Re: Baric jep doreheqjen!
<div class="ubbcode-block"><div class="ubbcode-header">Quote:</div><div class="ubbcode-body"> Dash Frasheri, Gjergji Stefa
INTERVISTË EKSKLUZIVE - Edhe pse zilja bie disa herë në shtëpinë e tij në Zagreb të Kroacisë, ndihet një përtesë për ta ngritur receptorin. “Alo”, - dëgjohet zëri i lodhur dhe me ton të ulët i Bariçit. “Kush jeni dhe për cilën gazetë merrni?”, - pyet Oto nga ana tjetër e linjës telefonike. “Ah, ‘Sport Ekspres’ dhe Albania-sport? Nuk jeni lodhur duke më pyetur në Shqipëri. Ç’mund të them unë më shumë? Ju dorëheqjen time e keni marrë vesh”, - thotë trajneri kroat, i cili u detyrua të largohej pas humbjes së thellë me Rumaninë (6-1), pikërisht në ndeshjen e tij të fundit për edicionin kualifikues Euro 2008. Të dielën në Tiranë përjetoi një ditë të zymtë pas humbjes me Bjellorusinë (2-4), që e përballoi duke qëndruar i vetëm në dhomë, ndërsa të mërkurën në Bukuresht, pas humbjes 6-1 me Rumaninë, ishte zeher. Madje përjetoi një nga ditët më të errëta të tij gjatë karrierës 40-vjeçare si trajner, për ta mbyllur karrierën si trajner i tre ekipeve kombëtare me një shifër të bukur dhe të rrumbullaktë: 100. 75-vjeçari Bariç, edhe pse në zë gjatë intervistës duket i qetë, nuk e fsheh ndonjë nuancë zemërimi. “Tare? Nuk dua të flas për të. Murati? Më thoni ku luan ai, nuk e kujtoj dot emrin e skuadrës”, - kundërpyet trajneri i tretë i huaj i Shqipërisë, pas Dosenës dhe Brigelit.
Oto nuk dëshiron të flasë për projektet e tij të afërta në botën e futbollit. “Ç’do të bëj tani? Do të shkoj tri javë me pushime në Spanjë së bashku me gruan time. Ajo është më e lumtura në të gjithë këtë histori”.
Zoti Bariç, pas humbjes 6-1 me Rumaninë, ju i deklaruat në mënyrë të papritur presidentit Duka dorëheqjen tuaj si trajner i Kombëtares së Shqipërisë, edhe pse pas disa ditësh pritej nënshkrimi juaj zyrtar i kontratës së re me Federatën Shqiptare të Futbollit. Cili ishte argumenti juaj kryesor në vendimin tuaj?
- Unë ia deklarova edhe presidentit Duka dhe ia bëra të qartë dhe atij arsyen time thelbësore, që çoi edhe në marrjen e vendimit vetëm pak kohë pas përfundimit të ndeshjes me Rumaninë. Edhe pse kishim rënë dakord për të përtëritur kontratën me Federatën Shqiptare, përvoja ime e gjatë si trajner më solli ndërmend faktin se në rast se një trajner nuk arrin të gjejë besimin e tij te lojtarët, atëherë puna më e mirë e tij është të marrë vendimin të largohet. Dua të përsëris se edhe mosha ime 75-vjeçare nuk më lejon të kem fuqitë e duhura për të drejtuar një ekip kombëtar që shfaq probleme mosimpenjimi edhe pse isha shprehur më parë me kënaqësi se do të vazhdoja drejtimin e tij.
A ka ndikuar në vendimin tuaj vonesa nga ana e presidentit Duka për nënshkrimin e kontratës?
Jo. Absolutisht, jo. Së bashku edhe me presidentin ne kishim rënë dakord për nënshkrimin e saj pas disa ditësh, madje mund ta firmosnim atë edhe me një ceremoni simbolike jozyrtare gjatë ditëve që do të qëndronim në Afrikën e Jugut në prag të hedhjes së shortit të Kampionatit Botëror. Dua ta falënderoj presidentin Duka për gatishmërinë e tij për të ma besuar edhe për dy vite të tjera Kombëtaren shqiptare. Unë i kisha paraqitur edhe një projekt të detajuar atij të cilin ai e kishte pëlqyer. Jua përsëris, pas ndeshjeve të fundit kuptova se nuk kisha më fuqi të drejtoja një skuadër që nuk më bindej.
