Iliro Dardan
Valoris scriptorum

Të gjithë ata që morën përsipër këtë mision e nisën punën me optimizëm dhe përkushtim dhe duket se mundi dhe djersa e tyre u shpërblye. Objektiv për fazën e parë ishte që ekipi të renditej në treshen e parë, por të kuqtë jashtë çdo parashikimi u pozicionuan të parët. Këtë pozicion Partizani e ka ruajtur me fanatizëm gjatë gjithë fazës së dytë dhe të dielën “demat e kuq” kurorëzohen si të parët në Grupin B, që do të thotë ngjitje direkte në kategorinë e parë.
Vështirësitë e kryeqytetasve kanë qenë të mëdha, por në krahasim me sezonin e shkuar të kuqtë kanë qenë më komod, për sa i përket përgatitjes dhe udhëtimit. Ky Partizan i këtij sezoni nuk ka pasur plan afatgjatë, por që në hapin e parë administratori Gjergji Thaka pohoi se objektiv kryesor është ngjitja në kategorinë e parë. Ndërsa, për gjërat e tjera do të mendohet më vonë, kur Partizani të gjejë pronarin dhe shtëpinë e re.
“Demat e kuq” sfidën e fundit me Këlcyrën e kanë takim festiv, pasi është konkretizuar me sukses objektivi, ngjitja në të parën. Prej javësh është amplifikuar thirrja: Po vjen Partizani! Por, para se të festohet kjo gjë, duhet bërë analiza se kush e dërgoi Partizanin në kufijtë e ekzistencës? Mirë që po vjen Partizani, po kush do ta presë legjendën e kuqe? Partizani është i pastrehë prej dy sezonesh, prandaj, meqenëse po vjen Partizani, ku do të strehohet?
Nëse nuk do të zgjidhen sa më shpejt këto e shumë gjëra të tjera, që kanë lidhje me Partizanin, i bie që optimizmi i këtij sezoni të mos ketë vlerë. Prej muajsh për Partizanin fliten fjalë të mira, ku thuhet do e marrin amerikanë, sheikë, biznesmenë shqiptarë, apo edhe Bashkia e Tiranës. Por shpresohet që kjo gjë të mos i ngjajë proverbit popullor: Fjalët e mira e gurët në trastë. Gjithsesi, te Partizani është kohë feste dhe të gjithë besojnë se trajektorja e do të vijë vetëm në rritje dhe të marrë fund pritja e gjatë, që daton nga përfundimi i sezonit 1992-1993, kur janë shpallur kampion për herë të fundit.