Re: AC Milan fan club
Milan-Çelsi, duel milionësh për Ronaldinjon
gazeta shqip
Kuqezinjtë janë të gatshëm të ofrojnë një shumë stratosferike
Skuadra e Milanit është e kuotuar si fitimtare në duelin me Çelsin për të siguruar shërbimet e brazilianit Ronaldinjo gjatë verës. Klubi italian po përgatit një ofertë rekord për yllin e Barcelonës. Kuqezinjtë kanë hedhur hapat e parë për të joshur "Dinjon" në Serinë A, dhe sipas të gjitha gjasave edhe vetë futbollisti 26-vjeçar do të ishte i gatshëm të mbyllte karrierën e tij të suksesshme katërvjeçare në Spanjë, duke kërkuar një aventurë të re dhe stimuj. Sipas të gjitha gjasave, transferimi i tij te Milani do të thyejë me një diferencë të madhe rekordin e vendosur nga Reali i Madridit kur bleu për 61 milionë euro Zinedine Zidane nga Juventusi në vitin 2001. Kontrata e futbollistit brazilian ka një klauzolë shitjeje prej 150 milionë eurosh, por Barcelona do të detyrohet që ta ulë shumën e kësaj klauzole gjatë verës.
Milani ka qenë në vështirësi të dukshme gjatë këtij sezoni, falë penalizimit prej 8 pikësh pas skandalit të "Calciopoli", si dhe largimit të Andri Shevçenkos drejt Çelsit për 30 milionë sterlina. Drejtuesit e klubit janë të dëshpëruar në kërkimin për të "rinuar" një skuadër të vjetër për sezonin e ardhshëm, sidomos duke parë edhe rikthimin e rivalëve të Juventusit në sezonin e ardhshëm. Kuqezinjtë blenë për 8 milionë euro një tjetër yll brazilian gjatë merkatos së janarit, Ronaldon, por kjo ishte vetëm pjesë e planit për të gjetur marrëveshjen me Ronaldinjon. Drejtuesit e klubit janë të ndërgjegjshëm se Ronaldo, mbipeshë dhe i ndjeshëm ndaj dëmtimeve, nuk është më në formën që shfaqi gjatë qëndrimit të tij tek Interi apo Reali i Madridit. Por ato shpresojnë se duke i dhënë Ronaldinjos shansin për të luajtur përkrah një prej shokëve të tij, do ta bindin që të vijë të luajë para publikut të "San Siros". Gara pritet të jetë e ashpër, pasi edhe Roman Abramoviç kërkon të afrojë pranë Çelsit fantazistin brazilian, por londinezët aktualisht janë në disavantazh. Milani ka gjetur strategjitë e duhura për të joshur futbollistin. Rikardo Oliveira, një tjetër sulmues brazilian i blerë gjatë verës, ka zhgënjyer në të gjitha paraqitjet e tij dhe kuqezinjtë ia ofruan atë Realit të Madridit në marrëveshjen për Ronaldon. Por blerja e tij kishte një qëllim tjetër, pasi menaxheri i ish-sulmuesit të Betisit, Roberto de Asis, "rastësisht" është edhe vëllai i Ronaldinjos. De Asis ka shkëputur lidhjen me Oliveirën, por ka mbajtur kontaktet e tij me drejtuesit e Milanit. Kuqezinjtë kanë marrë kurajë edhe nga deklarata e drejtorit financiar të Barcelonës, Ferrano Soriano, i cili bëri të ditur se klubi nuk kishte ndër mend të ulej të bisedonte për zgjatjen e kontratës së Ronaldinjos para vitit 2010, kur ajo përfundon. Por në garën e dyfishtë për brazilianin mund të hyjë shumë shpejt edhe një element i tretë, Interi i Masimo Moratit. Ky i fundit është "tërbuar" pasi Milani ka firmosur me "birin e tij", Ronaldon dhe tashmë dëshiron thjesht t‘i prishë punë. Sido që të shkojnë gjërat në javët në vazhdim, një gjë është e sigurt, gara për futbollistin më të mirë të botës sapo ka filluar.