BSH bashkefajtore per mjerimin e shqiptareve

Leopardii

Primus registratum
Re: Banka e SHQIPERISE bashke-fajtore

BANKA E SHQIPËRISË
Sektori i BIlancit të Pagesave dhe Vrojtimeve

DEKLARATË PËR SHTYP

Zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë për vitin 2006

Data e publikimit 08.03.2007





Bilanci i përgjithshëm i pagesave për vitit 2006 rezultoi me një tepricë prej 207 milionë eurosh. Flukset hyrëse të kapitalit kanë qenë plotësisht të mjaftueshme për të përballuar nivelin e deficitit korent.

Zhvillimet kryesore në sektorin e jashtëm të ekonomisë shqiptare mund t'i përgjithësojmë në:

Thellim i deficitit korent, në krahasim me një vit më parë, si në vlerë absolute ashtu edhe në përqindje ndaj Produktit të Brendshëm Bruto (PBB).
Përmirësim i ecurisë së eksporteve.
Përmirësim në raportin e mbulimit të importeve nga eksportet.
Rritje sinjifikative e mjeteve tona valutore të investuara jashtë.
Rritje në detyrimet financiare ndaj jorezidentëve, të krijuara në formën e rritjes së depozitave të jorezidentëve në sistemin bankar.
Rritje në stokun e rezervave valutore të autoritetit monetar.
I. Llogaria korente

Viti 2006 është karakterizuar nga një aktivitet intensiv në sektorin e jashtëm, i shprehur në rritje të konsiderueshme të të ardhurave dhe të shpenzimeve korente. Vëllimi i transaksioneve korente është rritur me 14 për qind krahasuar me vitin 2005, duke shënuar një nivel prej 6.9 miliardë eurosh. Mëse 95 për qind e shpenzimeve korente kanë shkuar për blerje mallrash dhe shërbimesh. Rreth 35 për qind e të ardhurave korente kanë hyrë në formën e transfertave korente, ndërkohë që shërbimet dhe eksportet e mallrave kanë siguruar përkatësisht 37 për qind dhe 20 për qind të të ardhurave.

Deficiti korent, për vitin 2006, u vlerësua në nivelin 556 milionë euro, me një rritje prej rreth 13 për qind kundrejt vitit 2005, duke qenë i barazvlefshëm me rreth 7.6 për qind të PBB-së.

Deficiti i lartë tregtar që ka karakterizuar zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë gjatë këtij viti, ka neutralizuar efektet pozitive të zvogëlimit të ndjeshëm të pozicionit deficit në llogarinë e shërbimeve si dhe rritjen e flukseve pozitive të të ardhurave faktoriale neto, duke mbetur shkaktari kryesor në thellimin e deficitit korent për këtë periudhë.

I. 1. Tregtia e jashtme.

Viti 2006 u mbyll në një vëllim transaksionesh tregtare prej 2.9 miliardë eurosh, dhe përfaqësim prej 42 për qind në totalin e transaksioneve korente. Shpenzimet për import mallrash shënuan afërsisht vlerën 2.3 miliardë euro ose 309 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2005. Të ardhurat nga eksporti i mallrave vlerësohen në rreth 631 milionë euro, me një rritje nominale prej rreth 100 milionë eurosh.

Megjithëse norma vjetore e rritjes të eksporteve (19 për qind) ishte më e lartë se ajo e importeve (15 për qind), vëllimi i lartë i këtyre të fundit bëri që deficiti tregtar të rritej me rreth 209 milionë euro ose me 14 për qind.
Megjithatë, një zhvillim pozitiv vërehet në përmirësimin e raportit të mbulimit të importeve nga eksportet, i cili për këtë vit shënoi 27 për qind, me një rritje prej 1 pikë përqindjeje ndaj vitit 2005.

Ngadalësimi i eksporteve, i vërejtur gjatë vitit të kaluar - pasojë e rritjes së presioneve konkurrenciale në industritë kyçe të eksporteve shqiptare (tekstile dhe këpucë), nga hapja e tregjeve evropiane drejt vendeve të Lindjes së Largët (Kina, India) dhe Turqisë, shoqëruar kjo edhe me ngadalësimin e rritjes ekonomike në vendet partnere, si dhe me situatën e përkeqësuar në furnizim me energji elektrike në vend - është rekuperuar ndjeshëm gjatë këtij viti.
Masat anti-dumping të marra nga BE , ndikuan ndjeshëm në përmirësimin e situatës së industrisë përpunuese në vend (tekstile dhe këpucë). Pikërisht suficiti tregtar që erdhi nga kjo industri, gjatë këtij viti, rezultoi 45 për qind më i lartë se ai i një viti më parë. Industria e tekstileve dhe këpucëve përbën thelbin e industrisë eksportuese në vend, duke kontribuar në rreth 55 për qind, në të ardhurat vjetore nga eksporti i mallrave.

Gjithashtu, zhvillime pozitive ka shfaqur eksporti i brendshëm (eksporte në bakër, në minerale dhe në lëndë djegëse mineralesh), duke kontribuar ndjeshëm në rritje të të ardhurave të eksportit për vitin 2006.
Importet vazhdojnë të jenë kahu dërrmues i rrjedhjes së shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë me botën, duke përfaqësuar mëse 79 për qind vëllimit tregtar.

