Re: A duhet te qendroje Briegel?
“Për vazhdimësinë time në krye të ekipit do të vendos në fillim të tetorit, pas bisedës që do të bëj me presidentin Duka”
Brigel, më 1 tetor për kontratën
Trajneri i kombëtares lë Shqipërinë për t’u rikthyer disa ditë para ndeshjes me Portugalinë
Asgjë nuk është përcaktuar akoma në lidhje me të ardhmen e trajnerit të Kombëtares shqiptare, gjermanit Hans Peter Brigel, kontrata e të cilit përfundon në muajin tetor. Kishte premtuar se do të bënte një përmbledhje të gjithë fazës eliminatore të Kombëtares për kohën që ai e ka drejtuar në ndeshjet zyrtare.
Festa e fitores
Por një gjë e tillë nuk është bërë, pasi pas fitores së të mërkurës, ku trajneri gjerman është shprehur i kënaqur për lojën e ekipit të tij, ai nuk kishte se si të ngelej jashtë festës së organizuar nga drejtuesit e FSHF-së deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Drejtuesit e organit më të lartë, stafi i skuadrës dhe futbollistët, kanë gëzuar me njëri tjetrin deri në orën 00:05 në ambientet e hotel “Dajtit”, ku ishte shtruar dhe një banket. Festës i ka paraprirë një fitore që i ka kënaqur të gjithë, pasi përveç rezultatit, ajo ka shpalosur dhe një lojë të mirë të kuqezinjve, sidomos në pjesën e dytë. Pikërisht në këto 45 minuta të dyta, kemi patur në fushë një kombëtare të vendosur mirë në fushë, tepër agresive dhe me fantazi, e cila ka kërkuar me ngulm golin.
Largimi me kokën pas
Ndërkohë pa u mbushur as 24 orë nga fitorja, rreth orës 14:00 të mesditës, numri një i stolit kuqezi ka lënë dje Shqipërinë për t’u rikthyer sërish në fillim të muajit tetor, pikërisht më 1 të muajit të ardhshëm. Dje në mbrëmje Brigeli ka ndarë gëzimin e fitores edhe me njerëzit më të shtrenjtë të tij, gruan dhe djalin, të cilët padyshim e kanë ndjekur me interes aventurën shqiptare të tij në këto javët e fundit. Por ikja e tij ka lënë pas shumë pyetje papërgjigjje: A do të vazhdojë Brigeli të qëndrojë trajneri i Kombëtares shqiptare edhe në të ardhmen? Kishte deklaruar se një gjë e tillë nuk varej nga rezultati i ndeshjes së djeshme, por gjithsesi, burime pranë tij kanë konfirmuar ndeshja e të mërkurës ka kthyer besimin jo vetëm te futbollistët e Kombëtares, por edhe të trajnerit gjerman, i cili është shprehur se “ka parë një skuadër të përbërë nga lojtarë të mirë e cilësorë, tek të cilët Shqipëria mund të shikojë të ardhmen e futbollit të saj”.
1 tetori për kontratën
Dhe gjithsesi, ai ka premtuar se do të mbërrijë në Tiranë sërish më 1 tetor. Por nuk ka lënë pa sqaruar dhe arsyet e kësaj vizite. “Për vazhdimësinë time në krye të ekipit do të vendos në fillim të tetorit, pas bisedës që do të bëj me presidentin Duka. Gjithashtu, do të diskutojmë për futbollin shqiptar në tërësi. Deri tani jam i kënaqur me rezultatet e arritura. Në këto ndeshje treguam se kemi mundësi për më shumë për të ardhmen”,- ka thënë Brigeli, duke e lënë të hapur të ardhmen e tij në krye të stolit të kombëtares kuqezi. Nuk është lënë asnjë shteg për të menduar për një përgjigje pozitive apo negative, ndërkohë që zyrtarët e FSHF-së kanë shprehur dëshirën që ai të qëndrojë deri në 2006, prandaj dhe mendohet se oferta e tyre është e sigurt.
'Shekulli'