Re: "ceshtja Moisiu"
FJALA E PRESIDENTIT MOISIU NË TAKIMIN "REFORMA PËR KOSOLIDIMIN E PUSHTETIT GJYQËSOR - NJË SFIDË E PËRBASHKËT".
6 dhjetor 2006
Të nderuar pjesëmarrës!
Çështja e reformës në drejtësi, tashmë është bërë një ndër problemet më popullore tek ne. Të gjithë flasin për këtë. Në fushata, në debate parlamentare, në trajnime të ndryshme, në dokumentat e PE, KE, BE, OSBE, NATO dhe në mesazhe të ndryshme ndërkombëtare. Me çdo problem që ndeshen pushtetet e tjera përgjegjësinë ia kalojnë gjyqësorit. Vetëm se asgjëkundi dhe asnjeri nuk përmend dhe tregon konkretisht se ç’farë duhet bërë. Të gjithë flasin, por askush nuk vë dorën në plagë seriozisht dhe saktësisht. Ka patur raste që janë bërë ndërhyrje ligjore në formë të arnimeve, por siç dëshmon edhe përvoja jonë dhe e vendeve të tjera, reformat japin rezultate vetëm kur janë të plota, profesionale, gjithëpërfshirëse dhe afatgjata. Ndaj mendoj se përmirësimi dhe shëndoshja me themel e sistemit të drejtësisë, kërkon gjithashtu një punë me themel. Nuk mund ne të hedhim hapa të dobishëm nëqoftësë nuk do të zbulonim mangësitë e sistemit. Pasi të jetë bërë kjo atëherë do të mund të dilnim me konkluzione se çfarë duhet të përmirësojmë dhe si.
Nga këndëvështrimi im përmirësimi kryesisht duhet të kryhet në tre kollonat kryesore: në përmirësimet ligjore, në përmirësime organizative dhe në rritjen e përgatitjes profesionale. Pikërisht këto nuk mund të kryhen pa pjesëmarrjen e specialistëve më të mirë të sistemit gjyqësor, që disponojnë vullnetin, përgatitjen dhe përvojën e duhur.
Jo më kot në raporin e fundit të OSBE thuhet: “Gjykatave dhe prokurorive duhet t’u kërkohet të miratojnë strategji dhe të ndërmarrin masa konkrete për të adresuar korrupsionin”.
Për arsyet që përmenda më lart kam ndërmarrë nismën për organizimin e këtij takimi konsultativ me ju. Me të vetmin qëllim për të evidentuar gjendjen në të cilën ndodhet pushteti gjyqësor në raport me pozicionin dhe detyrimet e tij kushtetuese; nivelin e arritur nga strukturat e këtij pushteti në raport me standartet ndërkombëtare dhe kontributin e pritshëm të tij për forcimin e demokracisë, shtetit ligjor, të drejtat të njeriut; për konsolidimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së tregut në Shqipëri; për rritjen e kapaciteteve dhe besueshmërisë së këtij pushteti në planin e brëndshëm dhe në raport me detyrimet dhe përfitimet që na vijnë në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë dhe të drejtësisë. Këto sfida, të përbashkëta apo pjesë të përgjegjësive të ndërsjellta me dy pushtetet e tjera, janë vendimtare, jetike, ashtu sikurse parashikon Kushtetuta, për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror.
Vendosmëria, konsensusi, bashkëpunimi real, maturia, largpamësia dhe angazhimi i të gjithëve në përballimin me sukses të këtyre sfidave, janë një detyrë dhe kontribut i pazëvendësueshëm për të mundësuar në një kohë sa më të afërt, përmbushjen e objektivit strategjik mbarëshqiptar për integriin, anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Natyrisht që problematikat, shkaqet dhe rrugëzgjidhjet që kanë të bëjnë me gjendjen aktuale dhe reformat në pushtetin gjyqësor nuk mund të ezaurohen në kuadër të një takimi. Por, si kudo në vendet perëndimore, takime me formatin dhe pjesëmarrjen e sotme gjithëpërfshirëse, jam i bindur se mund dhe duhet të zhvillohen më shpesh për të reflektuar mbi atë që është bërë, çfarë problemesh janë krijuar dhe ekzistojnë, cilat janë shkaqet e tyre dhe, ajo që është më e rëndësishmja, cilat janë rrugët e zgjidhjes, nismat ligjvënëse dhe institucionale për mbështetjen e tyre që mund apo duhet të ndërmerren në kuadër të hartimit dhe zbatimit të politikave të përgjithshme shtetërore për fushën e drejtësisë.
