë.
Nuk më duhen fare fjalët.
E di se, edhe përmes heshtjes, ty të flas. Sado që të kesh dëshirë të luash rolin e së fortës, edhe ti e di se rrugët tona sërish një ditë do të takohen.
Në një ëndërr tjetër, tënden apo timen, pak ka rëndësi.
(A.R)
 

Hektor12

Locus omnem
Urrej syte e tu,qe vec me mashtrojne
urrej buzet tua,qe vec me tradhetojne
urrej shikimin tend,qe me perul para teje
urrej hapat tua,kur vine drejt meje
urrej ku me thua,te dua me shpirt
urrej kur pas meje,nje tjetre ia perserit
urrej kur me krahe,me afron drejt vetes
urrej kur ma ndryshon,rrjedhen e jetes
urrej kur me genjeshtra,ma ndryshon mendimin
urrej kur ben,sikur e kupton gabimin
urrej kur me thua,do jemi bashke si sot
por mbi te gjitha urrej faktin ,
qe nuk te urrej dot!
 

Hektor12

Locus omnem
E kam provuar te jetoj
pa ty
me zemer te thyer
dhe me lot ne sy
e kam provuar te jetoj dikur
Nje here e bera se bej me kurre
E kam provuar qe ti jap fund
Por isha thyer edhe me shume..
 

Hektor12

Locus omnem
Tani e di se brenda shpirtit të njeriut pasqyrohet vetë pafundësia e universit, prandaj na duket sikur disa ndjenja nuk dinë të kenë kurrë fund.
Por kur trishtimi që ndiej merr vrull dhe si një prush vullkani, që e pandehja moti të shuar, fillon që të më djegë përbrenda,
shpirti im kthehet në një lumë të ftohtë që rrjedh rrëmbyeshëm mes grykash kanionesh, ku ndër vorbulla ndjenjash derdhen fjalët dhe gjestet e dashurisë, dhe pa frikë përplaset në gurët e zjarrtë të flakëve tëpashuara të zemrës.
Kur droja nga mungesa e dashurisë e merr malin dhe si një stampedo, nga brendësia e fshehtësive të mia më intime, m’i dredh themelet e mendjes së shëndoshë,
shpirti im kthehet në një shpatë kohësh të vjetra dhe piskamën therëse të frikës e sfidon.
Dhe kur lotët e mi lodhen, aq sa ngurtësohen dhe bëhen gurë, atëherë shpirti im kthehet në një çekan që thyen çdo dhimbje.
Porsi një yll i vetmuar,
që me kryeneçësi refuzon të heq dorë nga dashuria,
zemra ime djeg mërzinë e shtresuar në shpirt
dhe sa më e errët që bëhet nata, gjithnjë e më fort ajo shndrit.
(A.R)
 

Hektor12

Locus omnem
Ndjenja të rrezikshme janë këto që ushqej për ty!
Ndiej se thellë brenda meje diçka po ndryshon. Thuajse jam dyzuar dhe, diku thellë, në dhomëzat e shpirtit tim, është hapur vend edhe për dikë tjetër.
Ngjan si unë, madje edhe flet si unë! Përpiqet të më bindë se gjithë kohën paska qenë aty, i fjetur si në letarg dhe se qenka zgjuar i trandur nga vrulli i stuhishëm i aromës së sharmit tënd.
Po, këtë të fundit e besoj!
Kurrë më parë nuk kam qenë i prirë pas kultit të kënaqësisë së shqisave, por, të më falësh për dritëshkurtësinë time, sepse atëherë ende nuk të njihja ty.
Druaj se, edhe po të isha shenjtor, as atëherë nuk do të mund t’i bëja ballë fuqisë së tundimit, metrikës misterioze të sensualitetit tënd që, pamëshirshëm, më ndjell drejt skutave të tua më të fshehta.
Ah, sa rrezikzeza këto ndjenjat e mia për ty! Një ndërthurje mistike e pafuqisë së krenarisë sime me përsosmërinë e artit tënd të joshjes fatale.
(A.R)
 

