Re: Anti-Corruption Hotline!!!
Skandali Albtelekom, zbulohen ofertat
Julian Llupo
10-03-2007
Tiranë - Pas një serie shtyrjesh e shtesash në dokumente, është realizuar gjatë ditës së djeshme tenderi prej 10 milionë eurosh, ku "Albtelekom" kërkon blerjen e 200 000 portave ADSL për shpërndarjen e internetit. Denoncimi i mediave që në fillimet e këtij tenderi, tërësisht abuziv dhe të pabazuar ekonomikisht për ecurinë e kompanisë "Albtelekom", është vërtetuar në procedurën e zbatuar gjatë ditës së djeshme. Nga ana e drejtuesve të kësaj kompanie, nuk është lejuar asnjë media që të marrë pjesë gjatë zhvillimit të tenderit, ndërsa në njoftimin zyrtar, ky tender ishte parashikuar të zhvillohej me dyer të hapura për të interesuarit. Por dëshira për të manipuluar ofertat e kompanive dhe procesin në tërësi ka vazhduar edhe më tej, ku, megjithëse përfaqësues të kompanisë "Albtelekom" kanë mbajtur një konference për shtyp, ata nuk kanë publikuar asnjë të dhënë për kompanitë pjesëmarrëse në tender dhe për ofertat e tyre. Kjo është një dukuri e rrallë, që mund të ndodhë vetëm në kompaninë "Albtelekom", pasi në tendera të tillë mediat janë lejuar jo vetëm që të marrin pjesë, por edhe të transmetojnë direkt procedurën e shpalljes së ofertave nga kompanitë pjesëmarrëse. Ligji për Prokurimet Publike parashikon që në tenderat me dyer të hapura mund të marrin pjesë mediat, pas një konfirmimi të titullarit të institucionit përkatës. Megjithatë, çka është më e rëndësishme, ky ligj parashikon detyrimisht bërjen publike të ofertave pjesëmarrëse në tender, pas përfundimit të hapjes së tyre nga komisioni, në prani të kompanive.
***
Në bazë të investigimit të redaksisë, dokumentet për të marrë pjesë në këtë tender i kanë tërhequr 12 firma, ndërsa vetëm 9 prej tyre kanë dhënë oferta. Oferta më e favorshme në tenderin për blerjen e 200 000 portave ADSL, është ajo e dhënë nga kompania kineze "ZTE", një nga më të njohurat në botë për prodhimin e pajisjeve për telefoninë fikse, atë mobile, si edhe rrjetet e ndryshme të të dhënave. Oferta për 200 mijë porta ADSL nga kjo kompani është rreth 3 milionë euro. Kompania është e regjistruar në bursën e Shenzhen Stock Exchange, që prej vitit 1997, ndërsa në vitin 2003, të ardhurat e saj kanë mbërritur në 1.9 miliardë dollarë (sa është sot buxheti I shtetit shqiptar, pa borxh). Rritja e kapitaleve të kësaj kompanie ka vijuar edhe në vitet në vazhdim. E dyta në listën e ofertave për blerjen e 200 000 portave ADSL vjen kompania "Iskratel" ,me një ofertë prej 5.7 milionë eurosh, ndërsa në vend të tretë për nga oferta, për këtë tender, renditet kompania "Alcatal", me një ofertë prej rreth 6 milionë eurosh. Nga investigimi i brendshëm i procesit të këtij tenderi prej miliona eurosh, rezulton se gjatë këtyre dy javëve, drejtuesit e "Albtelecom" janë munduar me të gjitha mënyrat të "rregullojnë" specifikimet e tenderit. Janë shtuar "ujëra" dhe sanksionime, qëllimi i të cilëve është qëllimi I hershëm i manipuluesve të tenderave: eliminimi i konkurrencës, paracaktim i fituesit. Sa për të marrë një shembull për "ujërat" që janë shtuar: janë pajisjet e njohura me termin splitera (1,000,000 të tillë, ndërkohë që janë vetëm 200,000 porta ADSL). E, pastaj janë shtuar vlera për orë pafund të trajnimeve, plus kosto për "magazinime pajisjesh". Këto "ujëra" e shtojnë vlerën e tenderit në letra, në disa milionë euro.
***
Duke iu hreferuar tabelës së mësipërme të ofertave të kompanive, duket qartë se fitues në këtë garë është kompania "ZTE", e cila mund të ofrojë 200 000 porta ADSL ,me një vlerë prej 2.97 milionë euro. Bazuar në këto oferta paraqitur dje nga kompanitë pjesëmarrëse në tender, kompania "Alcatel" nuk mund të jetë fituese, megjithëse ajo tashmë është "e zgjedhura" e "Albtelekom"-it, para se zarfet të hapeshin për pjesëmarrësit. Madje, oferta e kompanisë kineze "ZTE" është 100% në e ulët, duke ofruar një çmim konkurrues për këtë tender që, në kushtet kur po zhvillohet, nuk ka legjitimitet dhe është një shpërdorim i hapur me fondet e taksapaguesve. Kompania kineze, "ZTE" ka ofruar për blerjen e 200 mijë portave rreth 3 milionë euro, ndërsa "Alcatel" është e treta në listë, me një ofertë prej 6 milionë euro.
