Bovarizmi është frikë nga vetëvetja!
In
Hamendësim by pafokusNovember 9, 2014
Leave a Comment
Mendoja se Ema ishte personazhi më negativ për të cilin kisha lexuar, se ishte ajo që emetonte papërgjegjshmëri, që zgjidhte të mos pranonte realitetin e të tilla si këto. Por, mbi të gjitha lexova që Ema ishte viktimë e një fjale të quajtur ‘’bovarizëm’’. Nuk dija asgjë për këta të dy, në pamje të parë thjesht mendoja se duhet të ishte diçka e rëndësishme përderisa edhe tek libri janë nënvizuar me të zeza por jo, ende nuk kisha një përgjigje të saktë. Duke i analizuar gjërat më thellë, kuptova se realisht nuk ishte ashtu. Realisht Ema ishte shumë larg asaj që mund të quhej ëndërrimtare për të kërkuar gjëra të mëdha, gjëra deri diku ndoshta dhe të paarritshme.
Nëse e mendojmë thellë, Ema thjesht donte disa gjëra të vogla, gjëra që janë esenca e jetës, si për shembull: mirëkuptimi bashkëshortor, disa biseda të gjata e të parreshtura, biseda gjatë të cilave gjithmonë të kishin për të thënë diçka, e për të mos u bërë monotone, si ajo monotonia e fshatit ku Ema dhe burri i saj jetonin, monotoni që mbyste gjithçka, apo si monotonia që rrethonte të gjitha bisedat me personat që jetonin atje. Fundja, të gjithë e duan këtë. Të gjithë kërkojnë një gjysmë tjetër që ta plotësojë, por jo diçka perfekte sepse nëse do të ishte perfekte, do të ishte tepër e ftohtë dhe pa ndjenjë. Por, ajo që më shtyn të mendoj gjatë e gjatë për t’i gjetur një përgjigje është se çfarë realisht është bovarizmi? A ekziston?
Bovarizmin unë do ta përkufizoja si një fenomen ku personi zgjedh të ndjekë ideale false për t’u shkëputur nga realiteti… Po përtej kësaj? Çfarë ekziston realisht pas këtyre ëndërrimeve të pafundme për t’u larguar nga realiteti? Disa e përdorin bovarizmin për t’u përmbushur, për të ndjerë atë çka realisht nuk mund ta ndjejnë, e për të inkurajuar veten se nuk po jetojnë një realitet bosh, të hidhur e pa ngjyra… Këtë bëri pikërisht edhe Ema. Ajo ishte shumë e mirë për kohën kur jetoi… e le të bëjmë një analogji për ta bërë më konkrete këtë që sapo thashë. Ema ishte njësoj si një eksperiment në lidhje me një specie të caktuar. Kjo specie krijohet në laborator, në kushtet më perfekte të mundshme por kur vendoset që të japë efektin në jetën reale, atëherë ajo nuk jep rezultat.
Kështu kishte ndodhur dhe me Emën. Atë e kishin edukuar me vlerat dhe virtytet e jetës, me anën estetike dhe edukative, dhe ishte formati i femrës që të gjitha do të donin të ishin në atë kohë, por kur erdhi momenti për të jetuar në realitet, për t’u perballur me sfidat e jetës, Ema u step, u mbështoll në realitetin e hidhur të saj dhe zgjodhi pikërisht bovarizmin për të shpëtuar nga vorbulla, pavarësisht se u zhyt në një realitet akoma më të hidhur se ai që realisht i kishte rënë për pjesë të jetonte. U përdor nga burrat, e arriti të zhbëjë veten e çdo gjë që deri dje e kishte poseduar si vlerë, ta mbartte si antivlerë!
Kjo ishte Ema, gruaja që mund të të përmbushte në çdo gjë, por që ndoshta nuk i përkiste realitetit dhe kohës ku i takoi të jetojë. Ishte gruaja të cilën burri i saj arrinte ta shihte vetëm si një trofe e asgjë më shumë, asnjëherë nuk e kuptoi, asnjëherë nuk arriti të depërtonte te bota e Emës, por i mjaftonte vetëm që luante piano, që ai të mund të ngrinte reputacionin e tij para të ftuarve duke e prezantuar si gruan e tij, e që thjesht mund ta admironte duke qëndruar, le të themi, si nje spektator. Një mënyrë e gabuar, kështu asgjë nuk mund të funksiononte, prandaj dhe fundi është tragjik, vetëvrasje, çka nënkupton të kesh frikë nga vetja!
Shkroi: Kamela Rapo
Kamela është nxënëse në gjimnazin “Ismail Qemajli” në vit të tretë. 17 vjeçarja e përkufizon veten si një vajzë të drejtëpërdrejtë dhe pa komplekse, që i pëlqen të shkruajë rreth problemeve dhe fenomevene që vë re në përditshmërinë e ambientit që e rrethon.