Hektor12

Locus omnem
Rri i heshtur.
Jo se nuk kam çfarë të them, por jam dorëzuar para vobektësisë së të gjitha fjalëve që gjenden në fjalor. Mendoj se më duhet t’i jap jetë një gjuhë të re falë së cilës të mund të shpreh plotësisht dashurinë që ndiej për ty.
Nuk flas.
Por kjo nuk do të thotë se shpirtin e kam të belbër.
Ende pa marrë formë mirë, fjalët e mia mbyten në vetvete. Sado e bukur dhe e mirë, lumturia qenka vetëm një vegim i rrufeshëm, që zhduket sa çel e mbyll sytë.
Nuk më duhen fare fjalët.
E di se, edhe përmes heshtjes, ty të flas. Sado që të kesh dëshirë të luash rolin e së fortës, edhe ti e di se rrugët tona sërish një ditë do të takohen.
Në një ëndërr tjetër, tënden apo timen, pak ka rëndësi.
(A.R)
 

Hektor12

Locus omnem
Ma chérie,
Të dy jemi të ngujuar brenda të së njëjtës ëndërr.
Fantazojmë për Parisin, qytetin e ëndrrave të të gjithë atyre që, njëlloj si ne, nuk duan që t’i fshihen dashurisë, por atëherë çfarë dreqin jemi duke bërë vallë?
Deri kur duhet të të pres në këtë ndalesë të fundit të stacionit tonë të fatit?
Më trego pra, sepse kjo pritje po më kall datën!
Druaj se pavendosmëria jote do ta dëbojë edhe trenin e fundit dhe bileta ime do të vlejë veçse për ndenjësen e vetme në lokomotivën e zezë të vetmisë.
(A.R)
 

Hektor12

Locus omnem
Sa më shumë që rri larg teje, gjithnjë e më lehtë po bëhem pre e mendimeve të zymta. Në fillim mendova se disi do t’ia dilja që të shtyhesha me to, sepse doja të besoja në atë proverbin e vjetër se koha shëron çdo plagë dhe se mbase edhe mua do të ma bënte më të lehtë që të vazhdoja të jetoj pa ty. Por në çdo ditë të re që sprovohem, vetëm sa shkoj e bëhem gjithnjë e më i shqetësuar, ndërsa sikleti që ndiej dhe që kurrsesi nuk më braktis, tashmë ka shpërthyer çdo barrierë që ndan shpirtin nga trupi dhe më shkakton edhe dhimbje fizike pafund.
Dhemb zemra! Njëlloj porsi një thikë që të është ngulur në mish dhe që lëviz ngadalë dhe me shumë kujdes, dhemb fort, por nuk të lë të vdesësh njëherë e mirë.
Tani e di se kjo nuk është vetëm fjalë dhe as vetëm një motiv melankolik nga këngët që në vetmi i dëgjojmë të gjithë.
Në këtë vorbull të sikleteve të dashurisë, e vetmja gjë që dhimbjen ma lehtëson është se tani besoj se vërtet ka diçka përtej mendimeve dhe asaj që mund ta ndiejmë me shqisat tona, prandaj e di se do të kem me vete edhe në frymën time të fundit. Dhe jam shumë i sigurt se do të jesh me mua në çfarëdo aventure tjetër që më pret përtej horizontit të kësaj bote, tej këtij dimensioni fizik jetësor.
Me kohën, në sytë e atyre që sot sedrën mund të ta miklojnë, e bukur më nuk do të jesh, por unë do të vazhdoj të të dashuroj njëlloj si në ditën e parë, atëherë kur fytyra jote shkëlqente me sharmin e rinisë dhe entuziazmin e dikujt që besonte se dhëmbi i kohës nuk do ta prekte kurrë. Prandaj, në këtë botë apo në ndonjë tjetër, shpirti im vazhdimisht do të tërhiqet vetëm drejt teje, sepse të dashuroj për të gjitha ato cilësi të tuat që kurrë nuk mund të plaken dhe që jam i bindur se jam i vetmi që ngahera i dalloj.
(A.R)
 

