Re: "ceshtja Moisiu"
jozefina topalli, ne emer te parlamentit i pergjigjet publikisht presidentit.
------------
15 tetor 2006 - Topalli përgjigje ligjore dekretit të Presidentit të Republikës
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është një akt integral. Dispozitat e Kushtetutës nuk janë të lidhura me njëra tjetrën vetëm formalisht, por edhe nga përmbajtja e tyre. Normat dhe parimet e shprehura në Kushtetutë përbëjnë një sistem harmonik dhe, si pasojë, është e pamundur të ndërtohet interpretimi i një norme kushtetuese duke anashkaluar dhe injoruar dispozitat e tjera, apo më keq të interpretosh një normë duke mohuar apo denigruar përmbajtjen e normave të tjera kushtetuese. Një veprim i tillë eleminon tërrësisht rregullimin kushtetues si dhe balancën e vlerave kushtetuese, e cila në rastin me të pakët vihet në pikëpyetje.
Në rastin konkret Presidenti i Republikës nuk ka parë lidhjen harmonike të dispozitave kushtetuese, nuk ka analizuar raportin e tij në këtë proces me përcaktimin kushtetues se “SHQIPËRIA ËSHTË REPUBLIKË PARLAMENTARE”. Ai nuk ka realizuar transformimin e parimeve të përgjithshme me instrumenta konkretë në marrëdhënien e tij me Kuvendin në rastin e shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm.
Në lidhje me pretendimin e parë të shkresës së lexuar dje, sqaroj:
Në aspektin formal, duke respektuar të drejtën e përfaqësueses së interesave të Kuvendit, Dekreti nr. 5086, datë 13.10.2006, i cili me të njëjtën shkresë i është dërguar Kuvendit dhe Qendrës së Publikimeve Zyrtare (vini re çfarë hierarkie) është i mangët dhe i pambështetur në ligjin themelor të shtetit. Në tekstin e dekretit nuk jepen arsyet, por vetëm vendimi i Presidentit. Arsyet jepen në një letër shoqëruese, e cila në çdo rast mbetet shkresë zyrtare, por jo një dokument i mirëfilltë ligjor. Më lejoni t’ju kujtoj se kjo praktikë nuk ishte ndjekur nga Kuvendi. Materiali u bë pjesë e një dokumenti të mirrëfilltë juridik me vlerë të plotë ligjore, sepse iu bashkëngjit vendimit të Kuvendit si pjesë integrale e tij.
Nëse Kuvendi i vendosi në dispozicion të plotë të gjithë materialin Presidentit të Republikës, deri edhe në detaje shkresore, mori si përgjigje zyrtare një shkresë të Presidentit, mëse të përgjithshme, me teorizime, leksione dhe fjalë nga më të përgjithshmet dhe citime në ligjëratë të zhdrejtë ligjesh, duke iu shmangur kështu analizës së shumëpritur, për të cilën kërkoi disa muaj kohë.
Në lidhje me pretendimin e dytë:
Unë vlerësoj se është detyrë e Presidentit që të marrë në shqyrtim një për një, çdo fjalë dhe fjali të raportit, përfshirë këtu edhe mendimin e minorancës dhe pas analizës së mirëfilltë kushtetuese dhe ligjore, në terma konkretë, të realizojë kompetencën e vet kushtetuese të shkarkimit ose jo të Prokurorit të Përgjithshëm. Më lejoni t’ju kujtoj se praktika të tilla në disa vende të Europës Juglindore shkojnë për vendimmarje paraprake në Gjykatat Kushtetuese, të cilat, përveç vendimit abstrakt, i futen thellë analizës se përse një veprim ose mosveprim përbën shkak kushtetues për shkarkimin e një organi kushtetues, madje deri tek Presidenti i Republikës.
Në një shtet demokratik të së drejtës të gjitha institucionet shtetërore dhe zyrtarët në krye të tyre duhet të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjin. Në këtë kuptim, përgjegjësia e organeve shtetërore ndaj publikut është parim kushtetues i shtetit në një sistem të së drejtës; ajo është një institut i konsoliduar, sepse institucionet e shtetit i shërbejnë popullit, se veprimi i tyre vendoset nga Kushtetuta dhe se zyrtarët e shtetit që thyejnë Kushtetutën dhe ligjin, që vënë interesat personale apo të një grupi të vogël njerëzish rreth tyre mbi ato të shoqërisë, apo dhe më keq, veprime të cilat diskreditojnë rëndë pozitën shtetërore, duhet të shkarkohen në përputhje me shkaqet dhe procedurat e parashikuara në Kushtetutë dhe ligj.