Variacioni në grupmallra dhe vëllimi i madh i importeve (31.8 për qind e PBB-së) pasqyrojnë rritmet e rritjes ekonomike të vendit me përshpejtim të sektorit të ndërtimeve dhe investime në infrastrukturë, të cilat kërkojnë importe në mallra dhe makineri. Ai, gjithashtu, reflekton një shkallë të lartë të importeve në mallra për konsum, kërkesa për të cilat, sikurse edhe ajo në ndërtime, ushqehet edhe nga dërgesat e emigrantëve.
Rritja e pazakontë e çmimeve të naftës, importet e larta në energji elektrike si dhe rritja e çmimeve të metaleve në tregjet botërore, e shoqëruar kjo me kërkesën e lartë për mallra konsumi, përbëjnë faktorët kryesorë në rritjen e importeve, gjatë vitit 2006.

Plotësimi i nevojave të brendshme me energji elektrike, si dhe rritja e çmimit të energjisë - duke pasuar zhvillimet e çmimeve të naftës, kanë pesëfishuar shpenzimet në importe të kësaj kategorie, ndërkohë që sasia e importuar u rrit gjithashtu ndjeshëm, me rreth 3,5 herë krahasuar me një vit më parë. Po kështu, importi i karburanteve rezultoi 22 përqind më i lartë se në vitin 2005. Kontributi i energjisë elektrike dhe karburanteve në rritjen totale të importit, vlerësohet respektivisht 8 për qind dhe 12 për qind.


I. 2. Zhvillimet në zërat e tjerë të llogarisë korente.

Eksporti neto i shërbimeve për vitin 2006 u vlerësua në - 65 milionë euro, duke qenë mjaft më i ulët se ai prej -140 milionë eurosh, i regjistruar në fund të vitit 2005.

Eksporti i shërbimeve vazhdon të dominohet nga aktiviteti i turizmit. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, turizmi ka gjeneruar rreth 804 milionë euro flukse të ardhurash në shërbime ose rreth 28 për qind më shumë se eksporti i mallrave. Rritja me 21.2 për qind e numrit të jorezidentëve që kanë hyrë në vend, mbetet faktori kryesor në rritje të të ardhurave të këtij aktiviteti me 16 për qind krahasuar me vitin 2005, ndërkohë që koeficientët vlerësues së shpenzimeve ditore dhe ditëqëndrimit, pësuan rënie të lehtë ndaj vitit të kaluar.

Ndërkohë, shqiptarët kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë shtetit rreth 768 milionë euro ose sa 82 për qind të totalit të dërgesave nga emigrantët. Vëllimi i shpenzimeve për udhëtime, për vitin 2006, vlerësohet rreth 21 për qind më i lartë krahasuar me një vit më parë, si pasojë e rritjes (rreth 22.4 për qind) së numrit të udhëtarëve, ndërkohë që koeficienti i kohëqëndrimit mesatar ka pësuar rënie (10 për qind) dhe shpenzimet mestare ditore vlerësohet të kenë ruajtur nivelet e një viti më parë.

Në krahasim me vitin e kaluar, të ardhurat nga turizmi janë rritur më ngadalë se shpenzimet e të njëjtës kategori shërbimi. Në fund të vitit, bilanci pozitiv i kësaj kategorie vlerësohej 37 milionë euro nga 56 milionë euro, në vitin 2005.

Gjatë këtij viti, vihet re një përmirësim i bilancit të tregtisë në pothuaj të gjithë sektorët e shërbimeve. Zhvillimet e sektorëve të shërbimeve karakterizohen nga liberalizimi i tregut, zgjerimi i tekonologjisë në shërbimet e informacionit, shumëllojshmëria e shërbimeve kulturore, si dhe rritja në vëllimin e shërbimeve financiare.
Ndërkohë, Shqipëria vazhdon të jetë importuese neto e shërbimeve të transportit dhe të sigurimit të mallrave, fenomen ky që lidhet natyrshëm me rritjen e importeve të mallrave dhe që ndikon drejtpërdrejtë në deficitin e tregtisë së shërbimeve.

Bilanci pozitiv i të ardhurave faktoriale në fund të vitit (215 milionë euro), vlerësohet i rritur ndjeshëm kundrejt vitit paraardhës (58 për qind). Kjo rritje, këtë vit nuk i dedikohet vetëm të ardhurave nga puna e punëtorëve sezonalë e atyre kufitarë dhe interesave të akumuluara nga investimi i rezervave valutore të sistemit bankar në institucionet financiare jorezidente, por edhe të ardhurave të përftuara nga investimet tona direkte jashtë dhe investimeve të mjeteve financiare, në formën e investimeve të portofolit. Të ardhurat nga puna, përfaqësuan rreth 58 për qind të bilancit pozitiv të të ardhurave, ndërkohë, të ardhurat neto në formën e interesit nga investimet, kanë pësuar rritje prej 42 për qind. Shqipëria gjatë vitit 2006 ka paguar 24 milionë euro për të shlyer interesat mbi borxhin e saj të jashtëm, të cilat vlerësohen lehtësisht në rënie kundrejt vitit 2005 (4 për qind).

Transfertat korente kanë marrë formë prej prurjeve nga emigrantët. Këto të fundit, përfaqësojnë burimin kryesor të financimit të deficitit në tregti mallrash dhe shërbimesh dhe gjatë vitit 2006 janë vlerësuar në nivelin 933 milionë euro ose 12.8 për qind e PBB-së. Kontributi i këtyre dërgesave në zbutjen e deficitit tregtar llogaritet në rreth 55.4 për qind ose 5 pikë përqindje më pak se në vitin e kaluar.

Prurjet nga emigrantët janë shoqëruar edhe nga transferta zyrtare, kryesisht në formë të asistencës teknike (39 milionë euro), të cilat vlerësohen me një rënie prej 17 për qind kundrejt një viti më parë.