Hektor12

Locus omnem
Kam nevojë të të dashuroj!
Është kaq e thjeshtë saqë nuk di si të ta them ndryshe.
Kam nevojë të të dashuroj, sepse dua që ta ndiej jetën se si zhurmëron e ringjallet brenda meje sa herë që përmendet emri yt, e vetmja gjë që më bind se ia vlen ta shtyj edhe një ditë tjetër në këtë botë.
Kam nevojë ta ndiej zemrën time se si çakordohet në ritëm, sa herë që të has ty diku, dhe edhe macet e këtij qyteti me mjaullimat e tyre më bëjnë ta kuptoj se edhe ato e dinë se unë çmendem pas teje.
Madje nuk mundem as pa ankthin që më përfshin të tërin sa herë që, si adoleshent i njomë, druaj se ti mund të jesh me dikë tjetër dhe unë mund të mos ekzistoj askund në universin tënd.
Kam nevojë të jem afër teje, sepse jam lodhur duke e rigjetur veten të humbur nëpër rrugët që i kam shkelur tërë jetën.
Kam nevojë të të dashuroj!
...
(A.R)
 

Hektor12

Locus omnem
Qysh në dritën e parë të mëngjesit,
si një vorbull e madhe e shpirtit që ka fuqi t’i përpijë të gjitha rrugët e mia,
e ndiej mungesën tënde dhe menjëherë më përfshin malli për ty.
Por çuditërisht nuk më ngacmojnë lotët dhe as nuk trembem nga dita që po agon.
Edhe pse e di se rrugët tona mund të mos takohen më kurrë, zgjohem krenar pse vazhdoj të të dashuroj vetëm ty,
ty që je e jashtëzakonshme, mistershëm në pafundësisht shumë mënyra.
(A.R)
 

Hektor12

Locus omnem
Që në çastin e parë,
atëherë kur fati e mposhti rastësinë dhe na cyti drejt njëri-tjetrit pakthim,
e kam ditur se sikur mijëra herë nga ti të ndahem, as edhe njëherë të vetme nuk do të mund të të nxjerr jashtë zemrës sime,
se edhe nëse takoj bukuroshe joshëse nga fantazitë sensualisht më të përflakura, asnjëherë nuk do të mund t’i shoh ato ndryshe përveçse si një peisazh zbraztësisht të këndshëm,
se edhe nëse ndihem i vetmuar dhe i lënë pas dore, kurrë nuk do të mund ta fyej kujtimin tënd duke kërkuar ngushëllim në shtratin e ndonjë tjetre,
se edhe nëse plakem e matufosem aq shumë sa të mos dalloj një fytyrë nga tjetra, vetëm imazhi yt do të vazhdojë të më mishërohet, përherë e prekshme në mendjen time.
Ndoshta ti më as nuk e mban mend çastin e takimit tonë të parë, por për mua ai asnjëherë nuk i lëshoi vend një çasti tjetër të rëndomtë.
Nuk ka pasur si të jetë ndryshe, sepse edhe qelizat e mia më të imta e patën ndier se ti je ajo që zemrën time do ta vulosë me betimin e mishit, gjakut, zemrës dhe shpirtit: “vetëm i yti, përgjithmonë!”
(A.R)
 