Jeni shprehur gjithmonë publikisht se keni pasur fatin të keni grupin më të mirë të lojtarëve, madje ia keni atribuar edhe suksesin e dhjetë ndeshjeve të para atyre, duke minimizuar edhe meritat tuaja personale. Çfarë ndodhi me këtë grup lojtarësh në dy ndeshjet e fundit?
Shikoni, gjatë shtatë ndeshjeve të para të këtij viti ne kishim pësuar vetëm dy gola, dhe ato në minutat e fundit të takimit, ndërsa në dy ndeshjet e fundit pësuam dhjetë gola. A është logjike kjo? Nuk duhet të harroni faktin se në dy ndeshjet e fundit unë kam qenë në tribunë për shkak të pezullimit nga UEFA. Përveç fazës përgatitore gjatë grumbullimit dhe udhëzimeve para ndeshjes, nuk kam pasur asnjë kontakt me lojtarët gjatë dy takimeve. Unë dallova shumë qartë se futbollistët nuk po bënin në fushë atë që u kisha udhëzuar. Ishte e dukshme se futbollistët nuk kishin motivimin e duhur për të zhvilluar të njëjtin nivel loje si në ndeshjet me Holandën apo Bullgarinë.
Ju keni pasur gjatë dhjetë ndeshjeve të para rezultate shumë të mira, ndërsa në dy ndeshjet e fundit pësuat dy humbje të rënda. A besoni se ka pasur ndonjë tradhti ndaj jush?
Pse më bëni pyetje të tilla? Unë personalisht nuk dyshoj te tradhtia, por te besimi reciprok që duket se mungoi në ndeshjet e fundit. Gjatë një viti e gjysmë, unë arrita t’i njoh lojtarët, psikologjinë dhe mentalitetin e tyre, për më tepër që unë isha i informuar për gjithçka që ndodhte në ambientet e Kombëtares. Ju i keni parë si një grup solid dhe të disiplinuar ata në dy ndeshjet kundër Holandës dhe kundër Bullgarisë duke fituar edhe admirimin të gjithëve, por thuajse të njëjtët lojtarë ishin të shthurur kundër Bjellorusisë dhe aq më keq kundër Rumanisë, që për mua ishte dhe më e mira e grupit. Si e shpjegoni ju faktin që Bjellorusia mundi 2-1 Holandën apo Bullgaria me Slloveninë (2-0). Edhe te Holanda ka pasur lojtarë që nuk kanë dashur të fitojnë.
Skuadra Kombëtare është e përbërë nga dy grupe të mëdha lojtarësh nga Shqipëria dhe Kosova. A dalluat ndonjë konflikt midis tyre që të ketë ndikuar edhe në harmoninë e grupit të lojtarëve, por dhe në rezultatet e ndeshjeve?
Përse? Shikoni nuk dua të merrem me këto gjëra. Për mua si trajner i një ekipi kombëtar janë të gjithë të barabartë dhe nuk bëj dallime nëse Cana e Curri janë nga Kosova dhe Dede e Vangjeli janë nga Shqipëria. E përsëris me forcë dhe nuk dua të krijohen keqkuptime: nuk mendoj kurrë se ka pasur probleme brenda lojtarëve. Unë jam një trajner profesionist dhe kam qenë i hapur dhe njëlloj me të gjithë. Në ndeshjen e fundit mungoi Cana dhe Dallku, por ata që luajtën jo në nivelin e duhur ishin të tjerë, pasi nuk dua të përmend emra.
Në opinionin sportiv shqiptar vihet në dukje fakti se ju krijuat shumë armiq në radhët e lojtarëve të Kombëtares, ku jeni fyer edhe nga futbollistë të veçantë përmes deklaratave të tyre në media. Cili është reagimi juaj për këtë konsideratë?