II. Llogaria kapitale dhe financiare

Viti 2006 karakterizohet nga një lëvizje shumë e madhe e kapitalit në të dy kahët, si në flukset hyrëse ashtu edhe në ato dalëse. Përjashtuar transfertat e njëanshme të kapitalit, llogaria financiare këtë vit përkufizohet në rritje të madhe si të detyrimeve financiare të Shqipërisë me botën, ashtu edhe të mjeteve tona jashtë. Megjithatë, viti u mbyll me një bilanc pozitiv të llogarisë kapitale dhe financiare (rreth 558 milionë euro), duke mundësuar plotësisht financimin e deficitit korent.

Transfertat kapitale, të cilat karakterizohen kryesish nga grante me karakter investimi si në sektorin shtetëror ashtu edhe në atë privat, vlerësohen 167 ose rreth 68 milionë eruo më shumë se në vitin e kaluar.
Në llogarinë financiare vihet re një rritje sinjifikative e mjeteve tona valutore të investuara jashtë ekonomisë shqiptare, kryesisht ato të sistemit bankar, përfaqësuar nga investime afatshkurtra dhe afatmesme. Akumulimi i madh, i ndodhur këtë vit, i mjeteve valutore në sistemin bankar, ka detyruar këtë të fundit të zgjedhin alternativën e rritjes së investimit të tyre në institucionet financiare jashtë.

Mjetet valutore të zotëruara nga sistemi bankar në formën e depozitave jashtë, të cilat zënë peshën kryesore të kësaj rritjeje, vlerësohen me rritje (rreth 157 milionë) kundrejt rënies së vitit të kaluar. Në përbërjen e tyre, 55 për qind zënë mjetet në dollarë, ndërsa pjesa tjetër është në euro (39 për qind) dhe stërlina angleze (6 për qind). Rritja e këtyre mjeteve, ka ardhur si pasojë e rritjes së depozitave të rezidentëve dhe jorezidentëve në sistemin tonë bankar, i cili i ka investuar këto në institucionet financiare jashtë. Njëkohësisht është vënë re edhe një ndryshim i raportit të mjeteve të investimit. Sistemi bankar këtë vit, ka preferuar zhvendosjen e mjeteve nga investime portofoli në depozita me jashtë. Kështu, mjetet financiare në formën e investimeve të portofolit, regjistrojnë shumën 84.3 milionë euro, duke shënuar një rënie vjetore prej rreth 27 milionë eurosh. Në përbërjen strukturore sipas monedhave, investimet e portofolit gjatë këtij viti mbizotërohen nga ato në dollarë rreth 77 për qind, në euro 16 për qind dhe në stërlinën angleze 7 për qind.

Njëkohësisht edhe këtë vit, ekonomia shqiptare ka pritur flukse hyrëse të kapitaleve të huaja, duke rritur detyrimet e saj me rreth 546 milionë euro. Kjo rritje, e cila vlerësohet rreth 51 qind më e lartë se në vitin 2005, vjen kryesisht nga investimet direkte, huamarrja afatgjatë me terma të zbutur si dhe detyrime të krijuara nga depozita të vendosura në sistemin tonë bankar nga jorezidentë.

Fluksi i investimeve të huaja direkte gjatë vitit 2006, regjistroi 260 milionë euro kundrejt 224 milionë eurove, realizuar në vitin e kaluar. Këto vazhdojnë të jenë një faktor dominues në rritjen e detyrimeve financiare dhe në zhvillimet e transaksioneve kapitale e financiare të vendit.

Flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte, janë shoqëruar me flukse të kapitalit në formën e huamarrjes, duke rritur borxhin e jashtëm të Shqipërisë. Lëvrimet e kredive afatgjata dhe atyre të buta nga jashtë, të cilat mbeten një faktor tjetër i rëndësishëm në rritjen e detyrimeve financiare të Shqipërisë me pjesën tjetër të botës, gjatë këtij viti vlerësohen 147 milionë euro, nga të cilat 80 për qind kanë shkuar në sektorin e qeverisë. Rritja e këtyre detyrimeve, ka çuar në rritjen e pagesave të ardhshme të borxhit të jashtëm. Njëkohësisht shërbimi i borxhit të jashtëm për vitin 2006, ka reduktuar detyrimet tona me rreth 55 milionë euro, duke përfaqësuar vetëm 3 për qind të eksporteve tona gjatë vitit 2006, gjë që tregon për një aftësi paguese brenda niveleve të pranuara. Ndërkohë, huamarrja private duket të ketë ngadalësuar ritmet e rritjes së saj. Krahasuar me vitin 2005, rritja e detyrimeve të këtij sektori vlerësohet sa gjysma e fluksit hyrës të një viti më parë dhe zë vetëm 20 për qind të huamarrjes. Struktura e borxhit të jashtëm të krijuar nga huamarrja dominohet nga SDR (58% për qind), ndjekur nga monedha evropiane dhe dollari amerikan.

Këtë vit, një rëndësi të veçantë kanë marrë detyrimet financiare, të krijuara në formën e rritjes së depozitave të jorezidentëve në sistemin bankar, me 119 milionë euro. Këtu, vlen të përmendet që kjo rritje ka ardhur edhe si rrjedhojë e vendosjes së depozitave të emigrantëve në sistemin tonë bankar, gjë që tregon rritje të interesit të emigrantëve për të investuar në ekonominë shqiptare.