***
Tenderi i zhvilluar gjatë ditës së djeshme, me një vlerë limit prej 10 milionë euro në "Albtelekom", ka marrë përmasat e një skandali, pas të dhënave të bëra publike nga "Shekulli" gjatë javëve të fundit, në bazë të një procesi investigimi të realizuar nga redaksia. Kompania "Albtelekom", që pritet që në datë 15 mars të dorëzohet te Turqit e "Calik", nuk ka asnjë legjitimitet që të realizojë tendera në shifra të tilla, të cilat nuk përfshihen në vlerën e shitjes së kompanisë. Vlera e 13 milionë dollarëve tenderuar gjatë 2 tenderave, përkatësisht me vlerë 10 milionë dhe 3 milionë euro, është në të vërtetë një zbritje në çmimin e shitjes së "Albtelekom". Çmimi I shitjes së gjigantit të telefonisë fikse prej 120 milionë euro, u firmos nga qeveria "Nano" në ditët e saj të fundit të jetës. Ky transaksion është kontestuar nga ana e kryeministrit Berisha, asokohe në opozitë, madje ishte një nga flamujt e tij të fitores së zgjedhjeve parlamentare. Po ku mbetën premtimet për një rishikim të kontratës në favor të palës shqiptare, rishikim të çmimit të shitjes, etj. Por, e kundërta ka ndodhur me ndërrimin e qeverive, ku pala shqiptare ka thelluar humbjet në këtë transaksion të shumëpërfolur. Tashmë "Albtelekom" është kthyer në një fabrikë abuzimesh dhe vjedhjesh të fondeve publike. Do të ishte vendimi më i drejtë, në bazë të një vargu denoncimesh në media, që një zyrtar i lartë i qeverisë të prononcohej për këto tenderime, që janë jashtë optikës së zhvillimit të "Albtelekom". Sqarimi i një mjegullnaje prej 13 milionë eurosh, do të ishte vendimi më i drejtë nga ana e ministrit së Telekomunikacioneve, në prag të dorëzimit të 'Albtelekom" tek turqit.
Kompanitë pjesëmarrëse në tender dhe ofertat përkatëse
Emri i Kompanisë
Çmimi për blerjen e 200 000 portave ADSL
ZTE
€ 2,973,757.00
Alcatel
€ 5,956,004.30
Huawei
€ 7,330,441.00
Zyxel
€ 8,815,917.00
Interalban
Ericcson
Samsung
Nec
€ 9,301,664.00
Siemens
€ 8,020,029.96
Iskratel
€ 5,704,603.43
Intalcom
€ 9,253,080.00
S&T
€ 8,298,397.00
Refuzohen mediat, fituesi i tenderit mbahet i fshehtë
Procedura e tenderit, e zhvilluar gjatë ditës së djeshme, megjithëse ka qenë me dyer të hapura dhe normalisht të gjithë mediat e interesuar mund të merrnin pjesë, është zhvilluar në fshehtësi dhe në mungesë transparence. Jo vetëm kaq, por drejtuesit e këtij institucioni kanë hrefuzuar që të japin informacion edhe pas mbarimit të tenderit për mediat, që ishin të pranishme prej shumë orësh, në dyert e këtij institucioni. Justifikimi për informacionin e munguar, është lidhur nga drejtuesit e "Albtelekom" me ndikimin që kanë mediat tek Komisioni i Vlerësimit të Tenderit. Por, duket se faktet janë kokëfortë dhe tregojnë të kundërtën. Skandali që ka përfshirë "Albtelekom" dhe zyrtarët e përfshirë në aferat e këtij tenderi, kërkojnë me çdo kusht që të mbajnë larg mediat, në mënyrë që çdo gjë të mbetet e fshehtë. Fshehja pas gishtit dhe në radhë të parë, shkelja rëndë e Ligjit të Prokurimit Publik, duke lënë jashtë tenderit mediat dhe madje duke mos informuar publikun për rezultatet, vë në dukje arbitraritetin e administratës, i përdorur në këtë rast për përfitime në tendera. Tenderi i realizuar dje është demaskuar nga ana e "Shekullit" që në fillimet e tij, duke u vlerësuar tërësisht abuziv jo vetëm për çmimet me të cilat parashikoheshin që të bliheshin pajisjet por, në radhë të parë, me absurditetin në thelb të tij. Askush nga zyrtarët e "Albtelekom", apo në Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit, nuk del dhe të japë një shpjegim para publikut, pse ky tender që është sa 1/10 e vlerës së shitjes së "Albtelekom", zhvillohet 4 ditë para dorëzimit te turqit. Përgjigjja për këtë pyetje dhe për dilemat e tjera të këtij privatizimi, duket se do të mungojë edhe për shumë kohë, derisa në krye të institucioneve të larta shtetërore të vazhdojnë të qëndrojnë njerëz që nuk përkojnë me menaxhimin dhe administrimin e fondeve dhe pasurisë publike, por që kanë si qëllim, vjedhjen dhe grabitjen e taksapaguesve dhe pasurisë kombëtare.
Vlera reale …
Shuma e ofruar nga ZTE prej 2.9 milione eurosh verteton qarte parashikimin e bere nga
Shekulli para pak kohesh mbi vleren reale te ketij tenderi. Aktualisht ne treg, mund te
blesh porta ADSL me pakice (500 - 1000 porta) me cmim rreth 30$ per porte, atehere
200,000 blihen per jo me shume se 16$ per cdo porte perfshire ketu edhe aksesoret e
trajnimet e nevojshme.
Po ju citojme edhe njehere fjalet e nje specialisti te huaj ne fushen e
telekomunikacioneve qe ndodhej para disa javesh ne vendin tone, i cili pohoi se "nese
ky tender per 200,000 porta ADSL realizohet me ate vlere limit prej 10 milione eurosh,
atehere fituesit e tij do behen milionere".
Ofertat e djeshme kane demaskuar qarte orvatjen e drejtuesve te Albtelekom per te
pervetesuar shuma te medha ne dem te fondeve publike.