Ka peshore të llojeve të ndryshme, të mëdha e të vogla, por nuk shoh ndonjë gabim edhe sikur të quhen të gjitha ashtu. Kryesorja është të mos përdorim fjalën turke kandar në vend të peshores.
Sigurisht që gjuha duhet të pasurohet e të krijohen fjalë të reja, por atje ku është vërtet e nevojshme. Se edhe dëshira për të krijuar sa më shumë fjalë, ka një çmim, se e ndërlikon dhe e vështirëson gjuhën. Ti shiko gjendjen sot, se si shkruajnë shqiptarët. Ne mezi po i shkruajmë, ose nuk i shkruajmë dot edhe kaq fjalë sa kemi, e jo të krijojmë edhe të reja, 2-3-fishin e këtyre.
Me sa kam lexuar, njeriu i zakonshëm ka një fjalor prej 5 mijë fjalësh, kaq përdor. Fjalori i sotëm shqip ka rreth 40 mijë fjalë. Gjuhë të tjera të zhvilluara, si anglishtja, frëngjishtja etj. kanë rreth 70 mijë fjalë, por këto vende kanë qindra vjet që kanë punuar me gjuhën, se i kanë pasur akademitë që nga mesjeta, kurse Shqipëria e krijoi akademinë në vitin 1972. Me gjuhën shqipe është punuar në mënyrë shkencore vetëm 20 vjet, e për ato 20 vjet u bë shumë punë.
Gjuha duhet të pasurohet e të krijohen fjalë të reja, mbi shtratin e shqipes, duke e vazhduar atë punë që u nis dikur.