Ambasada amerikane refuzon vizat per kombetaren
Mbrojtësi i kuq bën pjesë në grupin e lojtarëve që nuk u pajisën me vizë nga ambasada e SHBA-së 26-06-2005
Pinari: S'kemi pse të trajtohemi në këtë mënyrë
Adi Metaliu
Qenka shumë e vështirë të jesh shqiptar! Të diskriminuar në botë në fusha të ndryshme, nuk kishte se si të mos ndodhte një gjë e tillë edhe në fushën e sportit. Ajo që ka ndodhur para dy ditësh në Ambasadën Amerikane në Tiranë, ku një pjesë e futbolllistëve, që do të merrnin pjesë në turneun miqësor të këtij vendi, nuk u pajisën me vizë, është një ngjarje e paprecedent. Kombëtarja jonë ka marrë pjesë edhe herë të tjera në turne të ndryshme, por kurrë nuk hasur në pengesa të tilla, ku futbollistëve u mohohet e drejta për t'u pajisur me vizë. Reagimi i ambasadës ka qenë mjaft i ftohtë, kur është shprehur shumë shkurt me anë të zëdhënësit të saj për shtyp se ata futbollistë që nuk u pajisën me vizë nuk ishin futbollistë të kombëtares. Mos ndoshta është Ambasada Amerikane ajo që i përzgjedh lojtarët e kombëtares sonë? Mjaft i prekur nga sjellja e kësaj ambasade është edhe mbrojtësi i Partizanit, Luan Pinari, i cili nuk e kishte menduar kurrë një reagim të tillë. Sipas Pinarit, të gjithë futbollistët e paraqitur në ambasadë i janë nënshtruar një pyetësori të gjatë, që kishte të bënte me karrierën e tyre si në klubet e vendit, ashtu edhe në kombëtare, por, çuditërisht, një pjese të këtyre futbollistëve u është komunikuar mosdhënia e vizës pa u shpjeguar arsyen. "Pasi plotësuam dokumentacionin e nevojshëm, u paraqitën në ambasadë për të hedhur dokumentet, që do ta na mundësonin vizën. Punonjësit e ambasadës na morën në një intervistë një nga një, ku kërkohej me imtësi se ku luanim, nëse jemi pjesë e kombëtares, kur jemi grumbulluar për herë të fundit e informacione të tjera të këtij lloji. Dhe, çuditërisht, disave prej nesh na u refuzua pajisja me vizë. Nuk e kuptova një veprim të tillë të kësaj ambasade, sepse unë, personalisht, kam marrë pjesë edhe herë të tjera në turne të tilla miqësora dhe nuk kam hasur pengesa për t'u pajisur me vizë. Ky më duket një veprim qesharak dhe, ç'është më e rëndësishmja, nuk na u shpjegua as shkaku se pse u ndërmor një veprim i tillë prej ambasadës. Ndihemi të fyer nga ky veprim i Ambasadës Amerikane, që kurrsesi nuk duhet të na kishte trajtuar në këtë mënyrë, sikur të ishim kriminelë dhe jo futbollistë. Unë mendoj se kjo që ndodhi në Ambasadën Amerikane në Shqipëri nuk ndodh ndoshta në asnjë vend tjetër të botës,"- ka deklaruar Luan Pinari. Përveç Pinarit, është edhe goleadori i kuq, Dorian Bylykbashi, i cili ka pasur të njëjtin fat me mbrojtësin e kuq. Pra, dy nga pesë futbollistët e Partizanit që do të merrnin pjesë në këtë turne, nuk kanë mundur të pajisen me viza. Pinari dhe Bylykbashi tashmë duhet të presin datën e grumbullimit të skuadrës së kuqe, për të filluar stërvitjen në prag të fillimit të kampionatit. Sipas drejtuesve të kuq, grumbullimi i skuadrës do të bëhet pas zgjedhjeve të 3 korrikut, kur në të njëjtën kohë do të nënshkruhen edhe kontratat për sezonin e ri. Më pas, skuadra, sipas vetë presidentit te Partizanit, Albert Xhani, do të udhëtojë drejt Hungarisë ose Turqisë për të zhvilluar fazën përgatitore.