Re: 1912.....FAJI I KUJT?
Operacioni anglo - amerikan - një aventurë e dështuar
Përmes këtij shkrimi për kapiten Thomas Mangelly synohet pasqyrimi i një pjese të operacionit të spiunazhit anglo - amerikan kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri, në vitet 1949 - 1953. Kapiten Mangelly, njëri nga oficerët e lartë të këtij operacioni, tregon për herë të parë se si filloi operacioni; pse Anglia e Amerika vendosën të përmbysnin regjimin komunist në Shqipëri; si e përgatiti CIA Mangelly-n për të stërvitur shqiptarët që do të desantonin në Shqipëri; cili ishte spiuni me “dy fytyra”, Kim Philby; pse dështoi ky operacion etj.
Sapo u formua Komiteti “Shqipëria e lirë”, në Maltë filloi përgatitja e grupeve të para diversante, kryesisht me anëtarë të Ballit Kombëtar që do të shkonin në Shqipëri. Sipas William Colb-it, ish shef i CIA-s, plani ishte që “nëse do të mund të shkëputnim një vend nga blloku lindor, kjo mund të niste procesin e shkëputjes edhe të vendeve të tjera”. Nikolas Beathel, autor i librit “Tradhëtia e madhe” shkruan: “Qeveritë amerikane dhe britanike kishin miratuar në parim një operacion të fshehtë për të shkëputur një vend të Evropës Lindore nga blloku socialist. Për shumë arsye, për realizimin e këtij objektivi, vendi i parë ishte zgjedhur Shqipëria. Ky ishte vendi më i vogël, më i varfër e më i dobët në radhën e vendeve të tjera socialiste. Në jug kufizohej me Greqinë, aleate e Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve. Zyrtarisht, Greqia, në bazë të ligjit mbretëror të Luftës së Dytë Botërore, e konsideronte akoma Shqipërinë shtet armik dhe ishte në gjendje lufte me të. Në veri dhe në lindje kufizohet me Jugosllavinë. Sipas ekspertëve, marshalli Tito, pas prishjes me bllokun socialist, do të mbante një qëndrim neutral për çfarëdo lloj ndryshimi që mund të ndodhte në Tiranë. Në këto rrethana, Shqipëria dukej e izoluar dhe me mundësi të favorshme për të penetruar nga ajri dhe nga deti prej ishullit të Maltës”.
Si do të realizohej ky plan anglo - amerikan?
Anglezët e dhanë idenë të parët. Ata do të angazhonin në këtë mision oficerët e tyre që kishin qenë me mision në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Anglo - amerikanët mendonin se destabilizimi i Shqipërisë do të arrihej përmes aktiviteteve subversive të emigrantëve shqiptarë në Itali e Greqi, të cilët, pasi të stërviteshin në Maltë e në Gjermani, do të hidheshin në Shqipëri. Në territorin shqiptar ata do të kryenin veprimtari spiunazhi. Përmes radiolidhjeve do të njoftonin shtabin e CIA-s e të SIS-it (Shërbimi Anglez i Zbulimit) se në ç’gjendje ishte Shqipëria; se ku ishin bazat e saj ushtarake e policore; se cili ishte disponimi i shqiptarëve ndaj regjimit; se si mund të organizohej një kryengritje për të përmbysur diktaturën.
nga:
http://www.albanianpublishing.com/al/