Në ushtrimin e funksioneve të mia si President i Republikës kam qënë dhe jam i vendosur dhe plotësisht i angazhuar për të ushtruar të gjitha përgjegjësitë e mia kushtetuese dhe ligjore lidhur me pushtetin gjyqësor dhe proceset reformuese të tij. Për këtë kam qenë dhe jam në çdo rast i angazhuar për bashkëpunim real institucional, gjithëpërfshirje dhe konsensus në realizimin me sukses të këtyre reformave.
Të nderuar pjesëmarrës,
Në vijim, më lejoni të parashtroj vetëm disa çështje nga kompleksiteti i atyre që kanë të bëjnë me funksionimin e pushtetit gjyqësor dhe reformimit të mëtejshëm të tij. Është e njohur për të gjithë ju ajo çfarë trashëguam nga rregjimi i kaluar komunist në fushën e drejtësisë, sikurse janë të njohura për ju edhe burimet shumë të kufizuara financiare e njerëzore, mungesa e plotë e infrastrukturës, faktorët jo të favorshëm politikë e socialë për ngritjen dhe konsolidimin e një sistemi gjyqësor bashkëkohor. Duke u mbështetur vetëm në përpjekjet dhe kontributin e të gjithëve, duke u familjarizuar dhe fituar gradualisht përvojë mbi sistemin demokratik dhe shtetin ligjor, si dhe me mbështetjen e pazëvendësueshme të partnerëve tanë ndërkombëtare, kemi bërë të mundur ngritjen e një pushteti gjyqësor të pavarur, i sanksionuar si i tillë edhe nga Kushtetuta, i cili ka njohur dhe po njeh në vazhdimësi arritje të cilat duhet të vlerësohen nga të gjithë. Megjithatë, sikurse kam theksuar mëse njëherë, këto arritje do të ishin më të mëdha dhe besueshmëria e publikut tek gjyqësori do të kishte një nivel tjetër, nëse procesi i reformave të pushtetit gjyqësor nuk do të ndikohej nga shfaqja e herëpashershme e përpjekjeve për të marrë autorësinë dhe monopolin e kësaj refome, për ta konsideruar gjyqësorin si një pushtet sekondar, nën “kujdestarinë” dhe përgjegjësinë e dy pushteteve të tjera dhe, për pasojë, si një pushtet që duhet të qeveriset sipas tyre apo nën ndikimin e tyre.
Procesit të reformave të pushtetit gjyqësor jo pak probleme i kanë ardhur dhe i vijnë nga subjektivizmi dhe spontaniteti i nismave ligjvënëse dhe institucionale. Ndonëse disa dokumenta strategjike në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit përmbajnë angazhime dhe kontribute për reformën në gjyqësor, nisur nga konstatimet e mësipërme dhe nga përvojat që po aplikohen konkretisht dhe suksesshëm në vende të tjera të rajonit tonë në prag apo pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, do të evidentoja, për të ndarë me ju, domosdoshmërinë për hartimin e një strategjie afatgjatë “për reformën e pushtetit gjyqësor”, të shoqëruar me programe masash legjislative, institucionale dhe financiare komplekse dhe të harmonizuara me njëra-tjetrën.
Në funksion të këtij objektivi, Kuvendi dhe qeveria, duhet të identifikojnë dhe miratojnë nismat ligjvënëse përkatëse, lidhur me objektivat e punës për hartimin e strategjisë, lidhur me ngritjen, përbërjen gjithëpërfshirëse dhe mbështetjen logjistike e financiare të një Komisioni ad hoc ndërinstitucional për reformën e pushtetit gjyqësor me pjesëmarrje edhe të përfaqësuesve të opozitës. Kështu masat dhe ndryshimet ligjore do të jenë më afatgjata.
