Re: A duhet kundershtuar projektligji i hartuar nga OSBE per kthimin e PRONAVE ????
nderkohe
Legjislacioni
“Projektligji i hartuar nga grupi i ekspertëve të OSBE – së është më i arrituri dhe më i pranuari nga të gjitha palët”
Flet Niko Faber, nënkryetar i komisionit të bujqësisë dhe ushqimit dhe deputet i Partisë Socialiste
Ermal Nazifi / Data (18-11-2003)
Në këto dhjetë vite Kuvendi ka diskutuar shumë ligje e projektligje që kanë lidhje me pronat. Por projektligji i hartuar nga grupi i ekspertëve të OSBE – së është më i arrituri dhe më i pranuari nga të gjitha palët. Mendoj se arritja më e madhe që ka ky projektligj është heqja e të gjitha ngarkesave politike që kanë pasur projektligjet e mëparshme. Natyrisht një ligj i mirë për pronat mund të hartohet e vihet në zbatim me konsensusin e të gjitha forcave politike për të punuar së bashku për zbatimin e këtij ligji. Ne kemi hasur shumë vështirësi në hartimin e miratimin e këtij ligji, dhe zbatimi i tij do të jetë shumë shumë i vështirë. Prandaj heqja e ngarkesave politike edhe në zbatimin e tij dhe shprehja e aftësive tona politike do të ishte shumë i dobishëm në procesin e kthimit e kompensimit të pronave ish – pronarëve. Mendoj që ky ligj ka anë pozitive pasi heq kufizimin në procesin e kthimit e kompensimit të pronave dhe kompensimin e realizon, duke u dhënë pronarëve vlerën e plotë sipas kushteve të tregut. Gjithashtu, duhet të theksoj se në krahasim me ligjet e tjera të hartuara për pronat në Europën Juglindore, ky projektligj është ndër më liberalët. Pandaj, duke patur parasysh këto anë pozitive, unë shprehem pro miratimit në parim të këtij projektligji. Por në diskutimet nen për nen kam edhe vërejtje e sugjerime, që do t’i shërbejnë edhe përmirësimit dhe perfeksionimit përfundimtar të këtij projektligji.
Mangësitë e projektligjit
“Unë si vërejte do të kisha përcaktimin e saktë të Komitetit shtetëror të kthimit e kompensimit të pronave”, thotë Faber. Në projekligj nuk thuhet se pranë cilit institucion do të ngrihet ky komitet; a do të ngrihet pranë Këshillit të Ministrave apo pranë Kuvendit, apo do të jetë i pavarur. Gjithashtu, duhet të ketë edhe një nen që të thotë se kush ngarkohet me zbatimin e këtij ligj. Kjo pasi është pika më e rëndësishme e këtij projektligji.
Ja pse duhet miratuar projektligji i hartuar nga OSBE-ja
Marrë nga relacioni i grupit të deputetëve që kanë paraqitur projektligjin për pronat në Kuvend.
Projektligji për kthimin e kompensimin e pronave synon që t’i japë zgjidhje në mënyrë përfundimtare dhe të drejtë çështjes së pronësisë sipas kritereve të parashikuara në Kushtetutë. Nga zgjidhja e këtij problemi varet një aspekt i integrimit të Shqipërisë në familjen e madhe europiane. Çështja e kthimit e kompensimit të pronave është një dukuri e përbashkët për vendet ish – komuniste që po kalojnë periudhën e tranzicionit. Ky proces nxitet nga shqetësime të tilla si ai i vënies në vend të një padrejtësie historike. Por nga ana tjetër edhe sigurimi i kalimit të një tranzicioni sa më të lehtë dhe me sa më pak pasoja sociale.
Mbi të drejtën e pronësisë në Shqipëri janë vënë re deformime apo mangësi të legjislacionit. Regullimi i këtij problemi ka edhe një kosto financiare, që me buxhetin e nevojat e vendit e bën kthimin e kompensimin e pronave një çështje të mprehtë.
Në dy nene të projektligjit janë paraqitur dy variante të cilat përbëjnë edhe dy interpretime që vërehen në komunitetin e juristëve në lidhje me nenet 41 e 181 të Kushtetutës.
Komisionet e Kuvendit dhe më pas seancat plenare përbëjnë një mjedis ideal, ku politikisht dhe në mënyrë transparente duhet diskutuar e marrë vendimi përkatës; vendim i cili është i ankimueshëm për kushtetutshmërinë e tij në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo iniciativë nuk është e fundit, por vetëm fillimi i një procesi nga më të rëndësishmit në Shqipëri. Nuk është i mjaftueshëm vetëm miratimi i këtij projektligji, por edhe zbatimi i tij në praktikë. Në këtë aspekt vullneti i forcave të ndryshme politike është i një rëndësie të dorës së parë. Ky proces duhet të ngelet jashtë diktatit politik. Ai duhet të rrjedhë e të kufizohet vetëm nga veprimtari ekspertësh teknikë që të njohin e të zbatojnë vetëm ligjin.