Detyrimet në formën e kredisë tregtare u rritën me 7.5 milionë euro, e reflektuar kjo edhe në rritje të importeve për këtë periudhë.

Flukset hyrëse të mjeteve valutore në formën e kapitaleve financiare u reflektuan në rritje të rezervave valutore të autoritetit monetar, me rreth 207 milionë euro. Stoku i rezerva valutore në fund të vitit 2006 shënoi nivelin 1.3 miliardë euro, duke qenë e mjaftueshëm për të mbuluar rreth 4.5 muaj importe mallrash dhe shërbimesh.

burimi Banka e SHqiperise



si thoni si po shkojne punet nga ana e financave mbasi lecuat kete deklarat per shtyp te BSH per vitin 2006 ??

mua gjeja e pare qe me vjen ne mend eshte pritja e nje zhvlersimi te lekut.

kam mendimin se pilafi nuk do mbaje uje per nje kohe te gjate.

ketu behet fjale per qindra milion euro perkeqesim te bilancave nga viti ne vit , duke menduar qe keto shifra jane shume te medhaja per nje shtet me 3 milion banor edhe me nje GDP rreth 7.5 miliard euro per vitin 2006.

ky eshte mendimi im
 

Leopardii

Primus registratum
Re: Banka e SHQIPERISE bashke-fajtore

</font><blockquote><font class="small">Citim:</font><hr />



si thoni si po shkojne punet nga ana e financave mbasi lecuat kete deklarat per shtyp te BSH per vitin 2006 ??

mua gjeja e pare qe me vjen ne mend eshte pritja e nje zhvlersimi te lekut.

kam mendimin se pilafi nuk do mbaje uje per nje kohe te gjate.

ketu behet fjale per qindra milion euro perkeqesim te bilancave nga viti ne vit , duke menduar qe keto shifra jane shume te medhaja per nje shtet me 3 milion banor edhe me nje GDP rreth 7.5 miliard euro per vitin 2006.

ky eshte mendimi im

[/ QUOTE ]

sot jemi 126.39 me euron.
 

Leopardii

Primus registratum
Re: Banka e SHQIPERISE bashke-fajtore

edhe mendoj se BSH do te rrisi edhe interesin e repove nga 5.5 ne 5.75% e ndoshta mund te arrisi edhe 6%.(jam me shume per 5.75%)
 

Daniel H

Primus registratum
Re: Banka e SHQIPERISE bashke-fajtore

Teprica e kredisë rritet me 70.2 miliardë lekë


J. Llupo -Shekulli

Fitimi neto i sistemit bankar për vitin 2006, raportohet rreth 7.45 miliardë lekë, nga 6.6 miliardë lekë një vit më parë, apo 12.9 për qind më i lartë. Të ardhurat nga aktivitetet kryesore, të cilat pasqyrohen në të ardhurat neto nga interesi, rezultojnë 31.2 për qind më shumë se vitin e mëparshëm.
Edhe gjatë vitit 2006 ka vazhduar ritmi i vrullshëm i kreditimit, nga ana e bankave të nivelit të dytë. Teprica e kredisë së sistemit shënoi rritje me 70.2 miliardë lekë, ose 55 për qind, nga 57.6 miliardë lekë ose 82.1 për qind një vit më parë. Bankat e mëdha evidentohen me ndikimin kryesor në rritjen e portofolit të kredisë së sistemit, me 43.3 miliardë lekë, shoqëruar nga bankat e mesme, me 20.7 miliardë lekë dhe bankat e vogla, me 6.2 miliardë lekë. Vetëm për tremujorin e fundit të vitit, teprica e kredisë së sistemit shënoi rritje me 25.5 miliardë lekë, ose 14.8 për qind, nga 15.4 miliardë lekë, ose 9.8 për qind në tremujorin e mëparshëm.

Rritet kredia me probleme

Treguesi "kredi me probleme/tepricës së kredisë bruto në fund të vitit 2006, ishte në nivelin 3.1 për qind, nga 3.3 për qind tremujorin e mëparshëm dhe 2.4 për qind një vit më parë. Ndërsa, treguesi "kredi me probleme/tepricës së kredisë neto, i cili mat madhësinë neto të ekspozimit ndaj rrezikut të kredisë, llogaritet 1.4 për qind nga rreth 1.5 për qind në tremujorin e tretë. Edhe aftësia e sektorit bankar për të mbuluar me kapital humbjet e mundshme nga kreditë, potencialisht pjesën e pambuluar me provigjione, evidentohet e përmirësuar.

Bie mjaftueshmëria e kapitalit

Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit, në fund të vitit 2006, paraqitet, në nivelin 18.1 për qind apo 0.5 pikë përqindje më pak, krahasuar me fundvitin 2005, por mbi nivelin minimal të kërkuar prej 12 për qind. Treguesi ka ruajtur prirjen rënëse të evidentuar gjatë viteve të fundit, e cila tregon për një administrim më efektiv të burimeve të sistemit. Në terma të grupeve të bankave, treguesi i mjaftueshmërisë vazhdon të shfaqë nivele më të larta në grupin e bankave të vogla ndjekur nga grupi i bankave të mëdha dhe atyre të mesme, përkatësisht me 16 për qind dhe 15.9 për qind.
 