Një çështje tjetër parimore, nga respektimi jo i kënaqshëm i së cilës burojnë jo pak probleme aktuale, është ajo e shkallës së përqasjes me Kushtetutën të sistemit aktual ligjor dhe institucional mbi të cilën mbështetet organizimi dhe funksionimi i pushtetit gjyqësor, apo edhe efektiviteti e garancitë e zgjidhjeve që ofron ky sistem aktual, përsa i përket ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Parimet themelore dhe sistemi që sanksionon Kushtetuta lidhur me pushtetin gjyqësor janë një arritje dhe materializim i paktikave dhe standarteve më bashkëkohore. Prandaj gjykoj se ka vend për të debatuar dhe gjetur zgjidhje të reja për eleminimin dhe parandalimin e kontradiktave apo mangësive që mund të evidentohen ndërmjet sistemit dhe parimeve kushtetuese me zgjidhjet ligjore dhe raportet institucionale në praktikën e zbatimit të tyre. Çfarë duhet të ndryshohet apo plotësohet në sistem në funksion të konsolidimit të pavarësisë së pushtetit gjyqësor? Cilat çështje dhe rregullime duhet të qartësohen lidhur me pozicionin, përgjegjësitë dhe kontributet reciproke të tre pushteteve në raport me njëra-tjetrën? Si do të mënjanohen dhe parandalohen kompetencat paralele, dublimet, boshllëqet, deri në përplasjet e vazhdueshme ndërmjet institucioneve të pushtetit gjyqësor me ato të ekzekutivit?
Standartet ndërkombëtare dhe përvoja e shteteve demokratike na obligon të gjithëve të reflektojmë për përmirësimin e gjendjes aktuale, për gjetjen e vullnetit politik dhe konsensusit të nevojshëm për të ndryshuar mentalitetin, për të gjetur zgjidhje bashkëkohore në funksion të eleminimit dhe parandalimit efektiv e të vendosur të ndikimit të papërshtatshëm të politikës në veprimtarinë e pushtetit gjyqësor. Ndikimet e papërshtatshme të çdo formë të politikës në çështjet vetëqeverisjes dhe buxhetit gjyqësor, në ato të emërimit, ngritjes në detyrë, karrierës dhe përgjegjshmërisë së gjyqtarëve, sikurse dëshmon edhe përvoja ndërkombëtare, aq më tepër tek ne kanë një impakt imediat negativ në raport me pavarësinë, profesionalizmin, paanshmërinë, integritetin dhe besueshmërinë e publikut tek gjyqtarët dhe pushteti gjyqësor në tërësi.
Një çështje tjetër parimore, në funksion të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, që çmoj se ka vend për t’u trajtuar me vemëndje të veçantë, është ajo shkallës që lejon kuadri ligjor dhe institucional për ushtrimin e kompetencave dhe funksioneve kushtetuese e ligjore nga ana e strukturave të pushtetit gjyqësor lidhur me administrimin e punëve në sistemin gjyqësor, përfshirë edhe buxhetin. Çfarë duhet të ndryshojë dhe përmirësohet në sistem, në mënyrë që, Konferenca Gjyqësore Kombëtare, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, apo Shkolla e Magjistraturës dhe institucione të tjera pranë pushtetit gjyqësor, të forcohen dhe pajisen me kompetenca e përgjegjësi të qarta dhe të plota, jo vetëm zbatuese por edhe programuese, nga niveli qendror deri në gjykatat e rretheve, në funksion të administrimit efektiv dhe të pavarur të sistemit gjyqësor në tërësi. Pjesë të këtij debati duhet të jenë edhe çështjet e buxhetit, infrastrukturës, modernizimit të tekonologjisë së aplikuar për administrimin e gjykatës dhe të çështjeve gjyqësore, të përzgjedhjes dhe administrimit të personelit gjyqësor etj.
Në fokus të debatit, sugjerimeve dhe nismave konstruktive duhet të jenë raportet e këtyre strukturave me ato të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, në mënyrë që këto të fundit, të jenë të informuara, të mbështesin dhe kontribuojnë në përmirësimin e trajtimit financiar të gjyqtarëve dhe personelit, në zhvillimin e infrastrukturës, në modernizimin e sistemit gjyqësor dhe rritjen e kapaciteteve administruese të tij, pa ndikuar në mënyrë të papërshtatshme në çështjet e vetadministrimit e pushtetit gjyqësor, si një nga elementët e qënësishëm të pavarësisë së tij nga pushtetet e tjera. Gjithashtu çmoj se ka vend për të ndarë me ju shqetësimin dhe diskutuar lidhur me karrierën gjyqësore. Funksionimi i pavarur, integriteti dhe besueshmëria në pushtetin gjyqësor, megjithë arritjet e deritanishme, do të përbëjnë një shqetësim për të gjithë, nëse nuk reflektojmë mbi gjendjen aktuale dhe nismat që duhet të ndërmerren për trajtimin e plotë dhe të gjithanshëm, ligjor dhe institucional, të karrierës gjyqësore.