Instituti kushtetues i shkarkimit të një organi kushtetues, pavarësisht nga forma e paraqitjes së tij, është një nga format e kontrollit publik dhe demokratik të një pushteti, një mënyrë e shfaqjes së përgjegjësisë kushtetuese përpara kombit dhe një nga metodat e vetëmbrojtjes së një shoqërie demokratike ndaj abuzimeve të kryera nga organi kushtetues në ushtrimin e kompetencave ligjore.
Unë shpreh bindjen e plotë se Kuvendi kreu detyrën e vet kushtetuese të balancës dhe të kontrollit demokratik të institucioneve. Ai shqyrtoi, në përputhje me planin e veprimit hetimor të miratuar nga Kuvendi, veprimet dhe mosveprimet e Prokurorit të Përgjithshëm, i ballafaqoi ato me shkaqet kushtetuese për shkarkim dhe arriti në konkluzionet përkatëse.
Veprimtaria e Komisionit Hetimor dhe e Kuvendit nuk mund të shihet si ndërhyrje në pavarësinë institucionale, përsa kohë nuk preket pavarësia dhe kompetenca institucionale për ndryshimin e fatit juridik të një dosjeje apo çështjeje penale. Ato merren vetëm si indikacione dhe të dhëna, sepse, ndryshe nga Presidenti i Republikës, analiza parashtrohet në terren konkret si një standard i kërkuar nga Kushtetuta në raste të tilla.
Në lidhje me pretendimin e tretë:
Unë besoj se, argumentet e tjera të paraqitura në letrën e Presidentit të Republikës për mospjesëmarrje të nismëtarëve të kërkesës për shkarkim në komisionin hetimor dhe prononcimet paraprake të deputetëve në media, nuk kanë asnjë mbështetje dhe argument ligjor. Për më tepër, sidomos në rastin e sulmit të deklarimeve të anëtarëve të veçantë të Komisionit, Presidenti në marrëdhëniet me Kuvendin duhet të jetë i kujdesshëm. Të drejtën e fjalës deputetit as nuk ia jep dhe as nuk ia merr dot Presidenti i Republikës dhe, as nuk mund të përcaktojë metodologji sesi duhet të ushtrohet ajo. Kjo është e papranueshme në një shoqëri demokratike.
Në vlerësimin e mazhorancës, procesi i shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm ishte tërësisht kushtetues dhe përmbushte çdo standard të kërkuar nga Kushtetuta, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe jurisprudenca kushtetuese e vendeve të tjera. Garancitë, ky proces i kishte si një nga qëllimet prioritare dhe askush, madje as Presidenti i Republikës, nuk ankohet për procesin e rregullt ligjor. Diferenca mes Kuvendit dhe Presidentit të Republikës qëndron në materializimin e procesit: ndërsa Kuvendi kërkon dhe paraqet një shkallë të admirueshme detajimi dhe ballafaqimi juridik, Presidenti i shmanget një qëndrimi të tillë.
Në momentin e zgjedhjes, zoti Moisiu iu betua Kuvendit se do t’i shërbejë “….. interesit të përgjithshëm dhe përparimit të popullit shqiptar”. Ky betim shikohet kushtetuetshmërisht si një veprim që lidh postin e Presidentit me kombin, si një betim solemn që në shumë vende përbën edhe shkak kushtetues, në rast thyerjeje, për shkarkimin e tij nga detyra. Gjithsesi, unë nuk jam për të nisur një impeachement.
Nuk mund të parashikojmë sesi është përkthyer në gjuhën presidenciale “interesi i përgjithshëm dhe përparimi i popullit shqiptar”, por në një gjë jemi të sigurt, terminologjia e përdorur duhet të jetë ajo e para 3 korrikut 2005.
Le të mbetet ky dekret një aksident historik, që do të zbehë pakëz, por kurrë nuk mund të stepë dhe të shuajë aspiratën e integrimit europian, ku si kusht parësor kemi luftën ndaj krimit të organizuar dhe kapjes së shtetit.
www.parlament.al
-----------------
Konflikti vazhdon
Nderkohe shumica pranon humbjen dhe terhiqet nga shkarkimi i kryeprokurorit pa harruar te ngerdheshe dhembet ndersa largohet "me bisht nder shale" nga muri ku shkoi te perplaste koken.