Leopardii

Primus registratum
Re: Banka e SHQIPERISE bashke-fajtore

BANKA E SHQIPËRISË
DEPARTAMENTI I MARRËDHËNIEVE ME JASHTË, INTEGRIMIT EVROPIAN DHE KOMUNIKIMIT

Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani

në takimin “Sistemi bankar në 2007: Guvernatori komunikon me tregun”, Hotel “Tirana International”, 26 mars 2007

Data e publikimit 26.03.2007




Të nderuar pjesëmarrës,

Duke ecur në traditën tonë institucionale, në vijim të komunikimit tonë intensiv me publikun në përgjithësi dhe me aktorët kryesorë të tregut në veçanti, takimin e sotëm e gjykoj të një rëndësie të veçantë. Takime të tilla mendoj se rrisin më tej shkallën e kuptimit reciprok, duke synuar rritjen e eficiencës së tregut financiar.

Me lejoni ta filloj komunikimin tim, duke bërë një përmbledhje të shkurtër të zhvillimeve më të fundit makroekonomike. Ekonomia shqiptare ashtu si në 2005-ën edhe gjatë vitit të kaluar, vazhdoi rrugën e saj të konsolidimit makroekonomik. Prodhimi i përgjithshëm bruto i vendit, vlerësohet të jetë rritur me 5 për qind në terma realë. Kjo rritje është shoqëruar me stabilitet çmimesh, të shprehur në një inflacion mesatar vjetor prej 2.4 për qind. Kushtet monetare, të karakterizuara nga norma historikisht të ulëta interesi dhe qëndrueshmëri e kursit të këmbimit, kanë favorizuar rritjen e investimeve dhe të konsumit në ekonomi. Në mënyrë të veçantë, ato janë reflektuar edhe në rritjen e shpejtë të kredisë, duke mbështetur më tej rritjen e ekonomisë.

Zhvillimet fiskale kanë rezultuar brenda kufijve të programuar, duke kontribuar në konsolidimin e mëtejshëm të financave publike dhe në kontrollin e deficitit buxhetor.

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik në vend është shoqëruar me rritjen e shkëmbimeve tregtare me jashtë. Bilanci i pagesave është mbyllur në terma pozitivë, duke mbështetur qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit.

Në këndvështrim të politikës monetare të ndjekur nga ana e Bankës së Shqipërisë, dëshiroj të theksoj se viti 2006 ka përkuar me një ndryshim të drejtimit të mëparshëm. Fillimisht në muajin korrik dhe më tej, në muajin nëntor 2006, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, rriti përqindjen bazë të interesit me 0,25 pikë përqindje, duke bërë që niveli saj të arrijë në 5,5 për qind nga 5 për qind në fund të muajit qershor 2006.

Vendimet e Bankës së Shqipërisë ishin reflektim i një sërë faktorësh rreziku, që me praninë e tyre, përbënin një rrezik potencial mbi ecurinë afatgjatë të inflacionit, i cili, e përsëris edhe një herë, nga këndvështrimi ligjor përbën objektivin tonë kryesor. Banka e Shqipërisë është e bindur se vendimet e marra prej saj ishin të përshtatshme dhe ato kanë shërbyer për të orientuar pritjet inflacioniste, brenda intervalit të vendosur si objektiv.
|
Fundi i vitit 2006 dhe tremujori i parë i vitit 2007, si dhe parashikimet aktuale për inflacionin, tregojnë se kemi qenë të suksesshëm në këtë drejtim. Megjithatë, përfitoj nga ky rast për të theksuar edhe një herë, se mbetemi tërësisht të angazhuar në monitorimin e kujdesshëm të zhvillimeve aktuale dhe implikimeve që ato mund të sjellin për zhvillimet në të ardhmen. Fokusi ynë do të vazhdojë të jetë i përqendruar në kontrollin e presioneve inflacioniste në ekonomi.

Për këtë qëllim, dëshiroj që të tërheq vëmendjen e sistemit bankar për një projekt të ri të Bankës së Shqipërisë, i cili do të na ndihmojë shumë në këtë drejtim. Studimet tona, sentimentet e biznesit dhe ato të konsumatorit nuk arrijnë të marrin dimensionin e duhur në kushtet kur mungojnë pritshmëritë e tregut financiar në lidhje me inflacionin, me kursin e këmbimit dhe me përqindjen bazë të interesit. Në një të ardhme të afërt, sistemit bankar do t’i drejtohet një kërkesë e re, e cila ka të bëjë pikërisht me atë që sapo citova: Cila është pritshmëria e bankës në raport me inflacionin, kursin e këmbimit dhe përqindjen e repove, për periudhën afatshkurtër dhe atë afatgjatë. Personalisht, këtë e shoh si një sfidë të re për sistemin bankar, prandaj do të insistoja që i gjithë sistemi të ndalet seriozisht në këtë problem dhe shumë shpejt, të inkorporojë në strukturat organizative të tij qendrat e analizës dhe të kërkimit shkencor.

Unë besoj se tashmë sistemi bankar e ka kuptuar që, ndërmjet të tjerash, ka ardhur koha që institucione të tilla t’i kushtojnë vëmendje zhvillimeve në ekonomi, duke thelluar analizën mbi zhvillimet aktuale dhe veçanërisht mbi ato perspektive.

Një tezë tjetër në të cilën do të ndalem në vazhdim, ka të bëjë me perceptimin dhe zbatimin e vendimmarrjes së politikës monetare. Nisur nga niveli aktual i zhvillimit të tregut financiar në Shqipëri, nga shkalla e lartë e euroizimit si dhe nga faktorë të tjerë të natyrës objektive dhe subjektive, do të thoja se efektiviteti i transmetimit monetar ende nuk është në parametrat e tregjeve të zhvilluara financiare. Tregu i parasë ende është i përqendruar, segmente të veçanta të tij karakterizohen nga vëllime të vogla tregtimi ashtu si dhe nga volatilitet i lartë.