Hektor12

Locus omnem
Nëse dyshon në dashurinë time atëherë kërko përgjigjen në sytë e mi,
aty ku ty kurrë s’mundem të t’i fsheh të vërtetat e mia,
dhe një derë magjike aty papritmas do të gjesh, që menjëherë drejt zemrës sime veç ty të shpie.
Mos u habit kur të shohësh se përmasat e tua ajo ka,
rreth trajtave të hijshme të trupit tënd të epshëm, gjatë shumë netëve pa gjumë, ajo është formësuar,
sepse nëpër të vetëm ti të kalosh mundesh,
dhe për ty, murin e zemrës dhe ndjenjave të mia, ajo ka shembur dhe tejshpuar.
Nuk di të përshkruaj atë që fshihet në anën tjetër të kësaj dere që mban emrin tënd,
këtë ti vetë duhet ta zbulosh, sepse dashuria mbi të gjitha është besim.
Dhe as nuk mund të të premtoj se do të jemi tërë kohën të lumtur,
e di se jo pak herë jeta do të më lodhë dhe i sfilitur, në heshtje, prehje tek ti do të kërkoj,
por, u bë çfarë u bë, në të mirë dhe në të keq, përherë me ty do të jem,
në këtë botë dhe në të gjitha botët e tjera.
(A.R)
 

Hektor12

Locus omnem
Përgjatë një nate si kjo sonte,
kur shoh vetminë e shpirtit tim se si më kot përpiqet të fshihet në zgjoin e turmave,
ndiej një nevojë të çuditshme të ulërij dhe të çirrem si i marrë.
Mos më pyet prej nga vjen gjithë ai mllef, sepse nuk dua të të gënjej duke të thënë se ti arsyen nuk e njeh.
Përgjatë një nate si kjo sonte,
kur krejt çfarë dua është të strukem në një kënd të errët të dhomës dhe porsi struci kokën nën jastëk ta fsheh,
ndihem i trembur thuajse një armik i rrezikshëm nga pas më gjëmon.
Mos më pyet kush, sepse nuk dua të luaj injorantin duke kërkuar edhe unë fajtorin e padukshëm.
Përgjatë një nate si kjo sonte,
kur me çdo kusht dua të rri zgjuar që ty në ëndrra mos të të takoj,
më shumë se kurrë më parë, e ndiej se ti je përgjigja e vetme e të gjitha pyetjeve të mia.
Mos më pyet pse, sepse nuk kam më fuqi të aktroj.
Sonte xheloz edhe për vetë hënën po ndihem,
dhe as nuk mund ta përballoj lojën e saj të dashurisë me planetet e pafundëm, që në pluhur yjesh është praruar,
sepse gjithçka që ne patëm dhe humbëm, tashmë kthjelltësisht në mendje më është rikthyer.
(A.R)
 

Hektor12

Locus omnem
Kam nevojë të tregoj se akoma të dua dhe nuk dua t’ia di edhe nëse gjithë shoqëria jote do të më qeshin ligësisht pas shpine.
Mos vallë duhet të ndihem fajtor pse sot jetojmë në një kohë kur rrallëkush beson tek dashuria?
Kam nevojë të dëshmoj se sa e çmuar vazhdon të jesh për mua dhe se nuk është e vërtetë se ti më je bërë vetëm shprehi.
Nuk është se shpresoj se mund të ta ndryshoj ty mendjen, por nuk kam më asnjë arsye që ta gënjej veten duke pandehur se mund t’ia dal pa ty.
Edhe i dehur xurxull, prehri im nuk është për askënd tjetër, prandaj lë të thonë çfarë të duan.
Ti je dhe do të mbetesh Heroina ime, mbretëresha e të gjitha varësive.
(A.R)
 

Hektor12

Locus omnem
Mos më sprovo më tepër.
Mos ngulmo që edhe mua të më ikë truri pas teje.
Jo se nuk jam i gatshëm ta bëj edhe këtë, por nuk është e drejtë që bashkë me zemrën të ma marrësh edhe mendjen.
Tregohu e mëshirshme,
mjaftohu me dashurinë time.
Më lejo të jem i kthjellët, sepse dua ta shijoj çdo detaj të magjisë tënde.
(A.R)
 
Top