Nuk mund të bëhet fjalë për dhënien e vendimeve të drejta, për gjyqtarë të pavarur, të aftë profesionalisht, të paanshëm, me integritet dhe të besueshëm, nëse nuk garantojmë hollësisht dhe efektivisht me ligj kriteret dhe procedurat e emërimit, transferimit, ngritjes në karrierë, ushtrimit të funksioneve drejtuese në gjyqësor, pagat dhe trajtimin e diferencuar financiar të gjyqtarëve, sigurinë për jetën, shendetin, pasurinë e gjyqtarit dhe familjarëve të tij. Është në interesin e të gjithëve dhe përbën detyrim të shtetit që të gjejë dhe shfrytëzojë të gjitha burimet e mundshme për të mbeshtetur dhe garantuar karrierën profesionale të gjyqtarit.
Pushteti gjyqësor duhet të jetë jo vetëm i pavarur por edhe i besueshëm për publikun. Prandaj, gjatë ushtrimit të përgjegjësive të mia kushtetuese në raport me pushtetin gjyqësor, i kam kushtuar një vëmendje të posaçme çështjeve delikate që lidhen me transparencën dhe integritetin e gjyqtarit dhe, në veçanti, kam treguar e kërkuar përgjegjësi nga të gjithë lidhur me përzgjedhjen e kujdesshme të trupës gjyqësore si dhe qëndrim të vendosur ndaj shfaqjeve të paaftësisë profesionale, mosrespektimit të ligjit, abuzimit me detyrën, sjelljeve të padenja për një gjyqtar në raport me palët e publikun, si dhe të fenomenit shqetësues të korruptimit politik, moral e material të një pjesë të gjyqtarëve. Shfaqjet e mungesës së integritetit të gjyqtarëve deri në abuzim me detyrën e korrupsion nuk luftohen me fushata dhe shpërndarje të përgjegjësive nga një pushtet tek tjetri. Në këtë drejtim kam shqetësimin dhe shtroj për diskutim me ju nevojën për objektivitet dhe maturi në trajtimin e kësaj problematike komplekse, për të evidentuar nisma ligjore dhe institucionale që duhet të ndërmerren.
Po kështu, për të vënë në lëvizje mekanizma të brendshëm dhe transparente për sytë e publikut në vetë sistemin gjyqësor për të siguruar përzgjedhjen si gjyqtarë, vlerësimin profesional, ngritjen në karrierë dhe në funksione drejtuese e përfaqësuese të atyre që janë me integritet të padiskutueshëm, si dhe për të parandaluar promovimin e atyre që nuk e meritojnë një gjë të tillë. Posaçërisht, gjykoj se, për këtë qëllim, ka vend për të konsoliduar më tej rolin, kompetencat dhe përgjegjësitë që mund dhe duhet të ushtrojnë në këtë çështje, sikundër për të gjitha aspektet e tjera të administrimit të pushtetit gjyqësor, Konferenca Gjyqësore Kombëtare, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, strukturat drejtuese të gjykatave etj.
Këto ishin vetëm disa nga çështjet, sigurisht të rëndësishme, që çmova t’i ndaj me ju në fillimin e punimeve të këtij takimi konsultativ. Dëshiroj t’ju falenderoj të gjithëve për pranimin e ftesës sime për pjesëmarrje në këtë takim.. Nisur nga përvojat dhe përgjegjësitë e ndryshme që ushtroni, reputacioni dhe kontributet tuaja të njohura në zhvillimin e sistemit të drejtësisë, jam i bindur se observimet konstruktive dhe sugjerimet që do të bëni me pjesëmarrjen tuaj aktive në diskutim, do të gjejnë zbatim në ushtrimin e përgjegjësive të mia kushteutese e ligjore.
Ajo që është më e rëndësishme, shpresoj se besoj që ato të gjejnë vemëndjen, përkrahjen dhe vullnetin e strukturave të pushtetit gjyqësor, të Kuvendit dhe të qeverisë, për t’i kthyer ato në aksione konkrete, të vendosura, ligjore e institucionale, në funksion të një reforme të qëndrueshme dhe largpamëse për konsolidimin e pushtetit gjyqësor.
Ju faleminderit!