Një element i rëndësishëm në këtë aspekt është administrimi efektiv i likuiditetit, i cili ashtu si dhe për çdo bankë qendrore, edhe për ne, shkon përtej një administrimi mekanik të tërheqjes së tepricës apo injektimit të saj në rast të mungesës. Ne kemi synuar që nëpërmjet administrimit të likuiditetit, të bëjmë realitet në treg vendimet e politikës monetare, të marra nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Administrimi i likuiditetit synon kontrollin e normave afatshkurtra të interesit, për t’i mbajtur ato në të njëjtën linjë me vendimet e politikës monetare. Konkretisht, përdorimi i instrumenteve të tjera krahas instrumentit kryesor të Bankës së Shqipërisë, shpreh vendosmërinë tonë në drejtim të kontrollit të normave afatshkurtra të interesit.

Gjithashtu, dua të theksoj se shmangia e tepricave apo zgjidhja e situatave të mungesës së likuiditetit nuk mjafton, për të arritur synimin e administrimit të likuiditetit nga banka qendrore; administrimi efektiv i likuiditetit duhet të sigurojë që ky, të mund të rishpërndahet lehtësisht midis operatorëve të sistemit bankar. Kjo do bëjë të mundur uljen e luhatshmërisë së normave afatshkurtra, si rezultat i përqendrimit të likuiditetit.
Në këtë kuadër, në vitin 2007, Banka e Shqipërisë do të fillojë zbatimin e rregullores së re “Mbi marrëveshjet e riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes”, e cila do të sjellë risi edhe në drejtim të ndërhyrjeve për shpërndarjen më efektive të likuiditetit të sistemit bankar.

Ky zhvillim i kuadrit rregullativ, mendohet t’i japë një zhvillim edhe tregut të repove ndërmjet bankave të nivelit të dytë. Ai do të ndihmojë në krijimin e një tregu ndërbankar më likuid dhe një administrimi më aktiv të likuiditetit, nga ana e bankave të nivelit të dytë. Në tregjet financiare nuk ka rëndësi vetëm informacioni, por rëndësi të padiskutueshme ka koha reale në të cilën transmetohet ky informacion. Në këtë kuadër, doja të theksoja që pavarësisht se banka qendrore disponon statistikat e nevojshme për të gjykuar për gjendjen e bankave dhe veprimet e tyre, në shërbim të rritjes së efektivitetit të administrimit të likuiditetit, presim nga bankat që të punojnë më shumë për rritjen e transparencës së tyre në këtë drejtim.

Për të nxitur bankat në drejtim të rritjes së transparencës, Banka e Shqipërisë i ka ofruar sistemit rregulloren “Mbi llogaritjen e interesit fiks në tregun ndërbankar të parasë”, zbatimi i së cilës i shërben jo vetëm Bankës së Shqipërisë, por merr po të njëjtën rëndësi edhe për bankat e nivelit të dytë, në drejtim të administrimit aktiv të likuiditetit. Në po të njëjtën linjë, banka qendrore, nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në “Shoqatën e Dealer-ave” po mbështet edhe krijimin e një kodi sjelljeje, për marrëdhëniet ndërbankare, çka mendohet të vendosë një gur tjetër, në drejtim të zhvillimit të tregjeve në Shqipëri.

Siç e përmenda edhe më sipër, vendimmarrja politike e Bankës së Shqipërisë është e orientuar nga e ardhmja. Nga ky këndvështrim, do të kërkoja që edhe sistemi bankar të adoptojë të njëjtën filozofi: “Reago sot, për të shmangur ngjarjet e padëshiruara të së ardhmes!”. Siç ka thënë Alain Blinder: “Vendimmarrësit shpeshherë, vetëm sa shikojnë jashtë dritares dhe marrin vendimet e rastit, bazuar mbi rrethanat e momentit”. Për këtë arsye, duhet që sistemi bankar të adoptojë të njëjtën filozofi për të asimiluar dhe faktorizuar vendimet e Bankës së Shqipërisë në strategjinë operacionale afatshkurtër dhe atë afatgjatë.

Një çështje tjetër është një argument, i cili për nga rëndësia dhe për nga momenti në të cilin ndodhet zhvillimi ekonomiko-financiar i vendit, merr një rëndësi të jashtëzakonshme. Stabiliteti financiar është shndërruar në një temë qendrore të debatit të sotëm akademiko-praktik. Dëshiroj të sjell në kujtesën tuaj se, në muajin tetor të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë organizoi një konferencë rajonale, për këtë qëllim. Ndërkohë që debati vazhdon për përcaktimin e një grupi treguesish cilësorë dhe sasiorë për të matur vulnerabilitetin e ekonomisë, do të doja të tërhiqja vëmendjen tuaj në drejtim të një kujdesi më të madh, që duhet bashkërisht të bëjmë në këtë drejtim.

Stabiliteti makroekonomik është i një rëndësie parësore por pa dyshim, që i një rëndësie kaq jetike është dhe stabiliteti financiar. Mos harrojmë që segmenti i përfaqësuar në këtë auditor, përbën pjesën më të zhvilluar dhe më të rregulluar të të gjithë sektorit financiar. Sistemi bankar në Shqipëri është shndërruar në promotor të mbështetjes ekonomike të vendit, nëpërmjet lëvrimit të fondeve në ekonomi. Njëkohësisht, gama e produkteve financiare të ofruara prej tij rritet nga njëri vit në tjetrin.

