Re: Rikthehet ne Shqiperi LILIANA KONDAKCI
Këngëtarja e mirënjohur e skenës shqiptare, Liliana Kondakçi, ka pak ditë që ka ardhur në Tiranë. Del më këmbë e takon miqtë e saj, por në rrugë ndeshet me sytë kureshtarë të
njerëzve dhe nuk bën vaki që të kalojë asnjë trotuar rruge, pa dëgjuar zëra dashamirës
që i japin kurajë. Këngëtarja, e prekur nga dashamirësit e saj të shumtë, me mirësjellje kthen përshëndetjen me një buzëqeshje, ndërsa ndalon edhe të jape shpjegime, për fansa
të saj, të cilët e ndalojnë në rrugë.
Gjatë këtyre ditëve, Liliana Kondakçi është takuar me plot miq e kolegë të saj, të afërm, të cilët e kanë pritur me padurim ardhjen e saj pas dy muajsh në Shqipëri. Paksa e tronditur dhe e befasuar nga gjithçka kishte dëgjuar për veten e saj këtu, Liliana
Kondakçi rrëfen për "Shqip" se gjithçka ka qenë një ngatërresë dhe se ajo nuk kishte qenë asnjë moment në arrest në Itali, pasi pozicioni i saj ishte sqaruar për pak orë. Ka qëndruar
pothuajse një muaj në një qendër sociale në Itali, derisa pozicioni i saj është sqaruar e më pas, Kondakçi është nisur drejt Selanikut në Greqi, ku jetojnë i shoqi, si dhe e bija me dy vajzat e saja.
Nuk kishte se si të ndodhte që pas 40 vjetësh në skenë, Liliana Kondakçi t'i vinte vulën karrierës së saj dhe të largonte dashamirësit e fansit e saj. Një ngatërresë e bërë pothuajse dy muaj më parë me policinë italiane, i kushtoi shumë, por megjithatë, këngëtarja e mirënjohur shqiptare pohon se ndihet mirë, që ndodhet këtu ku është. "Komentet e shumta janë të tepërta, pasi pozicioni im merret me mend, përderisa unë jam e lire dhe jam këtu ku jam", thotë këngëtarja për gazetën "Shqip".
Znj. Kondakçi, a mund të na thoni se si ndodhi që ju u implikuat në drogën që kapi policia italiane?
Për mua ka qenë gjithçka e papritur. Nuk e dija fare se çfarë kishte në çantë. Mua ma dhanë çantën në Greqi dhe më thanë se duhej t'ia jepja dikujt që do më njihte ai në Itali, kjo është e gjitha. Unë e mora çantën pa e ditur se çfarë kishte brenda, pasi nuk e kontrollova.
Po më pas, çfarë ndodhi në Itali?
Më pas, kur unë do dorëzoja çantën personit që më priste erdhi policia. Si duket, policia kishte informacione të mëparshme dhe e mbante në survejim personin në fjalë, pasi ata ndërhynë tamam në momentin kur unë do i jepja çantën atij. Na ndaluan të dyve.
Si arritët ju ta sqaronit dhe ta bindnit policinë italiane se nuk kishit gisht në këtë ngjarje?
Në fakt, unë nuk jam arrestuar, nuk më janë vënë prangat për asnjë moment. Gjithçka u sqarua shumë shpejt. Më pas u vendosa në një qendër sociale nga ku kam dhënë për policinë të gjitha shpjegimet dhe ata u bindën se unë nuk kisha fare lidhje me drogën që kapën.
Si e përjetuat ju atë që ndodhi?
Momenti ishte tepër i rëndë për mua, pasi gjithçka ndodhi fare papritur dhe papandehur. Lajmërova si fillim familjen që të qetësoheshin dhe u bëra me dije se unë nuk kisha lidhje. Ata e dinin se unë isha e pafajshme.
Si ka qenë reagimi i miqve tuaj?
Ata më kanë mbështetur shumë. Kolegët e mi dërguan një shkresë se me çfarë unë merresha në Shqipëri. Më kanë telefonuar disa here dhe më kanë dhënë kurajë.
Tani që keni ardhur në Shqipëri, si ndiheni, sidomos kur dilni në rrugë?
Nuk ndihem absolutisht keq, pasi unë jam e pafajshme në atë që ndodhi. Njerëzit më kanë dhënë kurajë dhe gjithandej më ndalojnë e më përshëndesin me dashamirësi.
Koha që keni qenë e detyruar të qëndroni në Itali, u ka prishur ndonjë projekt?
Sigurisht që më ka prishur projekte, pasi duke qenë një person publik, unë jam e kërkuar, ndërsa ajo periudhë ka qenë e keqe për mua.
Ku keni shkuar pasi keni dalë nga Italia?
Kam shkuar në familjen time në Greqi dhe pastaj erdha në Shqipëri, pasi ishte shumë e merakosur nëna ime. Ajo ishte bërë shumë keq dhe gjatë gjithë kohës më mbante të shtrënguar.