Unë kam krijuar armiq? Shikoni, unë kam një përvojë jo të vogël në komunikimet me lojtarët dhe di të kuptoj shumë qartë se çfarë ndodh dhe si mund të mendojnë futbollistët për mua. E di që më kanë ofenduar, si Tare dhe Murati, (“Bariç është një plak matuf”, - ishte shprehur mesfushori), por më thoni një gjë. Çfarë ka bërë Tare te ekipi i tij, Lacio? Për të nuk dua të flas më. Po Murati, të cilin nuk e kam thirrur në gjashtë ndeshjet e fundit, e dini se ku luan? Ma thoni ju, se nuk e kujtoj dot emrin e skuadrës.
Aktivizohet me Panserraikos, një skuadër e kategorisë së dytë greke.
E dini ju sa lojtarë ka që luajnë në kategorinë e parë në kampionate të ndryshme? Unë kam parimet e mia. Si mund të thërras një lojtar, i cili pjesën më të madhe ka qenë i dëmtuar?
Duke filluar nga portieri Beqaj e deri te sulmuesi Kapllani, cili është mendimi juaj për lojtarët tani që edhe eliminatoret përfunduan, por dhe ju nuk do të jeni më trajneri i pjesës më të madhe të tyre?
Dëshiroj të sqaroj se nuk më pëlqen të veçoj emra lojtarësh, pasi në përgjithësi nuk kam pasur në dispozicion futbollistë klasi, por as të këqij. Mendimi im është se futbollistët shqiptarë janë të mirë, pavarësisht se forma e tyre në disa ndeshje ka pasur luhatje të madhe.
Cili ishte lojtari më i mirë dhe më i keqi i 12 ndeshjeve kualifikuese, sipas jush?
Unë vazhdoj të besoj se Dede është një lojtar i mirë, Vangjeli po të punojë seriozisht do t’i shërbejë shumë Shqipërisë, Curri e Dallku janë me të ardhme të madhe, por dhe Hyka e Bakaj.
Ish-kapiteni i Kombëtares, Igli Tare, në një intervistë për shtypin shqiptar pohoi se duhej të prisnim surpriza deri në fund të nënshkrimit të kontratës suaj.
Shikoni, mos vazhdoni me Taren. Nuk dua të flas për gjëra që unë personalisht nuk i di. Jam keqkuptuar shumë me gazetarët.
Si e priti familja lajmin për dorëheqjen tuaj si trajner i Kombëtares, cili ishte reagimi i tyre?
Menjëherë fola në telefon me gruan, sapo i deklarova presidentit Duka dorëheqjen time dhe i thashë se nuk do të nisesha në Johanesburg.
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen e afërt? A do të rinisni tentativat për të qenë pjesë e Dinamos së Zagrebit në rolin e drejtorit sportiv për zbulimin e talenteve?
Atyre u kam dhënë një përgjigje refuzuese ditën kur pranova ofertën e presidentit Duka. Tani më duhet të pushoj dhe do ta nis me tri javë pushime së bashku me gruan në Spanjë.
Në Shqipëri keni ardhur gjithmonë për arsye pune në drejtimin e Kombëtares, a do ta vizitonit atë si vizitor?
Përse jo? Me shumë kënaqësi, në Shqipëri kam bërë shumë miq. Vendi është vërtet i bukur. Nëse nuk arrita dot ta bind gruan time të ndjekë një ndeshje futbolli, jam i bindur se ajo do të pranonte të vinte në Shqipëri si turiste.
Një mesazh për Kombëtaren shqiptare në ditën e parë tuajën si ish-trajner i saj?
Është e natyrshme që t’i uroj asaj shumë sukses në të ardhmen me trajnerin e ri. Unë tani jam në historinë e saj, ashtu siç jam në ato të Austrisë e Kroacisë. Jam i bindur se Shqipëria do të bëjë hapa përpara, ka në gjirin e saj talente mbi të cilët edhe unë po projektoja të ardhmen e saj. Por fatkeqësisht...
</div></div>