Në fund të vitit 2006, sistemi bankar paraqitej në gjendje të mirë financiare. Aktivet e tij ishin në nivelin 624.3 miliardë lekë ose rreth 25.7 për qind më shumë se në fund të vitit 2005. Depozitat e sistemit bankar kanë arritur në 520.3 miliardë lekë, duke u rritur me 20.2 për qind mbi baza vjetore. Portofoli i kredisë arriti vlerën 197 miliardë lekë, 55 për qind më i lartë se fundi i vitit 2005. Rreth 28 për qind e portofolit të kredisë është dhënë në lekë, ndërsa pjesa tjetër në valutë. Në fund të vitit 2006, cilësia e portofolit të kredisë rezultoi 3.05 për qind. Norma e mjaftueshmërisë së kapitalit, në muajin dhjetor 2006, rezultoi 18.1 për qind; ndërkohë që fitimi i sistemit bankar ishte 7.45 miliardë lekë. Kthimi nga aktivet (RoA) ishte 1.36 për qind, ndërsa kthimi nga kapitali (RoE) ishte 20.2 për qind. Me kënaqësi, konstatoj shtimin numerik të degëve dhe agjencive bankare si dhe mbulimin gjeografik gjithnjë e në rritje të territorit, me shërbime dhe produkte bankare. Hyrja në treg e bankave të njohura evropiane, është një tjetër zhvillim i vitit të kaluar, i cili pritet të vazhdojë edhe gjatë këtij viti. Nën trysninë e konkurrencës, bankat kanë qenë më agresive në kredidhënie, duke shfrytëzuar dhe segmente të reja të tregut të kredisë, si kredia konsumatore apo huatë për pasuri të paluajtshme.

Pavarësisht konstatimeve të mësipërme, nuk do të thotë që automatikisht jemi të imunizuar ndaj rreziqeve të ndryshme, që nga njëri moment në tjetrin mund të bëhen prezente. Për më tepër, shtimi i shpejtë i kredisë përbën një argument për më shumë kujdes, veçanërisht në drejtim të cilësisë së saj. Duke qenë plotësisht të ndërgjegjshëm për rolin tonë si institucion vendimmarrës dhe rregullues njëkohësisht, kemi vendosur që të rrisim vigjilencën në këtë drejtim dhe si hap të parë, do të krijojmë një njësi të specializuar, Departamentin e Stabilitetit Financiar.

Ruajtja e qëndrueshmërisë së sistemit bankar dhe financiar, do të fitojë një dimension të ri në politikën e licencimit të ushtrimit të veprimtarisë bankare nga Banka e Shqipërisë. Banka e Shqipërisë, edhe një herë thekson objektivin e saj për licencimin dhe praninë në sistemin bankar të institucioneve të shëndosha: që mbështeten nga aksionerë të fuqishëm dhe me përvojë në industrinë bankare; që zbatojnë standardet më të mira të përgjegjshmërisë në drejtim; që realizojnë një veprimtari të ekuilibruar me rreziqe të mirëadministruara; që janë në gjendje të përballojnë dhe të zhvillohen në kushtet e konkurrencës që ofron një treg i hapur dhe i integruar në tregun financiar ndërkombëtar; që mbështesin zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe që, në mënyrë transparente, i ofrojnë publikut shërbime dhe produkte bankare cilësore dhe eficiente.

Banka e Shqipërisë beson se vetëm institucione bankare financiarisht të qëndrueshme, garantojnë themelet e një tregu financiar që zhvillohet në mënyrë dinamike, të aftë për të shmangur krizat financiare sistemike. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë mbështet dhe nxit proceset e transformimit dhe të konsolidimit të veprimtarisë së institucioneve bankare. Këto, në mënyrë të natyrshme, i vijnë në ndihmë institucioneve bankare që hasin vështirësi në veprimtarinë e tyre dhe të tjerave, që synojnë zgjerimin e veprimtarisë nëpërmjet përdorimit më efektiv të burimeve të bollshme financiare.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë, bazuar dhe në ligjin e ri mbi sistemin bankar, në bashkëpunim me autoritetet e tjera të tregut financiar, do të punojë për pasurimin dhe shtresëzimin e këtij tregu, me institucione financiare eficiente dhe të specializuara në veprimtari financiare, të cilat mbështesin veprimtarinë bankare dhe sigurojnë një mbulim më të mirë të nevojave të popullsisë me shërbime financiare.

Pavarësisht kësaj që thashë më sipër, mendoj se sistemi nga ana e tij duhet të jetë më i angazhuar në këtë drejtim. Bankat, veçanërisht ato aktive dhe me rëndësi sistemike, duhet të ngrenë dhe të forcojnë strukturat e tyre të administrimit të rreziqeve, kryesisht në drejtim të rreziqeve të tregut (të normës së interesit dhe të kursit të këmbimit), të rrezikut të kreditit dhe të rrezikut operacional. Kjo nënkupton jo vetëm sigurimin e kapaciteteve njerëzore, por edhe vendosjen në funksionim të sistemeve të nevojshme të teknologjisë së informacionit. Ky proces, nuk duhet parë si një marrëdhënie kosto-përfitim në nivel material dhe në afat të shkurtër, por si një proces i domosdoshëm, i cili e mbron bankën nga rreziqe që, në kushte të caktuara të tregut, mund të përshkallëzohen duke rezultuar, fatale.

Ndërsa vëmendja mbikëqyrëse është e përqendruar në mënyrë të veçantë në bankat e mëdha dhe me rëndësi sistemike, ajo i jep të njëjtën rëndësi edhe bankave më të vogla, të cilat ndeshen në mënyrë më intensive me pasojat që sjell forcimi i kushteve të konkurrencës në treg. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë, kërkon prej administrimit të këtyre bankave, të ndërmarrin veprime të shpejta për të ruajtur pozicionin e bankës në treg si edhe për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të veprimtarisë së tyre. Veprimet e nevojshme, duhet të synojnë përmirësimin cilësor të shërbimeve bankare për publikun, zhvillimin e projekteve të përbashkëta me bankat më të mëdha dhe me institucione financiare të tjera, të vendit dhe të huaja, krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm të punës si edhe ofrimin e stimujve të nevojshëm për personelin e tyre. Ndërkohë, këshillat drejtues dhe aksionerët e këtyre bankave, duhet të forcojnë monitorimin dhe të qëndrojnë gati, për një mbështetje financiare më të madhe për veprimtarinë e bankës.

Në veçanti, do të kërkoja që bankat të bëjnë kujdes maksimal në drejtim të:

monitorimit të vazhdueshëm dhe zhvillimit të kontrolluar të veprimtarisë së kreditimit, në drejtim të vendosjes së objektivave realistë të zhvillimit, të ekspozimit ndaj personave të lidhur, ekspozimit në valutë /pf/images/graemlins/laugh.gif– veçanërisht ndaj kredimarrësve që kanë burime financiare të pamjaftueshme në valutë, ekspozimit në produkte të reja kredie, si kredia konsumatore. E rëndësishme është që procedurat e dhënies dhe të analizës së cilësisë së kredisë, të zbatohen rigorozisht dhe banka të mbajë një qëndrim konservator, në drejtim të sigurimit të saj me garanci dhe kolaterale, si edhe në drejtim të krijimit të fondeve rezervë, të nevojshme për rrezikun e moskthimit të kredisë. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë pret që bankat tregtare të zbatojnë me përpikmëri ndryshimet e fundit, të miratuara në rregulloren “Për administrimin e rrezikut të kredisë”;

forcimit të sistemeve të brendshme të kontrollit të veprimtarisë dhe të pasqyrimit të saj, për adoptimin e standardeve më të mira të përgjegjshmërisë në drejtim dhe të hartimit e analizimit të vëmendshëm të pasqyrave financiare, nga ana e strukturave të bankës, të auditimit të brendshëm dhe të jashtëm të saj. Në lidhje me çështjen e fundit, ka nisur një proces i përmirësimit të sistemit raportues dhe i shkurtimit të kohës së raportimit të të dhënave financiare, që bankat raportojnë periodikisht në Bankën e Shqipërisë. Ne konstatojmë, se bankat duhet të përmirësojnë cilësisht mënyrën e përgatitjes dhe të raportimit të këtyre të dhënave në Bankën e Shqipërisë. Këto çështje, do të jenë temë e diskutimit në një takim të posaçëm që do të zhvillohet së afërmi.

Çështjet e zhvillimit të veprimtarisë së sigurt bankare, janë adresuar në një nivel më të lartë nga këndvështrimi juridik, në ligjin e ri “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në 18.12.2006 dhe që hyn në fuqi në 01.06.2007. Ky ligj përmban disa ndryshime të rëndësishme ku veçojmë: një adresim më të plotë të çështjeve të mbikëqyrjes së veprimtarisë bankare, duke përfshirë organizimin, monitorimin e rreziqeve, vendosjen e raporteve prudenciale të mbikëqyrjes, saktësimin e procedurave që lidhen me administrimin dhe likuidimin, përfshirjen e disa parimeve të përgjithshme për mbrojtjen e klientit (të konsumatorit të produkteve bankare) etj.. Në vijim të një njoftimi të dërguar nga Banka e Shqipërisë, në muajin janar të këtij viti, bankat duhet të përshpejtojnë hapat për të realizuar në kohë, ndryshimet e nevojshme në procedurat e brendshme, të cilat do të sigurojnë përputhshmërinë e plotë të veprimtarisë së tyre me kërkesat e ligjit të ri.

Duke përfituar nga ky takim, kërkojmë të tërheqim vëmendjen tuaj edhe në drejtim të zbatimit të kërkesës ligjore, për respektimin e standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar, duke filluar nga viti 2008. Kjo është një çështje për të cilën bankat, që iu përkasin grupeve bankare të Bashkimit Evropian, janë më të përgatitura. Sidoqoftë, këto banka, dhe veçanërisht bankat e tjera të cilat nuk e kanë këtë mundësi, duhet të punojnë në bashkëpunim me shoqëritë e auditimit të jashtëm për të përcaktuar masat konkrete në veprimtarinë e tyre për realizimin e këtij detyrimi ligjor.

Të nderuar pjesëmarrës, duke besuar se takimi i sotëm është një mundësi e mirë për të dialoguar me njëri-tjetrin, do t’ju ftoja që në vazhdim të kemi një shkëmbim sa më efektiv idesh dhe mendimesh. Në emër të institucionit që unë drejtoj, dëshiroj që edhe një herë t’ju garantoj, se Banka e Shqipërisë mbetet një institucion plotësisht i përgjegjshëm për misionin ligjor të saj, i aftë dhe i gatshëm për të bashkëpunuar luajalisht me çdo institucion apo aktor që ka ndikim në jetën ekonomiko – financiare të vendit.


Ju faleminderit!
 

Leopardii

Primus registratum
Re: Banka e SHQIPERISE bashke-fajtore

e tha me ne fund edhe nje fjale governatori yne per rrezikun e kreditimit ne valute
 
Top